Leximet e ditës
JAVA E DYTË E PASHKËVE
E MËRKURË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 17, 50; 21, 23
Do të të lavdëroj, o Zot, në mes të popujve, do ta shpall emrin tënd ndër vëllezërit e mi, aleluja.
Kolekta
O Hyj, në përkujtimin vjetor të mistereve, me të cilat njeriun e ripërtërive në dinjitetin e zanafillës dhe ia dhurove shpresën e ngjalljes, me përvujtëri po i lutemi mirësisë sate bëj të fitojmë me dashuri të përhershme atë që kremtojmë me fe. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Vap 5, 17-26) (fq. 1551/2)
Njerëzit që ju i qitët në burg qe, janë në Tempull e po mësojnë popullin.
Lexim prej Veprave të Apostujve
Në atë kohë, 17 u ngrit kryeprifti dhe mbarë ata të partisë së tij ‑ sekti i saducenjve. Plot smirë 18 vunë dorë në apostuj dhe i hodhën në burg të përgjithshëm.
19 Natën engjëlli i Zotit hapi dyert e burgut, i nxori përjashta dhe u tha: 20 “Shkoni në Tempull dhe vazhdoni t’ia kumtoni popullit të gjitha fjalët e kësaj Jete.” 21 Ata dëgjuan dhe, në agim, hynë në Tempull dhe mësonin.
Ndërkaq arriti kryeprifti dhe ndjekësit e tij, thirrën Këshillin e Lartë dhe mbarë parësinë e bijve të Izraelit dhe dërguan në burg për të sjellë apostujt. 22 Kur rojtarët mbërritën atje, nuk i gjetën në burg. U kthyen dhe lajmëruan: 23 ”Burgun e gjetëm të mbyllur me kujdes dhe rojtarët bënin rojë para derës, por kur e hapëm, nuk gjetëm askënd brenda.” 24 Komandanti i rojës së Tempullit dhe kryepriftërinjtë kur e dëgjuan lajmin, të habitur, pyesnin: “Çka do të thotë kjo punë?” 25 Atëherë ia behu dikush dhe u tha: “Njerëzit që ju i futët në burg, ja, janë në Tempull e po mësojnë popullin.”
26 Atëherë komandanti shkoi me rojtarë dhe i solli ‑ por jo me dhunë ‑ sepse e kishin frikë popullin se mos i vriste me gurë.
Fjala e Zotit
Psalmi 34 (33), 2-3.4-5.6-7.8-9 (fq. 693)
Ref. Skamnori thërret në ndihmë e Zoti e dëgjon.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
2 Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë lavdi i tij.
3 Shpirti im mburret në Zotin:
le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.
Ref. Skamnori thërret në ndihmë e Zoti e dëgjon.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
4 Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,
le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
5 E kërkova Zotin e ai më dëgjoi
edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
Ref. Skamnori thërret në ndihmë e Zoti e dëgjon.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
6 Shikojeni atë e do të ndriçoheni
fytyra juaj nuk do të turpërohet.
7 Ja, ky skamnor e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi
dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija.
Ref. Skamnori thërret në ndihmë e Zoti e dëgjon.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
8 Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre
që e kanë frikë dhe i shpëton.
9 Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti!
I lumi ai që shpreson në të!
Ref. Skamnori thërret në ndihmë e Zoti e dëgjon.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
Aleluja!
Hyji aq fort e deshi botën sa që e dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, ta ketë jetën e pasosur. ( Gjn 3, 16)
Aleluja!
Ungjilli (Gjn 3, 16-21) (fq. 1509)
Hyji e dërgoi Birin e vet në botë që ta shpëtojë.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi i tha Nikodemit: 16 Vërtetë Hyji aq fort e deshi botën sa që e dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur. 17 Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të. 18 Kush beson në të, nuk dënohet, ndërsa, kush nuk beson, ai është dënuar që tani, pse nuk besoi në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit.
19 E gjykimi është ky: Drita erdhi në botë, por njerëzit më tepër deshën errësirën se dritën, sepse veprat i kishin të këqija. 20 Vërtet, kushdo që bën të keqen, e urren dritën dhe nuk del në dritë që të mos i zbulohen veprat e tija, 21 kurse ai që e vë në zbatim të vërtetën, ai del në dritë që të dalë ballafaqe se veprat e tija u bënë siç thotë Hyji.”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
O Hyj, me shkëmbimin e mrekullueshëm të kësaj flie Ti na bën pjesëtarë të natyrës sate hyjnore, bëj, po të lutemi, që sikurse e kemi njohur të vërtetën tënde, po ashtu edhe ta dëshmojmë me jetë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I PASHKËVE – I
Misteri i Pashkëve
45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare
në këtë (natë) (ditë) (kohë),
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë
që i shleu mëkatet e botës:
duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë
dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
PREFACIONI I PASHKËVE – II
Jeta e re në Krishtin
46. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Nëpër të lindin bijtë e dritës për jetën e pasosur
dhe besimtarëve u hapen dyert e parajsës.
Me vdekjen e tij u shëlbua vdekja jonë,
e në ngjalljen e tij u ngjall edhe jeta e të gjithëve.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Krh. Gjn 15, 16.19
Unë ju zgjodha nga bota dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryte, thotë Zoti e fryti juaj të qëndrojë, aleluja.
Lutja pas kungimit
O Zot, ji gjithmonë me popullin tënd, dhe, pasi e ushqeve atë me misteret qiellore, bëj të kalojë nga ligështia e tanishme në jetën e re. Nëpër Krishtin Zotin tonë.