Leximet e ditës

JAVA E PESTË E KRESHMEVE

 

E SHTUNË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 21, 20.7

 

O Zot, mos rri larg meje, fuqia ime, shpejto të më ndihmosh, sepse unë jam krimb e jo njeri, trupësi e njerëzve, përbuzje e popullit.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti të gjithë ata që janë rilindur në Krishtin i ke bërë fis të zgjedhur dhe priftëri mbretërore, na jep vullnet dhe mundësi të bëjmë atë që ti urdhëron, që populli yt, i thirrur për jetën e amshuar, të jetë i bashkuar në zemrat dhe në veprat e tij në saje të fesë dhe të bamirësisë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Ez 37, 21-28) (fq. 1189)

 

Do të bëj prej tyre një popull të vetëm.

 

Lexim prej librit të Ezekielit profet

 

21 Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po i bashkoj bijtë e Izraelit nga popujt ku janë të shpërndarë, do t’i mbledh prej çdo ane e do t’i kthej në tokën e tyre 22 dhe do t’i bëj një popull të vetëm në tokën e tyre, në malet e Izraelit; të gjithë do të kenë një mbret, më nuk do të jenë dy popuj dhe më nuk do të jenë të ndarë në dy mbretëri.

23 Më nuk do të përlyhen me idhujt e tyre, me turpësitë e tyre e me të gjitha paudhësitë e tyre, do t’i shpëtoj nga të gjitha kryeneçësitë e tyre me të cilat mëkatuan, do t’i pastroj; ata do të jenë populli im e unë do të jem Hyji i tyre.

24 Mbret do ta kenë shërbëtorin tim Davidin e të gjithë do të kenë një bari të vetëm. Do të jetojnë në gjyqet e mia e do t’i kryejnë urdhërimet e mia e me jetë do t’i zbatojnë. 25 Do të banojnë në tokën që ia dhurova Jakobit, shërbëtorit tim, në të cilën banuan etërit tuaj. Në të do të banojnë ata e fëmijët e tyre edhe bijtë e bijve të tyre përgjithmonë. Davidi shërbëtori im, do të jetë prijësi i tyre përgjithmonë.

26 Me ta do të lidh Besëlidhje paqeje një Besëlidhje të përhershme me ta. Do t’i vendos e do të bëj të shtohen me shumicë. Në mesin e tyre do ta bëj Shenjtëroren time të përhershme. 27 Banesa ime e përhershme do të jetë mes tyre: do të jem Hyji i tyre e ata do të jenë populli im.

28 Atëherë popujt do ta marrin vesh se unë jam Zoti, Shenjtëruesi i Izraelit, kur ta vendos përgjithmonë Shenjtëroren time në mesin e tyre.”

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi Jer 31, 10.11-12abcd.13 (fq. 1093)

 

Ref. Zoti e bashkon popullin e vet.

 

10 Dëgjojeni, o popuj, fjalën e Zotit,

shpalleni ndër ishuj të largët!

Thoni: “Ai që e shpërndau Izraelin

përsëri po e bashkon,

do ta ruajë porsi bariu grigjën e vet”.

 

Ref. Në ngushticë të thërras, o Zot, ti më shpëto.

 

11 Sepse Zoti e shpërbleu Jakobin,

e çliroi nga dora e më të fortit.

12 Do të vijnë e do të këndojnë lavde

në malin e Sionit,

do të ngarendin drejt të mirave të Zotit,

drejt drithit, verës e vajit,

drejt grigjave e drejt lorive.

 

Ref. Në ngushticë të thërras, o Zot, ti më shpëto.

 

13 Atëherë vajzat do të galdojnë ndër valle,

djelmoshat së bashku me pleq.

Zinë e tyre në galdim do ta kthej,

do t’i ngushëlloj e do t’i gëzoj pas vuajtjes.

