Leximet e ditës
JAVA E MADHE
E ENJTJA E MADHE
Mesha e Krizmës
2. Bekimi i vajit të të sëmurëve e i vajit të katekumenëve dhe shugurimi i krizmës bëhet nga Ipeshkvi, sipas Rendit të përshkruar në Pontifikalin Romak, parimisht në këtë ditë, në Meshë të veçantë që duhet të kremtohet në mëngjes.
3. Nëse në këtë ditë do të jetë e vështirë që kleri dhe populli të bashkohen me Ipeshkvin, Mesha e Krizmës mund të bëhet në një ditë më përpara, por afër Pashkëve.
4. Kjo Meshë, të cilën e bashkëkremton ipeshkvi me meshtarët e vet, le të jetë si dëshmi e bashkësisë së meshtarëve me Ipeshkvin: duhet, pra, që të gjithë meshtarët, sa të jetë e mundur, të marrin pjesë në të dhe në të ta marrin kungimin nën të dy dukjet. Për të shënuar njësinë e klerit të dioqezës, meshtarët që bashkëkremtojnë me ipeshkvin le të jenë prej krahinave të ndryshme të dioqezës.
5. Sipas traditës, bekimi i vajit të të sëmurëve bëhet para mbarimit të Lutjes Eukaristike, ndërsa bekimi i vajit të katekumenëve dhe shugurimi i krizmës bëhet pas kungimit. Megjithatë, për arsye baritore, i gjithë riti i bekimit mund të bëhet pas Liturgjisë së Fjalës.
Antifona e hyrjes Zb 1, 6
Jezu Krishti na bëri mbretëri, priftërinj për Hyjin dhe Atin e vet: Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekujt e shekujve. Amen.
Thuhet Lavdi.
Kolekta
O Hyj, Ti të Njëlindurin Birin tënd e shugurove me Shpirtin Shenjt dhe e bëre Krisht-Zot: bëj, në mirësinë tënde, që ne, të cilët jemi bërë pjesëtarë të të njëjtit shugurim, të jemi në botë dëshmitarët e shëlbimit. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
8. Pas leximit të Ungjillit Ipeshkvi bën homilinë, në të cilën, duke iu referu-ar leximeve të lexuara në Liturgjinë e Fjalës, u flet popullit dhe meshtarëve të vet për shugurimin priftëror dhe i nxit meshtarët ta kryejnë besnikërisht detyrën e vet, i fton të përtërijnë botërisht premtimet e veta meshtarake.
Leximi i parë (Is 61, 1-3a.6a.8b-9) (fq. 1043/4)
Zoti më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajme të gëzueshme.
Lexim prej librit të Isaisë profet
1 Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajme të gëzueshme, t’i shëroj ata që kanë zemrën e plasur, t’u shpall skllevërve lirinë, të burgosurve, çlirimin; 2 të shpall vitin e hirit të Zotit dhe ditën e hakmarrjes së Hyjit tonë, t’i ngushëlloj të gjithë ata që qajnë, 3 t’i gëzoj të mjerët e Sionit e t’ua jap kezën në vend të hirit, vajin e gëzimit në vend të zisë, këngën e lavdit në vend të zemrës së trishtuar.” 6 Kurse ju do të quheni “Priftërinjtë e Zotit”, ju do t’ju emërtojnë Shërbëtorët e Hyjit tonë”. Do t’i gëzoni të mirat e popujve e do të krenoheni me pasurinë e tyre. 8 Do t’u jap shpërblimin e vërtetë, me ta besëlidhje do të bëj të përhershme. 9 Fara e tyre e njohur do të jetë ndër popuj, e ndër kombe pasardhësit e tyre. Kush t’i shohë, do t’i çmojë, sepse janë fara që e ka bekuar Zoti.
Fjala e Zotit
Psalmi 89 (88), 21-22.25.27 (fq. 759)
Ref. Do t’i këndoj gjithmonë dashurisë së Zotit.
21 Gjeta Davidin, shërbëtorin tim,
e leva me vajin tim të shenjtë.
22 Dora ime gjithmonë do të jetë me të,
dhe krahu im përherë do ta kërthndez.
Ref. Do t’i këndoj gjithmonë dashurisë së Zotit.
25 Besa ime dhe mëshira ime do të jenë me të,
në saje të Emrit tim do t’i rritet pushteti.
27 Ai do të më thërrasë: ‘Ati im,
Hyji im, Qeta e shpëtimit tim!’
Ref. Do t’i këndoj gjithmonë dashurisë së Zotit.
Leximi i dytë (Zb 1, 5-8) (fq. 1733)
Unë jam Alfa dhe Omega, Ai që është, që ishte dhe që po vjen.
Lexim prej Zbulesës së Shën Gjonit apostull
Paqe dhe hir 5 prej Jezu Krishtit, Dëshmitarit besnik, të Parëlindurit ndër të vdekur, Sunduesit të mbretërve të tokës! Atij që na do, që na çliroi nga mëkatet tona me gjak të vet, 6 që na bëri Mbretëri, priftërinj për Hyjin, Atin e vet, - Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve. Amen.
