Leximet e ditës

JAVA E MADHE

 

E MËRKURË

 

Antifona e hyrjes Krh. Fil 2, 10.8.11

 

Në emër të Jezusit le të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë dhe në nëntokë, sepse Zoti u bë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq, prandaj Zoti Jezu Krisht është në lumturinë e Hyjit Atë.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti deshe që Biri yt të pësojë për ne mundimet e kryqit për të na liruar prej pushtetit të armikut, bëj që ne, shërbëtorët e tu, ta fitojmë hirin e të ngjallurit. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Is 50, 4-9a) (fq. 1032)

 

Nuk e largova fytyrën time nga të sharat e pështymat.

 

Lexim prej librit të Isaisë profet

 

4 Zoti Hyj ma dha një gjuhë të ditur që të di ta përforcoj me fjalë të lodhurin. Çdo mëngjes veshin ma zgjon që të dëgjoj siç dëgjon nxënësi. 5 Zoti Hyj ma hapi veshin, s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa.

6 Shpinën ua solla atyre që më rrahnin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat. 7 Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si stralli pse e di se s’do të mbetem i turpëruar.

8 Afër e kam atë që ma jep të drejtën, kush guxon të shtyhet në gjyq me mua? Le të dalim përballë njëritjetrit! Kush është kundërshtari im? Le të më dalë përballë! 9 Ja, Zoti Hyj është ndihmëtari im, kush është ai që do të më dënojë?

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 69 (68), 8-10.21-22.31.33.34  (fq. 733)

 

Ref. Në besnikërinë tënde më eja në ndihmë, o Zot.

 

8 Sepse për shkak tëndin e mbarta poshtërimin,

marrja ma mbuloi fytyrën,

9 u bëra i huaj për vëllezërit e mi,

i panjohur për bijtë e nënës sime.

10 Pse shkrihem në zell për Shtëpinë tënde,

përbuzjet e atyre që ty të përqeshin ranë mbi mua.

 

Ref. Në besnikërinë tënde më eja në ndihmë, o Zot.

 

21 Poshtërimi ma këputi zemrën e më lëshuan fuqitë,

prita të gjendet dikush që të më ankojë, por s’qe,

ndokush që të më ngushëllojë, por s’e gjeta.

22 Në ushqim më qitën vrer

e në etje më dhanë të pi uthull.

 

Ref. Në besnikërinë tënde më eja në ndihmë, o Zot.

 

31 Do të lëvdoj Emrin e Hyjit me këngë,

do ta lartësoj me këngë falënderjeje.

33 Le të shikojnë të përvujtët e le të gëzohen;

kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.

34 Sepse Zoti i dëgjon skamnorët,

s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.

 

Ref. Në besnikërinë tënde më eja në ndihmë, o Zot.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Lavdi të qoftë ty, o Mbreti ynë, i dëgjueshmi i Atit: të vunë në kryq, sikurse qengjin që e çojnë në therore.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli (Mt 26, 14-25) (fq. 1421)

 

Biri i njeriut po shkon sikurse është në Shkrimin e shenjtë, porse vaj për atë njeri që po e tradhton.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, 14 njëri prej të Dymbëdhjetëve ai që quhet Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë 15 dhe u tha: “Çka po më jepni e unë po jua dorëzoj?” Ata i caktuan tridhjetë sikla të argjendta. 16 Qysh atëherë Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar.

17 Të parën ditë të Bukëve të pabrume, iu afruan Jezusit nxënësit dhe e pyetën: “Ku dëshiron ta bëjmë gati darkën e Pashkëve?” 18 Ai u tha: “Shkoni në qytet te filani dhe thoni: Mësuesi thotë: koha ime është ngjat! Te ti do të kremtoj Pashkët me nxënësit e mi.” 19 Nxënësit bënë si u urdhëroi Jezusi dhe përgatitën darkën e Pashkëve.

20 Kur u bë natë, Jezusi u ul në tryezë bashkë me të Dymbëdhjetët. 21 Ndërsa po hanin, ai u tha: “Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!” 22 Të trishtuar për së tepërmi, zunë ta pyesnin njëri pas tjetrit: “A mos jam unë, Zotëri?” 23 Ai u përgjigji: “Ai që po e ngjyen kafshatën me mua në pjatë ai do të më tradhtojë. 24 Po, Biri i njeriut patjetër po shkon sikurse është në Shkrimin e shenjtë për të. Porse: vaj për atë njeri që po e tradhton Birin e njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të mos të kishte lindur aspak!” 25 Atëherë e pyeti edhe Juda, tradhtari i tij: “A mos jam unë, Mësues?” “E the vetë!” iu përgjigj Jezusi.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoje, o Zot, kushtin tonë dhe bëj ta fitojmë me vepra të mëshirshme atë që kremtojmë me misterin e mundimit të Birit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I MUNDIMIT TË ZOTIT – II

Fitorja e Mundimit

 

44. Ky prefacion thuhet të hënën, të martën, dhe të mërkurën e Javës së Shenjtë.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Po afrohen ditët e mundimit shëlbimprurës

dhe të ngjalljes së lavdishme të tij,

kur kremtojmë ngadhënjimin e tij

mbi krenarinë e armikut të vjetër

dhe përkujtojmë misterin e shëlbimit tonë.

Nëpër të e adhurojnë madhërinë tënde fuqitë engjëllore

që për amshim galdojnë në praninë e fytyrës sate.

Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë,

që, të shoqëruar në galdim, po themi:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit Mt 20, 28

 

Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë shërbyer, por për të shërbyer

e për të flijuar jetën e vet për shëlbim të shumëve.

 

Lutja pas kungimit

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm, bëj që zemrat tona të besojnë ngultas se Ti na dhurove jetën e amshuar në saje të vdekjes kalimtare të Birit tënd, që Kisha e shpall me këto mistere të nderueshme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Lutja mbi popull

 

Bëj, po të lutemi, o Zot, që besimtarët e tu të pranojnë vazhdimisht sakramentet e Pashkëve dhe me hare të presin dhuratat e ardhshme, që, të forcuar me misteret që i kanë rilindur, me veprat e tyre të ecin drejt jetës së re. Nëpër Krishtin Zotin tonë.