Leximet e ditës
JAVA E MADHE
E MARTË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 26, 12
Mos më lësho në pamëshirën e armiqve të mi, o Zot, sepse u ngritën kundër meje dëshmitarë të rrejshëm, të cilët shfrynë dhunë.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, bëj që ashtu t’i kremtojmë misteret e mundimeve të Zotit, që të mund të fitojmë faljen e mëkateve. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Is 49, 1-6) (fq. 1030)
Do të caktoj të jesh drita e popujve, që shëlbimi im të arrijë në skaj të tokës.
Lexim prej librit të Isaisë profet
1 Më dëgjoni, o ishuj, vështroni me kujdes, popuj të largët: Zoti më thirri prej prehrit të nënës, prej barkut të nënës sime iu kujtua emri im. 2 Gojën time e bëri shpatë të mprehtë, më mbrojti nën hijen e dorës së vet, më bëri shigjetë të zgjedhur e më fshehu në kukurrën e vet.
3 Ai më tha: “Shërbëtori im je, o Izrael, në të cilin do ta dëftoj lavdinë time!” 4 E unë thashë: “Kot u mundova, më kot forcat i treta të miat! Megjithatë, e drejta ime është me Zotin, shpërblimi im është te Hyji im.”
5 E tash thotë Zoti që më trajtoi që nga kraharori shërbëtor për vete, për t’ia kthyer Jakobin Atij, për ta mbledhur rreth tij Izraelin. U bëra i lavdishëm ndër sytë e Zotit, Hyji im u bë fuqia ime. 6 Ai më tha: “Tepër pak është të më jesh shërbëtor për t’i rilindur fiset e Jakobit, për t’i riatdhesuar Tepricat e Izraelit: por të caktoj të jesh drita e popujve që shëlbimi im të arrijë në skaj të tokës!”
Fjala e Zotit
Psalmi 71 (70), 1-2.3-4a.5ab-6ab.15.17 (fq. 736)
Ref. Goja ime do ta shpallë shëlbimin tënd, o Zot.
1 Në ndore tënde, o Zot,
askurrë mos u turpërofsha.
2 Më shpëto e më dil zot pashë drejtësinë tënde,
prire mbi mua veshin tënd e më shëlbo!
Ref. Goja ime do ta shpallë shëlbimin tënd, o Zot.
3 Ji për mua shkëmb mbrojtjeje,
kullë e pamposhtur për të më shpëtuar,
sepse ti je kështjella ime e strehimi im.
4 Hyji im, më shpëto prej dorës së mëkatarit.
Ref. Goja ime do ta shpallë shëlbimin tënd, o Zot.
5 Sepse ti, o Zot, je shpresa ime,
Mbështetja ime , o Zot, që prej rinisë sime.
6 Në ty jam mbështetur që prej kraharorit të nënës,
që prej prehrit të nënës ti je mbrojtësi im.
Ref. Goja ime do ta shpallë shëlbimin tënd, o Zot.
15 Goja ime do ta shpallë drejtësinë tënde,
gjithë ditën shpëtimin tënd:
që s’di të ketë masë në madhëri.
17 Ti më ke mësuar, o Hyj, qysh prej rinisë sime
dhe ende sot i kumtoj mrekullitë e tua.
Ref. Goja ime do ta shpallë shëlbimin tënd, o Zot.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Lavdi të qoftë ty, o Mbreti ynë, i dëgjueshmi i Atit: të vunë në kryq, sikurse qengjin që e çojnë në therore.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli (Gjn 13, 21-33.36-38) (fq. 1530/1)
Njëri prej jush do të më tradhtojë. Para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë, derisa Jezusi ishte ende në darkë me nxënësit e vet 21 i tronditur në shpirt, shpalli: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë.”
22 Atëherë nxënësit shikuan njëri‑tjetrin duke mos ditur për cilin po fliste. 23 Njëri prej nxënësve, ai, të cilin Jezusi e donte veçanërisht, ishte në tryezë përbri parzmës së Jezusit. 24 Atëherë Simon Pjetri i dha shenjë ta pyeste Jezusin për cilin po thoshte: 25 Ky atëherë iu mbështet Jezusit në parzëm dhe e pyeti: “Zotëri, cili është?” 26 Jezusi i përgjigji: “Ky, të cilit po ia jap kafshatën pasi ta ngjyej në kupë.” Atëherë e ngjeu kafshatën [e mori dhe] ia dha Judës së Simon Iskariotit. 27 Pas kësaj kafshate në të hyri djalli.
Atëherë Jezusi i tha: “Ç’ke në mend të bësh, bëje shpejt!” 28 Askush prej atyre që ishin në tryezë nuk e mori vesh pse i tha ashtu. 29 E, pasi Juda mbante qesen, disa menduan se Jezusi i tha të shkojë të blejë çka duhet për festë, ose t’u japë ndonjë gjë skamnorëve. 30 Juda, posa mori kafshatën, menjëherë doli jashtë. Ishte natë.
31 Pasi Juda doli përjashta, Jezusi tha: “Tani u lavdërua Biri i njeriut! Edhe Hyji u lavdërua në të! 32 [Nëse Hyji u lavdërua në të] edhe Hyji do ta lavdërojë atë në vetvete. Po, madje menjëherë do ta lavdërojë! 33 Fëmijëzit e mi! Edhe pak kohë jam me ju! Do të më kërkoni, por, sikurse u thashë judenjve, tani po ju them edhe juve: ‘ku unë po shkoj, ju nuk mund të vini.’
36 Simon Pjetri i tha: “Zotëri, ku mendon të shkosh?” Jezusi i përgjigji: “Ku unë mendoj të shkoj, ti tani nuk mund të më ndjekësh; por më vonë do të më ndjekësh.” 37 “Zotëri ‑ i tha atëherë Pjetri ‑ E pse tani nuk mund të vij pas teje? Unë do ta jap jetën për ty!” 38 Jezusi përgjigji: “Ti do ta japësh jetën tënde për mua? Përnjëmend, përnjëmend po të them: para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë!”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
O Zot, shikoji me mirësi kushtet e familjes sate dhe, pasi e bën pjesëtare në mistere të shenjta, jepi fatin të arrijë plotësinë e tyre. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I MUNDIMIT TË ZOTIT – II
Fitorja e Mundimit
44. Ky prefacion thuhet të hënën, të martën, dhe të mërkurën e Javës së Shenjtë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Po afrohen ditët e mundimit shëlbimprurës
dhe të ngjalljes së lavdishme të tij,
kur kremtojmë ngadhënjimin e tij
mbi krenarinë e armikut të vjetër
dhe përkujtojmë misterin e shëlbimit tonë.
Nëpër të e adhurojnë madhërinë tënde fuqitë engjëllore
që për amshim galdojnë në praninë e fytyrës sate.
Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë,
që, të shoqëruar në galdim, po themi:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Rom 8, 32
Hyji as Birin e vet nuk e kurseu, por e dorëzoi të flijohet për ne të gjithë.
Lutja pas kungimit
Të ushqyer me dhuratën shpëtimtare, po i lutemi, o Zot, mirësisë sate, që, në saje të këtij sakramenti, me të cilin na forcon në këtë jetë tokësore, ta fitojmë jetën e pasosur. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Lutja mbi popull
Mëshira jote, o Hyj, e pastroftë popullin tënd nga të gjitha veset e të kaluarës dhe e bëftë të aftë për jetën e shenjtë, të re. Nëpër Krishtin Zotin tonë.