Leximet e ditës
KOHA E PASHKËVE
VIGJILJA E PASHKËVE
Kur përdoret forma e shkurtër teksti në kllapa nuk lexohet.
Leximi i parë (Zan 1, 1 - 2, 2) ose (forma e shkurtër 1, 1.26 - 31a) (fq. 19/20)
Hyji shikoi gjithçka kishte bërë dhe, ja, ishin shumë të mira!
Lexim prej Librit të Zanafillës
1 Në fillim Hyji krijoi qiellin e tokën. (2 Toka ishte e shkretë dhe e zbraztë; terri e mbulonte humnerën dhe fryma e Hyjit endej përmbi ujërat. 3 Hyji tha: "Le të bëhet drita!" Dhe drita u bë. 4 Hyji pa se drita ishte gjë e mirë dhe e ndau dritën prej territ. 5 Hyji e quajti dritën 'ditë', kurse terrin 'natë'. Dhe u bë mbrëmje e mëngjes - dita e parë.
6 Hyji tha edhe: "Le të bëhet ndërmjet ujërave kupa e qiellit dhe le t'i ndajë ajo ujërat prej ujërave". 7 Hyji bëri kupën e qiellit dhe i ndau ujërat që ishin nën kupën e qiellit prej atyre që ishin përmbi kupën e qiellit. Dhe u bë ashtu. 8 Hyji e quajti kupën e qiellit 'qiell'. Dhe u bë mbrëmje e mëngjes - dita e dytë. 9 Hyji tha prapë: "Le të bashkohen ujërat, që janë nën qiell, në një vend të vetëm. E le të duket teriku!" Dhe u bë ashtu. 10 Hyji terikun e quajti 'tokë, kurse ujërat e bashkuara i quajti 'dete'. Dhe Hyji pa se ishte gjë e mirë. 11 Dhe Hyji tha: "Le të qesë toka bari të gjelbër e bari që qet farë e lëndë frytdhënëse që jep fryte sipas llojit të vet që ta ketë farën e vet në vetvete përmbi tokë!" E u bë ashtu. 12 Toka qiti barin e gjelbër, barin që qet farë sipas llojit të vet, dhe lëndën frytdhënëse sipas llojit të vet, që ka në vetvete farën sipas llojit të vet. Hyji pa se ishte gjë e mirë. 13 Dhe u bë mbrëmje e mëngjes - dita e tretë.
14 Hyji tha: "Le të bëhen ndritësit në kupën e qiellit, që ta ndajnë ditën e natën dhe të shërbejnë si shenja për stinë, ditë dhe vite: 15 që të ndriçojnë në kupën e qiellit dhe ta ndrisin tokën. Dhe u bë ashtu. 16 Hyji bëri dy dritëdhënës të mëdhenj: dritëdhënësin më të madh që të sundojë ditën e dritëdhënësin më të vogël që të sundojë natën, dhe yjet. 17 Hyji i vendosi në kupën e qiellit që të ndriçojnë mbi tokë, që ta sundojnë ditën dhe natën e ta ndajnë dritën prej territ. Hyji pa se ishte gjë e mirë. 19 Dhe u bë mbrëmje e mëngjes - dita e katërt. 20 Hyji tha edhe: "Le të vlojnë ujërat vrumull me qenie të gjalla e shpendët le të fluturojnë përmbi tokë, nën kupën e qiellit! 21 Hyji krijoi përbindësh të mëdhenj deti dhe çdo lloj qenie të gjallë që lëviz rrëshqanthi e gëlojnë sipas llojit të vet si edhe çdo shpend sipas llojit të vet. Hyji pa se ishte gjë e mirë. 22 Hyji i bekoi dhe tha: "Shtohuni e shumohuni, mbushni ujërat e detit; po edhe shpendët le të shumohen përmbi tokë!" 23 Dhe u bë mbrëmje e mëngjes - dita e pestë.
Përsëri Hyji tha: "Le të prodhojë toka qenie të gjalla, secilën sipas llojit të vet: bagëti, zvarranikë dhe egërsira sipas llojit të tyre!" Dhe u bë ashtu. 25 Hyji krijoi çdo lloj egërsire, bagëtie dhe zvarraniku të tokës të çdo lloji. Hyji pa se ishte gjë e mirë.)
26 Hyji tha: "Le ta bëjmë njeriun në shëmbëlltyrën e në përngjasimin tonë që të jetë zotërues i peshqve të detit, i shpendëve të qiellit, i kafshëve, i mbarë tokës, dhe i çdo zvarraniku që zvarritet mbi tokë!" 27 Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet, e krijoi në përngjasimin e Hyjit; i krijoi mashkull e femër. 28 Hyji i bekoi dhe u tha: "Shtohuni e shumohuni e mbusheni tokën dhe sundojeni atë! Bëhuni zotëruesit e peshqve të detit, të shpendëve të qiellit dhe të çdo gjallese që lëviz përmbi tokë!" 29 Hyji tha edhe: "Ja, çdo bimë që qet farë mbi tokë dhe të gjitha trungjet që kanë në vetvete frytin e pemës që qet farë le të jenë ushqimi juaj! 30 Të gjitha kafshëve mbi tokë, çdo shpendi të qiellit e çdo gjëje që lëviz mbi tokë, në të cilat është fryma e jetës, i jap për ushqim secilin bar të gjelbër. Dhe u bë ashtu.
31 Hyji shikoi gjithçka kishte bërë dhe, ja, ishin shumë të mira! (Dhe u bë mbrëmje e mëngjes - dita e gjashtë. 2,1 Kështu u kryen qielli e toka e mbarë ushtria e tyre. 2 Të shtatën ditë Hyji e kreu punën e vet që kishte bërë. Të shtatën ditë pushoi nga çdo punë që kishte bërë.)
Fjala e Zotit
Psalmi 104 (103), 1-2.5-6.10.12.13-14.24.35 (fq. 776/7/8)
Ref. Dërgoje Shpirtin tënd, o Zot, e përtërije fytyrën e tokës!
1 Bekoje, shpirti im, Zotin!
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
I veshur me madhëri e me bukuri,
2 i mbështjellë me dritë porsi me petk!
Ref. Dërgoje Shpirtin tënd, o Zot, e përtërije fytyrën e tokës!
5 Tokën e vendose mbi themelin e saj,
nuk do të lëkundet në shekuj të shekujve.
6 E mbulove si me petk me ujërat e humnerave,
majat e maleve i mbulonin ujërat.
Ref. Dërgoje Shpirtin tënd, o Zot, e përtërije fytyrën e tokës!
10 Burimet ti i kthen në përrenj,
rrjedhin përmidis malesh
12 për skaj tyre banojnë zogjtë e ajrit,
gem më gem ia thonë këngës së vet.
