Leximet e ditës

KOHA E PASHKËVE

 

E ENJTJA GJATË TETËDITËSHIT

 

Antifona e hyrjes Ur 10, 20-21

 

Njëzëri e lavdëruan, o Zot, dorën tënde fitimtare, sepse urtia e hapi gojën e memecëve dhe e pajisi me zhdërvjelltësi gjuhën e foshnjave, aleluja.

 

Thuhet Lavdi.

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti që popuj të ndryshëm i bashkove në shpalljen e emrit tënd, bëj që të gjithë të pagëzuarit t’i bashkojë feja në zemër dhe dashuria në veprimtari. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Vap 3, 11-26) (fq. 1548/9)

 

E vratë Jetëdhënësin, por Atë Hyji e ngjalli prej të vdekurve.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

 

Në ato ditë, 11 mbasi i shëruari nuk ndahej prej Pjetrit e Gjonit, mbarë populli, i mrekulluar, ngarendi tek ata në tremen që quhet e Salomonit.

12 Pjetri, kur i pa, iu drejtua popullit: “Burra të Izraelit, pse po çuditeni për këtë gjë? Pse po na shikoni thuajse ne me fuqinë tonë dhe me përshpirtërinë tonë kemi bërë që ky të ecë? 13 ‘Hyji i Abrahamit, [Hyji] i Izakut, [Hyji] i Jakobit, Hyji i etërve tanë e lavdëroi Shërbëtorin e vet Jezusin, të cilin ju e dorëzuat në vdekje dhe i ratë mohit përpara Pilatit, kur ky kishte vendosur ta lirojë. 14 Ju i ratë mohit Shenjtit dhe të Drejtit, e kërkuat që t’ju falej gjakësori 15 kurse Jetëdhënësin e vratë. Por Atë Hyji e ngjalli prej të vdekurve, për çka ne jemi dëshmitarë. 16 Dhe në saje të fesë në Emrin e Jezusit, shi Emri i Jezusit i dha forcë këtij njeriu që ju e njihni e po e shihni. Feja në Të ia ktheu shëndetin e plotë këtij njeriu në sy të të gjithë juve.

17 Por tani, o vëllezër, unë e di se, si ju si krerët tuaj, e bëtë atë gjë prej padijes. 18 Por në këtë mënyrë Hyji e çoi në vend atë që e kishte paralajmëruar me gojë të të gjithë profetëve: se Mesia i tij do të pësonte. 19 Pendohuni, pra, e kthehuni, që t’ju shlyhen mëkatet. 20 Atëherë Zoti do të çojë ditë ngushëllimi e do t’ju dërgojë Mesinë që për ju e kishte paracaktuar, domethënë Jezusin. 21 Tash për tash Jezusi duhet të qëndrojë në qiell deri në kohën e ripërtëritjes së gjithmbarshme, për të cilën Hyji ka folur përmes gojës së profetëve të vet të shenjtë ‑ që prej kohërave të lashta. 22 Edhe vetë Moisiu tha: ‘Zoti, Hyji juaj, do të ngrejë prej mesit të vëllezërve tuaj një profet sikurse mua; dëgjojeni atë gjithçka t’ju thotë! 23 Kushdo që s’ka për ta dëgjuar atë Profet, le të çrrënjoset prej popullit.’ 24 Po edhe të gjithë profetët ‑ qysh folën që prej Samuelit e këtej ‑ gjithashtu i paralajmëruan këto ditë.

25 Ju jeni bij profetësh dhe bij të Besëlidhjes që Hyji bëri me etërit tuaj, kur i tha Abrahamit: ‘Në saje të pasardhësve të tu do të bekohen të gjitha fiset e tokës.’ 26 Për ju, pra, më së pari Hyji e ngriti Shërbëtorin e vet dhe e dërgoi për t’ju bekuar ‑ që secili prej jush t’u shmanget veprave të veta të këqija.”