 

Ref. Në ngushticë të thërras, o Zot, ti më shpëto.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Flakni larg jush të gjitha pabesitë tuaja, me të cilat u bëtë të pabesë, thotë Zoti, e përtëriteni zemrën e shpirtin tuaj (Ez 18, 31a)

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli (Gjn 11, 45-56) (fq. 1526/7)

 

Jezusi duhej të vdiste për t’i bashkuar të bijtë e Zotit që kishin humbur.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

Në atë kohë, 45 shumë judenj që kishin ardhur te Maria, kur panë çka bëri Jezusi, (duke ngjallur Lazrin) besuan në të. 46 Disa prej tyre shkuan te farisenjtë dhe u treguan çka bëri Jezusi.

47 Atëherë kryepriftërinjtë dhe farisenjtë thirrën Këshillin në kuvend. Thoshin: “Çka të bëjmë? Ky njeri po bën shumë mrekulli! 48 Nëse e lëmë kështu, të gjithë do të besojnë në të, atëherë do të vijnë romakët e do të na e rrënojnë Vendin e shenjtë dhe popullin.”

49 Njëri prej tyre, Kajfa kryeprifti i atij viti u tha: “Ju s’po dini asgjë! 50 Nuk mendoni se është më mirë për ju të vdesë vetëm një njeri për popull, se të mbarojë krejt populli!” 51 Nuk i tha këto fjalë prej vetvetes, por, pse ishte kryeprifti i atij viti profetizoi se Jezusi do të vdiste për popull. 52 Madje, jo vetëm për popull, por edhe që bijtë e Hyjit të shpërndarë t’i bashkojë në një. 53 Po atë ditë vendosën ta vrasin.

54 Për këtë arsye Jezusi nuk dilte më botërisht ndër judenj, por shkoi prej andej në një vend afër shkretëtirës, në qytet që quhet Efraim dhe aty banoi për disa kohë bashkë me nxënësit.

55 Ishin afër Pashkët e judenjve. Shumë vetë nga ai vend u ngjitën në Jerusalem para Pashkëve për t’u pastruar. 56 E kërkonin Jezusin dhe, ndërsa qëndronin në Tempull, i thoshin njëritjetrit: “Çka ju thotë mendja: a thua ai nuk ka ndërmend të vijë për Festë?”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Hyj, Ti që i rilind me pagëzim ata që besojnë në ty, pranoji dhuratat e lutjet e shërbëtorëve të tu, kështu që t’u plotësohen dëshirat e atyre që shpresojnë në ty dhe t’u shlyhen mëkatet. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I MUNDIMIT TË ZOTIT – I

Fuqia e Kryqit

 

43. Ky prefacion thuhet brenda javës së pestë të Kreshmëve dhe në Meshët e misterit të Kryqit dhe të Mundimit të Zotit.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Me mundimet shëlbimprurëse të Birit tënd,

mbarë bota mësoi ta shpallë madhërinë tënde,

e nëpër fuqinë e patregueshme të Kryqit,

kryhet gjykimi i botës dhe shfaqet pushteti i të Kryqëzuarit.

Dhe prandaj edhe ne, o Zot, bashkë me engjëj

dhe me të gjithë shenjtërit

po të madhërojmë, duke thënë me galdim:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit Krh. Gjn 11, 52

 

Krishti qe flijuar, që bijtë e Hyjit të shpërndarë t’i bashkojë në një.

 

Lutja pas kungimit

 

Me përvujtëri po i lutemi, o Zot, madhërisë sate, që, sikurse na ushqen me të shugurueshmin Korpin e Gjakun e Birit tënd, po ashtu të na bësh pjesëtarë të natyrës sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Lutja mbi popull

 

Ki mëshirë, o Zot, për Kishën tënde që po të lutet dhe pranoji me mirësi zemrat e nënshtruara ty, që ata të cilët ke shëlbuar në saje të vdekjes së të Njëlindurit Birit tënd, të lirohen nga mëkatet dhe të fitojnë mbi tundimet. Nëpër Krishtin Zotin tonë.