Leximet e ditës
JAVA E MADHE
E PREMTJA E MUNDIMIT TË ZOTIT
1. Në këtë ditë dhe të nesërmen Kisha, sipas traditës shumë të lashtë, nuk i kremton fare sakramentet, përveç rrëfimit dhe vajimit të të sëmurëve.
2. Në këtë ditë besimtarëve u jepet kungimi vetëm brenda kremtimit të Mundimit të Zotit; të sëmurëve që nuk mund të marrin pjesë në këtë kremtim, mund t’u çohet kungimi në çdo kohë.
3. Altari le të jetë krejësisht i zbuluar, pa kryq, pa shandanë, pa mbulonjës.
Kremtimi i Mundimit të Zotit
4. Në pasdrekën e kësaj dite dhe madje rreth orës 3, nëse për arsye baritore nuk zgjidhet një orë më e vonë, bëhet kremtimi i Mundimit të Zotit, i cili është tri pjesësh, d.m.th. Liturgjia e fjalës, adhurimi i Kryqit dhe kungimi i shenjtë.
5. Meshtari dhe diakoni (nëse është i pranishëm), të veshur me petka të kuqe, si për Meshë, shkojnë tek altari dhe pasi ta kenë bërë nderimin e duhur, bien me fytyrë përdhe apo, nëse është më e përshtatshme, në gjunjë dhe luten për pak kohë në heshtje. Të gjithë të tjerët bien në gjunjë.
6. Pastaj, meshtari me shërbestarët shkon te selia, ku me fytyrë nga populli, me duar të shtrira thotë një nga këto lutje, pa thënë:
Të lutemi.
Lutja
Le të të bjerë në mend o Zot, mëshira jote, shenjtëroji dhe mbroji gjithmonë shërbëtorët e tu, për të cilët Krishti, Biri yt, e themeloi misterin e Pashkëve me gjakun e vet. Ai që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve. P. Amen.
Apo:
O Hyj, Ti me mundimin e Krishtit, Birit tënd dhe Zotit tonë e shkatërrove vdekjen, trashëgimin e mëkatit të vjetër, e cila kaloi në mbarë gjininë njerëzore dhe ne na bëre të ngjashëm me Krishtin: bëj që, sikurse e mbartëm figurën e njeriut tokësor si pasojë e natyrës së ligshtë, po ashtu, si shpërblim për veprën shenjtëruese të hirit tënd, ta mbartim edhe figurën e njeriut qiellor. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
P. Amen.
PJESA E PARË:
LITURGJIA E FJALËS
7. Pastaj, pasi ulen të gjithë, lexohet leximi i parë nga Libri i Isaisë profet (52, 13 – 53, 12) me psalmin e vet.
8. Vijon leximi i dytë nga Letra drejtuar Hebrenjve (4, 14-16; 5, 7-9) dhe kënga para Ungjillit.
9. Pastaj lexohet historia e Mundimit të Zotit sipas Gjonit (18, 1 – 19, 42) në të njëjtën mënyrë si të dielën e mëparshme.
10. Pas leximit të Mundimit të Zotit të mbahet një homili e shkurtër, në fund të së cilës besimtarët ftohen të luten për pak kohë.
Lutja e Përgjithshme
11. Liturgjia e Fjalës mbyllet me Lutjen e Gjithëmbarshme, që thuhet kështu: diakoni ose, nëse ky nuk është i pranishëm, një shërbestar laik, tek amboni thotë ftesën, me të cilën shprehet qëllimi. Pastaj të gjithë, për pak kohë, luten në heshtje, dhe pastaj meshtari, në këmbë te selia apo tek altari, me duar të shtrira, thotë lutjen.
Besimtarët gjatë krejt kohës së lutjeve mund të rrijnë në gjunjë ose në këmbë.
12. Para lutjes së meshtarit mund të përdoren, sipas traditës, trajtëzat e diakonit Të përkulim gjunjët – Çohuni në këmbë, duke u gjunjëzuar të gjithë dhe duke u lutur në heshtje.
Konferencat Ipeshkvore mund të parashohin trajtëza të tjera si ftesë para lutjes së meshtarit.
13. Në rast të ndonjë nevoje të madhe publike, Ipeshkvi dioqezan mund të lejojë apo të caktojë, të shtohet një qëllim i veçantë.
I. Për Kishën e shenjtë
Të lutemi, fort të dashur, për Kishën e shenjtë të Hyjit, që Hyji dhe Zoti ynë t’i japë paqe, ta bashkojë dhe ta ruajë në botën mbarë dhe të bëjë që ne të kalojmë një jetë të qetë e me paqe, për të nderuar Hyjin, Atin e gjithëpushtetshëm.
Të gjithë luten në heshtje. Pastaj meshtari thotë:
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, Ti që në Krishtin ia zbulove lumturinë tënde mbarë botës: ruaji veprat e mëshirës sate, që Kisha jote, e shpërndarë në mbarë botën, të qëndrojë në fe të palëkundur për të dëshmuar emrin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
P. Amen.
II. Për Papën
Të lutemi edhe për Shenjtërinë e tij, Papën tonë E., që Hyji dhe Zoti ynë, i cili e zgjodhi në urdhrin ipeshkvor, ta mbajë në shëndet të mirë e ta mbrojë për të mirën e Kishës së vet të shenjtë, për të drejtuar popullin e shenjtë të Hyjit.
Të gjithë luten në heshtje. Pastaj meshtari thotë:
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, urtia që drejton gjithësinë, vështroi në mirësinë tënde lutjet tona, dhe na e ruaj Bariun që ke zgjedhur për ne, që populli i krishterë, i drejtuar prej teje, të rritet nën këtë Bari, në meritat e fesë së tij. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
P. Amen.
III. Për klerikët e për mbarë popullin besimtar
Të lutemi edhe për Ipeshkvin tonë E., për të gjithë ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, dhe për mbarë popullin e besimtarëve.
Të gjithë luten në heshtje. Pastaj meshtari thotë:
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, me Shpirtin e të cilit tërë trupi i Kishës shenjtërohet dhe drejtohet, na vështro ne që po të lutemi për mbarështuesit e tu, që me dhuratën e hirit tënd, të të shërbejnë të gjithë me besnikëri. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
P. Amen.
IV. Për katekumenët
Të lutemi edhe për katekumenët (tanë), që Hyji dhe Zoti ynë t’i prekë zemrat e tyre dhe t’ua hapë derën e mëshirës, që duke e fituar faljen e të gjitha mëkateve me anën e larjes së rilindjes, të bashkohen edhe ata me Jezu Krishtin, Zotin tonë.