Ref. Dërgoje Shpirtin tënd, o Zot, e përtërije fytyrën e tokës!
13 Ti i ujit malet nga pallatet e tua,
toka ngihet me frytet e duarve të tua.
14 Ti bën të mbijë bar për kafshë,
bimë të tjera të nevojshme për njeriun,
për të nxjerrë prej tokës bukën.
Ref. Dërgoje Shpirtin tënd, o Zot, e përtërije fytyrën e tokës!
24 Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!
Të gjitha i ke bërë me urti të madhe:
plot është toka me krijesat e tua.
35 Bekoje, shpirti im, Zotin!
Ref. Dërgoje Shpirtin tënd, o Zot, e përtërije fytyrën e tokës!
Ose:
Psalmi 33 (32), 4-5. 6-7.12-13.20.22 (fq. 692)
Ref. Plot është toka me mirësinë e Zotit.
4 E drejtë është fjala e Zotit
e të gjitha veprat e tij me besë.
5 E do drejtësinë e gjyqin,
plot është toka me mirësinë e Zotit.
Ref. Plot është toka me mirësinë e Zotit.
6 Prej fjalës së Zotit u krijuan qiejt,
prej frymës së gojës së tij çdo trup qiellor;
7 si në rrëshiq i mbledh ujërat e detit,
oqeanet i qet në ujëmbledhës.
Ref. Plot është toka me mirësinë e Zotit.
12 Lum ai komb që për Hyj e ka Zotin,
populli që Zoti e zgjodhi për pronë.
13 Zoti shikon nga qielli
e i sheh të gjithë bijtë e njerëzve.
Ref. Plot është toka me mirësinë e Zotit.
20 Shpirti ynë shpreson në Zotin,
ai është ndihma dhe mburoja jonë.
22 Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,
sikurse ne shpresojmë në ty.
Ref. Plot është toka me mirësinë e Zotit.
Kur përdoret forma e shkurtër teksti në kllapa nuk lexohet.
Leximi i dytë (Zan 22, 1-18) (forma e shkurtër 22, 1-2.9-13.15-18) (fq. 41/2)
Flia e Abrahamit atit tonë ne fe.
Lexim prej Librit të Zanafillës
Në ato ditë, 1 Hyji e vuri në provë Abrahamin e i tha: "Abraham!" Ai i përgjigji: "Tek jam!" 2 I tha: "Merre djalin tënd të dëshirit, Izakun, të cilin e do e shko në trevën Moria, e atje ma kushto fli shkrumbimi mbi njërin ndër kodrat që do të ta tregoj." (3 Abrahami u ngrit herët në mëngjes, e shiloi gomarin e vet, mori me vete dy shërbëtorë të vet dhe Izakun, djalin e vet. Pasi më parë i preu drutë për fli shkrumbimi, u nis për në atë vend që Hyji i kishte treguar.
4 Të tretën ditë, pasi Abrahami e çoi shikimin, atë vend e vështroi prej së largu. 5 U tha shërbëtorëve të vet: "Ju pritni këtu me gomar. Unë e djali po shkojmë deri atje për të adhuruar dhe do të kthehemi te ju." 6 Mori edhe drutë e flisë së shkrumbimit e ia ngarkoi Izakut, birit të vet, kurse ai mbante në dorë zjarrin e thikën.
Ndërsa të dy po ecnin së bashku, 7 Izaku i tha Abrahamit, babait të vet: "Baba!" Ai u përgjigj: "Çka do, biro? - Qe - tha - zjarri e drutë, po ku është flia e shkrumbimit?" 8 Abrahami i përgjigji: "Vetë Hyji do ta gjejë flinë e shkrumbimit për vete, biri im!" Dhe të dy vazhduan udhën së bashku.) 9 Kur arritën në vendin që Hyji ia kishte dëftuar, Abrahami aty e ndërtoi lterin dhe mbi të i renditi drutë. Mandej e lidhi Izakun, djalin e vet, e vendoi mbi lter mbi turrën e druve, 10 shtriu dorën dhe e mori thikën për ta flijuar djalin e vet.
11 Kur, qe, prej qiellit bërtiti engjëlli i Zotit: "Abraham, Abraham!" Ky i përgjigji. "Urdhëro! 12 Engjëlli i tha: "Mos e ço dorën tënde mbi fëmijën tënd dhe mos i bëj farë dëmi! Tash po e shoh se ia ke drojën Hyjit dhe për shkak tim nuk e kurseve as djalin tënd të dëshirit«.
13 Abrahami i çoi sytë lartë dhe e pa një dash të ngatërruar për brirësh në një shkurre. E mori këtë dhe e kushtoi fli shkrumbimi në vend të të birit.
(14 Atë vend e quajti: "Zoti sheh". Këndej edhe sot e kësaj dite thuhet: "Në malin e provanisë së Zotit.") 15 Engjëlli i Zotit e thirri Abrahamin për të dytën herë prej qiellit e i tha: 16 "Pasha mua - është fjala e Zotit - pasi e bëre këtë gjë dhe nuk të është dhembshur djali yt i dëshirit, 17 unë po ta fal bekimin tim dhe do të bëj që pasardhësit e tu të shtohen porsi yjet e qiellit, porsi rëra në bregun e detit. Ndërsa pasardhësit e tu do t'i pushtojnë dyert e armiqve të vet 18 dhe në farën tënde do të jenë të bekuar të gjithë popujt e tokës pasi ti ma dëgjove fjalën."
Fjala e Zotit
Psalmi 16 (15), 5.8.9-10.11 (fq. 671)
Ref. Më mbro, o Zot, sepse në ty strehohem.
5 Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota ime,
në dorën tënde është fati im!
8 Zotin e kam gjithmonë para sysh,
më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!
Ref. Më mbro, o Zot, sepse në ty strehohem.
9 Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im,
mbarë trupi im pushon në qetësi.
10 S'do të ma lësh shpirtin në Nëntokë,
as s'do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhe.
Ref. Më mbro, o Zot, sepse në ty strehohem.
11 Ti do të ma tregosh udhën e jetës,
gëzimin e plotë para fytyrës sate,
kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.
Ref. Më mbro, o Zot, sepse në ty strehohem.
Leximi i tretë (Dal 14, 15 - 15, 1) (fq. 96-98)
Izraelitet kaluan nëpër terik në mes te detit.
