Leximet e ditës

JAVA E MADHE

 

E DIELA E LARIT

 

Viti A

 

Përkujtimi i hyrjes së Zotit në Jerusalem

(Leximet për bekimin e rrembave)

 

A

 

1. Kisha sot përkujton hyrjen e Krishtit Zot në Jerusalem për të kryer misterin e vet të Pashkëve. Prandaj në të gjitha meshët bëhet përkujtimi i kësaj hyrjeje, dhe ky me anën e procesionit apo të hyrjes kremtore para Meshës kryesore, apo me anën e hyrjes së thjeshtë para Meshëve të tjera. Hyrja kremtore, por jo procesioni, mund të përsëritet edhe para njërës apo tjetrës Meshë që kremtohet me pjesëmarrje të madhe të popullit.

Është e përshtatshme që, kur nuk mund të mbahet as procesioni as hyrja kremtore, të bëhet një kremtim i Fjalës së Hyjit për hyrjen mesianike dhe mundimin e Zotit ose të shtunën në orët mbrëmësore ose të dielën në orën e përshtatshme.

Përkujtimi i hyrjes së Zotit në Jerusalem

Trajta e parë: Procesioni

2. Në orën e caktuar bashkohet populli në një kishë më të vogël ose në një vend tjetër të përshtatshëm jashtë asaj kishe drejt të cilës do të bëhet procesioni. Besimtarët i mbajnë degët në dorë.

3. Meshtari dhe diakoni, të veshur me petka liturgjike me ngjyrë të kuqe si e lyp Mesha, me shërbestarë të tjerë, i afrohen vendit ku është bashkuar populli. Meshtari, në vend të planetës, mund të veshë pluvialin, të cilin e heq pasi të kryhet procesioni dhe merr planetën.

4. Ndërkaq këndohet kjo antifonë apo një këngë tjetër e përshtatshme:

 

Antifona Mt 21, 9

 

Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë Ai që vjen në Emër të Zotit. Mbreti i Izraelit: Hosana në lartësitë qiellore!

 

5. Tani meshtari dhe besimtarët bëjnë shenjën e kryqit, ndërsa meshtari thotë: Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt. Pastaj e përshëndet popullin si zakonisht dhe bëhet një qortim i shkurtër, me të cilin besimtarët grishen të marrin pjesë në kremtimin e kësaj dite në mënyrë aktive dhe të vetëdijshme me këto fjalë apo të ngjashme me to:

 

Vëllezër e motra: Qysh prej fillimit të kreshmëve i përgatitëm zemrat tona me pendesë dhe me vepra dashurie; sot jemi bashkuar, që me mbarë Kishën të bëhemi gati për misterin e Pashkëve të Zotit tonë, domethënë për misterin e mundimeve dhe të ngjalljes së tij, për të cilin edhe hyri në Jerusalem, qytetin e vet.

Prandaj ta ndjekim Krishtin me fe të gjallë dhe përkushti, duke e përkujtuar këtë hyrje shpëtimprurëse, pasi me anë të hirit u bëmë pjesëtarë të kryqit, të kemi pjesë në ngjalljen dhe jetën e tij.

 

6. Pas qortimit, meshtari thotë këtë lutje, me duar të shtrira:

 

Të lutemi:

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shenjtëroji me bekimin tënd këta rremba, që ne, të cilët me gëzim po e përcjellim Krishtin Mbret, nëpër të të mund të arrijmë në Jerusalem të amshuar. Ai që jeton dhe mbretëron në shekujt e shekujve.

 

P. Amen.

 

Apo:

 

Të lutemi

 

Shtoje, o Hyj, fenë e atyre që shpresojnë në ty, dhe vështroji me mëshirë lutjet e tyre të përvuajtura, që ne, të cilët sot Krishtit fitues po ia lartësojmë rrembat, nëpërmjet tij të paraqesim edhe frytet e veprave të mira. Ai që jeton dhe mbretëron në shekujt e shekujve.

 

P. Amen

 

Dhe i spërkat degët me ujë të bekuar pa thënë asgjë.

7. Pastaj diakoni ose, nëse ky mungon, meshtari lexon Ungjillin mbi hyrjen e Zotit, sipas njërit nga katër Ungjijtë. Nëse është e përshtatshme, mund të përdoret kemi.