Të gjithë luten në heshtje. Pastaj meshtari thotë:
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, Ti e shton Kishën tënde vazhdimisht me bij të rinj: rritua fenë dhe kuptimin katekumenëve (tanë), që, të rilindur nga burimi i pagëzimit, të pranohen mes bijve të tu të birësuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
P. Amen.
V. Për bashkimin e të krishterëve
Të lutemi edhe për të gjithë vëllezërit që besojnë në Jezu Krishtin, që Hyji dhe Zoti ynë t’i bashkojë dhe t’i ruajë në Kishën e vet të vetmen ata që me jetë e zbatojnë të vërtetën.
Të gjithë luten në heshtje. Pastaj meshtari thotë:
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, Ti që të shpërndarët i bashkon dhe të bashkuarit i bën të qëndrueshëm, shikoje me mirësi grigjën e Birit tënd, që të gjithë ata të cilët janë të shuguruar me një pagëzim të vetëm, t’i bashkojë tërësia e fesë dhe lidhja e dashurisë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
P. Amen.
VI. Për Hebrenjtë
Të lutemi edhe për Hebrenjtë, të cilëve më së pari u foli Zoti, Hyji ynë, që të përparojnë në dashurinë e emrit të tij dhe në besnikëri ndaj Besëlidhjes së tij.
Të gjithë luten në heshtje. Pastaj meshtari thotë:
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, që ia dhe premtimet e tua Abrahamit dhe farës së tij, dëgjoji me mirësi lutjet e Kishës sate, që populli yt i pari të meritojë të arrijë plotësinë e shëlbimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
P. Amen.
VII. Për ata që nuk besojnë në Krishtin
Të lutemi edhe për ata që nuk besojnë në Krishtin, që të shndritur nga drita e Shpirtit Shenjt, të meritojnë edhe ata të hyjnë në udhën e shpëtimit.
Të gjithë luten në heshtje. Pastaj meshtari thotë:
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, bëj që ata të cilët nuk e dëshmojnë Krishtin, duke ecur drejt teje me zemër të çiltër, të gjejnë të vërtetën dhe që ne, duke përparuar gjithmonë në dashurinë e njëri-tjetrit dhe të zellshëm për të kuptuar misterin e jetës sate, të bëhemi dëshmitarë të përsosur të dashurisë sate në botë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
P. Amen.
VIII. Për ata që nuk besojnë në Hyjin
Të lutemi edhe për ata që nuk e njohin Hyjin, që, duke e ndjekur me zemër të çiltër të drejtën, të meritojnë të arrijnë te vetë Hyji.
Të gjithë luten në heshtje. Pastaj meshtari thotë:
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, Ti i krijove të gjithë njerëzit, që duke të dëshiruar, gjithherë të kërkojnë dhe duke të gjetur, ta kenë paqen e shpirtit; bëj, po të lutemi, që mes çfarëdo pengesash, të gjithë, duke i kuptuar shenjat e dashurisë sate dhe dëshminë e veprave të mira të besimtarëve, me gëzim të të shpallin ty, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë dhe Atin e njerëzimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
P. Amen.
IX. Për drejtuesit e shtetit
Të lutemi edhe për të gjithë ata që drejtojnë shtetin, që Hyji dhe Zoti ynë t’ua drejtojë mendjen dhe zemrën sipas vullnetit të vet, për paqen e vërtetë dhe lirinë e të gjithëve.
Të gjithë luten në heshtje. Pastaj meshtari thotë:
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, në dorën tënde janë zemrat e njerëzve dhe të drejtat e popujve: shikoji me mirësinë tënde ata që kanë pushtetin të na sundojnë, që gjithkund, në saje të bujarisë sate, të qëndrojë përparimi i kombeve, siguria e paqes dhe liria e besimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
P. Amen.
X. Për nevojtarët
T’i lutemi, fort të dashur, Hyjit Atë të gjithëpushtetshëm, që ta pastrojë botën prej të gjitha gabimeve, të largojë lëngatat, të zhdukë urinë, të hapë burgjet, të zgjidhë prangat, t’u japë rrugëtarëve udhë të sigurt, shtegtarëve kthimin në shtëpi, të sëmurëve shëndetin dhe atyre që janë afër vdekjes, shpëtimin.
Të gjithë luten në heshtje. Pastaj meshtari thotë:
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, Ti që je ngushëllimi i të mjerëve dhe fuqia e atyre që vuajnë, arritshin te Ti lutjet e atyre që të thërrasin në ndihmë për çfarëdo nevoje, që ndër të gjitha ngushticat e veta të jetës të gëzohen me përvojën e mëshirës sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
P. Amen.
Leximi i parë (Is 52, 13- 53, 12) (fq. 1034/5)
Ai ishte i plagosur për shkak të paudhësive tona.
Lexim prej librit të Isaisë profet
13 Ja, Shërbëtorit tim për së mbari do t’i shkojnë punët, do të nderohet, do të lartësohet, do të jetë tejet i madhërishëm! 14 Sikurse shumë vetë që mbetën shtang kur e panë ‑ kaq e shëmtuar ishte pamja e tij, ‑ fytyrën e tij që e kishin shëmtuar në mënyrë aq çnjerëzore, aq sa pamja e tij s’ishte më si e bijve të Adamit ‑ 15 po ashtu mbi Të do të mbesin të habitura turmat e popujve, edhe mbretërit do të mbesin gojëhapur, sepse do të shohin atë për çka askush s’ju kishte folur e do të kuptojnë atë për çka s’kishin dëgjuar.
53, 1 “Kush, pra, besoi në atë që ne dëgjuam se u tha? Kujt i qe zbuluar dora e Zotit? 2 Para Tij u rrit porsi pinjolli, porsi rrënja nga toka e thatë. S’kishte bukuri as hijeshi, që të mund të vërenim në të, as pashi që të mund të na pëlqente. 3 Ishte i përbuzur, më i mbrami ndër njerëz, njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje, si ai, para të cilit mbulohet fytyra, i përbuzur, këndej as s’e çmonin për send!
4 E pra, Ai i mori mbi vete vuajtjet tona, mbi shpatulla të veta i ngarkoi dhimbjet tona! E ne ishim të bindur se ishte i ndëshkuar, i munduar prej Hyjit e i nënçmuar! 5 Kurse Ai ishte i plagosur për shkak të paudhësive tona, i ndrydhur për shkak të fajeve tona; ndëshkimi, peng paqeje për ne, peshoi mbi Të: me vërragën e tij ne u shëruam. 6 Të gjithë ne endeshim si berrat e humbur, secili udhën e vet ndiqte e Zoti e ngarkoi mbi Të paudhësinë e të gjithë neve. 7 I marrë me të keq, lejoi të përvujtërohet, nuk e çeli gojën e vet; porsi qengji që e çojnë për ta therur, porsi delja e pa zë para qethtarëve, nuk e çeli gojën e vet. 8 E hoqën këso jete me dhunë e me gjyq. Kush kujdeset për fatin e tij? Po, e zhdukën nga toka e të gjallëve, për faj të popullit të vet qe goditur për vdekje. 9 Varrin e tij e vunë me të patenzonët, me pasanikët varri i tij, megjithëse s’kishte bërë paudhësi as gënjeshtër s’doli nga goja e tij.