7 Ja, po vjen me re dhe do ta shohë çdo sy edhe ata që e shporuan dhe të gjitha fiset e tokës do të vajtojnë për shkak të Tij. Po! Amen! 8 Unë jam Alfa dhe Omega - thotë Zoti Hyj, - Ai që është, që ishte dhe që po vjen, i Gjithëpushtetshmi.
Fjala e Zotit
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Shpirti i Zotit është mbi mua sepse Ai më shuguroi! Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin. (Lk 4, 18)
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli (Lk 4, 16-21) (fq. 1465)
Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit të shenjtë që e dëgjuat me veshët tuaj.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, 16 Jezusi erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur dhe, sipas dokes së vet, të shtunën hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. 17 I dhanë librin e Isaisë profet. Kur e hapi librin, gjeti vendin ku shkruan: 18 ‘Shpirti i Zotit është mbi mua sepse Ai më shuguroi! Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin, të verbërve dritën e syve; t’i lëshoj në liri të ndrydhurit,19 të shpall vitin e hirit të Zotit.’
20 E mbylli librin, ia dha shërbëtorit dhe u ul. Të gjithë në sinagogë i drejtuan sytë në të. 21 Atëherë u tha: “Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit të shenjtë që e dëgjuat me veshët tuaj.”
Fjala e Zotit
Përtëritja e premtimeve meshtarake
Pas homilisë, ipeshkvi flet me meshtarët duke përdorur këto fjalë apo të tjera të ngjashme me këto:
Bij fort të dashur, në përkujtimin e përvitshëm të ditës, kur Krishti Zot na bëri pjesë të priftërisë së vet apostujt dhe ne, a doni t’i ripërtërini para ipeshkvit tuaj dhe para popullit të shenjtë të Hyjit premtimet që i keni bërë dikur?
Meshtarët të gjithë së bashku përgjigjen: Po, dua.
A doni të bashkoheni me Zotin Jezus dhe t’i përngjani në mënyrë më të ngushtë, duke mohuar vetveten dhe duke ripohuar premtimet e misionit të shenjtë, që ditën e shugurimit tuaj meshtarak, të frymëzuar nga dashuria e Krishtit ndaj Kishës së tij, keni pranuar me gëzim?
Meshtarët: Po, dua.
A doni të jeni mbarështues besnikë të mistereve të Hyjit me anën e Eukaristisë së shenjtë e të veprave të tjera liturgjike dhe ta kryeni besnikërisht detyrën e mësimit, duke ndjekur gjurmët e Krishtit, Krye dhe Bari, jo me dëshirë pasurimi, por të shtyrë vetëm nga zelli për shpirtrat?
Meshtarët: Po, dua.
Pastaj ipeshkvi, me fytyrë nga populli, vazhdon:
Dhe ju, bijtë e mi fort të dashur, lutuni për meshtarët tuaj, që Zoti me begati të zbrazë mbi ta të mirat e veta, kështu që, si mbarështues besnikë të Krishtit Kryeprift, t’ju çojnë tek Ai, që është burimi i shpëtimit.
Populli: O Krisht, na dëgjo. O Krisht, na vështro.
Dhe lutuni edhe për mua, që të jem besnik ndaj detyrës apostolike, e cila i është besuar pëvujtërisë sime, të bëhem përditë mes jush shëmbëllim më i gjallë dhe më i përsosur i Krishtit Prift, Bariut të mirë, Mësuesit dhe Shërbëtorit të të gjithëve:
Populli: O Krisht, na dëgjo. O Krisht, na vështro.
Zoti na mbajtë të gjithë në dashurinë e vet dhe ai të gjithëve, bari e grigjë, na çoftë në jetën e pasosur.
Të gjithë: Amen
Nuk thuhet Besoj.
Lutja mbi dhurata
Në mirësinë tënde bëj, po të lutemi, o Zot, që fuqia e kësaj flie ta fshijë të kaluarën tonë mëkatare dhe ta rrisë në ne jetën e re dhe shpëtimin. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI: KRISHTI KRYEPRIFT DHE MESHTARËT E TIJ
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund Ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti të Njëlindurin Birin tënd me shugurimin e Shpirtit Shenjt
e bëre Kryepriftin e Besëlidhjes së Re dhe të amshuar
dhe me një vendim të mrekullueshëm u denjove të përcaktosh,
që priftëria e tij, e cila është një e vetme, të ruhet në Kishë.
Sepse Ai jo vetëm e stolis popullin e vet
me priftërinë mbretërore,
por me mirësi vëllazërore i zgjedh disa njerëz,
që me shtrirje të duarve,
të bëhen pjesëtarë të mbarështimit të tij.
Këta, në emër të tij, e ripërtërijnë flinë e shëlbimit të njerëzve
duke u përgatitur bijve të tu gostinë pashkore
dhe popullit tënd të shenjtë i shërbejnë me dashuri,
e ushqejnë me fjalë, e shenjtërojnë me sakramente.
Me një jetë të kushtuar ty dhe shpëtimit të vëllezërve,
mundohen ta trajtojnë jetën në përngjasimin e Krishtit
dhe të jenë dëshmitarë të fesë e të dashurisë sate.