Lexim prej Librit të Daljes
Në ato ditë, 15 Zoti i tha Moisiut: "Përse po lëshon klithma kah unë urdhëroju bijve të Izraelit të nisen! 16 Ndërkaq ti çoje shkopin tënd dhe shtrije dorën tënde përmbi det e ndaje, kështu që bijtë e Izraelit të kalojnë për midis të detit nëpër terik. 17 Unë do t'ua guroj zemrën e egjiptianëve që t'ju përndjekin. Unë do ta dëftoj madhërinë time në faraonin e në mbarë ushtrinë e tij, në karroca dhe në kalorës të tij. 18 Kështu egjiptianët do ta kuptojnë se unë jam Zoti, kur të jem madhëruar në faraonin, në karrocat e kalorësit e tij."
19 Engjëlli i Hyjit, që u printe çetave të Izraelit, doli pas tyre, po ashtu me të edhe shtylla e resë, prej përpara doli prapa. 20 Zuri vend ndërmjet ushtrisë së egjiptianëve e të izraelitëve. Reja ishte e errët për egjiptianë, kurse izraelitëve ua ndriçonte natën. Kështu nuk mundën t'i afrohen njëri-tjetrit krejt natën.
21 Atëherë Moisiu e shtriu dorën mbi det. Zoti e shtyri gjithë natën detin me anë të një ere të fortë e të nxehtë dhe e thau: ujërat u ndanë. 22 Bijtë e Izraelit hynë për midis të detit nëpër terik: sepse uji ishte bërë pothuajse mur në të djathtë e në të majtë të tyre. 23 Edhe egjiptianët që po i ndiqnin, hynë pas tyre, mbarë kaloria e faraonit, karroca e tij e kalorësit në midis të detit. 24 Kishte ardhur koha e rojës së mëngjesit dhe, ja, Zoti ia lëshoi një sy prej shtyllës së zjarrit e të resë ushtrisë së egjiptianëve, e pështjelloi, 25 ia frenoi rrotat e karrocave sa që mëzi mund të lëviznin. Atëherë thanë egjiptianët: "Të ikim prej izraelitëve! Zoti po lufton për ta kundër nesh!
26 Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën mbi det: ujërat le të hidhen mbi egjiptianët, mbi karroca dhe kalorës të tyre." 27 Kur Moisiu e shtriu dorën drejt detit, në mëngjes, herët deti u kthye në vendin e mëparshëm. Egjiptianët, duke u munduar të ikin, ujërat u vinin drejt tyre. Kështu Zoti i mbuloi me tallaze në midis të detit. 28 Ujërat u kthyen dhe i mbuluan karroca e kalorës të mbarë ushtrisë së faraonit, të cilët për të ndjekur izraelitët kishin hyrë në det. S' shpëtoi prej tyre as një për be!
29 Kurse bijtë e Izraelit kishin udhëtuar midis të detit për terik dhe ujërat për ta ishin bërë si mur në të djathtën e në të majtë të tyre. 30 Po në këtë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin prej duarve të egjiptianëve. I panë egjiptianët e vdekur përmbi bregun e detit 31 dhe dorën e fortë që e ushtroi Zoti kundër egjiptianëve. Populli i dha nderim Zotit, e vuri besimin e vet në Zotin dhe në Moisiun, shërbëtorin e tij. 15,1 Atëherë Moisiu dhe bijtë e Izraelit e kënduan këtë këngë në nder të Zotit e thanë: " Le t'i këndojmë Zotit, sepse mrekullisht ngadhënjeu: kalë e kalorës plandosi në fund të detit!
Fjala e Zotit
Psalmi Dal 15, 1-7; 17-18 (fq. 98/9)
Ref. T’i këndojmë Zotit, e mrekullueshme është fitorja e tij.
1 »Le t'i këndojmë Zotit, sepse mrekullisht ngadhënjeu:
kalë e kalorës plandosi në fund të detit!
2 Zoti është forca dhe fuqia ime, Ai, veç Ai, më shpëtoi!
Ai është Hyji im, Atë lavdëroj!
Ref. T’i këndojmë Zotit, e mrekullueshme është fitorja e tij.
Është Hyji i atit tim: Atë e lartësoj!
3 Zotin askush s'e mund, Jahve emrin e ka!
4 Qerre e ushtri të faraonit në det i plandosi!
Luftëtarët e tij të zgjedhur Deti i Kuq i mbuloi!
5 Pellgu i përpiu, humbën si guri në pus!
Ref. T’i këndojmë Zotit, e mrekullueshme është fitorja e tij.
6 E djathta jote, o Zot, fuqi e tmerrueshme:
e djathta jote e goditi armikun!
7 Madhëria jote i shpartallon kundërshtarët.
17 Do ta shtish dhe do ta mbjellësh
në malin e trashëgimit tënd.
Ref. T’i këndojmë Zotit, e mrekullueshme është fitorja e tij.
Në banesën tënde të përhershme,
që ti vetë e përgatite, o Zot,
shenjtërore, o Zot, me duar të tua të përftuar!
18 Zoti do të sundojë përgjithmonë e mot të jetës!«
Ref. T’i këndojmë Zotit, e mrekullueshme është fitorja e tij.
Leximi i katërt (Is 54, 5-14) (fq. 1036)
Me dashuri të amshuar Zoti Shpërblyesi yt, pati dhimbje për ty.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
5 Krijuesi yt do të jetë fati yt, emri i tij është Zoti i Ushtrive; Shpërblyesi yt Shenjti i Izraelit, Ai quhet Hyji i mbarë tokës. 6 Sepse si një grua të lënë që vuan në shpirt të thirri Zoti: 'Gruaja e vjetëve të rinisë a mund të përbuzet? ka thënë Hyji yt. 7 Për pak kohë të lashë, por po të rimarr me dashuri të madhe. 8 Në momentin e felgrimit e fsheha pakëz prej teje fytyrën time, por me dashuri të amshuar pata dhimbje për ty, tha Zoti Shpërblyesi yt.
9 Tashti është për mua si në ditët e Noehit, kur u përbetova se ujërat e Noehit më nuk do të vërshojnë tokën, po ashtu u përbetova se më nuk do të hidhërohem e nuk do të kërcënohem. 10 Malet mund të zhduken, kodrat mund të tranden, porse dashuria ime s'do të zhduket prej teje as besëlidhja e paqes sime nuk do të trandet, thotë Zoti që pati mëshirë për ty.
11 Varfanjakja ime, stuhish e rrahur, e pa farë ngushëllimi, ja, në vend të gurëve do të vë karbunkull, e themelet do t'i qes mbi safirë. 12 Pirgjet e tua prej jaspisit, dyert e tua gurësh të paçmueshëm, muret rrethuese të tuat gurë stolie!
13 Të gjithë bijtë e tu do të jenë nxënës të Zotit, e madhe do të jetë lumturia e bijve të tu. 14 Do të jesh i themeluar në drejtësi, larg do të jesh nga ndrydhja, s'do të kesh pse të trembesh, larg nga frika, sepse s'do të afrohet.