 

Viti A

 

Ungjilli (Mt 21, 1-11) (fq. 1412/3)

 

Qoftë bekuar ai që vjen në emër të Zotit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

1 Kur iu afruan Jerusalemit, e mbërritën në Betfage, në Malin e Ullinjve, atëherë Jezusi i dërgoi dy nxënës 2 e u tha: “Shkoni në fshatin që është kundruall! Aty menjëherë do të gjeni një gomar të lidhur e me të një gaç. Zgjidhini e m’i sillni! 3 Nëse ndokush ju thotë gjë, thoni: ‘Po i duhen zotërisë’ dhe menjëherë do t’i lëshojë. 4 Ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala e profetit që thotë: 5 “I thoni qytetit Sion: Ja, Mbreti yt po vjen te ti i butë, hipur mbi një gomar e mbi gaç, zog të gomares.” 6 Nxënësit shkuan e bënë siç u urdhëroi Jezusi, 7 dhe sollën gomaren e kërriçin. Mbi ta vuan petkat e veta, e Jezusi hypi mbi to.

8 Moria e popullit shtroi petkat e veta gjatë rrugës, të tjerët thenin degë lisash dhe i qitnin rrugës 9 e populli që shkonte para e pas tij, brohoriste: “Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në Emër të Zotit! Hosana në qiejt më të lartë!” 10 Kur Jezusi hyri në Jerusalem, mbarë qyteti u çua në këmbë dhe pyeste: “Kush është?” 11 E turma i përgjigjej: “Ky është profeti, Jezusi prej Nazaretit të Galilesë!”

 

Fjala e Zotit.

 

Viti B

 

Ungjilli (Mk 11, 1-10) (fq. 1445/6)

 

Qoftë bekuar ai që vjen në emër të Zotit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

 

1 Kur iu afruan Jerusalemit, te Betfaga e te Betania, afër malit të Ullinjve, Jezusi i dërgoi dy prej nxënësve të vet 2 dhe u tha: “Shkoni në fshatin që është para jush. Posa të hyni, do ta gjeni një gomar të lidhur, të cilit askush ende nuk i ka hipur në shpinë. Zgjidheni e ma bini. 3 Po qe se ndokush ju pyet: ‘Çka po bëni ashtu?’ Përgjigjuni: ‘Po i duhet Zotërisë’ dhe ai menjëherë do ta kthejë prapë këtu.” 4 Ata shkuan, e gjetën gomarin të lidhur përjashta, te dera në rrugë dhe e zgjidhën. 5 Disa që ndodhën aty i pyetën: “Çka po bëni? Pse po e zgjidhni gomarin?” 6 Nxënësit u përgjigjën si u kishte thënë Jezusi. Nuk i penguan. 7 Ata ia çuan gomarin Jezusit, qitën mbi të petkat e veta dhe Jezusi hipi në të.

8 Shumë njerëz i shtrinë petkat e veta udhës e disa të tjerë gemat që këputnin nëpër ara. 9 Si ata që shkonin para Jezusit, si ata që i shkonin pas, klithnin: “Hosana! Qoftë bekuar, ai që vjen në Emër të Zotit! 10 Qoftë bekuar Mbretëria që po vjen, e atit tonë Davidit. Hosana në qiejt më të lartë!”

 

Fjala e Zotit.

 

Ose:

 

Ungjilli (Gjn 12, 12-16 (fq. 1527)

 

Qoftë bekuar ai që vjen në emër të Zotit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

Në atë kohë: 12 Një shumicë e madhe njerëzish që kishte ardhur në Festë, kur dëgjuan se Jezusi po vinte në Jerusalem, 13 morën gema palmash dhe i dolën para. Brohoritnin: “Hosana! Qoftë bekuar Ai që vjen në Emër të Zotit! Mbret i Izraelit”!

14 Jezusi gjeti një gaç, hipi në të sikurse thotë Shkrimi i shenjtë: 15 “Mos ki frikë, bija e Sionit! Ja, Mbreti yt po vjen kalor mbi një gaç!”