Prandaj edhe ne, me engjëj dhe të gjithë shenjtërit,
po të lavdërojmë, o Zot, duke thënë me hare:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Ps 88, 2
Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj: brez pas brezi goja ime do ta shpallë besnikërinë tënde.
Lutja pas kungimit
O Hyj, që na përtërin me sakramentet e tua, me përvujtëri po të lutemi, bëj që të jemi në shoqëri shenjë tërheqëse drejt Krishtit. Që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.
15. Vajrat e shenjta mund të merren për tek famullitë ose para kremtimit të Meshës së Darkës së Fundit të Zotit, ose në një çast tjetër më të përshtatshëm.
JAVA E MADHE
E ENJTJA E MADHE
TREDITËSHI I SHENJTË I PASHKËVE
E ENJTJA E DARKËS SË ZOTIT
Mesha mbrëmësore
1. Kisha kremton me solemnitet, me kremtime të veçanta, misteret e mëdha të shëlbimit tonë në Treditëshin e shenjtë, duke përkujtuar Zotin e vet të kryqëzuar, varrosur dhe ngjallur.
Është i shenjtë edhe agjërimi pashkor, të premten e Mundimit të Zotit dhe të zgjasë, nëse është e mundur, edhe krejt të Shtunën e madhe, në mënyrë që të arrihet me shpirt të lirë në gëzimin e së dielës së Ngjalljes.
2. Për një kremtim të përshtatshëm të Treditëshit të shenjtë kërkohet një numër i mjaftueshëm i shërbestarëve laikë, të cilët duhet të jenë informuar mirë për punën që u besohet.
Këndimi i popullit, i shërbestarëve dhe i meshtarit kremtues, në kremtimet e këtyre ditëve, ka një rëndësi të veçantë, sepse tekstet fitojnë një efektshmëri më të madhe kur këndohen.
Prandaj, barinjtë të mos mungojnë t’u shtjellojnë besimtarëve në mënyrën më të përshtatshme, domethënien dhe rendin e kremtimeve dhe t’i përgatisin për një pjesëmarrje aktive dhe frytdhënëse.
3. Kremtimet e Treditëshit të shenjtë bëhen në kishat katedrale e famullitare dhe vetëm aty ku mund të zhvillohen me dinjitet, domethënë me pjesëmarrjen e besimtarëve, me një numër të mjaftueshëm të shërbestarëve dhe mundësisht disa pjesë të këndohen.
Prandaj, është shumë e përshtatshme që bashkësi të vogla, shoqata dhe çdo lloj grupesh të bashkohen në këto kisha për një kremtim më solemn.
E ENJTJA E DARKËS SË ZOTIT
Mesha mbrëmësore
1. Pasdite, në kohë më të përshtatshme, kremtohet Mesha e Darkës së Zotit me pjesëmarrje të plotë të mbarë bashkësisë vendase; të gjithë meshtarët dhe shërbestarët kryejnë secili detyrën e shërbesës së vet.
2. Mund të bashkëkremtojnë të gjithë meshtarët, edhe ata që kanë bashkëkremtuar në Meshën e krizmës apo duhet të kremtojnë një meshë tjetër për nevoja të besimtarëve.
3. Nëse arsyeja baritore ka nevojë, Ordinari i vendit mund të lejojë të kremtohet edhe ndonjë Meshë tjetër në kishë dhe orator, në pasdite dhe në rast të nevojës së njëmendtë, edhe në mëngjes, por vetëm për ata besimtarë që kurrsesi nuk mund të marrin pjesë në Meshën e mbrëmjes. Megjithatë duhet kujdes që këto kremtime të mos bëhen sipas dëshirës së disa individëve ose grupeve të vogla që dëmtojnë Meshën e mbrëmjes.
4. Kungimi i shenjtë mund t’u jepet besimtarëve vetëm brenda Meshës; të sëmurëve mund t’u çohet në çdo orë të ditës.
5. Altari mund të zbukurohet me lule, por me përkore, duke pasur parasysh karakterin e kësaj dite. Tabernakulli të jetë krejtësisht i zbrazët. Për kungim të klerit dhe të popullit për sot dhe për nesër në këtë Meshë shugurohet sasia e mjaftueshme e bukës.
Antifona e hyrjes Krh. Gal 6, 14
Ne mburremi me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit: në të kemi shpëtimin, jetën e ngjalljen, vetëm Ai na shpëtoi dhe na çliroi.
Thuhet Lavdi.
Ndërsa këndohet, bien kambanat, dhe si të kryhet kjo, nuk u bihet më deri në Lavdi në Vigjiljen e Pashkëve, përveçse në rastin kur Ipeshkvi dioqezan, sipas përshtatshmërisë, vendos ndryshe. Gjithashtu, në të njëjtën periudhë, organoja dhe vegla të tjera muzikore mund të përdoren vetëm për të shoqëruar këndimin.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj, të bashkuar në këtë Darkë tejet të shenjtë, në të cilën i Njëlinduri Biri yt, para se t’i shtrohej vdekjes, ia dhuroi Kishës për të gjithë shekujt flinë e re dhe gostinë e dashurisë së vet, bëj, po të lutemi, që, prej misterit kaq të lartë, të nxjerrim plotësinë e dashurisë dhe të jetës. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Dal 12, 1-8.11-14) (fq. 92/3)
Darka e mbramë e Zotit.