Fjala e Zotit
Psalmi 30 (29), 2.4.5-6.11-12a.13a (fq. 688)
Ref. Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove.
2 Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove
e nuk lejove të ngihen armiqtë e mi mbi mua.
4 Ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga Nëntoka,
më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.
Ref. Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove.
5 Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij,
falënderojeni Emrin e shenjtë të tij!
6 Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij
e tërë jetën dashamirësia e tij!
Mbrëmja vjen me lot,
e mëngjesi plot hare!
Ref. Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove.
11 Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua,
Zoti u bë ndihmëtari im.
12 Ti vajin ma ktheve në valle,
13 "O Zot, Hyji im, do të lavdëroj për amshim!"
Ref. Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove.
Leximi i pestë (Is 55, 1-11) (fq. 1037)
Ejani tek unë dhe do të jetoni; do të lidh me ju Besëlidhje të përhershme.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Kështu thotë Zoti: 1 o ju të gjithë që jeni të etshëm, ejani tek ujët, le të vijnë gjithashtu edhe ata që s'kanë para! Bleni drithë e hani; ejani e bleni pa para e pa pagesë verë e qumësht! 2 Pse t'i shpenzoni paratë në atë që s'është bukë dhe mëditjen tuaj në gjëra që nuk ngijnë? Nëse më dëgjoni mua do të hani çka është e mirë, e do të shijoni ushqime të shijshme! 3 Ma vëni veshin e ejani tek unë, më dëgjoni e shpirti juaj do të rrojë!
Me ju do të lidh Besëlidhje të përhershme, po, do t'i ruaj të mirat e Davidit. 4 Ja, atë e bëra dëshmitar për fise, prijës e urdhërues për paganë. 5 Ja, do të thërrasësh një popull që s'e njihje, te ti do të vrapojnë popuj që s'të njihnin, për shkak të Zotit, Hyjit tënd, të Shenjtit të Izraelit që ty të madhërojë! 6 Kërkojeni Zotin deri sa mund të gjendet, thirreni në ndihmë deri sa është afër! 7 Le ta lërë i patenzoni udhën e vet, njeriu i keq synimet e veta, le të kthehet te Zoti e ai do të ketë mëshirë për të, tek Hyji ynë që është bujar në falje. 8 Sepse mendimet tuaja, nuk janë mendimet e mia, as udhët tuaja nuk janë udhët e mia - thotë Zoti. 9 Sepse, sikurse qielli që është i lartë në krahasim me tokën: po ashtu edhe udhët e mia janë të larta në krahasim me udhët tuaja dhe mendimet e mia në krahasim me mendimet tuaja! 10 Dhe sikurse zbret shiu e bora nga qielli e atje nuk kthehen, por e ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim, 11 kështu edhe fjala ime që del prej gojës sime, s'do të kthehet tek unë pa fryt, pa pasë kryer gjithçka më pëlqen dhe pa pasë zbatuar atë për çka e nisa.
Fjala e Zotit
Psalmi Is 12, 2-6 (fq. 988)
Ref. Me galdim do të merrni ujë nga burimet e shëlbimit.
2 Qe, Hyji Shëlbuesi im,
kam besim e nuk kam frikë,
sepse fuqia ime e mburrja ime është Zoti,
Ai është shpëtimi im."
Ref. Me galdim do të merrni ujë nga burimet e shëlbimit.
3 Me galdim do të merrni ujë
nga burimet e shëlbimit.
4 »Falënderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij,
shpallni ndër popuj veprat e tija,
kumtojeni madhërinë e Emrit të tij!
Ref. Me galdim do të merrni ujë nga burimet e shëlbimit.
5 Këndoni Zotit, sepse krijoi mrekulli,
le ta marrë vesh bota mbarë!
6 Brohoritni e këndoni lavde, ju banorët e Sionit,
sepse i madhërishëm është në mesin tuaj
Shenjti i Izraelit!"
Ref. Me galdim do të merrni ujë nga burimet e shëlbimit.
Leximi i gjashtë (Bar 3, 9-15.32 - 4, 4) (fq. 1138-1140)
Ec drejt shkëlqimit, në dritën e Zotit.
Lexim prej Librit të Barukut profet
9 Dëgjoj, o Izrael, urdhrat e jetës, vërju veshin për ta njohur urtinë! 10 Po përse ti, o Izrael, përse je në tokën e armikut? 11 Ti u plake në dheun e huaj, po përdhosesh me kufoma, i çmuar si ata që në Nëntokë zbritën! 12 E le burimin e dijes! 13 Të kishe ecur udhës së Zotit, do të banoje në paqe të përhershme. 14 Mëso se ku është mençuria, ku fuqia e ku kuptimi, që njëherë e mirë ta dish ku është jeta e gjatë, drita e syve edhe paqja. 15 Kush e zbuloi vendin e saj? Kush hyri në visarin e saj?
32 E njeh Ai që di gjithçka, e shqyrtoi me mendje të vet, Ai që e përftoi tokën për kohë të amshueshme, që e mbushi me kafshë katërkëmbëshe; 33 Ai që e nis dritën e ajo merr rrugë, e thërret prapa e kthen duke u dridhur! 34 Yjet ndriçojnë në vendin e vet e gëzohen: 35 I thirri ato e thanë: "Tek jemi!"; i ndriçuan me gëzim Atij që i krijoi! 36 Ky është Hyji ynë, një tjetër me Të s'mund të krahasohet! 37 Ai e shqyrtoi mbarë udhën e njohjes, ia dhuroi Jakobit, shërbëtorit të vet, Izraelit, të dashurit të vet. 38 Kështu ajo edhe u pa mbi tokë edhe mes njerëzve banoi.
4, 1 Ai është Libri i Urdhërimeve të Hyjit, Ligji që qëndron për amshim: kush ta mbajë, do të jetojë, kush të mos e mbajë, do të vdesë! 2 Kthehu, Jakob, e pranoje, ec drejt shkëlqimit, në dritën e tij! 3 Mos ia jep tjetërkujt nderin tënd, denjësinë tënde një populli tjetër! 4 Jemi të lumtur, o Izrael, sepse na u zbulua çka i pëlqen Hyjit.
Fjala e Zotit
Psalmi 19 (18), 8.9.10.11 (fq. 676)
Ref. Ti, o Zot, i ke fjalët e jetës së pasosur.
8 I përsosur është Ligji i Zotit,
shpirtin përtërin;
për t'u besuar është Dëshmia e Zotit,
të miturve u jep dijen.
Ref. Me galdim do të merrni ujë nga burimet e shëlbimit.
9 Urdhërimet e Zotit janë të drejta,
kënaqin zemrën;
urdhri i Zotit është i qartë,
dritë u jep syve.
