Leximet e ditës

JAVA E DYTË E PASHKËVE

 

E PREMTE

 

Antifona e hyrjes Zb 5, 9-10

 

Me gjakun tënd, o Zot, i shëlbove për Hyjin njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie: i bëre për Hyjin tonë mbretëri e priftërinj, aleluja.

 

Kolekta

 

O Hyj, shpresa e drita e zemrave të çiltra, me përvujtëri po të lutemi: bëj që zemrat tona të jenë të denja të të afrohen në lutje dhe të të lëvdojnë gjithmonë me hare. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Vap 5, 34-42) (fq. 1552/3)

 

Apostujt e lëshuan Këshillin plot gëzim pse qenë çmuar të denjë të durojnë ndonjë fyerje për nder të emrit të Jezusit.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

 

Atëherë, 34 u ngrit në Kuvend një farise, me emër Gamaliel, mësues Ligji, të cilin e nderonte mbarë populli. Ky kërkoi të qiten njerëzit jashtë për një çast. 35 Atëherë u tha këshilltarëve: “O burra izraelas, mendoni mirë se çka do të bëni me këta njerëz. 36 Nuk ka shumë kohë që u ngrit Teuda dhe pohonte se është njeri me rëndësi: rreth tij u bashkuan afro katërqind vetë. Ai qe vrarë e të gjithë ata që e patën ndjekur, u shpërndanë dhe u asgjësuan. 37 Pas tij, në kohën e njehsimit të popullsisë u paraqit Juda Galileas dhe tërhoqi pas vetes një shumicë njerëzish. E vranë edhe atë po edhe të gjithë ndjekësit e tij u shpartalluan. 38 Tashti në këtë rast unë po ju them: shporruni këtyre e lini të shkojnë! Sepse, në qoftë ajo nismë ose vepër prej njerëzisht, do të mbarojë; 39 porse, në qoftë se vërtet vjen prej Hyjit, s’do të mund ta asgjësoni. Vërjani mendjen të mos bini në luftë kundër Hyjit!”

Ata ia pranuan këshillën. 40 I thirrën apostujt, i rrahën me frushkull, i urdhëruan që të mos flasin më në Emër të Jezusit dhe i lëshuan. 41 Apostujt e lanë Këshillin plot gëzim pse qenë çmuar të denjë të durojnë ndonjë fyerje për nder të emrit të Jezusit.

42 Dhe çdo ditë, si në Tempull ashtu edhe në shtëpi, nuk pushonin së mësuari e shpalluri Lajmin e mirë mbi Jezusin Mesi.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 27 (26), 1.4.13-14 (fq. 685)

 

Ref. Një gjë i kërkova Zotit: të banoj në shtëpinë e tij.

 

1 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im,

kë do të kem frikë?

Zoti është mbrojtësi i jetës sime,

para kujt do të dridhem?

 

Ref. Një gjë i kërkova Zotit: të banoj në shtëpinë e tij.

 

4 Për një gjë të vetme i lutem Zotit,

vetëm atë ia kërkoj

që të jetoj në Shtëpinë e Zotit

të gjitha ditët e jetës sime,

që ta shijoj kënaqësinë e Zotit

e ta vërej Shtëpinë e Zotit.

 

Ref. Një gjë i kërkova Zotit: të banoj në shtëpinë e tij.

 

13 Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit

në tokën e të gjallëve.

14 Shpreso në Zotin: bëhu burrë!

Ji zemërfortë e prite Zotin!

 

Ref. Një gjë i kërkova Zotit: të banoj në shtëpinë e tij.

 

Aleluja!

Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit. (Mt 4, 4b)

Aleluja!

 

Ungjilli (Gjn 6, 1-15) (fq. 1513/4)

 

Jezusi u shpërndau bukë atyre që ishin ulur, aq sa deshën.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

1 Në atë kohë Jezusi kaloi në anën tjetër të detit të Galilesë, që quhet edhe i Tiberiadit. 2 E ndiqte një shumicë e madhe, sepse shihnin mrekullitë që bënte në të sëmurë. 3 Jezusi u ngjit në një kodër, ku u ul të rrijë bashkë me nxënësit e vet. 4 Ishin afër Pashkët, e kremtja e judenjve.

5 Jezusi çoi sytë dhe pa një shumicë të madhe njerëzish që po vinte tek ai e i tha Filipit: “Ku do të blejmë bukë që të hanë këta njerëz?” 6 Foli kështu për ta sprovuar, sepse ai vetë e dinte se çka kishte në mend të bënte. 7 “As dyqind denarë bukë ‑ iu përgjigj Filipi ‑ nuk do të dilnin mjaft për t’i dhënë secilit nga një grimë.”

8 I tha njëri nga nxënësit, Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit: 9 “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, çka janë këto për kaq njerëz?” 10 Jezusi u tha: “Thoniu njerëzve të ulen.” Në atë vend kishte shumë bar. U ulën, pra, rreth pesë mijë burra.

11 Jezusi mori bukët, falënderoi dhe ua dha atyre që ishin ulur. Po ashtu edhe prej peshqve ‑ aq sa deshën. 12 E kur u nginë, u tha nxënësve të vet: “Mblidhni tepricat që të mos tresë asgjë.” 13 I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copat që u tepruan atyre që hëngrën prej pesë bukësh elbi.

14 Njerëzit, kur panë mrekullinë që bëri Jezusi, thanë: “Ky është përnjëmend Profeti që duhet të vijë në botë.” 15 Kur Jezusi hetoi se duan të vijnë e ta kapin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri në mal, krejtësisht vetëm.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji me mirësi, o Zot, kushtet tona dhe na ruaj nën mbrojtjen tënde, që të mos bjerrim asnjë nga të mirat që na dhe, e të arrijmë lumturinë e përhershme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I PASHKËVE – III

Krishti i ngjallur gjithmonë ndërmjetëson për ne

 

47. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,

por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,

kur u flijua Krishti, Pashka jonë.

Ai nuk pushon së flijuari për ne

dhe na mbron duke ndërmjetësuar përjetësisht para teje.

Një herë i flijuar, më nuk vdes,

një herë i vrarë, jeton për amshim.

Prandaj njerëzimi në mbarë botën

galdon me harenë e plotë të Pashkëve.

Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore

e këndojnë himnin e lavdisë sate

duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I PASHKËVE – IV

Ripërtritja e gjithësisë me anë të misterit të Pashkëve

 

48. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,

por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,

kur u flijua Krishti, Pashka jonë.

Me fitoren mbi mëkatin,

rimëkëmbet mbarë rruzullimi

e në Krishtin, na ripërtërihet jeta.

Prandaj njerëzimi në mbarë botën

galdon me harenë e plotë të Pashkëve.

Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore

e këndojnë himnin e lavdisë sate

duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit Rom 4, 25

 

Krishti, Zoti ynë, u flijua për fajet tona dhe u ngjall për shfajësimin tonë, aleluja.

 

Lutja pas kungimit

 

Mbroji vazhdimisht, po të lutemi, o Zot, ata që me mirësinë tënde i ke shpëtuar, që, të shëlbuar në saje të mundimit të Birit tënd, t’i gëzohen ngjalljes së tij, që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.