16 Këtë gjë nuk e kuptuan menjëherë nxënësit, por vetëm kur Jezusi hyri në lavdinë e vet, atëherë e kuptuan se këto ishin shkruar për të dhe se kishin bërë për të shi ashtu.

 

Fjala e Zotit.

 

Viti C

 

Ungjilli (Lk 19, 28-40) (fq. 1493/4)

 

Qoftë bekuar ai që vjen në emër të Zotit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë: 28 Jezusi po shkonte i pari duke u ngjitur në Jerusalem. 29 Kur iu afruan Betfages dhe Betanisë, përngjat malit që quhet i Ullinjve, i dërgoi dy nxënës 30 dhe u tha: “Shkoni në fshatin që është kundruall. Sa të hyni në të, do të gjeni një gomar të lidhur, në shpinë të të cilit ende askush nuk hypi. Zgjidheni dhe bjereni! 31 Nëse ndokush ju pyet: ‘Pse po e zgjidhni?’, thoni kështu: ‘Po i duhet Zotërisë!’”

32 Të dërguarit shkuan dhe e gjetën ashtu si u kishte thënë. 33 Ndërsa ata po e zgjidhnin gomarin, të zotët e gomarit u thanë: “Pse po e zgjidhni gomarin?” 34 Ata u përgjigjën: “Po i duhet Zotërisë.” 35 Dhe e sollën te Jezusi dhe, pasi i vunë petkat e veta mbi gomar, e ndihmuan të hipë edhe Jezusin. 36 Dhe ndërsa ai ecte kështu përpara, njerëzit shtronin udhës petkat e veta.

37 Ishte tashmë afër teposhtës së malit të Ullinjve, kur qe, tërë ajo mori nxënësish, filloi plot gëzim me zë të lartë të lëvdojë Hyjin për të gjitha veprat e madhërueshme që kishte parë 38 dhe i thoshte: “Qoftë bekuar ai që vjen, mbret, në emër të Zotit! Në qiell paqe, lavdi në më të lartin qiell!”

39 Atëherë i thanë disa farisenj që ishin në popull: “Mësues, qortoji nxënësit e tu!” 40 Ai përgjigji: “Unë po ju them: nëse këta do të heshtin, gurët do të klithin!”

 

Fjala e Zotit.

 

MESHA E DIELA E LARIT

 

A-B-C

 

Leximi i parë (Is 50, 4-7) (fq. 1032)

 

Fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat.

 

Lexim prej librit të Isaisë profet

 

4 Zoti Hyj ma dha një gjuhë të ditur që të di ta përforcoj me fjalë të lodhurin. Çdo mëngjes veshin ma zgjon që të dëgjoj siç dëgjon nxënësi. 5 Zoti Hyj ma hapi veshin, s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa. 6 Shpinën ua solla atyre që më rrahnin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat. 7 Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si stralli pse e di se s’do të mbetem i turpëruar.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 22 (21), 8-9.17-18.19-20.23-24 (fq. 679)

 

Ref. Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje.

 

8 Gjithkush më shikon, më përqesh,

shtrembërojnë buzët, luajnë me kokë:

9 “Shpresoi në Zotin: le ta lirojë,

le ta shpëtojë sepse i pëlqen Atij!”

 

Ref. Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje.

 

17 Më rrethuan qen me shumicë,

turmë bakëqijsh më rrethuan gjithkah.

M’i shporuan duart e këmbët

18 mund t’i numëroj të gjithë eshtrat e mi.

 

Ref. Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje.

 

19 Petkat e mia ndër vete i ndajnë

e mbi petkun tim qesin short.

20 Por ti, o Zot, mos rri larg meje,

fuqia ime shpejto të më ndihmosh!

 

Ref. Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje.

 

23 E unë do t’ua shpall vëllezërve Emrin tënd,

do të të lavdëroj në kuvendin e dheut:

24 “Ju që e druani Zotin, lëvdojeni atë,

mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë!

Të gjithë pasardhësit e Izraelit, nderojeni atë

 

Ref. Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje.

 

Leximi i dytë (Fil 2, 6-11) (fq. 1656)

 

Krishti e përuli vetveten prandaj Hyji e lartësoi.

 

Lexim prej letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

 

6 Krishti Jezus edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, 7 por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. 8 E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekjen në kryq.

