Leximet e ditës
JAVA E DYTË E PASHKËVE
E MARTË
Antifona e hyrjes Zb 19, 7. 6
Le të galdojmë e të brohorisim dhe t’i japim lavdi Hyjit, sepse mbretëroi Zoti, Hyji ynë, i Gjithëpushtetshmi, aleluja.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm, bëj, po të lutemi, ta shpallim fuqinë e Krishtit të ngjallur, që, sikurse e morëm pengun e jetës së re, të mund të çmojmë të gjitha dhuratat që na jepen. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Vap 4, 32-37) (fq. 1550/1)
Një zemër e vetme dhe një shpirt i vetëm.
Lexim prej Veprave të Apostujve
32 Në bashkësinë e besimtarëve mbretëronte një përkim i plotë. Askush nuk e quante të vetën çkado që kishte, por ndër ta gjithçka ishte e përbashkët.
33 Apostujt me fuqi të madhe jepnin dëshmi mbi ngjalljen e Zotërisë Jezus e të gjithë gëzonin nderim të madh.
34 Gjithashtu askush prej sish nuk ishte skamnor, sepse ata që kishin ara e shtëpi i shitnin e çmimin e shitjes e binin 35 dhe e vinin te këmbët e apostujve. Atëherë secilit i jepej aq sa kishte nevojë. 36 Kështu Jozefi, të cilin apostujt e quajtën Barnabë ‑ që do të thotë: biri i ngushëllimit ‑ levit, me prejardhje qipriot, 37 kishte një tokë; e shiti e të hollat ua solli apostujve.
Fjala e Zotit
Psalmi 93 (92), 1ab.1cd-2.5 (fq. 766)
Ref. Në mes nesh mbretëron Hyji i madhërueshëm.
1 Hyji mbretëron! U vesh me madhëri!
Zoti u vesh, me fuqi u ngjesh.
Ref. Në mes nesh mbretëron Hyji i madhërueshëm.
Të palëkundshme e bëri botën:
assesi s’do të trandet!
2 I patundshëm është froni yt qysh prej fillimit,
ti je i amshueshëm!
Ref. Në mes nesh mbretëron Hyji i madhërueshëm.
5 Dëshmitë e tua janë plotësisht të besueshme,
shenjtëria i përket Shtëpisë sate
përgjithmonë e jetës, o Zot.
Ref. Në mes nesh mbretëron Hyji i madhërueshëm.
Aleluja!
Biri i njeriut duhet të lartësohet, që kushdo të besojë në të ta ketë jetën e pasosur. (krh. Gjn 3, 15)
Aleluja!
Ungjilli (Gjn 3, 7-15) (fq. 1508/09)
Askush nuk u ngjit në qiell, përveç Birit të njeriut që zbriti nga qielli.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi i tha Nikodemit: 7 Mos u çudit që të thashë: ‘Duhet të lindni përsëri prej së Larti.’ 8 Era fryn në drejtimin që do; ia dëgjon ushtimën e nuk di nga vjen e kah shkon. Kështu ndodh edhe me secilin që lind prej Shpirtit.”
9 Nikodemi e pyeti: “Si mund të bëhet kjo gjë?” 10 Jezusi iu përgjigj: “Ti je mësues i Izraelit e nuk merr vesh kaq? 11 Për të vërtetë, për të vërtetë, po të them: ne flasim çka dimë e dëshmojmë çka pamë, e megjithatë nuk e pranoni dëshminë tonë. 12 Nëse nuk më besoni kur ju flas për gjëra që ndodhin në tokë si do të më besoni në qoftë se ju flas për gjërat e qiellit? 13 Askush nuk u ngjit në qiell, përveç Birit të njeriut që zbriti nga qielli. 14 Dhe, sikurse Moisiu e lartësoi gjarprin në shkretëtirë, po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut, 15 që kushdo të besojë në të ta ketë jetën e pasosur.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Bëj, po të lutemi, o Zot, të gëzohemi gjithmonë për këto mistere të Pashkëve, që veprimi i vazhdueshëm shpëtimprurës të bëhet për ne burim i pashtershëm hareje. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I PASHKËVE – IV
Ripërtritja e gjithësisë me anë të misterit të Pashkëve
48. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Me fitoren mbi mëkatin,
rimëkëmbet mbarë rruzullimi
e në Krishtin, na ripërtërihet jeta.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
PREFACIONI I PASHKËVE – V
Krishti prift dhe fli
49. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Ai, duke e kushtuar trupin e vet,
flitë e vjetra i përmbushi
në flinë e vërtetë të kryqit
dhe duke u dorëzuar në duart e tua për shpëtimin tonë,
u dëftua prift, altar dhe qengj i vërtetë.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Krh. Lk 24, 46. 26
U desh që Krishti të pësojë mundimet dhe të ringjallet nga të vdekurit për të hyrë në lavdinë e vet, aleluja.
Lutja pas kungimit
Dëgjoji, o Zot, lutjet tona, që me pjesëmarrje në të mirat e shëlbimit të fitojmë ndihmë për jetën e tanishme e gëzimet e jetës së përhershme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.