Leximet e ditës

KOHA E PASHKËVE

 

E PREMTJA GJATË TETËDITËSHIT

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 77, 53

 

Zoti e nxori popullin e vet në shpresë, dhe deti i mbuloi armiqtë e tyre, aleluja.

 

Thuhet Lavdi.

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshueshëm, Ti në sakramentin e Pashkëve e vendose besëlidhjen e pajtimit me njerëzit; na ndihmo ta dëshmojmë me jetë misterin që e kremtojmë me fe. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Vap 4, 1-12) (fq. 1549)

 

Vetëm në Jezusin është shëlbimi.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

 

Në ato ditë, ndërsa Pjetri e Gjoni 1 po i flisnin popullit, iu afruan disa priftërinj, kryetari i rojës së Tempullit dhe disa saducenj 2 të hidhëruar pse e mësonin popullin dhe pse, në shembullin e Jezusit ‑ shpallnin ngjalljen e të vdekurve. 3 I kapën dhe i futën në burg deri të nesërmen, sepse ishte bërë natë. 4 Ndërkaq, shumë asish që dëgjuan fjalën e tyre, besuan dhe numri i burrave që besuan u kap kund në pesë mijë vetë.

5 Të nesërmen në Jerusalem u bashkuan në kuvend krerët, priftërinjtë dhe skribët [ 6 e me ta edhe kryeprifti Ana e Kajfa, Gjoni, Aleksandri dhe të gjithë anëtarët e familjeve të kryepriftërinjve]. 7 Ata i prunë apostujt në mes dhe i pyetën: “Me çfarë pushteti dhe në emër të kujt e bëtë këtë gjë?”

8 Atëherë Pjetri, plot me Shpirt Shenjt, u tha: “Kryetarë të popullit dhe pleq! 9 Pasi ju sot po na merrni në përgjegjësi për një vepër të mirë që ia bëmë një të sëmuri e po na pyesni si ky njeri u shërua; 10 le ta dijë secili prej jush dhe mbarë populli i Izraelit: ky njeri qëndron para jush shëndosh në saje të Emrit të Jezu Krishtit Nazarenas, që ju e kryqëzuat, por që Hyji e ngjalli prej së vdekuri. 11 Jezusi është ‘guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit,’ 12 e vetëm nëpër Të fitohet shëlbimi. Sepse, për të vërtetë, s’ka asnjë person tjetër nën këtë kupë qielli që Hyji ua dha njerëzve me anën e të cilit do të mund të shëlbohemi.”

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 118 (117), 1-2.4.22-24.25-27a (fq. 795)

 

Ref. Guri që qitën prej përdorimit ndërtuesit, u bë guri i këndit.

 

Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.

 

1 Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,

sepse e amshuar është dashuria e tij!

2 Le të thotë tashti Izraeli, Zoti është i mirë,

e përjetshme është dashuria e tij!

4 Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin,

e përjetshme është dashuria e tij!

 

Ref. Guri që qitën prej përdorimit ndërtuesit, u bë guri i këndit.

 

Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.

 

22 Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit,

erdhi e u bë guri i këndit;

23 Zoti e bëri këtë gjë:

sa mrekulli për sytë tanë!

24 Kjo është dita që na e dhuroi Zoti:

të galdojmë e të gëzojmë në të!

 

Ref. Guri që qitën prej përdorimit ndërtuesit, u bë guri i këndit.

 

Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.

 

25 Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd,

deh, o Zot, jepe të mbarën!

26 Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!

Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.

27 Hyji është Zot, ai na ndriçoi.

 

Ref. Guri që qitën prej përdorimit ndërtuesit, u bë guri i këndit.

 

Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.

 

Aleluja!

Kjo është dita që e fali Zoti, të galdojmë e të gëzohemi. (Ps 118 (117), 24)

Aleluja!

 

Ungjilli (Gjn 21, 1-14) (fq. 1542/3)

 

Jezusi u afrua, mori bukën e ua dha. Po ashtu edhe peshkun.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

Në atë kohë, 1 Jezusi prapë iu dëftua nxënësve në breg të detit të Tiberiadit. U dëftua kështu: 2 Ishin bashkë Simon‑Pjetri, Toma, që quhet Binjak, Natanaeli, nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë prej nxënësve të tij. 3 U tha Simon‑Pjetri: “Po shkoj të gjuaj peshk.” “Po vijmë edhe ne me ty!” ‑ i thanë ata. U nisën, pra, e hynë në lundër, por atë natë nuk zunë asgjë.

4 Kur zbardhi drita, ja, Jezusi në breg. Nxënësit nuk e dinin se ishte Jezusi. 5 Jezusi u tha: “Djelmosha, a keni ndopak peshk?” “Jo!” ‑ u përgjigjën ata. 6 Ai u tha: “Qitni rrjetën në anën e djathtë të lundrës e do të gjeni!” Ata e hodhën e nuk mund ta nxirrnin, aq u ngarkua me peshk. 7 Atëherë ai nxënësi, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Është Zotëria!” Simon‑Pjetri, si dëgjoi se është Zotëria, u mbështoll me petkun e sipërm ‑ sepse ishte i zhveshur ‑ dhe u hodh në det. 8 Nxënësit tjerë erdhën me lundër duke hequr rrjetën me peshk, sepse nuk ishin larg bregut ‑ kund dyqind kutë.

9 Si dolën në tokë, panë zjarrin me prush e mbi të peshk, dhe bukë. 10 Jezusi u tha: “Bini ndonjë nga peshqit që zutë tani!” 11 Atëherë Simon‑Pjetri hipi në lundër, e nxori në tokë rrjetën plot me peshk: njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Dhe, megjithëse ishin aq shumë, prapë nuk u shqye rrjeta. 12 Jezusi u tha: “Ejani e hani!” Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë: “Kush je ti?”, sepse e dinin mirë se ishte Zotëria. 13 Jezusi u afrua, mori bukën e ua dha. Po ashtu edhe peshkun. 14 Ishte kjo hera e tretë që Jezusi iu dëftua nxënësve të vet pasi u ngjall së vdekuri.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Plotësoje në ne, o Zot, shkëmbimin e shënuar në këto kushte Pashkore, që dashuria që kemi për këtë botë të shndërrohet në dashurinë për të mirat qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I PASHKËVE – I

Misteri i Pashkëve

 

45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.

Në Meshën e Vigjiljes së Pashkëve thuhet: në këtë natë; të dielën e ngjalljes dhe në mbarë tetëditëshen e Pashkëve thuhet: në këtë ditë; pas tetëditëshes thuhet: në këtë kohë.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,

por sidomos të madhërojmë më me hare

në këtë (natë) (ditë) (kohë),

kur u flijua Krishti, Pashka jonë.

Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë

që i shleu mëkatet e botës:

duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë

dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.

Prandaj njerëzimi në mbarë botën

galdon me harenë e plotë të Pashkëve.

Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore

e këndojnë himnin e lavdisë sate

duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Kur përdoret Kanoni Romak, thuhen Të bashkuar dhe Pranoje me mirësi të veçantë.

 

Antifona e Kungimit Krh. Gjn 21, 12-13

 

Jezusi u tha nxënësve të vet: Ejani dhe hani. Dhe mori bukën e u dha atyre, aleluja.

 

Lutja pas kungimit

 

Mbroji vazhdimisht, po të lutemi, o Zot, ata që me mirësinë tënde i ke shpëtuar, që, të shëlbuar në saje të mundimit të Birit tënd, t’i gëzohen ngjalljes së tij, që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.