Lexim prej librit të Daljes
Në ato ditë, 1 Zoti i tha Moisiut e Aronit në dheun e Egjiptit: 2 “Ky muaj do të jetë për ju fillimi i muajve, më i pari ndër muajt e vitit.
3 Flisni me tërë bashkësinë e bijve të Izraelit e thoniu: Të dhjetën ditë të këtij muaji, le ta marrë secili për shtëpi një qengj për familjen e vet. 4 Por, po qe se numri i anëtarëve është më i vogël sesa do të mund të mjaftonte për ta ngrënë qengjin, le të marrë të afërmin e vet, që është më afër shtëpisë së tij, sipas numrit të frymëve që mjafton për të ngrënë qengjin. 5 Qengji le të jetë i patëmetë, mashkull, i një viti. Mund të merrni qengj ose edh. 6 Ruajeni deri të katërmbëdhjetën ditë të këtij muaji: në muzg le ta flijojë e tërë bashkësia e bijve të Izraelit. 7 Le të marrin prej gjakut të tij dhe le t’i lyejnë të dy shtalkat dhe ballzinat e dyerve të shtëpive, në të cilat do ta hanë qengjin.
8 Mishin e pjekur në zjarr le ta hanë atë natë me të pabrume dhe me barishte të hidhura. 11 Dhe hajeni kështu: me ijë të ngjeshura, me sandale në këmbë dhe shkop në dorë: hajeni me shpejti, sepse, janë Pashkët e Zotit!
12 Atë natë do të kaloj nëpër dheun e Egjiptit dhe do të vras çdo të parëlindur në dheun e Egjiptit që nga njeriu e deri në bagëti dhe do t’i ndëshkoj të gjitha hyjnitë e Egjiptit; unë Zoti!
13 Gjaku do t’ju shërbejë si shenjë se në cilën shtëpi jeni: unë do ta shoh gjakun dhe ju do t’ju kaloj. Kështu ndër ju nuk do të ketë farosje, kur unë do t’i sulem dheut të Egjiptit. 14 Kijeni këtë ditë përkujtim dhe kremtojeni festë në nder të Zotit brez pas brezi me sjellje fetare të përhershme.
Fjala e Zotit
Psalmi 116 (115), 12-13.15-16bc.17-18 (fq. 793)
Ref. Kelku yt, o Zot, është dhuratë e shëlbimit.
12 Si do t’ia shpërblej Zotit
për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
13 Do të ngre gotën e shëlbimit
e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Ref. Kelku yt, o Zot, është dhuratë e shëlbimit.
15 E çmueshme është para Zotit
vdekja e shenjtërve të tij.
16 O Zot, unë jam shërbëtori yt,
shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate.
Ti i këpute hekurat e mi.
Ref. Kelku yt, o Zot, është dhuratë e shëlbimit.
17 Ty do të ta kushtoj flinë e lavdit,
me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
18 Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit
në praninë e mbarë popullit të tij.
Ref. Kelku yt, o Zot, është dhuratë e shëlbimit.
Leximi i dytë (1 Kor 11, 23-26) (fq. 1619)
Kurdo të hani këtë bukë e të pini këtë kelk, lajmëroni vdekjen e Zotit, deri që Ai të vijë.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
Vëllezër, 23 atë mësim që mora prej Zotit, atë edhe juve jua mësova, domethënë se Zoti Jezus, atë natë që po tradhtohej, mori bukën, 24 u falënderua, e theu dhe tha: “Ky është Trupi im ‑ për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim!”
25 Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe kelkun e tha: “Ky Kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim. Bëni këtë, gjithsaherë që të pini, në përkujtimin tim!” 26 Për të vërtetë, kurdo të hani këtë bukë e ta pini këtë kelk, lajmëroni vdekjen e Zotit, derisa Ai të vijë.
Fjala e Zotit
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Po ju jap një urdhër të ri, thotë Zoti: duani njëri-tjetrin, sikurse unë ju desha ju. (Gjn 13, 34)
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli (Gjn 13, 1-15) (fq. 1529/1530)
I deshi deri në pikë të fundit.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
1 Ishte para festës së Pashkëve. Jezusi, duke ditur se i erdhi koha të kalojë prej kësaj bote tek Ati, pasi i deshi të vetët ‑ ata që ishin në botë ‑ i deshi deri në pikën e fundit. 2 Dhe, gjatë darkës ‑ pasi djalli ia kishte mbushur mendjen Judës, birit të Simon Iskariotit, ta tradhtojë – 3 Jezusi, që e dinte se Ati i la gjithçka në dorë, se erdhi prej Hyjit dhe se tek Hyji po kthente – 4 u ngrit nga darka, hoqi petkun e sipërm, mori një peshqir dhe u ngjesh. 5 Qiti ujë në legen dhe filloi t’ua lajë këmbët nxënësve dhe t’ua fshijë me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur.
