Leximet e ditës
KOHA E PASHKËVE
E HËNA GJATË TETËDITËSHIT
Antifona e hyrjes Krh. Dal 13, 5.9
Zoti ju dha një tokë që rrjedh qumësht e mjaltë, që ligji i Zotit të jetë përherë në gojën tuaj, aleluja.
Ose:
Zoti u ngjall prej të vdekurve, sikurse tha, të gëzohemi dhe të galdojmë të gjithë, sepse ai sundon për amshim, aleluja.
Thuhet Lavdi.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj, Ti gjithmonë e rrit Kishën tënde duke i dhuruar fëmijë të rinj, bëj që besimtarët e tu ta jetojnë me besnikëri atë sakrament që kanë pranuar me fe. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Vap 2, 14.22-33) (fq. 1547)
Këtë Jezu, Hyji e ngjalli, e ne të gjithë jemi dëshmitarë.
Lexim prej Veprave të Apostujve
14 Ditën e Rrëshajëve, Pjetri bashkë me të Njëmbëdhjetët u çua në këmbë, e ngriti zërin dhe tha:
“Burra judeas dhe ju të gjithë që banoni në Jerusalem, mirë ta dini këtë gjë e me kujdes dëgjojini fjalët e mia! 22 Burra të Izraelit, dëgjojini këto fjalë: Jezusin Nazarenas ‑ njeri që Hyji e përforcoi para jush me vepra të madhërueshme, me mrekulli dhe me shenja, që siç e dini ‑ me anë të tij i bëri ndër ju; 23 këtë, të tradhtuar sipas vullnetit të caktuar dhe parapamjes së Hyjit ‑ ju e kryqëzuat dhe e vratë me duar të të pafeve. 24 Por Hyji e ngjalli duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes, sepse s’ishte e mundur që vdekja ta mbante nën sundimin e vet.
25 E njëmend, për të Davidi thotë: ‘Zotërinë e kam gjithmonë para sysh, sepse Ai më rri në anë të djathtë që të mos rrëzohem. 26 Prandaj galdon zemra ime dhe brohorit gjuha ime, po dhe trupi im do të pushojë me shpresë, 27 sepse Ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Nëntokë as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet. 28 Ti ma tregove udhën që shpie në jetë: në praninë tënde do të më mbushësh me gëzime.’
29 Vëllezër, më lejoni t’jua them haptas: Davidi patriark vdiq, u varros dhe varri i tij është edhe sot e kësaj dite ndër ne. 30 Por ai, pasi ishte profet dhe pasi e dinte se Hyji, iu përbetua me betimin se një nga pasardhësit e tij do të hipte në fronin e tij, 31 që më parë e parapa dhe paralajmëroi ngjalljen e Krishtit, kur tha: ‘Nuk qe lënë në Nëntokë as trupi i tij nuk e provoi kalbëzimin.’
32 Po këtë Jezus Hyji e ngjalli! Të gjithë ne e dëshmojmë këtë gjë!
33 I ngritur në të djathtën e Hyjit, pasi që mori prej Atit Premtimin - Shpirtin Shenjt dhe e ndikoi, ashtu siç po shihni e po dëgjoni [edhe] ju vetë.
Fjala e Zotit
Psalmi 16 (15), 1-2a.5.7-8.9-10.11 (fq. 671)
Ref. Më mbro, o Zot, sepse në Ty strehohem.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
1 Më ruaj, o Hyj, sepse të kam rënë ndore!
2 I thashë Zotit: “Ti je Zoti im,
tjetër të mirë nuk kam veç teje”!
5 Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota,
në dorën tënde është fati im!
Ref. Më mbro, o Zot, sepse në Ty strehohem.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
7 E bekoj Zotin që më dha kuptim,
edhe natën veshkat e mia më mësojnë.
8 Zotin e kam gjithmonë para sysh,
më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!
Ref. Më mbro, o Zot, sepse në Ty strehohem.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
9 Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im,
mbarë trupi im pushon në qetësi.
10 S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë,
as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhe.
Ref. Më mbro, o Zot, sepse në Ty strehohem.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
11 Ti do të ma tregosh udhën e jetës,
gëzimin e plotë para fytyrës sate,
kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.
Ref. Më mbro, o Zot, sepse në Ty strehohem.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
Aleluja!
Kjo është dita që na fali Zoti, të galdojmë e të gëzohemi. (Ps 118 (117), 24)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 28, 8-15) (Fq. 1426)
Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të shkojnë në Galile, atje do të më shohin.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
8 Gratë pasi dëgjuan se Krishti u ringjall, menjëherë u larguan nga varri me frikë e njëherësh me gëzim të madh; shkuan me nxitim t’u lajmërojnë nxënësve të tij. 9 Dhe ja, u doli Jezusi përpara e u tha: “Ju falem!” Ato u afruan, e morën ngrykë dhe e adhuruan. 10 Atëherë Jezusi u tha: “Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin.”
11 Ndërsa gratë po shkonin, kur qe, disa nga rojtarët arritën në qytet dhe i lajmëruan kryepriftërinjtë për krejt çka ndodhi. 12 Këta u tubuan në këshillim me pleqtë, morën shumë të holla, ua dhanë ushtarëve 13 dhe u thanë: “Thoni: nxënësit e tij erdhën natën e, ndërsa ne po flinim, e vodhën. 14 Po qe se kjo fjalë i shkon në vesh qeveritarit, ne do të kujdesemi t’ia mbushim mendjen e juve s’do t’ju ndodhë asnjë e keqe.” 15 Ata i morën paratë e bënë ashtu si i mësuan. Kjo përrallë është e përhapur ndër judenj edhe sot e kësaj dite.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji me mirësi, o Zot, dhuratat e popullit tënd, që ata të cilët janë ripërtërirë me shpalljen e emrit tënd dhe me pagëzim ta fitojnë lumturinë e përhershme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I PASHKËVE – I
Misteri i Pashkëve
45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
Në Meshën e Vigjiljes së Pashkëve thuhet: në këtë natë; të dielën e ngjalljes dhe në mbarë tetëditëshen e Pashkëve thuhet: në këtë ditë; pas tetëditëshes thuhet: në këtë kohë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare
në këtë (natë) (ditë) (kohë),
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë
që i shleu mëkatet e botës:
duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë
dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Kur përdoret Kanoni Romak, thuhen Të bashkuar dhe Pranoje me mirësi të veçantë.
Antifona e Kungimit Rom 6, 9
Krishti i ngjallur nga të vdekurit, nuk vdes më: vdekja nuk ka më pushtet mbi të, aleluja.
Lutja pas kungimit
Ndiko në zemrat tona, o Zot, hirin e sakramenteve të Pashkëve, që pasi na vure në udhën e shpëtimit, të na bësh të denjë t’i pranojmë dhuratat e tua. Nëpër Krishtin Zotin tonë.