10 Por Zotit i pëlqeu ta ndrydhë me vuajtje. Nëse e jep jetën e vet fli shpërblyese, do të shohë një trashëgimi jetëgjatë, me anë të Tij do të kryhet vullneti i Zotit. 11 Për shkak të vuajtjes së shpirtit të tij do ta shohë dritën e do të ngihet me njohjen e saj. Shërbëtori im i drejtë do të shfajësojë shumë, mbi vete fajet e tyre do t’i marrë. 12 Prandaj turmat do t’ia jap për shpërblim, pre e tij do të jenë popuj të panumërt, sepse e dorëzoi veten për vdekje dhe qe numëruar ndër keqbërës që mbi vete t’i marrë fajet e turmave e lutet për ata që mëkatojnë.
Fjala e Zotit
Psalmi 31 (30), 2.6.12-13.15-16.17.25 (fq. 689)
Ref. O Atë, në duart e tua po e porosis shpirtin tim.
2 Në ty, o Zot, shpresoj:
mos lejo të turpërohem për amshim,
më liro me drejtësinë tënde.
6 Në duar të tua po e porosis shpirtin tim,
më shpërble, o Zot, Hyji besnik.
Ref. O Atë, në duart e tua po e porosis shpirtin tim.
12 Në sy të armiqve të mi u bëra tallje,
për fqinjë i mërzitshëm e për të njohur tmerr.
Ata që më shohin përjashta, ikin prej meje.
13 Më harruan njerëzit porsi të kisha vdekur,
u bëra porsi enë e thyer.
Ref. O Atë, në duart e tua po e porosis shpirtin tim.
15 E pra, o Zot, unë në ty jam i sigurt,
unë them: “Ti je Hyji im,
16 në duart e tua fati im”!
Më shpëto prej duarve të armiqve të mi
dhe prej atyre që më salvojnë.
Ref. O Atë, në duart e tua po e porosis shpirtin tim.
17 Kthjelle fytyrën tënde ndaj shërbëtorit tënd:
më shpëto me mëshirën tënde.
25 Merrni zemër e kini guxim të gjithë ju
që shpresoni në Zotin.
Ref. O Atë, në duart e tua po e porosis shpirtin tim.
Leximi i dytë (Heb 4, 14-16; 5, 7-9) (fq. 1692)
Krishti, mësoi të jetë i dëgjueshëm dhe, u bë shkaku i shëlbimit të amshuar për të gjithë ata që dëgjojnë.
Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Vëllezër, 14 Prandaj, pasi e kemi Kryepriftin e Madh, Jezusin, Birin e Hyjit, i cili i ka përshkuar qiejt - të jemi të palëkundshëm në dëshmimin e fesë! 15 Sepse, nuk kemi Kryeprift që nuk mund të ketë dhimbje për dobësitë tona, pasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha si ne, me përjashtim vetëm të mëkatit. 16 T’i afrohemi, prandaj, plot guxim fronit të hirit, që të fitojmë mëshirë dhe të gjejmë hir për të pasur ndihmë në kohë të duhur.
7 Ai, në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi urata dhe lutje me ofshame të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja, dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet. 8 Ai, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm 9 dhe, pasi e fitoi përsosmërinë, për të gjithë ata që e dëgjojnë, u bë shkaku i shëlbimit të amshuar.
Fjala e Zotit
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Krishti për ne u bë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi dhe i dha emrin që është mbi çdo emër. (Fil 2, 8-9)
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli (Gjn 18, 1-19. 42 (fq. 1537-1540)
Mundimi i Zotit.
Mundimi i Zotit tonë Jezu Krishtit sipas Gjonit
C 18, 1 Jezusi, si i tha këto fjalë, kaloi bashkë me nxënësit e vet përtej përroit Cedron. Aty ishte një kopsht, në të cilin hyri ai e nxënësit e tij. 2 Edhe Juda, tradhtari i tij, e dinte atë vend, sepse Jezusi shpeshherë shkonte atje bashkë me nxënësit e vet. 3 Atëherë Juda mori një kompani ushtarësh dhe disa rojtarë të Tempullit që ia dhanë kryepriftërinjtë e farisenjtë dhe ia behi atje me pisha të ndezura, me dritëza e me armë. 4 Jezusi, që e dinte mirë çka kishte për t’i ndodhur, u doli para dhe u tha: X »Kë kërkoni?« F 5 »Jezu Nazarenin!« C - i përgjigjën ata. X »Unë jam.« C - u tha Jezusi. Me ta ishte Juda që po e tradhtonte. 6 Kur, pra, Jezusi u tha: »Unë jam!«, ata u zmbrapsën dhe ranë përdhe. 7 Atëherë i pyeti përsëri: X »Kë kërkoni?« F »Jezusin Nazarenas!« C - i përgjigjën ata. 8 Jezusi u tha: X »Ju thashë: ‘Unë jam’. Nëse, pra, më kërkoni mua, lini këta të shkojnë!« C 9 Ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala që pat thënë: »Nuk bora asnjë prej atyre që më dhe.« 10 Atëherë Simon - Pjetri nxori shpatën, që e kishte me vete, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë. Shërbëtori quhej Malk. 11 Atëherë Jezusi i tha Pjetrit: X »Shtjere shpatën në mill! A mos ta pi gotën që ma dha Ati?«
12 Atëherë njësia ushtarake me komandantin e me rojtarët e judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën. 13 E çuan më parë tek Ana, sepse ishte vjehrri i Kajfës, që ishte kryeprifti i atij viti. 14 Kajfa ishte ai që i kishte këshilluar judenjtë: »Është më mirë të vdesë vetëm një njeri në vend të popullit!«
15 Simon-Pjetri dhe një nxënës tjetër po shkonin pas Jezusit. Nxënësi tjetër njihej prej kryepriftit dhe hyri me Jezusin në oborr të kryepriftit, 16 kurse Pjetri mbeti përjashta, te dera. Atëherë ai nxënësi tjetër, që e njihte kryeprifti, doli, foli me derëtarën dhe bëri që të hyjë Pjetri brenda. 17 Ndërkaq shërbëtorja derëtare i tha Pjetrit: A »A mos je edhe ti prej nxënësve të atij njeriu?« D »Nuk jam!« C - i përgjigji ky. 18 Aty ishin shërbëtorët e rojtarët. Kishin ndezur zjarr e po nxeheshin, sepse bënte ftohtë. Me ta rrinte edhe Pjetri e po nxehej.
