Leximet e ditës
JAVA E PESTË E KRESHMEVE
E ENJTE
Antifona e hyrjes Heb. 9, 15
Krishti është Ndërmjetësi i Besëlidhjes së Re, që, në saje të vdekjes, të grishurit ta fitojnë trashëgimin e premtuar të amshuar.
Kolekta
Rri, o Zot, pranë atyre që të thërrasin dhe mbroji ata që shpresojnë në mëshirën tënde, kështu që të pastruar prej njollës së mëkatit, të qëndrojnë në jetë shenjtërie dhe ta fitojnë trashëgimin e premtimit tënd. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Zan 17, 3-9) (fq. 36)
Do të bëj baba të shumë kombeve.
Lexim prej librit të Zanafillës
Në ato ditë, 3 Abrahami ra me fytyrë përdhe para Hyjit. 4 Dhe Hyji i tha: “Ja, godia ime me ty: Do të bëhesh trungu i popujve të panumërt. 5 Nuk do ta kesh më emrin Abram, por emri yt do të jetë Abraham, sepse të bëra babë të shumë kombeve.
6 Do të bëj tejet të frytshëm, prej teje do të bëj të rrjedhin popuj, dhe prej teje do të lindin mbretër. 7 Do të bëj besëlidhje me ty ndërmjet meje e teje, dhe pas teje me breznitë që do të rrjedhin prej teje. Kjo besëlidhje e përhershme mua do të më bëjë Hyjin tënd dhe Hyjin e pasardhësve të tu pas teje. 8 Ty dhe pasardhësve të tu pas teje, do t’ua jap tokën e shpërnguljeve të tua, mbarë dheun e Kanaanit, pronë të përhershme. Dhe unë do të jem Hyji i tyre”.
9 Hyji i tha përsëri Abrahamit: “Ti duhet ta ruash besëlidhjen time, po ashtu edhe pasardhësit e tu brez pas brezit.
Fjala e Zotit
Psalmi 105 (104), 4-5.6-7.8-9 (fq. 778)
Ref. Zoti e kujton gjithmonë besëlidhjen e vet.
4 Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij,
kërkojeni gjithmonë fytyrën e tij!
5 T’ju bien në mend mrekullitë që bëri,
mrekullitë e tija dhe gjyqet e gojës së tij.
Ref. Zoti e kujton gjithmonë besëlidhjen e vet.
6 Ju fara e Abrahamit, shërbëtorët e tij,
ju, o bijtë e Jakobit, të zgjedhurit e tij!
7 Ai është Zoti, Hyji ynë,
mbi mbarë tokën gjyqet e tija!
Ref. Zoti e kujton gjithmonë besëlidhjen e vet.
8 Ai s’e harron Besëlidhjen e vet askurrë,
premtimin që ua bëri një mijë breznive,
9 lidhjen që e bëri me Abrahamin
dhe përbetimin që i bëri Izakut.
Ref. Zoti e kujton gjithmonë besëlidhjen e vet.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Sot mos e bëni zemrën tuaj gur, por dëgjojeni zërin e Zotit. (krh. Ps 95, 8ab)
Ref. Zoti e kujton gjithmonë besëlidhjen e vet.
Ungjilli (Gjn 8, 51-59) (fq. 1521)
Abrahami, ati juaj, galdoi në shpirt nga dëshira për ta parë Ditën time.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi u tha Judenjve: 51 Përnjëmend, përnjëmend po ju them: ai që e zbaton fjalën time, askurrë s’do ta shohë vdekjen” 52 [Atëherë] judenjtë i thanë: “Tani po shohim qartë se je i djallosur. Abrahami vdiq e vdiqën edhe profetët, e ti thua: Ai që zbaton fjalën time, askurrë s’do ta shohë vdekjen.’ 53 A mos je ti më i madh se Ati ynë Abrahami, i cili vdiq? Po edhe profetët vdiqën. Kush kujton se je?”
54 Jezusi përgjigji: “Nëse unë e lavdëroj vetveten, lavdi im është asgjë; ka kush më lavdëron ‑ im Atë, për të cilin ju thoni: ‘është Hyji ynë’, 55 por ju nuk e njohët, përkundrazi unë e njoh. Po t’ju thoja se nuk e njoh, do të isha rrenacak si ju. Por unë e njoh dhe e mbaj fjalën e tij. 56 Abrahami, ati juaj, galdoi në shpirt nga dëshira për ta parë Ditën time. E pa dhe u gëzua.”
57 Atëherë judenjtë i thanë: “Ende nuk i ke as pesëdhjetë vjet dhe e pe Abrahamin!” 58 Jezusi u përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: përpara se të ishte Abrahami, UNË JAM!”
59 Atëherë kapën gurë për ta gjuajtur, por Jezusi u fsheh dhe doli prej Tempullit.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Shikoje me mirësi, po të lutemi, o Zot, flinë që po ta kushtojmë, le të vlejë për kthimin tonë dhe për shpëtimin e botës mbarë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I MUNDIMIT TË ZOTIT – I
Fuqia e Kryqit
43. Ky prefacion thuhet brenda javës së pestë të Kreshmëve dhe në Meshët e misterit të Kryqit dhe të Mundimit të Zotit.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Me mundimet shëlbimprurëse të Birit tënd,
mbarë bota mësoi ta shpallë madhërinë tënde,
e nëpër fuqinë e patregueshme të Kryqit,
kryhet gjykimi i botës dhe shfaqet pushteti i të Kryqëzuarit.
Dhe prandaj edhe ne, o Zot, bashkë me engjëj
dhe me të gjithë shenjtërit
po të madhërojmë, duke thënë me galdim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Rom 8, 32
Hyji as Birin e vet nuk e kurseu, por e dorëzoi të flijohet për të gjithë ne: bashkë me të, na dha çdo gjë.
Lutja pas kungimit
Të ushqyer me dhuratën shpëtimprurëse, po i lutemi, o Zot, mëshirës sate, që ky sakrament me të cilin na ushqen në këtë jetë të na bëjë pjesëmarrës të jetës së amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Lutja mbi popull
Ji i mëshirshëm, po të lutemi, o Zot, me popullin tënd, që duke hedhur poshtë çka ty nuk të pëlqen, të mbushet me gëzimet e urdhërimeve të tua. Nëpër Krishtin Zotin tonë.