Ref. Me galdim do të merrni ujë nga burimet e shëlbimit.
10 E panjollë është frika e Zotit,
nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta,
të gjitha njënjë të drejta.
Ref. Me galdim do të merrni ujë nga burimet e shëlbimit.
11 Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar,
më të ëmbla se mjalti, se hoja që rrjedh mjaltë.
Ref. Me galdim do të merrni ujë nga burimet e shëlbimit.
Leximi i shtatë (Ez 36, 16-17a.18-28) (fq. 1187/8)
Do të zbraz mbi ju një ujë të pastër dhe do t'ju jap një zemër të re.
Lexim prej Librit të Ezekielit profet
16 Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha: 17 "Biri i njeriut, kur shtëpia e Izraelit banonte në tokën e vet, e pat përdhosur atë me sjellje të vet e me veprat e veta. 18 Unë atëherë e zbraza zemërimin tim mbi ta për shkak të gjakut që derdhën përmbi tokë dhe për shkak të idhujve, me të cilët e ndotën. 19 I shpërndava ndër paganë dhe i treta në vende të ndryshme: i dënova sipas sjelljes së tyre dhe sipas veprave të tyre. 20 Por edhe në popuj, ndër të cilët u shpërndanë, te të cilët shkuan, e përdhosën emrin tim të shenjtë, sepse flitej për ta: 'Ky është populli i Zotit e iu desh të dalë prej tokës së tij!' 21 Por unë pata nderim për emrin tim të shenjtë që e çnderoi shtëpia e Izraelit në popuj ndër të cilët shkoi.
22 Prandaj, kështu thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyj: S'e bëj këtë për ju, o shtëpia e Izraelit, por për shkak të emrit tim të shenjtë, që u çnderua në popuj te të cilët shkuat. 23 Unë do ta shenjtëroj emrin tim të madhërueshëm, të cilin ju e çnderuat ndër popuj, e ndotët në mesin e tyre, që paganët ta dinë se unë jam Zoti - thotë Zoti Hyj, kur të dëftohem i shenjtë ndër ju e para syve të tyre.
24 Do t'ju heq prej paganëve e do t'ju bashkoj nga të gjitha vendet dhe do t'ju sjell në vendin tuaj. 25 Atëherë do të zbraz mbi ju një ujë të pastër dhe do të pastroheni nga të gjitha ndyrësitë tuaja. Do t'ju pastroj nga të gjithë idhujt tuaj! 26 Unë do t'ju jap një zemër të re, një shpirt të ri do ta fus në ju, do ta nxjerr nga mishi juaj zemrën e gurtë e do t'ju jap një zemër mishi. 27 Shpirtin tim do ta fus në ju e do të bëj që të ecni urdhërimeve të mia e t'i zbatoni e t'i shtini në veprim gjyqet e mia. 28 Do të banoni në tokën që ua dhurova etërve tuaj: ju do të jeni populli im e unë do të jem Hyji juaj.
Fjala e Zotit
Psalmi 42 (41), 3.5; 43 (42), 3.4 (fq. 704)
Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.
3 Shpirti im ka etje për Hyjin,
për Hyjin e gjallë:
oh, e kur do të shkoj
e do të dal para fytyrës së Hyjit?!
Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.
5 Si shtegtoja në krye të turmës
- si prijës - drejt banesës së Hyjit,
me brohori e këngë lavdi
në procesion kremtues!
Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.
43, 3 Dërgoje dritën tënde dhe të vërtetën tënde:
ato le të më prijnë, le të më përcjellin
në malin tënd të shenjtë, në Tendën tënde.
Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.
4 Atëherë do të hyj te lteri i Hyjit,
tek Hyji i gëzimit të galdimit tim.
Do të galdoj, do të të këndoj me harpë,
ty, o Hyj, Hyji im!
Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.
Ose:( kur ka pagëzime)
Psalmi Is 12, 2-3.4bcd.5-6(fq. 988)
Ref. Me galdim do të marrim ujë nga burimet e shëlbimit.
2 Qe, Hyji Shëlbuesi im,
kam besim e nuk kam frikë,
sepse fuqia ime e mburrja ime është Zoti,
Ai është shpëtimi im."
Ref. Me galdim do të marrim ujë nga burimet e shëlbimit.
3 Me galdim do të merrni ujë
nga burimet e shëlbimit.
»Falënderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij,
shpallni ndër popuj veprat e tija,
kumtojeni madhërinë e Emrit të tij!
Ref. Me galdim do të marrim ujë nga burimet e shëlbimit.
5 Këndoni Zotit, sepse krijoi mrekulli,
le ta marrë vesh bota mbarë!
6 Brohoritni e këndoni lavde, ju banorët e Sionit,
sepse i madhërishëm është në mesin tuaj
Shenjti i Izraelit!"
Ref. Me galdim do të marrim ujë nga burimet e shëlbimit.
Ose:
Psalmi 51 (50), 12-13.14-15.18-19 (fq. 714)
Ref. Krijoje në mua, o Hyj, një zemër të pastër.
12 Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
13 Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.
Ref. Krijoje në mua, o Hyj, një zemër të pastër.
14 Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,
dhe më forco me shpirt të gatshëm.
15 E unë do t'ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit
e fajtorët do të kthehen tek ti.
Ref. Krijoje në mua, o Hyj, një zemër të pastër.
18 Sepse ti nuk kënaqesh në fli,
e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s'të pëlqejnë.
19 Flia e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar;
ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërmuar!
Ref. Krijoje në mua, o Hyj, një zemër të pastër.
Letra (Rom 6, 3-11) (fq. 1595)
Krishti i ringjallur nga të vdekurit nuk vdes më.
Lexim prej letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, 3 po a nuk e dini se të gjithë sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij? 4 Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne jetojmë në jetën e re. 5 Pra, pasi jemi krejtësisht të bashkuar me Të, me një vdekje të ngjashme me të tijën, me siguri do të bëhemi plotësisht një me Të me përngjasimin e ngjalljes së Tij.
6 Le ta kemi parasysh këtë gjë: njeriu ynë i vjetër është kryqëzuar bashkë me Të që të shkatërrohet ky trup i mëkatit, kështu që mos t'i robërojmë më mëkatit, 7 sepse i vdekuri është i lirë nga mëkati. 8 E në qoftë se vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë bashkë me Të, 9 mbasi e dimë se Krishti i ngjallur nga të vdekurit, nuk vdes më: vdekja nuk ka më pushtet mbi Të.
10 Vdekja e tij qe vdekje njëherë e përgjithmonë për mëkatin, kurse jeta e Tij është jetë për Hyjin. 11 Po kështu edhe ju: mbani veten (se jeni) të vdekur për kah mëkati, e të gjallë për Hyjin në Jezu Krishtin!
