Leximet e ditës
KOHA E PASHKËVE
E MARTA GJATË TETËDITËSHIT
Antifona e hyrjes Krh. Sir 15, 3-4
U dha ujin e urtisë për ta pirë; Ai do të bëhet i patrandshëm në ta, s’do të meket dhe do t’i lartësojë për amshim, aleluja.
Thuhet Lavdi.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj, që me misterin e Pashkëve na ke shëruar, jepi gjithmonë popullit tënd dhuratën qiellore, që duke fituar lirinë e përsosur, ta arrijë në qiell lumturinë që tani sprovon me gëzimin e Pashkëve. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Vap 2, 36-41) (fq. 1547/8)
Kthehuni dhe secili prej jush le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit.
Lexim prej Veprave të Apostujve
Ditën e Rrëshajëve, Pjetri iu drejtuar judenjve: 36 Le ta dijë, pra, pa farë dyshimi mbarë populli i Izraelit se mu këtë Jezus, që ju e kryqëzuat, Hyji e bëri Zotëri e Mesi.”
37 Kur i dëgjuan këto fjalë, u tronditën në zemër dhe i thanë Pjetrit e apostujve të tjerë: “Çka duhet të bëjmë ne, o vëllezër?” 38 Pjetri u përgjigji: “Kthehuni dhe secili prej jush le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit që t’ju falen mëkatet e atëherë do ta merrni dhuratë ‑ Shpirtin Shenjt. 39 Sepse ky Premtim u bë për ju, për fëmijët tuaj e për të gjithë ata prej së largu, të gjithë ata që Zotëria, Hyji ynë, do t’i thërrasë.” 40 Por edhe me shumë fjalë të tjera prore i përbente dhe i nxiste duke thënë: “Shpëtohuni nga kjo brezni e mbrapshtë!”
41 Ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan e kështu, atë ditë, u kthyen rreth tri mijë vetë.
Fjala e Zotit
Psalmi 33 (32), 4-5.18-19.20.22 (fq. 692)
Ref. Plot është toka me mirësinë e Zotit.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
4 Sepse e drejtë është fjala e Zotit
e të gjitha veprat e tija me besë.
5 E do drejtësinë e gjyqin,
plot është toka me mirësinë e Zotit.
Ref. Plot është toka me mirësinë e Zotit.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
18 Ja, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
19 për t’i shpëtuar nga vdekja
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.
Ref. Plot është toka me mirësinë e Zotit.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
20 Shpirti ynë shpreson në Zotin,
ai është ndihma dhe mburoja jonë.
22 Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,
sikurse ne shpresojmë në ty.
Ref. Plot është toka me mirësinë e Zotit.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
Aleluja!
Kjo është dita që e fali Zoti, të galdojmë e të gëzohemi. (Ps 118 (117), 24)
Aleluja!
Ungjilli (Gjn 20, 11-18) (fq. 1541)
E pashë Zotin e mi tha këto gjëra.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë: 11 Maria qëndroi jashtë te varri dhe qante. Ashtu, duke qarë, u përkul e shikoi në varr. 12 Pa dy engjëj të veshur me petka të bardha ndenjur në atë vend, ku qe trupi i Jezusit ‑ njëri te koka e tjetri te këmbët. 13 Ata i thanë: “Grua, pse po qan?” Ajo u përgjigj: “E morën Zotërinë tim e nuk di ku e vunë.”
14 Si tha kështu, u soll prapa e pa Jezusin në këmbë, por nuk dinte se ishte Jezusi. 15 Jezusi i tha: “Pse po qan, moj fisnike? Kë po kërkon?” Ajo, duke kujtuar se është kopshtari, i tha: “Zotëri, nëse e ke marrë ti, më trego ku e vure e tani po e marr unë.” 16 “Mari!” ‑ i tha Jezusi. Ajo u kthye e i tha hebraisht: “Rabbuni!” (‑ që do të thotë Mësues). 17 Jezusi i tha: “Mos u ngarrit me mua, se ende nuk u ngjita tek Ati, por shko te vëllezërit e mi e thuaju: Po ngjitem tek Ati im e Ati juaj, tek Hyji im e Hyji juaj.”
18 Maria Magdalenë shkoi dhe u lajmëroi nxënësve se e pa Zotërinë dhe se i tha këto fjalë.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji me mirësi, o Zot, kushtet tona, dhe na ruaj nën mbrojtjen tënde, që mos të bjerrim asnjë nga të mirat që na dhe, e të arrijmë lumturinë e përhershme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I PASHKËVE – I
Misteri i Pashkëve
45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
Në Meshën e Vigjiljes së Pashkëve thuhet: në këtë natë; të dielën e ngjalljes dhe në mbarë tetëditëshen e Pashkëve thuhet: në këtë ditë; pas tetëditëshes thuhet: në këtë kohë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare
në këtë (natë) (ditë) (kohë),
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë
që i shleu mëkatet e botës:
duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë
dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Kur përdoret Kanoni Romak, thuhen Të bashkuar dhe Pranoje me mirësi të veçantë.
Antifona e Kungimit Kol 3, 1-2
Nëse u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit; dëshironi gjërat që janë lart, aleluja.
Lutja pas kungimit
Na dëgjo, o Hyj i gjithëpushtetshëm, uratët tona dhe aftëso për të fituar lumturinë e amshueshme emrat e atyre të cilëve ua dhe hirin e pagëzimit, Nëpër Krishtin Zotin tonë.