Leximet e ditës
JAVA E DYTË E PASHKËVE
E ENJTE
Antifona e hyrjes Krh. Ps 67, 8-9.20
O Hyj, kur dilje para popullit tënd, kur e hapje udhën e banoje ndër ta, toka trandej, qielli vesonte, aleluja.
Kolekta
O Hyj, Ti e përgatite flinë pashkore për shpëtimin e botës, prano me mirësi lutjet e popullit tënd, që Krishti, Bariu dhe ndërmjetësi ynë, njeri si ne, të na pajtojë dhe Hyj si Ti, të na shenjtërojë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Vap 5, 27-33) (fq. 1552)
Për këto ngjarje jemi dëshmitarë ne dhe Shpirti Shenjt.
Lexim prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë, (komandanti dhe shërbëtorët) 27 posa i sollën apostujt, i qitën para Këshillit të Lartë. Kryeprifti i pyeti: 28 “Po a nuk ju kemi urdhëruar zyrtarisht që të mos mësoni më në atë Emër? Dhe, ja, ju e keni mbushur mbarë Jerusalemin me mësimin tuaj dhe doni ta ngarkoni mbi ne gjakun e atij njeriu.”
29 Pjetri dhe apostuj u përgjigjën: “Duhet më tepër të dëgjohet Hyji se sa njerëzit. 30 Hyji i etërve tanë e ngjalli Jezusin të cilin ju e vratë duke e gozhduar në kryq. 31 Ky është ai, që Hyji me të djathtën e vet e lartësoi dhe e bëri Prijës e Shëlbues për t’i dhuruar Izraelit hirin e kthimit e faljen e mëkateve. 32 Për këto ngjarje jemi dëshmitarë ne dhe Shpirti Shenjt, të cilin ua dha Hyji atyre që i nënshtrohen.”
33 Kur anëtarët e Këshillit i dëgjuan këto fjalë u hidhëruan tepër dhe deshën t’i vrasin.
Fjala e Zotit
Psalmi 34 (33), 2.9.17-18.19-20 (fq. 693)
Ref. Dëgjoje, o Zot, klithjen e të varfrit.
2 Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë lavdi i tij.
9 Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti!
I lumi ai që shpreson në të!
Ref. Dëgjoje, o Zot, klithjen e të varfrit.
17 Fytyra e Zotit është kundër bakëqijve
për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre.
18 Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon,
i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.
Ref. Dëgjoje, o Zot, klithjen e të varfrit.
19 Zoti është afër atyre që pendohen me zëmër,
i shpëton shpirtpërgrirët.
20 Sado të vështira të ketë i drejti,
prej të gjithave do ta shpëtojë Zoti.
Ref. Dëgjoje, o Zot, klithjen e të varfrit.
Aleluja!
Pse po më sheh, o Tomë, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë! (Gjn 20,29)
Aleluja!
Ungjilli (Gjn 3, 31-36) (fq. 1509/10)
Ati e do Birin dhe atij i la në dorë gjithçka.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi i tha Nikodemit: 31 “Kush vjen prej së Larti, ai është mbi të gjithë! Kush është nga toka, tokësor është dhe flet për gjërat e tokës. Ai që vjen prej qiellit [ai është mbi të gjithë]: 32 dëshmon çka pa e çka dëgjoi, por dëshminë e tij askush s’e pranon. 33 Kush e pranon dëshminë e tij, pohon se Hyji është i vërtetë. 34 Vërtet, i dërguari i Hyjit flet fjalët e Hyjit ‑ sepse Hyji nuk e jep Shpirtin me masë.
35 Ati e do Birin dhe atij i la në dorë gjithçka. 36 Kush beson në Birin ka jetën e pasosur, përkundrazi, ai që nuk beson në Birin nuk do ta shohë jetën: hidhërimi i Hyjit peshon mbi të.”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
U ngjitshin te Ti, o Zot, lutjet tona bashkë me kushtet e flisë eukaristike; na pastro në mirësinë tënde që t’u përgjigjemi sakramenteve të dashurisë sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I PASHKËVE – II
Jeta e re në Krishtin
46. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Nëpër të lindin bijtë e dritës për jetën e pasosur
dhe besimtarëve u hapen dyert e parajsës.
Me vdekjen e tij u shëlbua vdekja jonë,
e në ngjalljen e tij u ngjall edhe jeta e të gjithëve.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
PREFACIONI I PASHKËVE – III
Krishti i ngjallur gjithmonë ndërmjetëson për ne
47. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Ai nuk pushon së flijuari për ne
dhe na mbron duke ndërmjetësuar përjetësisht para teje.
Një herë i flijuar, më nuk vdes,
një herë i vrarë, jeton për amshim.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Mt 28, 20
Ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në mbarimin e botës, aleluja.
Lutja pas kungimit
O Hyji i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, me ngjalljen e Krishtit Ti na përtërin për jetën e përhershme: shumëzoji në ne frytet e sakramentit të Pashkëve dhe na forco në saje të ushqimit të shpëtimit tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.