Fjala e Zotit
Psalmi 118 (117), 1-2.16-17.22-23 (fq. 795)
Ref. Aleluja, Aleluja, Aleluja.
1 Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e përjetshme është dashuria e tij!
2 Le të thotë tashti Izraeli, Zoti është i mirë,
e përjetshme është dashuria e tij!
Ref. Aleluja, Aleluja, Aleluja.
16 "E djathta e Zotit u madhërua!
E djathta e Zotit më lartësoi!
17 S'do të vdes, të jetoj dua,
do t'i kumtoj veprat e Zotit!
Ref. Aleluja, Aleluja, Aleluja.
22 Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit,
erdhi e u bë gur i këndit;
23 Zoti e bëri këtë gjë:
sa mrekulli për sytë tanë!
Ref. Aleluja, Aleluja, Aleluja.
Viti A
Ungjilli (Mt 28, 1-10) (fq. 1426)
U ngjall dhe po shkon para jush në Galile.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
1 Pas të shtunës, në të zbardhur të dritës ‑ të ditës së parë të javës, shkuan Maria Magdalenë dhe Maria tjetër për të parë varrin. 2 Kur qe, ra një tërmet i madh, sepse engjëlli i Zotit zbriti nga qielli, u afrua, rrokullisi gurin dhe u ul mbi të. 3 Fytyra e tij ishte porosi vetëtima e petku i tij i bardhë porsi bora. 4 Rojtarët, prej frikës së tij, u dridhen dhe u bënë si të ishin të vdekur.
5 Atëherë engjëlli u tha grave: “Ju mos u trembni! E di se kërkoni Jezusin e kryqëzuar! 6 Ai nuk është këtu! U ngjall sikurse tha! Ejani e shikoni vendin ku qe vënë 7 e pastaj nxitoni të shkoni e tregoni nxënësve të tij: u ngjall së vdekuri dhe, ja, po shkon para jush në Galile. Atje do ta shihni. Ja, ju tregova!”
8 Ato menjëherë u larguan nga varri me frikë e njëherësh me gëzim të madh; shkuan me nxitim t’u lajmërojnë nxënësve të tij. 9 Dhe ja, u doli Jezusi përpara e u tha: “Ju falem!” Ato u afruan, e morën ngrykë dhe e adhuruan. 10 Atëherë Jezusi u tha: “Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin.”
Fjala e Zotit
Viti B
Ungjilli (Mk 16, 1-7) (fq. 1455)
Jezusi prej Nazaretit, i Kryqëzuari, u ngjall.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
1 Kur kaloi e shtuna, Maria Magdalenë dhe Maria e Jakobit e Saloma blenë erëra të mira për të shkuar ta përerojnë Jezusin. 2 Të parën ditë pas të shtunës, në mëngjes, shumë herët, në të lindur të diellit, erdhën te varri. 3 I thoshin shoqja ‑ shoqes: “Kush do të na e rrokullisë gurin prej grykës së varrit?” 4 Shikuan, kur qe, guri ishte i rrokullisur. Ishte, vërtet i madh fort! 5 Ato hynë në varr e panë një djalosh ndenjur në anë të djathtë, të veshur me petk të bardhë, e u trembën.
6 Por ai u tha: “Ju mos u trembni! Ju kërkoni Jezusin prej Nazaretit, të Kryqëzuarin. Ai u ngjall, nuk është këtu! Qe vendi ku e patën vënë. 7 Shkoni dhe thoni nxënësve të tij ‑ veçanërisht Pjetrit: Po shkon para jush në Galile, atje do ta shihni, sikur ju pati thënë.”
Fjala e Zotit
Viti C
Ungjilli (Lk 24, 1-12) (fq. 1502)
Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur?
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
1 Të parën ditë të javës, fort herët, gratë shkuan te varri me erërat e mira që i përgatitën. 2 Gjetën gurin e rrokullisur prej varrit. 3 Hynë, por nuk e gjetën trupin e Jezusit [Zot].
4 E, ndërsa po rrinin ashtu, marrë mendsh nga kjo punë, dhe ja, afër tyre, u paraqitën dy burra të veshur me petka të ndritshme. 5 E kur ato, të tmerruara, i ulën sytë për dhe, këta u thanë: “Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur? 6 Ai s’është këtu! U ngjall! Le t’ju bjerë në mend çka ju pati thënë kur ishte në Galile: 7 ‘Duhet ‑ thoshte ai ‑ që Biri i njeriut t’u dorëzohet njerëzve mëkatarë; ta kryqëzojnë dhe të tretën ditë të ngjallet!’“ 8 Atëherë u ranë në mend fjalët e tij. 9 U kthyen nga varri dhe i njoftuan mbi të gjitha këto të Njëmbëdhjetët e të gjithë tjerët.
10 Ishin: Maria Magdalenë, Gjonia e Maria e Jakobit. Po edhe gratë e tjera që ishin me to, u treguan apostujve të njëjtën gjë. 11 Por apostujt këto fjalë i morën për trillime e nuk u besuan. 12 Megjithatë Pjetri u çua, shkoi vrap te varri, u përkul dhe pa vetëm pëlhurat. U kthye në shtëpi i habitur për krejt çka kishte ndodhur.
Fjala e Zotit
E DIELA E PASHKËVE - RINGJALLJA E ZOTIT
MESHA E DITËS
Antifona e hyrjes Krh. Ps 138, 18.5-6
U ngjalla dhe tani jam me ty, aleluja, Ti e vure dorën tënde mbi mua, aleluja, e mrekullueshme është dija jote për mua, aleluja, aleluja.
Ose: Lk 24, 34; krh. Zb 1, 6
Me të vërtetë u ngjall Zotëria, aleluja. Atij i qoftë lavdia dhe sundimi në shekujt e shekujve, aleluja, aleluja.
Thuhet Lavdi.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
72. Kolekta
O Hyj, Ti në ditën e sotme na e hape derën e jetës së amshuar, në saje të fitores së të Njëlindurit Birit tënd mbi vdekjen: bëj, po të lutemi, që ne, të cilët po e kremtojmë ngjalljen e Krishtit, të përtërirë në Shpirtin Shenjt, të ngjallemi në dritën e jetës së pasosur. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Vap 10, 34a.37-43) (fq. 1560)
Ne kemi ngrënë e kemi pirë bashkë me të pasi u ngjall prej të vdekurish.
Lexim prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë 34 Pjetri mori fjalën e tha: 37 Ju e dini çka ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, 38 se si Hyji Jezusin prej Nazaretit e shuguroi me Shpirtin Shenjt e me pushtet; atë që e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtetin e djallit, sepse Hyji ishte me të. 39 Ne jemi dëshmitarë për gjithçka që bëri në mbarë krahinën e Judesë e në Jerusalem.