9 Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër 10 që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë 11 dhe çdo gjuhë të dëshmojë: ‘Jezu Krishti është Zot!’ Në nder të Hyjit Atë.

 

Fjala e Zotit

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Krishti për ne u bë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi dhe i dha emrin që është mbi çdo emër. (Fil 2, 8-9)

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

A

 

Ungjilli (Mt 26, 14 – 27, 66) (fq. 1421-1423)

 

Mundimi i Zotit.

 

Mundimi i Zotit tonë Jezu Krishtit sipas Mateut

 

Ref. Lavdi ty, o Zot.

 

C 14 Atëherë njëri prej të Dymbëdhjetëve - ai që quhet Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë 15 dhe u tha: D »Çka po më jepni e unë po jua dorëzoj?« C Ata i caktuan tridhjetë sikla të argjendta. 16 Qysh atëherë Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar.

17 Të parën ditë të Bukëve të pabrume, iu afruan Jezusit nxënësit dhe e pyetën: D »Ku dëshiron ta bëjmë gati darkën e Pashkëve?« 18 Ai u tha: X »Shkoni në qytet te filani dhe thoni: Mësuesi thotë: koha ime është ngjat! Te ti do të kremtoj Pashkët me nxënësit e mi.« C 19 Nxënësit bënë si u urdhëroi Jezusi dhe e përgatitën darkën e Pashkëve.

20 Kur u bë natë, Jezusi u ul në tryezë bashkë me të Dymbëdhjetët. 21 Ndërsa po hanin, ai u tha: X »Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!« C 22 Të trishtuar për së tepërmi, zunë ta pyesnin njëri pas tjetrit: »A mos jam unë, Zotëri?« 23 Ai u përgjigji: X »Ai që po e ngjyen kafshatën me mua në pjatë - ai do të më tradhtojë. 24 Po, Biri i njeriut patjetër po shkon sikurse është në Shkrimin e shenjtë për të. Porse: vaj për atë njeri që po e tradhton Birin e njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të të mos kishte lindur aspak!« C 25 Atëherë e pyeti edhe Juda, tradhtari i tij: D »A mos jam vetë, Mësues?« X»E the vetë! C - i përgjigji Jezusi.«

26 Ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, i dha lavdi Hyjit, e theu, ua dha nxënësve të vet e tha: X »Merrni, hani: ky është trupi im!« C 27 Pastaj mori kelkun, u falënderua, ua dha e tha: X »Pini prej tij të gjithë, 28 sepse ky është gjaku im - gjaku i Besëlidhjes - që do të derdhet për shumë në falje të mëkateve. 29 Unë po ju them: qysh tash nuk do të pi më kësi fryti hardhie deri atë ditë, kur, bashkë me ju, do të pi - një verë të re - në Mbretërinë e Atit tim.« C 30 Dhe, pasi kënduan himnin, dolën për të shkuar në Malin e Ullinjve.

31 Atëherë Jezusi u tha: X »Të gjithë ju sonte do ta humbni besimin në mu. Sepse Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Do t’i bie bariut e dhentë e tufës do të shpërndahen!’ 32 Porse, kur të ngjallem, do të shkoj para jush në Galile.« C 33 Atëherë Pjetri i përgjigji: D »Po qe se edhe të gjithë do ta bjerrin besimin në ty, unë assesi nuk do ta bjerr besimin në ty!« 34 Jezusi i tha: X »Për të vërtetë po të them: shi sonte, para se të këndojë gjeli, tri herë do të më mohosh!« 35 Pjetri i tha: C »Po edhe në qoftë se duhet të vdes bashkë me ty, nuk do të të mohoj!« C Kështu thanë edhe të gjithë nxënësit tjerë.

