Leximet e ditës

JAVA E PESTË E KRESHMEVE

 

E PREMTE

 

Antifona e hyrjes Ps 30, 10.16.18

 

Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse ndodhem në ngushtim të madh, me shpëto prej duarve të armiqve të mi dhe prej atyre që më salvojnë. O Zot, unë nuk do të turpërohem, sepse ty të thirra në ndihmë.

 

Kolekta

 

Fali, po të lutemi, o Zot, fajet e popullit tënd, kështu që me mirësinë tënde të lirohemi prej njollave të mëkateve, në të cilat kemi rënë në ligështinë tonë. Nëpër Zotin tonë Jezu Hyj, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Ose:

 

O Hyj, që në këtë kohë e nxit Kishën tënde ta ndjekë shembullin e së lumes Mari duke soditur me devotshmëri mundimet e Krishtit, bëj, po të lutemi, që me ndërmjetësinë e saj të bashkohemi më ngushtë me të Njëlindurin Birin tënd dhe të arrijmë plotësinë e hirit të tij, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Jer 20, 10-13) (fq. 1079)

 

Me mua është Zoti si trim i trimave.

 

Lexim prej librit të Jeremisë profet

 

10 I dëgjoja shpifjet e shumëve, tmerr gjithkund përreth: ‘Paditeni! Le ta padisim!’ Të gjithë dashamirësit e mi vërenin rënien time: ‘Ndoshta do të lejojë të gënjehet! Do të ngadhënjejmë mbi të, atëherë do të hakmerremi!’

11 Por me mua është Zoti si trimi i trimave, prandaj ata që më përndjekin, do të rrëzohen e s’do të ngadhënjejnë: turpi do t’i mbulojë se s’do t’ia dalin qëllimit, marre e përhershme që kurrë s’do të shlyhet!

12 O Zoti i Ushtrive, ti, o sprovuesi i të drejtit, që ia sheh veshka e zemër, bëj ta shoh hakmarrjen tënde mbi ta, sepse në dorë tënde e lashë çështjen time!

13 Këndojini Zotit, lëvdojeni Zotin, që e çliroi shpirtin e të varfërit nga dora e keqbërësve.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 18 (17), 2-3a.3bc-4.5-6.7 (fq. 673)

 

Ref. Në ngushticë të thërras, o Zot, ti më shpëto.

 

2 Të dua, o Zot, fuqia ime!

3 Ti, o Zot, je Qeta ime,

Kështjella ime, Streha ime, Shpëtimtari im!

 

Ref. Në ngushticë të thërras, o Zot, ti më shpëto.

 

Hyji im, Ndihmëtari im, në Të shpresoj!

Ai është Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!

4 Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm,

dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.

 

Ref. Në ngushticë të thërras, o Zot, ti më shpëto.

 

5 Më tmerruan përrenjtë e Belialit,

6 më lidhën leqet e Nëntokës,

më rrethuan valët e vdekjes

po më shtrëngonin prangat e vdekjes.

 

Ref. Në ngushticë të thërras, o Zot, ti më shpëto.

 

7 Atëherë në ngushtimin tim, ndore i rashë Zotit,

kushtrim i lëshova Hyjit tim:

nga Tempulli i vet dëgjoi zërin tim,

britma ime i mbërriti përpara në veshët e tij!

 

Ref. Në ngushticë të thërras, o Zot, ti më shpëto.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë; ti i ke fjalët e jetës së pasosur. (Gjn 6, 63c.68c)

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli (Gjn 10, 31-42) (fq. 1524/5)

 

Kërkonin ta kapnin Jezusin, por ai u doli prej duarve.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

Në atë kohë, 31 Judenjtë rishtas kapën gurë për ta vrarë. 32 Jezusi u përgjigji: “Ju tregova shumë vepra të mira të Atit tim. Për cilën ndër to doni të më vritni me gurë?” 33 Judenjtë iu përgjigjën: “Nuk duam të të vrasim me gurë për shkak të ndonjë vepre të mirë, por për shkak të blasfemisë: pse ti, duke qenë njeri, e bën veten Hyj!”

34 Jezusi iu përgjigj: “A nuk shkruan në Ligjin tuaj: ‘Unë thashë: hyj jeni?’ 35 Nëse i quajti hyj ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Hyjit e Shkrimi i shenjtë nuk mund të zhbëhet 36 si atëherë ju, ati që Ati e shuguroi dhe e dërgoi në botë, mund t’i thoni: ‘Po blasfemon’ pse thashë: Jam Biri i Hyjit? 37 Nëse nuk i bëj veprat e Atit tim, mos më besoni. 38 Por nëse i bëj, po edhe nëse nuk më besoni mua, besojuni veprave, që ta merrni vesh e ta kuptoni se Ati është në mua dhe unë në Atin.” 39 Prapë deshën ta kapin, por u doli prej duarve.

40 Jezusi doli prapë matanë Jordanit, në atë vend ku më parë Gjoni pagëzonte dhe zuri vend atje. 41 Shumë erdhën tek ai dhe thoshin: “Gjoni, njëmend, nuk bëri asnjë mrekulli, por, gjithçka tha për këtë njeri, u vërtetua.” 42 Atje besuan shumë në të.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Bëj, o Hyj i mëshirshëm, t’i shërbejmë gjithmonë si duhet altarit tënd dhe të shpëtohemi në saje të pjesëmarrjes sonë në këtë shërbim. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I MUNDIMIT TË ZOTIT – I

Fuqia e Kryqit

 

43. Ky prefacion thuhet brenda javës së pestë të Kreshmëve dhe në Meshët e misterit të Kryqit dhe të Mundimit të Zotit.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Me mundimet shëlbimprurëse të Birit tënd,

mbarë bota mësoi ta shpallë madhërinë tënde,

e nëpër fuqinë e patregueshme të Kryqit,

kryhet gjykimi i botës dhe shfaqet pushteti i të Kryqëzuarit.

Dhe prandaj edhe ne, o Zot, bashkë me engjëj

dhe me të gjithë shenjtërit

po të madhërojmë, duke thënë me galdim:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit 1 Pjt 2, 24

 

Jezusi në trupin e vet, mbi drurin, i mbarti mëkatet tona, që të vdekur për mëkatet, të jetojmë për drejtësi. Me vërragët e tij jemi shëruar.

 

Lutja pas kungimit

 

Fuqia e sakramentit që morëm, o Zot, mos na braktistë kurrë dhe e dëboftë prej nesh gjithmonë të keqen. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Lutja mbi popull

 

Bëj, po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, që shërbëtorët e tu, të cilët kërkojnë hirin e mbrojtjes sate, të liruar nga të gjitha të këqijat, me mendje të sigurt të të shërbejnë ty. Nëpër Krishtin Zotin tonë.