E vranë “duke e varur në shtyllë”! 40 Hyji e ngjalli të tretën ditë dhe bëri që të dëftohet i gjallë 41 ‑ jo mbarë popullit në përgjithësi, por dëshmitarëve prej Hyjit të paracaktuar ‑ neve që bashkë me të kemi ngrënë e kemi pirë pasi u ngjall prej të vdekurish.
42 Ai edhe na urdhëroi t’i predikojmë popullit e t’i japim dëshmi se Jezusi është prej Hyjit i caktuar Gjykatës i të gjallëve e i të vdekurve. 43 Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët: në fuqi të Emrit të tij i jepet falja e mëkateve secilit që beson në Të.”
Fjala e Zotit
Psalmi 118 (117), 1-2, 16-17, 22-23 (fq. 795)
Ref. Kjo është dita që e bëri Zoti: të gëzojmë e të galdojmë.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
1 Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e përjetshme është dashuria e tij!
2 Le të thotë tashti Izraeli, Zoti është i mirë,
e përjetshme është dashuria e tij!
Ref. Kjo është dita që e bëri Zoti: të gëzojmë e të galdojmë.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
16 “E djathta e Zotit u madhërua!
E djathta e Zotit më lartësoi!
17 S’do të vdes, të jetoj dua,
do t’i kumtoj veprat e Zotit!
Ref. Kjo është dita që e bëri Zoti: të gëzojmë e të galdojmë.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
22 Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit,
erdhi e u bë guri i këndit;
23 Zoti e bëri këtë gjë:
sa mrekulli për sytë tanë!
Ref. Kjo është dita që e bëri Zoti: të gëzojmë e të galdojmë.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
Leximi i dytë (Kol 3, 1-4) (fq. 1663)
Kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti.
Lexim prej letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve.
Vëllezër, 1 nëse, pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit! 2 Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi tokë! 3 Sepse vdiqët dhe jeta juaj është e fshehur me Krishtin në Hyjin. 4 E kur të duket Krishti ‑ Jeta juaj, atëherë edhe ju bashkë me Të do të shfaqeni plot lavdi.
Fjala e Zotit
Ose:
Leximi i dytë (1 Kor 5, 6-8) (fq. 1612)
Pastrohuni prej tharmit të vjetër që të bëheni brumë i ri.
Lexim prej letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve.
Vëllezër, 6 po a nuk e dini se pak tharm e brumos mbarë brumin? 7 Pastrohuni prej tharmit të vjetër që të bëheni brumë i ri, sikurse edhe jeni të pabrumë, sepse Krishti ‑ Qengji ynë i Pashkëve ‑ tanimë është flijuar.
8 Andaj, le të kremtojmë, jo me tharmin e vjetër, as me tharmin e zemrës së keqe e të ligësisë, por me bukë të pabrume të pastërtisë e të vërtetës.
Fjala e Zotit
NDJEKËSORJA
Flijes s’ngjallur t’ Pashkëve tona
T’i këndojë t’k’shterit goja-goja;
Qengji delet i liroi,
M’katarët Krishti i shëlboi
Me Atin duke i pajtuar.
Jeta e vdekja n’dyluftim,
u përleshën mrekull shqim:
Prisi i Jetës vdekur ra,
Por u ngjall: sundon panda.
Na trego ti, o Mari,
çka ke parë me ata sy?
Kam parë varrin e Krishtit të gjallë
dhe Lavdinë e atij që u ngjall.
I pashë engjëjt dëshmitarë,
rizën, petkat t’vëna palë.
U ngjall Krishti e imja shpresë,
Para u del n’rreth t’Galilesë.
U ngjall Krishti përnjëmend!
Mbret, fitues - mëshirë përgjithkënd.
Amen! Aleluja!
Aleluja!
Krishti Qengji ynë i Pashkëve është flijuar, prandaj, le të kremtojmë në Zotin. (krh. 1 Kor 5, 7-8)
Aleluja!
Ungjilli (Gjn 20, 1-9) (fq. 1541)
Ai duhej që të ngjallej së vdekuri.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
1 Ditën e parë të javës, në mëngjes, ende pa dalë drita, erdhi Maria Magdalenë te varri dhe pa se guri ishte hequr prej varrit. 2 Atëherë erdhi me vrap te Simon‑Pjetri dhe tek ai nxënësi tjetër, të cilin Jezusi e donte dhe u tha: “E kanë marrë Zotërinë prej varrit e nuk dimë se ku e kanë vënë.”
3 Atëherë dolën Pjetri dhe ai nxënësi tjetër e u nisën drejt varrit. 4 Vraponin të dy bashkë, por ai nxënësi tjetër ia kaloi Pjetrit dhe arriti i pari te varri. 5 Ai u përkul dhe pa pëlhurat e vëna aty, por nuk hyri.
6 Ndërkaq mbërriti edhe Simon‑Pjetri që po vinte pas tij dhe hyri në varr. I pa pëlhurat e vëna 7 dhe rizën që pati qenë në krye të Jezusit. Kjo nuk ishte me pëlhura, por veçmas e palosur në një vend.
8 Atëherë hyri edhe ai nxënësi tjetër, që mbërriti i pari te varri, pa e besoi. 9 Në të vërtetë, ende nuk e kishin kuptuar Shkrimin e shenjtë: se duhej që Ai të ngjallej së vdekuri.
Fjala e Zotit
Viti A
Ungjilli (Mt 28, 1-10) (fq. 1426)
Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të shkojnë në Galile.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
1 Pas të shtunës, në të zbardhur të dritës ‑ të ditës së parë të javës, shkuan Maria Magdalenë dhe Maria tjetër për të parë varrin. 2 Kur qe, ra një tërmet i madh, sepse engjëlli i Zotit zbriti nga qielli, u afrua, rrokullisi gurin dhe u ul mbi të. 3 Fytyra e tij ishte porosi vetëtima e petku i tij i bardhë porsi bora. 4 Rojtarët, prej frikës së tij, u dridhen dhe u bënë si të ishin të vdekur.
5 Atëherë engjëlli u tha grave: “Ju mos u trembni! E di se kërkoni Jezusin e kryqëzuar! 6 Ai nuk është këtu! U ngjall sikurse tha! Ejani e shikoni vendin ku qe vënë 7 e pastaj nxitoni të shkoni e tregoni nxënësve të tij: u ngjall së vdekuri dhe, ja, po shkon para jush në Galile. Atje do ta shihni. Ja, ju tregova!”