36 Atëherë Jezusi mbërriti me nxënës në një kopsht, që quhej Gjetseman dhe u tha: X »Rrini këtu, derisa unë të shkoj atje e të lutem.« C 37 Mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut. Atëherë filloi të trishtohej e të ngushtohej. 38 E u tha: X »Shpirtin ma kaploi një trishtim që çon në vdekje. Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar me mua!« C 39 Pastaj u largua pakëz, ra me fytyrë përdhe e lutej: »Ati im, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kelk mundimesh! Megjithatë, le të bëhet, jo si dua unë, por si do ti.«

C 40 Dhe u kthye te nxënësit, i gjeti fjetur dhe i tha Pjetrit: X »Si kështu s’mundët të rrini zgjuar me mua as për një orë të vetme? 41 Rrini zgjuar e lutuni të mos bini në tundim! Shpirti, vërtet, është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.« C 42 Prapë shkoi të dytën herë e u lut: X »Ati im! Nëse s’mund të kalojë ky kelk mundimesh pa u pirë prej meje, u bëftë vullnesa jote!« C 43 U kthye përsëri dhe i gjeti fjetur, sepse gjumi ua kishte rënduar sytë. 44 I la, prapë u largua dhe u lut edhe të tretën herë duke përsëritur të njëjtat fjalë. 45 Atëherë u kthye te nxënësit e u tha: X »Flini tashmë e pushoni! Ja, arriti ora, kur Biri i njeriut po u bie në dorë mëkatarëve. 46 Ngrihuni të shkojmë! Ja, po afrohet tradhtari im!«

C 47 Ndërsa ai ende po fliste, ja, erdhi Juda - njëri prej të Dymbëdhjetëve, e me të një turmë e madhe e armatosur me shpata e me shkopinj. E kishin dërguar kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit. 48 Tashti tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: D »Kë unë të puth ai është! Atë kapni! C - u kishte thënë - « 49 Menjëherë iu afrua Jezusit e i tha: D »Të falem, Mësues!« C - dhe e puthi. 50 C Jezusi i tha: X »Mik, kryej punën tënde!« C Atëherë u afrua turma. Çuan dorë në Jezusin dhe e kapën. 51 Kur qe, njëri prej atyre që ishin me Jezusin, çoi dorën, nxori shpatën e vet, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin. C 52 Atëherë Jezusi i tha: X »Ktheje shpatën tënde në vend të vet! Sepse të gjithë ata që kapën për shpate, prej shpatës edhe do të vdesin. 53 A ndoshta ti kujton se unë nuk mund t’i lutem Atit tim dhe se Ai nuk kishte për të m’i dërguar menjëherë dymbëdhjetë legjione engjëjsh? 54 Mirëpo, si atëherë do të plotësoheshin fjalët e Shkrimit të shenjtë, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?« C 55 Atëherë Jezusi iu drejtua turmës: X »Dolët me shpata e me shkopinj të më zini si të isha unë cub. E pra, ditë për ditë rrija me ju duke mësuar në Tempull, e nuk më kapët. 56 Por, të gjitha këto ndodhën për të shkuar në vend Shkrimet e profetëve.« C Atëherë të gjithë nxënësit e lanë e ikën.

57 Tashti, ata që e kapën Jezusin, e çuan te Kajfa kryeprift, ku ishin tubuar skribët e pleqtë. 58 Pjetri e ndoqi prej së largu deri në oborr të kryepriftit. Hyri brenda dhe po rrinte me shërbëtorët për të parë si do të merrte fund puna.

59 Krerët e priftërinjve e tërë Këshilli i lartë kërkonin dëshmi të rrejshme kundër Jezusit për ta vrarë. 60 Por nuk gjetën, edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rrejshëm. Në fund u paraqitën dy 61 e thanë: A »Ky njeri ka thënë: ‘Unë mund ta rrënoj Tempullin e Hyjit e mund ta ndërtoj rishtas për tri ditë.’« 62 Atëherë u çua kryeprifti e i tha: A »Ti s’po përgjigjesh fare për sa këta po dëshmojnë kundër teje?« C 63 Por Jezusi heshtonte. E kryeprifti i tha: C »Po të përbej me Hyjin e gjallë, na thuaj, a je ti Mesia, Biri i Hyjit?« A 64 Jezusi i përgjigji: X »Ti the! E unë po ju them: Mbas tashit do ta shihni Birin e njeriut duke ndenjur në të djathtën e të Gjithëpushtetshmit dhe duke ardhur mbi retë e qiellit.’«