6 Arriti kështu te Simon Pjetri. Ai i tha: “Zotëri, ti të m’i lash këmbët?” 7 “Ç’po bëj unë ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ ti tani nuk e kupton, do ta kuptosh më vonë.” 8 Pjetri iu përgjigj: “Nuk do të m’i lash këmbët kurrë e për këtë jetë!” “Nëse nuk do të laj ‑ i tha Jezusi ‑ nuk do të kesh pjesë me mua.” 9 Simon Pjetri i përgjigji: “Atëherë, Zotëri, jo veç këmbët e mia, por edhe duart, edhe kokën!” 10 Jezusi i tha: “Kush është i larë, nuk i duhet të lajë tjetër përveç këmbët ‑ dhe është krejtësisht i pastër. Edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë.” 11 Prej se e dinte se kush do ta tradhtojë, këndej edhe tha: “Nuk jeni të gjithë të pastër.”
12 Pasi ua lau këmbët, mori petkun e sipërm të vetin, u ul prapë në tryezë dhe u tha: “A e kuptoni çka ju bëra? 13 Ju më quani: Mësues e Zotëri. Mirë thoni, sepse unë jam. 14 Nëse, pra, unë ‑ Zotëria dhe Mësuesi ‑ ju lava këmbët, duhet që edhe ju t’i lani këmbët njëri‑tjetrit. 15 Ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju.
Fjala e Zotit
9. Pas Ungjillit bëhet homilia, në të cilën ilustrohen veçanërisht misteret, që përkujtohen në këtë Meshë, d.m.th. themelimi i Eukaristisë dhe i Urdhrit meshtarak si edhe urdhri i Zotit për dashurinë vëllazërore.
Larja e këmbëve
10. Pas homilisë, kur arsyeja baritore këshillon, bëhet larja e këmbëve.
11. Njerëzit e zgjedhur përcillen nga shërbestarët te karriget e përgatitura në vend të përshtatshëm. Atëherë meshtari (e heq planetën nëse është nevoja) afrohet te secili, u hedh ujë në këmbë dhe ua fshin i ndihmuar nga shërbestarët.
12. Ndërkaq këndohen disa nga këto antifona, apo këngë të tjera të përshtatshme.
Antifona 1 Krh. Gjn 13, 4.5.15
Zoti, pasi u ngrit nga darka, hodhi ujë në legen dhe filloi t’ua lajë këmbët nxënësve: ua la këtë shembull në kujtim.
Antifona 2 Krh. Gjn 13, 12.13.15
Zoti Jezus, pas darkës me nxënësit e tij, ua lau këmbët e tyre dhe u tha: “A e kuptoni çka ju bëra unë, Zotëria dhe Mësuesi? Ju dhashë shembull, që ashtu të bëni edhe ju”.
Antifona 3 Gjn 13, 6.7.8
- Zotëri, Ti të m’i lash këmbët?
Jezusi u përgjigj dhe i tha: Nëse nuk do t’i laj këmbët, nuk do të kesh pjesë me mua.
V. Erdhi pra, te Simon Pjetri dhe Pjetri i tha:
– Zotëri, Ti të m’i lash këmbët?
V. Atë çfarë unë po bëj, ti tani nuk e kupton: do ta kuptosh më vonë.
– Zotëri, Ti të m’i lash këmbët?
Antifona 4 Krh. Gjn 13, 14
Nëse unë, Zotëria dhe Mësuesi, ju lava këmbët, aq më tepër duhet që t’ia lani këmbët njëri-tjetrit.
Antifona 5 Gjn13, 35
- Të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi, nëse e doni njëri tjetrin.
V. Jezusi u tha nxënësve të vet:
– Të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi, nëse e doni njëri tjetrin.
Antifona 6 Gjn 13, 34
Po ju jap një urdhër të ri: duajeni njëri-tjetrin, sikurse unë ju desha ju, thotë Zoti.
Antifona 7 1 Kor 13, 13
- Le të qëndrojnë në ju feja, shpresa dhe dashuria, por më e madhja ndër to është dashuria.
V. Tani mbeten veç feja, shpresa dhe dashuria, por më e madhja ndër këto të tria është dashuria.
– Le të qëndrojnë në ju feja, shpresa dhe dashuria, por më e madhja ndër to është dashuria.
13. Pas larjes së këmbëve, meshtari i lan duart, vesh planetën dhe kthehet tek selia. Thuhet Lutja e Besimtarëve.
Nuk thuhet Besoj.
Liturgjia e Eukaristisë
14. Në fillim të Liturgjisë së Eukaristisë, mund të bëhet procesioni i besimtarëve, në të cilën, bashkë me bukën dhe verën mund të paraqesin edhe dhurata për të varfër.
Ndërkohë, këndohet kjo apo ndonjë këngë tjetër e përshtatshme.
Ant. Ku ka dashuri dhe bamirësi, Zoti është aty.