19 Kryeprifti e pyeti Jezusin për nxënës të tij dhe për mësim të tij. 20 Jezusi i përgjigji: X »Unë u kam folur njerëzve botërisht. Gjithmonë kam mësuar në sinagogë dhe në Tempull, ku mblidhen të gjithë judenjtë. Nuk fola asgjë fshehtas. 21 Pse po më pyet mua? Pyeti ata që dëgjuan çka u kam folur. Ata, patjetër dinë ç’kam thënë.« C 22 Mbas këtyre fjalëve, njëri nga rojtarët e pranishëm, i ra Jezusit shuplakë dhe i tha: A »A kështu i përgjigj kryepriftit?« X 23 »Nëse fola keq C - i tha Jezusi - ma vërteto të keqen! Nëse fola mirë, pse po më bie?« C 24 Atëherë Ana e dërgoi të lidhur te kryeprifti Kajfa.
25 Simon-Pjetri po rrinte gjithnjë aty e po nxehej. I thanë, pra, disa: A »A mos je edhe ti prej nxënësve të tij?« C Ai e mohoi dhe tha: D »Nuk jam.« C 26 Njëri prej shërbëtorëve të kryepriftit, i kushëriri i atij, të cilit Pjetri ia preu veshin, i tha: A »Po a nuk të pashë bashkë me të në kopsht?« C 27 Pjetri prapë mohoi dhe këndoi gjeli.
28 Atëherë Jezusin e çuan prej Kajfës në pallatin e qeveritarit. Ishte herët në mëngjes e ata nuk hynë në pretorium që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin darkën e Pashkëve. 29 Prandaj, Pilati doli jashtë para tyre dhe i pyeti: A »Ç’padi keni kundër këtij njeriu?« F 30 »Po të mos ishte ky keqbërës C - i përgjigjën ata F - nuk do ta kishim sjellë para teje!« 31 Pilati u përgjigji: A »Merrnie ju e gjykonie sipas Ligjit tuaj!« C [Atëherë] Judenjtë përgjigjën: F »Ne s’kemi leje të vrasim askënd!« C 32 Ndodhi kështu që të shkojë në vend fjala e Jezusit, me të cilën parafoli se me ç’vdekje do të vdiste.
33 Atëherë Pilati hyri përsëri në pallat, e thirri Jezusin dhe e pyeti: »A je ti mbreti i judenjve?« 34 Jezusi i përgjigji: X »A e thua ti këtë prej vetvetes, apo ta thanë tjerët për mua?« C 35 Pilati përgjigji: A »Pse, a mos jam unë judeas? Populli yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan mua. Çka ke bërë?« C 36 Jezusi përgjigji: X »Mbretëria ime nuk është e kësaj bote. Po të ishte Mbretëria ime e kësaj bote, ushtarët e mi do të kishin luftuar që të mos t’u bie në dorë judenjve. Porse, Mbretëria ime nuk është prej këndej.« A 37 »Pra, ti qenke Mbret?« C - i tha atëherë Pilati. X »Mirë thua! C - i përgjigji Jezusi X - Unë jam mbret! E unë linda dhe erdha në botë për të dëshmuar të vërtetën. Kush e do të vërtetën, ai e dëgjon fjalën time.« A 38 »Po çka është e vërteta?« C - i tha Pilati.
Si foli kështu, doli prapë para judenjve dhe u deklaroi: A »Unë nuk gjej në të kurrfarë faji! 39 Tashti, ndër ju është doke t’ju liroj dikënd për Pashkë. A doni, pra, t’ju liroj mbretin e judenjve?« C 40 Por ata bërtitën prapë: F »Jo këtë, por Barabën!« C E Baraba ishte cub.
19, 1 Atëherë Pilati mori Jezusin dhe urdhëroi të rrahet me frushkuj. 2 Ushtarët gërshetuan një kurorë ferrash e ia vunë në krye dhe ia veshën një mantel të kuq. 3 Iu afronin dhe i thoshin: F »Të falemi, mbreti i judenjve!« C Dhe i binin flakaresha.
4 Atëherë Pilati doli përsëri përjashta dhe u tha: A »Qe, po jua qes përjashta që ta dini se nuk gjej në të kurrfarë faji.« C 5 Atëherë Jezusi doli jashtë me kurorë ferrash e me mantel të kuq. Pilati u tha: A »Qe, Njeriu!«
C 6 Porse, kur e panë kryepriftërinjtë dhe rojtarët, bërtitën: F »Kryqëzoje, kryqëzoje!« A »Merreni ju e kryqëzojeni C- u tha Pilati F - se unë nuk gjej në të farë faji.« 7 Judenjtë i përgjigjën: F »Ne kemi Ligjin dhe atij i duhet të vdesë sipas Ligjit se e bëri veten Bir të Hyjit.«
C 8 Pilati, kur e dëgjoi këtë fjalë, u tremb edhe më tepër 9 dhe hyri prapë në pallat e i tha Jezusit: A »Prej kah je?« Jezusi nuk i dha përgjigje. C 10 Atëherë Pilati i tha: A »Mua nuk më përgjigj? A nuk e di se kam pushtet të liroj e kam pushtet të kryqëzoj?« X 11 »Kurrfarë pushteti s’do të kishe mbi mua C - i përgjigji Jezusi X - po të mos të ishte dhënë prej së Larti. Prandaj, ai njeri që më dorëzoi ty ka mëkat më të madh.«
C 12 Që atëherë Pilati kërkonte ta lëshojë, porse judenjtë bërtitnin: F »Nëse e liron këtë, nuk je mik i Cezarit. Kushdo e bën veten mbret, është kundër Cezarit.« C 13 Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, e qiti Jezusin përjashta, u ul në selinë e gjykatores, në vend që quhet »Kalldrëm« e hebraisht »Gabatha«. 14 Ishte dita e Përgatitjes së Pashkëve, rreth orës gjashtë, Pilati u thotë judenjve: A »Qe mbreti juaj!« C 15 Ata atëherë bërtitën: F »Hiqe! Hiqe! Kryqëzoje!« A »Ta kryqëzoj mbretin tuaj?« - u tha Pilati. C Krerët e priftërinjve përgjigjën: F »Ne nuk kemi tjetër mbret, përveç Cezarit!« C 16 Atëherë ua dorëzoi të kryqëzohet.