C 65 Atëherë kryeprifti i shqeu petkat e veta e tha: A »Shau Hyjin! Ç’na duhen më dëshmitarët? Qe, pra, vetë e dëgjuat blasfeminë. 66 Ç’ju thotë mendja?« A »Meriton të vdesë! C - përgjigjën ata. 67 Atëherë filluan ta pështyjnë në fytyrë, t’i bien grushte e disa tjerë flakaresha 68 dhe i thoshin: A »Na trego, o Krisht, kush të ra?«

C 69 Ndërkaq Pjetri rrinte përjashta, në oborr. Kur qe, iu afrua një shërbëtore e i tha: A »Edhe ti ishe me Jezu Galileasin.« C 70 Por ai, para të gjithëve, i ra mohit me këto fjalë: D »Nuk di ç’po thua!«  C 71 Dhe, ndërsa po i afrohej derës për të dalë jashtë, e vuri re një shërbëtore tjetër e u tha të pranishmëve: A »Ky ishte me Jezu Nazarenin.« C  72 E ai prapë e mohoi me be: D »As që e njoh atë njeri!« C 73 Pakëz më vonë, u afruan ata që ishin aty e i thanë Pjetrit: A »Vërtet, edhe ti qenke një prej tyre! Ja, edhe mënyra e të folurit tënd të zbulon!« C 74 Atëherë Pjetri ia nisi të lëshojë be e rrufe se nuk e njihte atë njeri. S’vonoi, këndoi gjeli! 75 Atëherë Pjetrit i ra në mend fjala që ia pati thënë Jezusi: »Para se të këndojë gjeli, tri herë do të më biesh mohit.« Doli përjashta dhe qau me lot për faqe.

C 27, 1 Kur zbardhi drita, të gjithë kryepriftërinjtë e Pleqësia e popullit u mblodhën në kuvend kundër Jezusit për ta dënuar me vdekje. 2 E, pasi e lidhën, e çuan dhe ia dorëzuan Pilatit, qeveritarit të vendit.

3 Atëherë Juda - ai që e tradhtoi, kur pa se e dënuan Jezusin, i brejtur nga ndërgjegjja, ua ktheu kryepriftërinjve e pleqve të popullit tridhjetë siklat e argjendta 4 e tha: D »Mëkatova që dorëzova gjakun e pafaj!« A »Ç’na lypet neve! - Punë për ty! C - i përgjigjën ata. «

 5 Juda i hodhi siklat e argjendta në Tempull, u largua dhe shkoi e u var në lak. 6 Kryepriftërinjtë i mblodhën siklat e argjendta e thanë: »S’është e lejueshme të shtihen në arkë të Tempullit, sepse janë çmim gjaku.« 7 Dhe, pasi u këshilluan, blenë me to arën e një vorbëtari për varreza të shtegtarëve. 8 Prandaj ajo arë quhet deri më sot: ‘Ara e Gjakut’. 9 Kështu shkoi në vend fjala e Jeremisë profet: ‘Morën tridhjetë sikla argjendi, çmimin e të Çmuarit, që e çmuan bijtë e Izraelit 10 dhe e shpenzuan për arën e vorbëtarit, sikurse më urdhëroi vetë Zoti.’

11 E qitën, pra, Jezusin para qeveritarit. Qeveritari e pyeti: A »A je ti mbreti i judenjve?« C Jezusi i përgjigji: X»Vetë po thua!« C 12 E ndërsa kryepriftërinjtë e pleqtë e paditnin, - s’përgjigji asnjë fjalë.

13 Atëherë e pyeti Pilati: A »A nuk po dëgjon sa rëndë po dëshmojnë kundër teje?« C 14 Jezusi nuk i përgjigji në asnjë fjalë, kështu që qeveritari u habit për së tepërmi. 15 Për të kremten e Pashkëve qeveritari e kishte zakon t’ia falë popullit atë të burgosur, që populli kërkonte. 16 Tashti, aso here, ishte i burgosur një njeri i përmendur për të keq, që quhej (Jezus) Baraba. 17 Atëherë Pilati u tha atyre që ishin mbledhur aty: A »Cilin dëshironi ta liroj: (Jezus) Barabën, apo Jezusin që quhet Krisht?« C 18 Sepse e dinte fare mirë se Jezu Krishtin e kishin dorëzuar prej smire.

