Leximet e ditës
KOHA E PASHKËVE
E SHTUNA GJATË TETËDITËSHIT
Antifona e hyrjes Ps 104, 43
Zoti e nxori popullin e vet me brohori, plot gëzim të zgjedhurit e vet, aleluja.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj, Ti me hirin tënd të begatshëm e shton numrin e popujve që besojnë në ty, priri sytë mbi të zgjedhurit e tu të rilindur me sakramentin e pagëzimit dhe veshi me petkun e pavdekësisë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Vap 4, 13-21) (fq. 1510)
Nuk mundemi që të mos flasim për çka kemi parë e dëgjuar!
Lexim prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë, 13 krerët e pleqtë kur panë guximin e patrandshëm të Pjetrit e të Gjonit e, pasi e dinin se janë njerëz të thjeshtë e të pashkollë, mbetën thellësisht të habitur. E dinin se kishin qenë me Jezusin, 14 por s’dinin ç’t’u thoshin, sepse e shihnin njeriun e shëruar në këmbë afër tyre.
15 Prandaj i urdhëruan të dilnin nga Këshilli e filluan të këshillohen në mes tyre. 16 Thoshin: “Çka të bëjmë me këta njerëz? Kanë bërë mrekulli të qartë, të cilën e pranojnë të gjithë jerusalemasit dhe nuk është punë që mund ta mohojmë. 17 Por, që ngjarja të mos përhapet më tepër në popull, po ua ndalojmë rreptësishtë që t’i flasin më ndokujt për atë Emër.” 18 I thirrën brenda dhe i urdhëruan rreptësishtë që në të ardhmen askujt të mos i flasin as të mos mësojnë në Emër të Jezusit. 19 Porse Pjetri e Gjoni u përgjigjën: “Gjykoni ju vetë a është e drejtë para Hyjit: të dëgjojmë më parë ju se Hyjin? 20 Ne, veç, nuk mundemi që të mos flasim për çka kemi parë e dëgjuar!”
21 Ata, pasi i qortuan përsëri, i lanë të shkojnë; ngase nuk gjetën ndonjë arsye pse t’i ndëshkojnë për shkak të popullit, sepse të gjithë i jepnin lavdërim Hyjit për mrekullinë që u bë.
Fjala e Zotit
Psalmi 118 (117), 1.14.15ab.16-18.19-21 (fq. 795)
Ref. Të falënderoj, o Zot, sepse mu përgjigje.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
1 Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e amshuar është dashuria e tij!
14 Fuqia ime e lavdia ime është Zoti,
ai është shpëtimtari im.
15 Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi
në tendat e të drejtëve:
16 "E djathta e Zotit u madhërua!
Ref. Të falënderoj, o Zot, sepse mu përgjigje.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
E djathta e Zotit më lartësoi!
E djathta e Zotit u madhërua!"
17 S'do të vdes, të jetoj dua,
do t'i kumtoj veprat e Zotit!
18 Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi,
por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.
Ref. Të falënderoj, o Zot, sepse mu përgjigje.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
19 M'i hapni dyert e drejtësisë,
dua të hyj e t'i thur lavde Zotit.
20 Ja, këtu është dera e Zotit;
nëpër të do të hyjnë të drejtët.
21 Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar,
dhe u bëre Shpëtimtari im.
Ref. Të falënderoj, o Zot, sepse mu përgjigje.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
Aleluja!
Kjo është dita që e fali Zoti, të galdojmë e të gëzohemi. (Ps 118 (117), 24)
Aleluja!
Ungjilli (Mk 16, 9-15) (fq. 1455)
Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
9 Si u ngjall, Jezusi, herët në mëngjes, të parën ditë të javës, më së pari iu dëftua Marisë Magdalenë, prej së cilës pati dëbuar shtatë shpirtra të ndytë. 10 Ajo shkoi e u tregoi atyre që kishin qenë me të, që tani ishin në zi dhe e qanin. 11 Kur ata dëgjuan se është gjallë dhe se kjo e kishte parë, nuk i besuan. 12 Pastaj Jezusi iu dëftua në një trajtë tjetër, udhës, dy prej nxënësve që po shkonin në fshat. 13 Ata u kthyen e u treguan të tjerëve. As këtyre nuk u besuan.
14 Në fund iu dëftua të Njëmbëdhjetëve ndërkohë që po ndodheshin në tryezë. I qortoi për pabesimin e tyre dhe për ngurtësinë e zemrës, pse s’u besuan atyre që e kishin parë të ngjallur prej së vdekuri. 15 Dhe u tha: “Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Bëj, po të lutemi, o Zot, të gëzohemi gjithmonë për këto mistere të Pashkëve, që veprimi i vazhdueshëm shpëtimprurës të bëhet për ne burim i pashtershëm hareje. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I PASHKËVE – I
Misteri i Pashkëve
45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
Në Meshën e Vigjiljes së Pashkëve thuhet: në këtë natë; të dielën e ngjalljes dhe në mbarë tetëditëshen e Pashkëve thuhet: në këtë ditë; pas tetëditëshes thuhet: në këtë kohë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare
në këtë (natë) (ditë) (kohë),
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë
që i shleu mëkatet e botës:
duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë
dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Kur përdoret Kanoni Romak, thuhen Të bashkuar dhe Pranoje me mirësi të veçantë.
Antifona e Kungimit Gal 3, 27
Ju të gjithë që jeni pagëzuar në Krishtin, me Krishtin jeni veshur, aleluja.
Lutja pas kungimit
Shikoje me mirësi, o Zot, popullin tënd që e përtërite me sakramentet e përjetshme, bëj të arrijë ngjalljen e trupit në lavdi. Nëpër Krishtin Zotin tonë.