V. Dashuria e Krishtit – na bashkon tok.
V. Të galdojmë dhe të gëzohemi – në vetë Zotin.
V. Hyjin e gjallë le të nderojmë – dhe ta duam.
V. Dhe me gjithë zemër të duam – njëri-tjetrin.
Ant. Ku ka dashuri dhe bamirësi, Zoti është aty.
V. Si vëllezër jemi të gjithë – të bashkuar.
V. Të mos jemi kurrë me zemër – të larguar.
V. Le të pushojnë të gjithë ndarjet – dhe grindjet.
V. Në mesin tonë do të qëndrojë – Krishti, Zoti.
Ant. Ku ka dashuri dhe bamirësi, Zoti është aty.
V. Të bashkuar me gjithë shenjtër – do të shohim
V. F’tyrën tënde plot dritë – o Krishti Zot.
V. Gëzim të madh dhe të vërtetë – do të kemi,
V. Në praninë tënde, në shekuj – përgjithmonë. Amen.
15. Lutja mbi dhurata
Bëj, po të lutemi, o Zot, që të marrim pjesë si duhet në këto mistere, sepse sa herë që kremtohet përkujtimi i kësaj flie, kryhet vepra e shëlbimit tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I EUKARISTISË SË SHENJTË – I
Flija dhe sakramenti i Krishtit
60. Ky prefacion thuhet në Meshën “Në Darkën e Zotit”; mund të thuhet edhe në të Kremten e Korpit e të Gjakut të Krishtit dhe në Meshët kushtimore të Eukaristisë së Shenjtë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ai, Prifti i vërtetë dhe i amshuar,
duke themeluar trajtën e përhershme të flisë,
i pari t’u kushtua ty, si fli për shpëtimin tonë
dhe neve na urdhëroi ta kushtojmë në përkujtimin e tij.
Trupi i tij i flijuar për ne, kur e marrim në kungim,
na përtërin në fuqi
dhe gjaku i tij, i derdhur për ne, kur e pimë,
na pastron prej të gjitha mëkateve.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues
dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate,
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
17. Kur përdoret Kanoni Romak, thuhen Të Bashkuar, Pranoje me mirësi, dhe Natën para mundimeve të veçantë:
18. Meshtari, me duar të shtrira, thotë:
Ty, o Atë tejet i dhimbshëm, përvujtërisht dhe përzemërsisht po të lutemi, nëpër Jezu Krishtin, Birin tënd e Zotin tonë,
i bashkon duart e thotë:
që t’i pëlqesh
dhe shënon njëherësh mbi bukë e mbi kelk së bashku duke thënë:
dhe t’i bekosh këto dhurata, këto të fala, këto fli të shenjta e të papërlyera,
dhe me duar të shtrira, vazhdon:
që po t’i kushtojmë më së pari për Kishën tënde të shenjtë katolike: mbaje në paqe, ruaje dhe bashkoje në mbarë botën, bashkë me shërbëtorin tënd, papën tonë E. dhe me ipeshkvin tonë E. dhe me të gjithë besimtarët e vërtetë, që ndjekin besimin katolik të trashëguar prej apostujve.
19. Përkujtimi për të gjallët.
Le të të bjerë në mend, o Zot, për besimtarët e tu dhe besimtaret e tua E. dhe E.
I bashkon duart e lutet pak kohë për ata që do t’i përkujtojë.
Pastaj me duar të shtrira vazhdon:
Le të të bjerë në mend edhe për të gjithë të pranishmit, fenë dhe përkushtinë e të cilëve e njeh Ti vetë, për ata po ta kushtojmë, edhe ata vetë po ta kushtojnë këtë fli lavdi për vete dhe për të gjithë të vetët, që të fitojnë faljen e mëkateve, sigurinë e jetës dhe shëlbimin, e po t’i drejtojnë lutjet e veta ty, o Hyj i amshuar, i gjallë dhe i vërtetë.
20. Përkujtimi i shenjtërve.
Të bashkuar me mbarë Kishën, po kremtojmë ditën tejet të shenjtë, në të cilën Zoti ynë, Jezu Krishti, u flijua për ne.
Po ashtu po përkujtojmë me nderim së pari të lumen Mari, gjithmonë Virgjër, Nënën e të njëjtit Hyj dhe Zotit tonë Jezu Krishtit, po edhe shën Jozefin, fatin e saj, shenjtërit apostuj e martirë: Pjetrin, Palin, Andreun, (Jakobin, Gjonin, Tomën, Jakobin, Filipin, Bartolomeun, Mateun, Simonin e Tadeun, Linin, Kletin, Klementin, Ksistin, Kornelin, Çiprianin, Lorencin, Krizogonin, Gjonin, Palin, Kozmën e Damianin) dhe të gjithë shenjtërit e tu: në saje të meritave dhe lutjeve të tyre bëj, o Zot, të gëzojmë gjithmonë ndihmën dhe mbrojtjen tënde.
(Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.)