19 Ndërsa qeveritari po rrinte në gjykatore, gruaja e tij e porositi: A »Mos u përziej assesi në çështje të atij të drejti, sepse sot pësova shumë në ëndërr për shkak të tij.« C 20 Por kryepriftërinjtë e pleqtë ia mbushën mendjen popullit të kërkonte çlirimin e Barabës e Jezusin ta vriste. 21 Atëherë qeveritari i pyeti: A »Cilin ndër këta dy doni t’jua liroj?« F »Barabën« C - i përgjigjën ata. 22 E Pilati i pyeti: A »Ç’të bëj, pra, me Jezusin që quhet Krisht?« C Të gjithë përgjigjën: F »Të kryqëzohet!« 23 Por ai u tha: A »Ç’të keqe bëri?« C Por ata bërtitnin edhe më fort: F »Të kryqëzohet!«

C 24 Kur Pilati pa se s’po arrinte asgjë e se pështjellimi shkonte duke u shtuar, mori ujë dhe, në sy të popullit, i lau duart duke thënë: A »Unë jam i pafajshëm për këtë gjak! E heqshi ju!« C 25 Mbarë populli tha: F »Gjaku i tij rëntë mbi ne e mbi fëmijët tanë!« C 26 Atëherë ua liroi Barabën, kurse Jezusin, pasi e frushkulloi, ua dorëzoi të kryqëzohet.

27 Atëherë ushtarët e qeveritarit e shtinë Jezusin në pallatin e qeveritarit  dhe mblodhën rreth tij krejt kohortën . 28 E zhveshën dhe ia qitën krahëve një mantel të kuq. 29 Pastaj gërshetuan një kurorë ferrash e ia vunë në krye, ndërsa në dorën e djathtë ia dhanë një kallam. Pastaj binin në gjunjë para tij për ta vënë në lojë e i thoshin: A »Të falemi, mbreti i judenjve!« C 30 e pështynin, ia morën kallamin e me të i binin kresë. 31 Pasi e vunë në lojë, ia hoqën mantelin e kuq, e veshën me petka të tija dhe e çuan për ta kryqëzuar.

32 E ndërsa po dilnin në rrugë, takuan një njeri nga Cirena që quhej Simon dhe e detyruan ta mbarte kryqin e tij. 33 Kur arritën në vend të quajtur Golgotë – domethënë Vendi i Kafkës - 34 i dhanë të pijë verë të përzier me tëmëlth e, pasi e kërkoi, s’deshi ta pijë. 35 Atëherë e gozhduan në kryq dhe me short i ndanë ndër vete petkat e tija. 36 Pastaj ndenjën dhe e ruanin. 37 Mbi krye ia vunë shkresën e arsyes së dënimit: »Ky është Jezusi, mbreti i judenjve.«

38 Bashkë me të kryqëzuan dy cuba, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë.

39 Kalimtarët, pastaj, e shanin duke luajtur me krye në shpoti 40 dhe thoshin: A »Ti që e rrënon Tempullin e për tri ditë e rindërton, shpëto vetveten! Nëse je Biri i Hyjit, zbrit nga kryqi!« C 41 Po ashtu edhe kryepriftërinjtë me skribë e me pleq, duke e përqeshur, i thoshin: A 42 »Tjerët i shpëtoi, vetveten s’po mundet ta shpëtojë! Është mbreti i Izraelit! Le të zbresë tani prej kryqit e do t’i besojmë! 43 Ka shpresuar në Hyjin, le ta lirojë tani, nëse e do përnjëmend!’ Sepse vetë tha: ‘Jam Biri i Hyjit!’« C 44 Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin të kryqëzuar me të.

45 Qysh prej orës gjashtë deri në orën nëntë terri e mbuloi mbarë tokën.  46 Rreth orës nëntë, Jezusi klithi me zë të madh: X »Eli, Eli! Lema sabakthani? C - që domethënë: Hyji im, Hyji im! Përse hoqe dorë prej meje!« 47 Disa prej të pranishmëve, kur dëgjuan, thanë: A »Ky po thërret Elinë!« C 48 Aty për aty u turr njëri prej sish, mori një shpuzë, e zhyti në uthull, e vari në kallam e ia shtriu ta pinte. 49 Tjerët i thoshin: A »Lëre të shohim pale a po vjen Elia për ta shpëtuar!« C 50 E Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të madh e - dha shpirt.

