Leximet e ditës

JAVA E DYTË E PASHKËVE

 

E DIELA E MËSHIRËS HYJNORE

 

A

 

Antifona e hyrjes Pjt 2, 2

 

Porsi foshnjat e sapolindura dëshironi qumështin shpirtëror të pastër, që me anë të tij të rriteni në shpëtim, aleluja.

 

Ose: 4 Ezd 2, 36-37

 

Pranoni me hare lavdinë tuaj, falënderoni Hyjin, i cili ju grishi në mbretërinë qiellore, aleluja.

 

Thuhet Lavdi.

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj i mëshirës së pakufi, me kremtimin e përvitshëm të Pashkëve Ti e ndez fenë e popullit të kushtuar ty, shtoje në ne hirin tënd, që ta kuptojmë më mirë vlerën e paçmueshme të pagëzimit që na pastroi, të Shpirtit Shenjt që na rilindi, të gjakut që na shëlboi. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Vap 2, 42-47) (fq. 1548)

 

Të gjithë ata që besuan qëndronin së bashku dhe gjithçka kishin të përbashkët.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

 

Vëllezërit, 42 ishin vazhdimisht të kujdesshëm për ta përvetësuar mësimin e apostujve dhe nuk mungonin në mbledhjet vëllazërore, në ndarjen e bukës e në lutje. 43 Një frikë e madhe pushtonte çdo njeri: apostujt bënin shumë mrekulli dhe shenja të bindshme.

44 Të gjithë ata që besuan, qëndronin së bashku dhe gjithçka kishin të përbashkët. 45 Shitnin pronat dhe pasuritë që kishin dhe ua ndanin të gjithëve si kush kishte nevojë. 46 Për çdo ditë shkonin së bashku e rregullisht në Tempull, në shtëpi ndanin bukën dhe me hare e me thjeshtësi ushqeheshin të gjithë së bashku. 47 I jepnin lavdi Hyjit e mbarë populli i kishte fort për hir. Vetë Zoti çdo ditë i shtonte bashkësisë nga ata që shëlbohen.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 118 (117), 2-4.13-15.22-24 (fq. 795)

 

Ref. Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, sepse e përjetshme është dashuria e tij.

 

Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.

 

2 Le të thotë tashti Izraeli, Zoti është i mirë,

e përjetshme është dashuria e tij!

3 Le të thotë tani shtëpia e Aronit,

e përjetshme është dashuria e tij!

4 Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin,

e përjetshme është dashuria e tij!

 

Ref. Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, sepse e përjetshme është dashuria e tij.

 

Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.

 

13 Më shtytën, më dhanë shtytje për të më rrëzuar,

por më ndihmoi ndihma e Zotit.

14 Fuqia ime e lavdia ime është Zoti,

ai është shpëtimtari im.

15 Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi

në tendat e të drejtëve:

16 »E djathta e Zotit u madhërua!

E djathta e Zotit më lartësoi!

 

Ref. Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, sepse e përjetshme është dashuria e tij.

 

Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.

 

22 Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit,

erdhi e u bë guri i këndit;

23 Zoti e bëri këtë gjë:

sa mrekulli për sytë tanë!

24 Kjo është dita që na e dhuroi Zoti:

të galdojmë e të gëzojmë në të!

 

Ref. Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, sepse e përjetshme është dashuria e tij.

 

Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.

 

Leximi i dytë (1 Pjt 1, 3-9) (fq. 1709/10)

 

Na rilindi me anë të mëshirës së vet të pakufi në saje të ngjalljes prej të vdekurish të Jezu Krishtit.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Pjetrit apostull

 

3 Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na rilindi me anë të mëshirës së vet të pakufi në saje të ngjalljes prej të vdekurish të Jezu Krishtit, për shpresën jetësore, 4 për trashëgim të pashkatërrueshëm, të panjollë e të pavyshkshëm që e ruajti për ju në qiell; 5 për ju që jeni të ruajtur me fuqinë e Hyjit në saje të fesë për shëlbimin që është gati të zbulohet në kohën e fundit.

 6 Këndej gëzoheni edhe pse, në qoftë se duhet, për pak kohë jeni të trishtuar për shkak të provave të ndryshme, 7 që feja juaj e sprovuar - shumë më e çmueshme se ari i shkatërrueshëm, që edhe ai sprovohet në zjarr - të fitojë lëvdatë, nder dhe lavdi në ditën e Zbulesës së Jezu Krishtit: 8 Atë e doni edhe pse nuk e patë, në Atë besoni edhe pse ende nuk e shihni; dhe galdoni me gëzim të patregueshëm dhe të lavdishëm, 9 që ia arritët qëllimit të fesë suaj: shëlbimit të shpirtit.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

“Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!” (Gjn 20, 29)

Aleluja!

 

Ungjilli (Gjn 20, 19-31) (fq. 1541/2)

 

Pas tetë ditëve erdhi Jezusi.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

19 Në mbrëmjen e po asaj dite ‑ të parën ditë të javës ‑ ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” 20 Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. 21 Pastaj u tha prapë: “Paqja me ju! Siç më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.”

22 Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! 23 Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.”

24 Porse Toma, njëri prej të Dymbëdhjetëve ‑ ai që quhet Binjak ‑ nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. 25 I thanë, pra, nxënësit e tjerë: “E pamë Zotërinë!” Toma u përgjigj: “Pa e parë në duart e tija vrragën e gozhdëve e pa e vënë gishtin tim në vendin e gozhdëve; pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.”

26 Pas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” 27 Pastaj i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu dhe ja, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!” 28 Toma iu përgjigj: “Zotëria im dhe Hyji im!” 29 Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!”

30 Jezusi bëri ndër sy të nxënësve [të vet] edhe shumë mrekulli të tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. 31 Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij.

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

Pranoji me mirësi, o Zot, kushtet

e popullit tënd (dhe të të pagëzuarve të rinj),

që, ata të cilët janë ripërtërirë

me shpalljen e emrit tënd dhe me pagëzim,

ta fitojnë lumturinë e përhershme.

Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I PASHKËVE – I

Misteri i Pashkëve

 

45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.

Në Meshën e Vigjiljes së Pashkëve thuhet: në këtë natë; të dielën e ngjalljes dhe në mbarë tetëditëshen e Pashkëve thuhet: në këtë ditë; pas tetëditëshes thuhet: në këtë kohë.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,

por sidomos të madhërojmë më me hare

në këtë (natë) (ditë) (kohë),

kur u flijua Krishti, Pashka jonë.

Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë

që i shleu mëkatet e botës:

duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë

dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.

Prandaj njerëzimi në mbarë botën

galdon me harenë e plotë të Pashkëve.

Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore

e këndojnë himnin e lavdisë sate

duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Kur përdoret Kanoni Romak, thuhen Të bashkuar dhe Pranoje me mirësi të veçantë.

 

Antifona e Kungimit Krh. Gjn 20, 27

 

Shtjere gishtin tënd e shihi vërragët e gozhdëve dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar, aleluja.

 

Lutja pas kungimit

 

Bëj, po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, që fuqia e sakramentit të Pashkëve që kemi marrë të qëndrojë vazhdimisht në zemrat tona. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Mund të përdoret trajta e bekimit kremtor të Meshës në fq. 299.

Në lëshim të popullit, këndohet ose thuhet:

 

Mesha u krye: shkoni në paqe, aleluja, aleluja.

P. Falënderojmë Hyjin, aleluja, aleluja.