Leximet e ditës
KOHA E PASHKËVE
E MËRKURA GJATË TETËDITËSHIT
Antifona e hyrjes Krh. Mt 25, 34
Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju qysh prej fillimit të botës, aleluja.
Thuhet Lavdi.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj, që çdo vit na gëzon me kremtimin e ngjalljes së Krishtit, bëj që me anën e këtyre festave të përkohshme të arrijmë gëzimet që s’kanë mbarim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Vap 3, 1-10) (fq. 1548)
Po të jap çka kam: në emër të Jezu Krishtit Nazarenas, ec!
Lexim prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë: 1 Pjetri e Gjoni po shkonin në Tempull për lutjen e orës nëntë.
2 Pikërisht atëherë po sillnin një njeri të çalë që prej lindjes. Atë e sillnin përditë te dera e Tempullit, te ajo që quhet “E bukura” për të lypur lëmoshë prej atyre që hynin në Tempull. 3 Ai, kur pa Pjetrin e Gjonin duke hyrë në Tempull, lypi (për të marrë) lëmoshë. 4 Pjetri atëherë, bashkë me Gjonin, ia nguli sytë dhe i tha: “Na shiko!” 5 Ai po i vërente me kujdes duke shpresuar se do të merrte ndonjë gjë. 6 Atëherë Pjetri i tha: “Unë nuk kam as argjend, as ar, por po të jap çka kam: në Emër të Jezu Krishtit Nazarenas, ec!” 7 E kapi për dorë të djathtë dhe e ngriti në këmbë.
Aty për aty iu forcuan këmbët dhe nyjet; 8 kërceu, u drejtua, filloi të ecë dhe hyri në Tempull: ecte, kërcente dhe lavdëronte Hyjin.
9 Mbarë populli e pa duke ecur dhe duke lavdëruar Hyjin. 10 E njohën se ishte ai që ndenjur para derës “Së bukur” të Tempullit lypte lëmoshë dhe mbetën shtang të hutuar prej mrekullisë dhe prej habisë për çka i ndodhi atij.
Fjala e Zotit
Psalmi 105 (104), 1-2.3-4.6-7.8-9 (fq. 778)
Ref. Le t’i gëzohet zemra, atij që e kërkon Zotin.
1 Lavdëroni Zotin e thirreni në ndihmë Emrin e tij
shpallni mes popujsh veprat e madhërueshme të tijat!
2 Këndoni, luani në vegla muzikore për nder të tij,
kujtoni të gjitha mrekullitë e tija!
Ref. Le t’i gëzohet zemra, atij që e kërkon Zotin.
3 Mburruni me emrin e tij të shenjtë:
Le të galdojë zemra e atyre që e kërkojnë Zotin.
4 Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij,
Kërkojeni gjithmonë fytyrën e tij!
Ref. Le t’i gëzohet zemra, atij që e kërkon Zotin.
6 Ju fara e Abrahamit, shërbëtorët e tij,
ju, o bijtë e Jakobit, të zgjedhurit e tij!
7 Ai është Zoti, Hyji ynë,
mbi mbarë tokën gjyqet e tija!
Ref. Le t’i gëzohet zemra, atij që e kërkon Zotin.
8 Ai s’e harron Besëlidhjen e vet askurrë,
premtimin që ua bëri një mijë breznive,
9 lidhjen që e bëri me Abrahamin
dhe përbetimin që i bëri Izakut.
Ref. Le t’i gëzohet zemra, atij që e kërkon Zotin.
Aleluja!
Kjo është dita që e fali Zoti, të galdojmë e të gëzohemi. (Ps 118 (117), 24)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 24, 13-35) (fq. 1502/3)
Rri me ne, o Zot, se u bë natë e dita po shkon në të sosur!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
13 Po atë ditë, dy prej nxënësve, po shkonin në një fshat që quhet Emaus që është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje. 14 Ata bisedonin me njëri-tjetrin për të gjitha këto ngjarje.
15 Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. 16 Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin. 17 Ai i pyeti: “Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni mes jush udhës?” Ata u ndalën të trishtuar 18 e njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, i përgjigji: “A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çka ndodhi në të po në këto ditë?” 19 Ai i pyeti: “Po çka?” Ata iu përgjigjën: “Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, që ishte profet i madh me vepra e me fjalë në sy të Hyjit e të mbarë popullit; 20 si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan. 21 Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. E, përmbi të gjitha këto ‑ sot është e treta ditë që ndodhën këto ngjarje. 22 Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato qenë në agim te varri 23 e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë. 24 Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën shi ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë.” 25 Ai u tha: “O të pamend e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! 26 Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?” 27 E, që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin e shenjtë për të.
28 Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri kinse po vazhdonte udhën. 29 Po ata iu vunë: “Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!” Dhe hyri që të rrijë me ta. 30 Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha. 31 Atyre iu hapën sytë dhe e njohën... Por ai u zhduk para syve të tyre. 32 Atëherë i thanë njëri‑tjetrit: “Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin e shenjtë?”
33 U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta. 34 Të njëmbëdhjetët u thanë: “Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!” 35 Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoje, o Zot, flinë e shëlbimit të njerëzve dhe në mirësinë tënde na e jep shëndetin e shpirtit e të trupit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I PASHKËVE – I
Misteri i Pashkëve
45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
Në Meshën e Vigjiljes së Pashkëve thuhet: në këtë natë; të dielën e ngjalljes dhe në mbarë tetëditëshen e Pashkëve thuhet: në këtë ditë; pas tetëditëshes thuhet: në këtë kohë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare
në këtë (natë) (ditë) (kohë),
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë
që i shleu mëkatet e botës:
duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë
dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Kur përdoret Kanoni Romak, thuhen Të bashkuar dhe Pranoje me mirësi të veçantë.
Antifona e Kungimit Krh. Lk 24, 35
Natën e ngjalljes, nxënësit e njohën Jezusin kur e ndau bukën, aleluja.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi, o Zot, që ky kungim me sakramentin e Birit tënd, të na pastrojë prej mëkatit të vjetër dhe të na shndërrojë në krijesë të re. Nëpër Krishtin Zotin tonë.