E morën, pra, Jezusin. 17 Jezusi, duke e mbartur ai vetë kryqin e vet, doli në vend që quhet »Kafka« hebraisht »Golgota«. 18 Atje e kryqëzuan, e bashkë me të, edhe dy tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anë tjetër, kurse Jezusin në midis. 19 Pilati e shkroi edhe mbishkrimin dhe e vuri në kryq. Ishte shkruar: »Jezus Nazareni, mbreti i judenjve.« 20 Këtë mbishkrim e lexuan shumë judenj, sepse vendi ku e kryqëzuan Jezusin ishte afër qytetit. Ishte i shkruar hebraisht, latinisht e greqisht. 21 Atëherë kryepriftërinjtë e judenjve i thanë Pilatit: F »Mos shkruaj: ‘Mbreti i judenjve’, por se ai tha: ‘Unë jam mbreti i judenjve’.« C 22 Pilati u përgjigji: A »Çka shkrova, shkrova!«
23 Ushtarët, pasi e kryqëzuan Jezusin, i morën petkat e sipërme të tijat dhe i ndanë në katër pjesë - secilit ushtar nga një pjesë. Morën edhe petkun e poshtëm. Ky nuk ishte i qepur me pola, por i punuar një cope, prej në maje e në fund. 24 Prandaj i thanë njëri-tjetrit: A »Nuk po e ndajmë në pjesë, por po qesim short, kujt t’i bjerë.« C Ndodhi kështu që të shkojë në vend fjala e Shkrimit të shenjtë : ‘I ndanë ndër vete petkat e mia e mbi petkun tim qitën short.’ Ushtarët bënë shi ashtu.
25 Në këmbë, përbri kryqit të Jezusit, qëndronin nëna e tij, pastaj motra e nënës së tij, Maria e Klopait edhe Maria Magdalenë. 26 Jezusi, kur pa nënën e vet dhe, pranë saj, nxënësin që donte, i tha nënës: X »Grua, qe, yt bir!« C 27 Mandej i tha nxënësit: X »Qe, nëna jote!« C Prej asaj ore nxënësi e mori me vete.
C 28 Pastaj, Jezusi, i vetëdijshëm se u krye gjithçka, që të shkojë në vend fjala e Shkrimit të shenjtë, tha: X »Kam etje!« C 29 Aty ishte një enë plot me uthull. Në majë të kallamit të hisopit vunë një shpuzë plot me uthull e ia afruan te goja. 30 Jezusi, posa e kërkoi uthullën, tha: X »Gjithçka u krye!« Uli kryet e dha shpirt.
Tani biem në gjunjë dhe lutemi në heshtje.
31 Atëherë judenjtë, mbasi ishte dita e Përgatitjes dhe, që trupat të mos mbeteshin në kryq të shtunën - e ajo e shtunë ishte ditë e madhe - i bënë lutje Pilatit që të kryqëzuarve t’u theheshin kërcinjtë dhe të uleshin prej kryqit. 32 Erdhën, pra, ushtarët e të parit e të dytit që ishin të kryqëzuar me të, ua thyen kërcinjtë. 33 Kur erdhën te Jezusi, si panë se kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, 34 por njëri prej ushtarëve me heshtë ia shporoi kraharorin dhe menjëherë rrodhi gjak e ujë. 35 Dëshmon ai që pa, e dëshmia e tij është e vërtetë. Ai di se flet të vërtetën, që edhe ju të besoni. 36 Në të vërtetë, ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala e Shkrimit të shenjtë: »Asnjë asht nuk do t’i thyhet.« 37 E në një vend tjetër Shkrimi i shenjtë thotë: »Do ta shohim Atë që shporuan.«
38 Pastaj Jozefi prej Arimatesë, i cili ishte nxënës i fshehtë i Jezusit - për shkak të drojës së judenjve - iu lut Pilatit ta lejojë të zbresë prej kryqit trupin e Jezusit. Pilati dha leje. Atëherë Jozefi erdhi dhe e mori trupin e Jezusit. 39 Erdhi edhe Nikodemi - ai që pat ardhur te Jezusi dikur më parë natën - dhe solli kund njëqind libra mirrë e aloe të përzier. 40 E morën, pra, trupin e Jezusit dhe, sikurse është doke të bëhet ndër judenj kur varroset kush, e mbështollën në pëlhurë dhe e përeruan me erëra të mira. 41 Në atë vend ku Jezusi qe kryqëzuar ishte një kopsht e në kopsht ishte një varr i ri, në të cilin ende nuk ishte varrosur kush. 42 Aty, pra, për arsye të Përgatitjes së judenjve, meqenëse varri ishte afër, e shtinë në varr Jezusin.
PJESA E DYTË:
ADHURIMI I KRYQIT TË SHENJTË
14. Pasi të jetë kryer lutja e gjithëmbarshme, bëhet adhurimi kremtor i Kryqit të shenjtë. Prej dy mënyrave të dëftimit të Kryqit që po parashtrohen le të zgjidhet ajo që i përgjigjet më tepër nevojave baritore.
Dëftimi i Kryqit të shenjtë
Mënyra e parë
15. Diakoni me shërbestarët, apo një shërbestar tjetër i përshtatshëm, shkon në sakristi, ku merr kryqin e mbuluar me pëlhurë vjollcë, i shoqëruar nga dy shërbestarë me qirinj të ndezur dhe bëhet një procesion nëpër kishë, deri tek presbiteriumi.
Meshtari, në këmbë para altarit me fytyrë prej popullit, e merr kryqin, e zbulon pakëz në majë dhe e lartëson duke filluar grishjen: Ja druri i Kryqit, i ndihmuar në këndim nga diakoni ose, nëse është, nga shkolla e këngëtarëve. Të gjithë përgjigjen: Ejani ta adhurojmë:
M. Ja, druri i Kryqit, që i solli shpëtimin botës.
P. Ejani ta adhurojmë.
Pasi të kryhet kënga, bien në gjunj dhe për pak kohë e adhurojnë në heshtje, ndërsa meshtari rri në këmbë dhe mban Kryqin lart.
Pastaj meshtari zbulon krahun e djathtë të Kryqit dhe rishtas, duke e lartësuar Kryqin, fillon grishjen: Ja druri i Kryqit, dhe vazhdohet si më parë.
Pastaj e zbulon krejtësisht Kryqin dhe, duke e lartësuar, fillon së treti grishjen: Ja druri i Kryqit dhe vazhdohet si më parë.
Mënyra e dytë
16. Meshtari apo diakoni bashkë me shërbestarët, apo një shërbestar tjetër i përshtatshëm, shkon te dera e kishës ku merr Kryqin jo të mbuluar, e shërbestarët marrin qirinjtë e ndezur, dhe bëhet një procesion nëpër kishë deri te presbiteriumi. Afër derës, në mes të kishës, dhe para hyrjes në presbiterium, ai që mban Kryqin e lartëson duke kënduar: Ja druri i Kryqit, të cilit i përgjigjen të gjithë: Ejani ta adhurojmë, dhe pas secilës përgjigje, bien në gjunjë dhe e adhurojnë në heshtje për një kohë të shkurtër, si më parë.