21. Me duar të shtrira vazhdon:
Pranoje me mirësi, po të lutemi, o Zot, flinë e nënshtrimit tonë, që po ta kushtojmë ne dhe mbarë familja jote, ditën në të cilën Zoti ynë Jezu Krishti u dha nxënësve të vet pushtetin të kremtojnë misterin e Korpit e të Gjakut të tij. Përcilli ditët tona në paqen tënde, na shpëto prej dënimit të pasosur dhe na prano në numrin e të zgjedhurve të tu.
I bashkon duart.
(Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.)
Po të lutemi, o Hyj, shenjtëroje me bekimin tënd këtë fli, pranoje si fli shpirtërore dhe të përkryer, që të bëhet për ne Korpi e Gjaku i fort të dashurit Birit tënd, Jezu Krishtit, Zotit tonë.
I bashkon duart.
23. Në trajtëzat që ndjekin fjalët e Zotit le të shqiptohen qartazi dhe në mënyrë të kuptueshme, si e kërkon vetë natyra e këtyre fjalëve.
Natën para mundimeve, për shpëtimin tonë dhe të të gjithë njerëzve, domethënë sot,
merr bukën dhe duke e lartësuar pakëz mbi altar, vazhdon:
Ai mori bukën në duart e veta të shenjta e të nderueshme,
çon sytë lart
i çoi sytë nga qielli, te Ti, Hyji dhe Ati i tij i gjithëpushtetshëm, të falënderoi me lutjen e bekimit, e theu, ua dha nxënësve të vet dhe tha:
përkulet pakëz:
MERRNI E HANI TË GJITHË PREJ KËTIJ:
KY ËSHTË KORPI IM
QË DO TË FLIJOHET PËR JU.
Ia dëfton popullit Hosten e shuguruar, e ul mbi patenë dhe gjunjëzohet në adhurim.
24. Pastaj vazhdon:
Po ashtu, pasi u krye darka,
merr kelkun dhe duke e mbajtur pakëz të lartësuar mbi altar, vazhdon:
mori edhe këtë kelk të madhërishëm në duart e veta të shenjta e të nderueshme, përsëri të falënderoi me lutjen e bekimit, ua dha nxënësve të vet dhe tha:
përkulet pakëz:
MERRNI E PINI TË GJITHË PREJ TIJ:
KY ËSHTË KELKU I GJAKUT TIM,
I BESËLIDHJES SË RE DHE TË AMSHUAR
QË DO TË DERDHET PËR JU
E PËR SHUMË NJERËZ
PËR FALJEN E MËKATEVE.
BËJENI KËTË NË PËRKUJTIMIN TIM.
Ia dëfton popullit kelkun, e ul mbi korporal dhe gjunjëzohet në adhurim.
25. Pastaj thotë:
Misteri i fesë.
Populli brohorit:
Kumtojmë vdekjen tënde, o Zot,
shpallim ngjalljen tënde
dhe presim ardhjen tënde me lumturi.
Ose:
2. Sa herë që hamë këtë bukë
dhe pimë këtë kelk,
kumtojme vdekjen tënde, o Zot,
dhe presim ardhjen tënde me lavdi.
Ose:
3. Na shëlbo, Shëlbuesi i botës,
Ti që na lirove me kryqin tënd dhe me ngjalljen tënde.
26. Pastaj meshtari, me duar të shtrira, thotë:
Prandaj, o Zot, ne shërbëtorët e tu, por edhe populli yt i shenjtë, duke përkujtuar mundimet e shenjta, ngjalljen prej të vdekurish dhe ngjitjen e lavdishme në qiell të Krishtit, Birit tënd dhe Zotit tonë, po ia kushtojmë madhërisë sate të lartë prej dhuratave që Ti vetë na i fale: flinë e pastër, flinë e shenjtë, flinë e panjollë, bukën e shenjtë të jetës së pasosur dhe kelkun e shpëtimit të amshuar.
27. Hidhe shikimin tënd të ëmbël e plot mëshirë mbi këto dhurata dhe pranoji, po ashtu si u denjove t’i pranoje dhuratat e shërbëtorit tënd Abelit të drejtë, flinë e Abrahamit, atit tonë në fe dhe atë që ta paraqiti Melkizedeku, kryeprifti yt, flinë e shenjtë, kushtin e panjollë.
28. I përkulur, me duar të bashkuara, vazhdon:
Përvujtërisht po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, që duart e engjëllit tënd të shenjtë ta paraqesin këtë fli në altarin tënd qiellor, në praninë e madhërisë sate hyjnore, që të gjithë ne, pjesëmarrës të këtij altari duke u kunguar me Korpin dhe Gjakun e shenjtë të Birit tënd,
drejtohet dhe shënohet me kryq duke thënë:
të mbushemi me çdo bekim qiellor e me çdo hir.
I bashkon duart.
(Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.)
29. Përkujtimi i të vdekurve.
Me duar të shtrira, thotë:
Le të të bjerë në mend, o Zot, për shërbëtorët e tu dhe shërbëtoret e tua E. dhe E., të cilët na prinë të vulosur me shenjën e fesë dhe pushojnë në gjumin e paqes.
I bashkon duart e lutet pak kohë për ata të vdekur, të cilët do t’i përkujtojë.