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 8, 2ab.5.6-7.8-9 (fq. 665)

 

Ref. Emri yt është i madh, o Zot, në mbarë tokën.

 

Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.

 

2 O Zot, Zoti ynë,

sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!

5 çka është atëherë njeriu që ta kujtosh,

biri i Adamit që të përkujdesesh për të?

 

Ref. Emri yt është i madh, o Zot, në mbarë tokën.

 

Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.

 

6 E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt,

e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,

7 i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua.

Gjithçka vure nën këmbët e tija.

 

Ref. Emri yt është i madh, o Zot, në mbarë tokën.

 

Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.

 

8 Delet e kafshët të gjitha,

për më tepër edhe egërsirat e fushës,

9 shpendët e ajrit dhe peshqit e detit,

të gjitha që përshkojnë udhët e detit!

 

Ref. Emri yt është i madh, o Zot, në mbarë tokën.

 

Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.

 

Aleluja!

Kjo është dita që e fali Zoti, të galdojmë e të gëzohemi. (Ps 118 (117), 24)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 24, 35-48) (fq. 1503)

 

Krishti duhej të pësonte e të ngjallej së vdekuri të tretën ditë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

35 Atëherë nxënësit nga Emausi u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën.

36 Ndërsa këta ende po bisedonin për këto ngjarje, vetë Jezusi zuri vend në mes të tyre dhe tha: “Paqja me ju!” 37 Të tmerruar dhe të frikësuar, mendonin se po shihnin ndonjë shpirt. 38 Jezusi u tha: “Pse po trembeni? Pse po dyshoni në zemrat tuaja? 39 Shikojini duart e mia e këmbët e mia: unë jam! Vetë! Më prekni e vërtetojeni! Shpirti s’ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!” 40 Si u tha kështu, u dëftoi duart e këmbët.

41 Pasi ata, prej gëzimit nuk mundën të besojnë, por kishin mbetur të habitur, Jezusi u tha: “A keni këtu ndonjë gjë për të ngrënë?” 42 Ata i sollën një kurm peshku të pjekur. 43 Jezusi e mori dhe e hëngri para tyre.

44 Atëherë u tha: “Këtë vështrim kishin fjalët që ju thosha kur ende isha me ju: ‘Duhet të shkojë në vend gjithçka u shkrua për mua në Ligjin e Moisiut, në Profetët e në Psalme. ’“ 45 Atëherë ua shndriti mendjen që t’i kuptonin Shkrimet 46 dhe u tha: “Kështu është në Shkrimin e shenjtë: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë. 47 Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. 48 Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoje, po të lutemi, o Zot, këtë fli që po ta kushtojmë si falënderim për të pagëzuarit dhe për të kërkuar ndihmën tënde në kohën e duhur. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I PASHKËVE – I

Misteri i Pashkëve

 

45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.

Në Meshën e Vigjiljes së Pashkëve thuhet: në këtë natë; të dielën e ngjalljes dhe në mbarë tetëditëshen e Pashkëve thuhet: në këtë ditë; pas tetëditëshes thuhet: në këtë kohë.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,

por sidomos të madhërojmë më me hare

në këtë (natë) (ditë) (kohë),

kur u flijua Krishti, Pashka jonë.

Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë

që i shleu mëkatet e botës:

duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë

dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.

Prandaj njerëzimi në mbarë botën

galdon me harenë e plotë të Pashkëve.

Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore

e këndojnë himnin e lavdisë sate

duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Kur përdoret Kanoni Romak, thuhen Të bashkuar dhe Pranoje me mirësi të veçantë.

 

Antifona e Kungimit Krh. 1 Pjt 2, 9

 

O popull që i përket Zotit, shpalli veprat e madhërueshme të tij, që të nxori nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme, aleluja.

 

Lutja pas kungimit

 

Dëgjoji, o Zot, lutjet tona, që me pjesëmarrje në të mirat e shëlbimit, të fitojmë ndihmë për jetën e tanishme e gëzimet e jetës së përhershme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.