Adhurimi i Kryqit të Shenjtë
17. Tani, i shoqëruar prej dy shërbestarësh me qirinj të ndezur, meshtari apo diakoni e çon Kryqin në hyrjen e presbiteriumit apo në një vend tjetër të përshtatshëm dhe aty e vendos apo ua jep shërbestarëve për ta mbajtur në dorë duke i vënë qirinjtë e ndezur në të djathtën dhe në të majtën e Kryqit.
18. Për adhurimin e kryqit së pari të afrohet vetëm meshtari kremtues, pasi të ketë hequr, nëse është e përshtatshme, planetën dhe këpucët. Pastaj afrohen kleri, shërbestarët laikë dhe besimtarët në procesion, i japin nderim me përgjunjëzim të thjeshtë apo me ndonjë shenjë tjetër të përshtatshme sipas dokes së vendit, p. sh. duke e puthur.
19. Për adhurim të përdoret vetëm një Kryq. Nëse prej shumicës së popullit nuk është e mundur të afrohen të gjithë një nga një, atëherë meshtari, pasi ta ketë kryer adhurimin kleri dhe një pjesë e popullit, merr Kryqin dhe, duke zënë vend në mes para altarit, me pak fjalë e grish popullin ta adhurojë Kryqin dhe pastaj për pak kohë e mban Kryqin të lartësuar për ta adhuruar besimtarët në heshtje.
20. Gjatë adhurimit këndohen antifona Kryqin tënd, Ankimet, kënga Kryq i shenjtë apo këngë tjera të përshtatshme, ndërsa ata që e kanë kryer adhurimin e Kryqit ulen.
Këngët gjatë adhurimit të Kryqit
Ant. Kryqin tënd po e adhurojmë, o Zot, lavdërojmë dhe nderojmë ngjalljen tënde të shenjtë: ja, në saje të drurit na erdhi gëzimi në botën mbarë.
Krh. Ps. 66, 2
Hyji pastë mëshirë për ne dhe na bekoftë, bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne dhe pastë mëshirë për ne.
Ant. Kryqin tënd po e adhurojmë, o Zot, lavdërojmë dhe nderojmë ngjalljen tënde të shenjtë: ja, në saje të drurit na erdhi gëzimi në botën mbarë.
Ankimet
Pjesët që çdo njërit i takojnë t’i këndojë shënohen me numra 1 (kori i parë) dhe 2 (kori i dytë), e ato që këndohen nga të dy koret së bashku shënohen në këtë mënyrë: 1 dhe 2. Disa rreshta mund të këndohen edhe nga dy këngëtarë.
I
1 dhe 2: Populli im, çka thua të bëra?
Apo me çka ta prisha zemrën? Më kthe përgjigje!
1: Unë të nxora nga toka e Egjiptit,
dhe ti ia përgatite kryqin Shpëtimtarit tënd.
1: Hagios o Theós!
2: O Hyj i shenjtë!
1: Hagios Ischyrós!
2: Shenjt i gjithëpushtetshëm!
1: Hagios Athánatos, eleison hymàs.
2: Shenjt i pavdekshëm, ki mëshirë për ne.
1 dhe 2: Unë të udhëhoqa nëpër shkretëtirë për dyzet vjet,
të ushqeva me manën dhe të çova në tokë shumë të mirë,
dhe ti ia përgatite kryqin Shpëtimtarit tënd.
1: Hagios o Theós!
2: O Hyj i shenjtë!
1: Hagios Ischyrós!
2: Shenjt i gjithëpushtetshëm!
1: Hagios Athánatos, eleison hymàs.
2: Shenjt i pavdekshëm, ki mëshirë për ne.
1 dhe 2: Çka u desh të bëj për ty më tepër dhe nuk e bëra?
Unë të mbolla si vreshtin tim të zgjedhur dhe tejet të bukur,
e ti m’u bëre tepër i hidhur, sepse etjen ma shove me uthull
e me heshtë e shporove kraharorin e Shpëtimtarit tënd.
1: Hagios o Theós!
2: O Hyj i shenjtë!
1: Hagios Ischyrós!
2: Shenjt i gjithëpushtetshëm!
1: Hagios Athánatos, eleison hymàs.
2: Shenjt i pavdekshëm, ki mëshirë për ne.
II
Këngëtarët: Për shkakun tënd e frushkullova Egjiptin me të parëlindurit e tij: e ti më dorëzove për t’u frushkulluar.
1 dhe 2: Populli im, çka thua të bëra? Apo me çka ta prisha zemrën? Më kthe përgjigje!
Këngëtarët: Unë të nxora nga Egjipti duke e mbytur Faraonin në Detin e Kuq: e ti më dorëzove te kryepriftërinjtë.
1 dhe 2: Populli im, çka thua të bëra? Apo me çka ta prisha zemrën? Më kthe përgjigje!
Këngëtarët: Unë e hapa detin para teje e ti ma hape kraharorin me heshtë.
1 dhe 2: Populli im, çka thua të bëra? Apo me çka ta prisha zemrën? Më kthe përgjigje!
Këngëtarët: Unë ecja para teje në shtyllën e resë e ti më përcolle në gjykatën e Pilatit.
1 dhe 2: Populli im, çka thua të bëra? Apo me çka ta prisha zemrën? Më kthe përgjigje!
Këngëtarët: Unë të ushqeva në shkreti me manë e ti më rrahe me shputa e frushkull.
1 dhe 2: Populli im, çka thua të bëra? Apo me çka ta prisha zemrën? Më kthe përgjigje!
Këngëtarët: Unë të ngiva me ujë shpëtimi që doli nga shkëmbi e ti me uthull e vrer ma shove etjen.
1 dhe 2: Populli im, çka thua të bëra? Apo me çka ta prisha zemrën? Më kthe përgjigje!
Këngëtarët: Për shkakun tënd u rashë mbretërve të Kananëve e ti më re kokës me kallam.
1 dhe 2: Populli im, çka thua të bëra? Apo me çka ta prisha zemrën? Më kthe përgjigje!
Këngëtarët: Unë ta dhashë spektrin mbretëror e ti më vure në kokë kurorë me ferra.
1 dhe 2: Populli im, çka thua të bëra? Apo me çka ta prisha zemrën? Më kthe përgjigje!
Këngëtarët: Unë të lartësova me fuqi të madhe e ti më vare në drurin e Kryqit.
1 dhe 2: Populli im, çka thua të bëra? Apo me çka ta prisha zemrën? Më kthe përgjigje!