Pastaj vazhdon, me duar të shtrira:
Po të lutemi, jepu atyre, o Zot dhe të gjithëve që pushojnë në Krishtin, lumturinë, dritën dhe paqen.
I bashkon duart.
(Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.)
30. Me dorë të djathtë e rreh kraharorin duke thënë:
Edhe neve, mbarështuesve të tu mëkatarë,
e vazhdon me duar të shtrira:
që shpresojmë në mëshirën tënde të pakufi, na bëj vend në shoqërinë e shenjtërve të tu apostuj dhe martirë: me Gjonin, Shtjefnin, Matinë, Barnabën, (Injacin, Aleksandrin, Marçelinin, Pjetrin, Feliçitën, Perpetuën, Agatën, Luçinë, Anjezën, Çeçiljen, Anastazen) dhe me të gjithë shenjtërit e tu. Bëj ta gëzojmë fatin e tyre të lumtur, jo në saje të meritave tona, por në saje të mëshirës sate të pakufi.
31. I bashkon duart dhe vazhdon:
Nëpër Krishtin, Zotin tonë, Ti, o Hyj, të gjitha gjërat e mira gjithmonë i krijon, i shenjtëron, u jep jetë, i bekon dhe na i ndan neve.
32. Merr patenën me Hosten dhe kelkun e duke i lartësuar, thotë:
Nëpër Krishtin e me Krishtin dhe në Krishtin, ty o Atë, Hyj i gjithëpushtetshëm, në bashkim me Shpirtin Shenjt, të qoftë çdo nderim e lavdi, për të gjithë shekujt e shekujve.
Populli brohoret:
Amen.
Atëherë vijon riti i Kungimit, fq. 505.
33. Është mirë që në momentin e kungimit meshtari t’u japë Eukaristinë nga altari diakonëve ose akolitëve ose mbarështuesve të tjerë të jashtëzakonshëm, që pastaj t’ua japin të sëmurëve që dëshirojnë të kungohen në shëpitë e veta.
34. Antifona e kungimit 1 Kor 11, 24-25
Ky është Korpi im i flijuar për ju; Ky kelk është besëlidhja e re në Gjakun tim. Sa herë që ta pini, bëni këtë në përkujtimin tim, thotë Zoti.
35. Pasi të ndahet kungimi, piksida me Hoste të shuguruara për ditën e nesërme lihet mbi altar. Meshtari, në këmbë tek selia, thotë lutjen pas kungimit.
36. Lutja pas kungimit
Bëj, po të lutemi, o Zot i gjithëpushtetshëm, që sikurse shujtohemi me Darkën e përkohshme të Birit tënd, po ashtu të meritojmë ta shijojmë atë të përjetshme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Mbartja e Sakramentit të Shenjtë
37. Si të jetë kryer lutja, meshtari, në këmbë, hedh kem në kemore dhe i gjunjëzuar, e kemos Sakramentin e Shenjtë tri herë. Pastaj merr mbulonjësin e bardhë, çohet, merr piksidën dhe e mbulon.
38. Bëhet procesioni, në të cilin Sakramenti i Shenjtë, me qirinj dhe kem, mbartet nëpër kishë deri te vendi ku do të ruhet, i bërë gati në ndonjë vend të kishës apo kapelë, të stolisur për atë rast. Ecën i pari një shërbestar laik që mbart kryqin, mes dy qirinjve të ndezur. Vijojnë disa të tjerë që mbajnë qirinj të ndezur. Para meshtarit që mbart Sakramentin e Shenjtë ecën kembartësi, që mbart kemoren me kemin e ndezur. Ndërkohë këndohet himni Pange, lingua (pa dy strofat e fundit) apo ndonjë këngë tjetër eukaristike.
39. Kur procesioni të arrijë në vendin e ruajtjes, meshtari, i ndihmuar, në rast nevoje, nga diakoni, e vendos piksidën në tabernakull, dera e të cilit të rrijë hapur. Atëherë hedh kem, i gjunjëzuar e kemon Sakramentin e Shenjtë, ndërsa këndohet Tantum ergo sacramentum apo ndonjë këngë tjetër eukaristike. Pastaj diakoni ose vetë meshtari e mbyll derën e tabernakullit.
40. Pas pak kohe adhurimi në heshtje, meshtari dhe shërbestarët, duke bërë gjunjëzimin, kthehen në sakristi.
41. Pastaj zbulohet altari dhe hiqen, nëse është e mundur, kryqet nga kisha. Kryqet që ndoshta mbeten në kishë të mbulohen.
42. Mbrëmësorja nuk thuhet prej atyre që kanë marrë pjesë në Meshën e mbrëmjes.
43. Të nxiten besimtarët që për një kohë të përshtatshme të natës, sipas rrethanave të kohës dhe të vendit, të bëjnë adhurimin para Sakramentit të Shenjtë, por pas mesnate ky adhurim të bëhet pa solemnitet.
44. Nëse në të njëjtën kishë të nesërmen nuk bëhet përkujtimi i Mundimit të Zotit, Mesha mbaron si zakonisht dhe Sakramenti i Shenjtë vendoset në tabernakull.