8 Ato menjëherë u larguan nga varri me frikë e njëherësh me gëzim të madh; shkuan me nxitim t’u lajmërojnë nxënësve të tij. 9 Dhe ja, u doli Jezusi përpara e u tha: “Ju falem!” Ato u afruan, e morën ngrykë dhe e adhuruan. 10 Atëherë Jezusi u tha: “Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin.”
Fjala e Zotit
Viti B
Ungjilli (Mk 16, 1-7) (fq. 1455)
Jezusi prej Nazaretit, i Kryqëzuari, u ngjall.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
1 Kur kaloi e shtuna, Maria Magdalenë dhe Maria e Jakobit e Saloma blenë erëra të mira për të shkuar ta përerojnë Jezusin. 2 Të parën ditë pas të shtunës, në mëngjes, shumë herët, në të lindur të diellit, erdhën te varri. 3 I thoshin shoqja ‑ shoqes: “Kush do të na e rrokullisë gurin prej grykës së varrit?” 4 Shikuan, kur qe, guri ishte i rrokullisur. Ishte, vërtet i madh fort! 5 Ato hynë në varr e panë një djalosh ndenjur në anë të djathtë, të veshur me petk të bardhë, e u trembën.
6 Por ai u tha: “Ju mos u trembni! Ju kërkoni Jezusin prej Nazaretit, të Kryqëzuarin. Ai u ngjall, nuk është këtu! Qe vendi ku e patën vënë. 7 Shkoni dhe thoni nxënësve të tij ‑ veçanërisht Pjetrit: Po shkon para jush në Galile, atje do ta shihni, sikur ju pati thënë.”
Fjala e Zotit
Viti C
Ungjilli (Lk 24, 1-12) (fq. 1502)
Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur?
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
1 Të parën ditë të javës, fort herët, shkuan te varri me erërat e mira që i përgatitën. 2 Gjetën gurin e rrokullisur prej varrit. 3 Hynë, por nuk e gjetën trupin e Jezusit [Zot].
4 E, ndërsa po rrinin ashtu, marrë mendsh nga kjo punë, dhe ja, afër tyre, u paraqitën dy burra të veshur me petka të ndritshme. 5 E kur ato, të tmerruara, i ulën sytë për dhe, këta u thanë: “Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur? 6 Ai s’është këtu! U ngjall! Le t’ju bjerë në mend çka ju pati thënë kur ishte në Galile: 7 ‘Duhet ‑ thoshte ai ‑ që Biri i njeriut t’u dorëzohet njerëzve mëkatarë; ta kryqëzojnë dhe të tretën ditë të ngjallet!’“ 8 Atëherë u ranë në mend fjalët e tij. 9 U kthyen nga varri dhe i njoftuan mbi të gjitha këto të Njëmbëdhjetët e të gjithë tjerët.
10 Ishin: Maria Magdalenë, Gjonia e Maria e Jakobit. Po edhe gratë e tjera që ishin me to, u treguan apostujve të njëjtën gjë. 11 Por apostujt këto fjalë i morën për trillime e nuk u besuan. 12 Megjithatë Pjetri u çua, shkoi vrap te varri, u përkul dhe pa vetëm pëlhurat. U kthye në shtëpi i çuditur për krejt çka kishte ndodhur.
Fjala e Zotit
Në vend të këtij Ungjilli ka mundësi të lexohet ai i vitit përkatës A; B ose C. Në Meshën e mbrëmjes lexohet Ungjilli që vijon.
Ungjilli (Lk 24, 13-35) (fq. 1502/3)
Rri me ne o Zot se u bë natë e dita po shkon në të sosur!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
13 Po atë ditë, dy prej nxënësve, po shkonin në një fshat që quhet Emaus që është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje. 14 Ata bisedonin me njëri-tjetrin për të gjitha këto ngjarje.
15 Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. 16 Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin. 17 Ai i pyeti: “Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni mes jush udhës?” Ata u ndalën të trishtuar 18 e njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, i përgjigji: “A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çka ndodhi në të po në këto ditë?” 19 Ai i pyeti: “Po çka?” Ata iu përgjigjën: “Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, që ishte profet i madh me vepra e me fjalë në sy të Hyjit e të mbarë popullit; 20 si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan. 21 Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. E, përmbi të gjitha këto ‑ sot është e treta ditë që ndodhën këto ngjarje. 22 Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato qenë në agim te varri 23 e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë. 24 Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën shi ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë.” 25 Ai u tha: “O të pamend e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! 26 Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?” 27 E, që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin e shenjtë për të.
28 Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri kinse po vazhdonte udhën. 29 Po ata iu vunë: “Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!” Dhe hyri që të rrijë me ta. 30 Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha. 31 Atyre iu hapën sytë dhe e njohën... Por ai u zhduk para syve të tyre. 32 Atëherë i thanë njëri‑tjetrit: “Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin e shenjtë?”
33 U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta. 34 Të njëmbëdhjetët u thanë: “Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!” 35 Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën.
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
73. Lutja mbi dhurata
Të përshkuar plotësisht me gëzimet e Pashkëve, po ta kushtojmë, o Zot, flinë, me të cilën Kisha jote mrekullisht rilind dhe ushqehet. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
74. Prefacioni i Pashkëve: Misteri i Pashkëve
Në Meshën e Vigjiljes së Pashkëve thuhet: në këtë natë; të dielën e ngjalljes dhe në tetëditëshen e Pashkëve thuhet: në këtë ditë; pas tetëditëshes thuhet: në këtë kohë.
Misteri i Pashkëve
45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
Në Meshën e Vigjiljes së Pashkëve thuhet: në këtë natë; të dielën e ngjalljes dhe në mbarë tetëditëshen e Pashkëve thuhet: në këtë ditë; pas tetëditëshes thuhet: në këtë kohë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare
në këtë (natë) (ditë) (kohë),
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë
që i shleu mëkatet e botës:
duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë
dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Kur përdoret Kanoni Romak, thuhen Të bashkuar dhe Pranoje me mirësi të veçantë.
Antifona e Kungimit 1 Kor 5, 7-8
Krishti, Pashka jonë, tanimë është flijuar, prandaj le të kremtojmë me bukë të pabrumë të pastërtisë dhe të së vërtetës, aleluja.
Lutja pas kungimit
Mbroje, o Hyj, me dashuri të përhershme Kishën tënde, të cilën e përtërite me misteret e Pashkëve, që të arrijë edhe ngjalljen e lavdishme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Për bekimin në fund të Meshës është mirë të përdoret trajta e bekimit kremtor të Meshës së Vigjiljes, fq. 299.
Në lëshim të popullit, këndohet ose thuhet:
Mesha u krye: shkoni në paqe, aleluja, aleluja.
P. Falënderojmë Hyjin, aleluja, aleluja.