Pastaj këndohet kënga Kryq i shenjtë në njërin nga versionet që jepen këtu poshtë (apo këngë të tjera të përshtatshme):
Të gjithë:
Kryq i shenjtë, ti ndër të gjithë
je i vetmi dru fisnik:
Asnjë pyll si atë nuk qiti,
as si mugull, degë e lule!
Dru i ëmbël, me gozhdë t’ëmbël,
duke mbajtur atë peshë t’ëmbël.
Këngëtarët:
Këndo, o gjuhë, betejën
e luftës së lavdishme,
e mbi trofe të kryqit
ngadhënjimin fisnik thuaje,
se si Shëlbuesi i botës,
i bërë fli, fitues doli.
Të gjithë:
Kryq i shenjtë, ti ndër të gjithë
je i vetmi dru fisnik:
Asnjë pyll si atë nuk qiti,
as si mugull, degë e lule!
Të gjithë:
Kryq i shenjtë, ndër të gjitha
lëndët më të ndershme,
dru si ty nuk ka kund në pyll,
e me gjethe, lule e fryte.
Dru i ëmbël me gozhdë të ëmbël,
të ëmblën barrë mbi vete mban.
Këngëtarët:
Thuaja këngës deh, gjuhë njerëzore,
mbas betej's këndo të bardhë fitimin;
këndo trofenë, të madhen fitore
t’asaj Krygjë, ku mbarë njerëzimin
e shpëtoi Krishti me të tuj hjekë,
për ne njerëzit n’Kalvar tuj dekë.
Të gjithë:
Kryq i shenjtë, ndër të gjitha
lëndët më të ndershme,
dru si ty nuk ka kund në pyll,
e me gjethe, lule e fryte.
Këngëtarët:
Nga gënjeshtra e prindit t’parë
që u bë krijuesi i vuajtjeve,
duke ngrënë mollën e mëkatit
që u bë shkaktarja e vdekjes,
ai atëherë zgjodhi drurin
për të zgjidhur dëmet e drurit.
Të gjithë:
Dru i ëmbël, me gozhdë t’ëmbël,
duke mbajtur atë peshë t’ëmbël.
Këngëtarët:
Këtë punën tonë të shpëtimit
me ngulm vendosi urdhri,
me art t’ia thyente artin
shkatërruesit të shumë trajtave,
nga andej t’i sillte shërimin
ku armiku e kish dëmtuar.
Të gjithë:
Kryq i shenjtë, ti ndër të gjithë
je i vetmi dru fisnik:
Asnjë pyll si atë nuk qiti,
as si mugull, degë e lule!
Këngëtarët:
Kur erdhi e u përmbush
afati i shënuar,
u çua nga kështjella e Atit
i Biri, krijuesi i botës,
dhe nga barku virgjëror
doli në dritë i bërë njeri.
Të gjithë:
Dru i ëmbël, me gozhdë t’ëmbël,
duke mbajtur atë peshë t’ëmbël.
Këngëtarët:
Kaloi gjashtë pesëvjeçarë mbushur
si moshë e trupit,
me hir iu shtrua mundimeve,
se për këto kishte lindur,
si Qengj në dru të kryqit
u ngjit për t’u flijuar.
Këngëtarët:
Vetë Krijuesi zbutë idhnimin,
dau me e shlye t’vjetër gabimin,
që ma s’pari njeri bani
kur t’landës n’Eden frytin ngrani:
E m’at landë qe pru rrënimin;
Na gatoi rishta fitimin.
Të gjithë:
Dru i ëmbël me gozhdë të ëmbël,
të ëmblën barrë mbi vete mban.
Këngëtarët:
E kërkonte imend mirësija
e Hyjit t’madh këso dore ’i vepër:
Që m’at landë, ku u krye tradhtia,
uhanë të merrte ’i Adam tjetër:
Kështu ku gjarpëni fitoi ’i herë
shpëtoi njerzimi dekë s’mjerë.
Të gjithë:
Kryq i shenjtë, ndër të gjitha
lëndët më të ndershme,
dru si ty nuk ka kund në pyll,
e me gjethe, lule e fryte.
Këngëtarët:
Kur erdh koha e premtueme,
prej profetësh si thanë kje motit,
Hyji dërgoi mbi tokë t’krijueme
prej dorës s’tij, t’Birin e Zotit,
që prej nanës Virgjin, n’krahnuer,
mish e gjak si njerzit muer.
Të gjithë:
Dru i ëmbël me gozhdë të ëmbël,
të ëmblën barrë mbi vete mban.
Këngëtarët:
Tridhetë vjetë që kaloi n’tokë,
jetoi i vorfën, n’heshtim t’plotë:
mandej deket njerzit shpëtoi;
dashtas n’ kryq veten flijoi:
Përmbi kryq përmbi Golgota,
shpirtin dha t’shpërblej bota.
Të gjithë:
Kryq i shenjtë, ti ndër të gjithë
je i vetmi dru fisnik:
Asnjë pyll si atë nuk qiti,
as si mugull, degë e lule!
Këngëtarët:
Ja kallami, tëmthi e uthulla
dhe pështyma, gozhda e heshta;
trupi i butë në çdo anë shpohet,
posi dallga gufon gjaku;
toka, deti, yjet e bota,
ja, po lahen në atë lumë.
Të gjithë:
Dru i ëmbël, me gozhdë t’ëmbël,
duke mbajtur atë peshë t’ëmbël.
Këngëtarët:
Përkul degët, dru i lartë,
shtrij e hap pjesët e brendshme
dhe të zbutet fortësia,
që i dha lindja në fillim
që gjymtyrët e mbretit t’eper
le t’i shtrish me trung të butë.
Të gjithë:
Kryq i shenjtë, ti ndër të gjithë
je i vetmi dru fisnik:
Asnjë pyll si atë nuk qiti,
as si mugull, degë e lule!
Këngëtarët:
Vetëm ti ke qenë i denjë
për të marrë çmimin e shekullit,
dhe të përgatitësh skelën
lundërtare për botën e mbytur,
që e leu gjaku i shenjtëruar
nga trupi i Qengjit të derdhur.
Të gjithë:
Dru i ëmbël, me gozhdë t’ëmbël,
duke mbajtur atë peshë t’ëmbël.
Të gjithë:
Kryq i shenjtë, ndër të gjitha
lëndët më të ndershme,
dru si ty nuk ka kund në pyll,
e me gjethe, lule e fryte.
Këngëtarët:
Etjen n’kryq me tamth ja shuene
kryet me ferra ja rrethuene,
n’heshtë krahnorin ja shporuene,
prej kah ujë e gjak si gurra
ra mbi tokë, me tallaz t’vetin
pastroi qiellin e pastroi detin.