 

Tani biem në gjunjë dhe lutemi në heshtje.

 

51 Dhe, ja, veli i Tempullit u shqye në dy pjesë, prej majës e deri në fund; toka u lëkund e shkëmbinjtë plasën, 52 varret u hapën e u ngjallën shumë trupa të drejtësh që kishin vdekur. 53 Pas ngjalljes së Jezusit dolën prej varreve, erdhën në Qytetin e shenjtë dhe iu dëftuan shumëkujt. 54 Një frikë e madhe e kapi centurionin dhe ata që bashkë me të po e ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet e tjera, thanë: A »Me të vërtetë ky paska qenë Biri i Hyjit!«

C 55 Aty po ndodheshin e vërenin prej së largu shumë gra, të cilat Jezusin e kishin përcjellë qysh prej Galilesë dhe i kishin shërbyer. 56 Ndër to ishte Maria Magdalenë, Maria nëna e Jakobit dhe e Jozefit edhe nëna e bijve të Zebedeut.

57 Kur u bë natë, erdhi një pasanik nga Arimateja, që quhej Jozef. Ishte edhe ky nxënës i Jezusit. 58 Jozefi shkoi te Pilati dhe ia lypi trupin e Jezusit. Pilati urdhëroi t’i jepej trupi. 59 Jozefi mori trupin, e mbështolli në pëlhurë të pastër 60 dhe e vendosi në varrin e vet të ri, që e kishte çelur në shkëmb. Pastaj rrokullisi në derë një gur të madh dhe shkoi. 61 Aty ishin Maria Magdalenë edhe Maria tjetër; rrinin kundruall varrit.

62 Të nesërmen, që ishte dita pas Përgatitjes - u bashkuan kryepriftërinjtë e farisenjtë te Pilati 63 dhe i thanë: A »Zotëri, na ra në mend se ai gënjeshtar, sa ishte ende gjallë, tha: ‘Pas tri ditësh do të ngjallem.’ 64 Prandaj urdhëro të ruhet varri deri të tretën ditë, që të mos vijnë nxënësit e tij, ta vjedhin e t’i thonë popullit: ‘U ngjall së vdekuri.’ E do të jetë gënjeshtra e fundit më e zezë se e para.« C Pilati u përgjigji: A 65 »Rojën e keni! Shkoni e merrni masat e sigurimit si jua merr mendja.« C 66 Ata shkuan dhe e siguruan varrin: vulosën gurin dhe vunë rojën.

 

Thuhet Besoj dhe lutja e gjithëmbarëshme.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

23. Lutja mbi dhurata

 

Në saje të mundimeve të një të vetmit Birit tënd,

na ardhtë në ndihmë, o Zot, paqja jote,

të cilën, edhe pse nuk e meritojmë me veprat tona,

na e fitoftë prej mëshirës sate

ndërmjetësia e kësaj flie të veçantë.

Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

24. Prefacioni: E diela e Mundimeve

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund Ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar:

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Ai, i pafajshëm, pranoi të vuante për fajtorët

dhe të dënohej padrejtësisht për keqbërësit.

Vdekja e tij i shleu fajet tona

dhe ngjallja e tij na fitoi shfajësimin.

Prandaj edhe ne po të lëvdojmë, bashkë me të gjithë engjëjt,

duke brohoritur me kremtim të hareshëm:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit Mt 26, 42

 

Ati im, nëse nuk mund të kalojë ky kelk pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt.

 

Lutja pas kungimit

 

Të ushqyer me dhuratën e shenjtë, po të lutemi, o Zot: Ti bëre që me vdekjen e Birit tënd të shpresojmë në atë që besojmë; bëj që, me ngjalljen e tij, të arrijmë atje ku dëshirojmë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Lutja mbi popull

 

Shikoje, o Zot, këtë familjen tënde, për të cilën Zoti ynë Jezu Krishti pranoi të dorëzohej në duart e keqbërësve dhe të pësonte mundimin e kryqit, që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.