Të gjithë:
Dru i ëmbël me gozhdë të ëmbël,
të ëmblën barrë mbi vete mban.
Këngëtarët:
Përkul rremat landë madhshtore,
për atë trup që n’ty pushon;
zbute mëninë tënde mizore
për atë Mbret që n’ty rekton;
Ban’ju shtrat, deh, jo dru n’rrah,
n’dekë ti Krishtit ban’ju krah.
Të gjithë:
Kryq i shenjtë, ndër të gjitha
lëndët më të ndershme,
dru si ty nuk ka kund në pyll,
e me gjethe, lule e fryte.
Këngëtarët:
Përse ti ndër sa landë toka
qet nga gjiu, ma e deja je,
je ma e çmueshmja që ka bota,
përse n’krahë Shëlbues ke:
Ti je arkë, lima n’gjak la
t’Kingjit t’Hyjit që shpëtue na ka.
Të gjithë:
Dru i ëmbël me gozhdë të ëmbël,
të ëmblën barrë mbi vete mban.
Përfundimi që s’duhet lënë kurrë:
Të gjithë:
Njëlloj Atit edhe Birit
dhe Ngushëlluesit lavdiplotë,
e përjetshme i qoftë lavdia
Trinisë së Shenjte e të lume,
që me hirin na dha jetë
na shpëtoi edhe na ruan. Amen.
Përfundimi që s’duhet lënë kurrë:
Të gjithë:
Lavdi Atit edhe Birit
edhe Shpirtit plot shenjt’ri:
Qoftë lëvduar si ’i herë përhera
Hyji i vetëm në Trini,
Hiri i t’cilit na shpërbleu
e na mban gjithmonë n’shenjt’ri.
Amen.
Varësisht nga kushtet vendore apo traditat e popullit dhe për arsyet baritore, mund të këndohet Stabat Mater, sipas Graduale Romanum ose ndonjë këngë tjetër e përshtatshme në përkujtimin e dhimbjes së shën Marisë Virgjër.
21. Pasi të jetë kryer adhurimi, diakoni ose një shërbestar e çon Kryqin në vend të vet në altar. Qirinjtë vendosen të ndezur rreth altarit ose mbi të apo afër Kryqit.
PJESA E TRETË:
KUNGIMI I SHENJTË
22. Shtrohet mbi altar një mbulonjës, mbi të shtrihet korporali dhe vihet meshari. Pastaj diakoni apo, nëse ky mungon, vetë meshtari, e merr mbulonjësin dhe sjell Sakramentin e Shenjtë nga vendi ku ruhet, për rrugë më të shkurtër, tek altari; ndërkohë të gjithë presin në këmbë në heshtje. Dy shërbestarë me qirinj të ndezur shoqërojnë Sakramentin e Shenjtë dhe shandanët i vendosin rreth apo mbi altar. Pasi që diakoni, nëse është aty, e vë Sakramentin e Shenjtë mbi altar dhe zbulon piksidën, meshtari shkon tek altari dhe bën gjunjëzim.
23. Atëherë meshtari me zë të lartë dhe me duar të bashkuara thotë:
Të nxitur nga urdhri i Shëlbuesit, dhe sipas mësimit të tij hyjnor, marrim guxim të themi:
Meshtari i shtrin duart dhe me të gjithë të pranishmit vijon:
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme na e jep sot, na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i keqi.
24. Me duar të shtrira vazhdon vetëm meshtari e thotë:
Na liro po të lutemi, o Zot, prej të gjitha të këqijave dhe për mirësinë tënde, na jep paqen në ditët tona e, në sajë të mëshirës sate, do të lirohemi përgjithmonë prej mëkatit e do të jemi të sigurtë prej çdo turbullimi, duke pritur shpresën e lume: ardhjen e Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit.
I bashkon duart. Populli e përfundon lutjen me brohoritje:
Ti, o Zot, je mbret, Ti je i gjithëpushtetshëm, Ti je i lumtur për amshim.
25. Pastaj meshtari, me duar të bashkuara, thotë me zë të ulët:
Kungimi me Korpin tënd, o Zot Jezu Krisht, mos të bëhet për mua gjykim dënimi, por, prej mirësisë sate, të jetë mjet për mbrojtjen e shpirtit dhe të trupit.
26. Pastaj gjunjëzohet, merr Hosten dhe, duke e mbajtur pakëz të lartësuar përmbi patenë, me fytyrë nga populli, thotë me zë të qartë:
Ja Qengji i Hyjit, ja Ai që shlyen mëkatet e botës. Lum ata që janë të thirrur për gostinë e Qengjit.
Dhe, bashkë me popull, shton vetëm një herë:
O Zot, unë nuk jam i denjë që Ti të hysh nën strehën time, por thuaj vetëm një fjalë, e shpirti im do të shërohet.
27. Dhe me fytyrë prej altarit, thotë me zë të ulët: Korpi i Krishtit.
28. Pastaj u ndan kungimin besimtarëve. Derisa ndahet kungimi mund të këndohet Psalmi 21 ose ndonjë këngë tjetër e përshtatshme.
29. Si të kryhet kungimi, diakoni ose një shërbestar tjetër i përshtatshëm e çon piksidën në vendin e përgatitur përjashta kishës, apo, nëse rrethanat e kërkojnë, vendoset në tabernakull.
30. Pastaj meshtari thotë: Të lutemi, dhe pasi të ketë mbajtur për një kohë heshtjen, thotë lutjen pas kungimit:
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, Ti që na përtërive me vdekjen e shenjtë dhe ngjalljen e Krishtit tënd, ruaje në ne veprën e mëshirës sate, kështu që, me pjesëmarrjen në këtë mister, të jetojmë në përshpirtëri të vazhdueshme. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
P. Amen.
31. Për lëshimin e popullit, diakoni, ose, nëse mungon, vetë meshtari, mund të thotë këto fjalë: Përulni kryet për bekimin. Pastaj meshtari, i sjellë prej popullit dhe me duar të shtrira përmbi të, thotë këtë lutje mbi popull:
O Zot, populli yt ka përkujtuar vdekjen e Birit tënd me shpresë në ngjalljen e vet: po të lutemi: ardhtë mbi të bekimi i begatshëm, fitoftë falje dhe ndjesë, iu dhuroftë ngushëllimi, iu shtoftë feja e shenjtë dhe iu forcoftë shëlbimi i amshuar. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
P. Amen.
32. Pasi të kenë bërë gjunjëzim para Kryqit, të gjithë shpërndahen në heshtje.
33. Pas kremtimit zbulohet altari. Mbeten mbi të Kryqi dhe dy apo katër shandanë.
34. Mbrëmësorja nuk thuhet prej atyre që kanë marrë pjesë në veprimin liturgjik të pasdrekes.