Leximet e ditës

JAVA E TRETË E PASHKËVE

 

E DIEL

 

A

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 65, 1-2

 

Toka mbarë le t’i broharasë Hyjit, t’i këndojë emrit të tij, ta madhërojë me nderim lavdinë e tij, aleluja.

 

Thuhet Lavdi.

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

Le të galdojë përherë, o Hyj, populli yt, sepse Ti ia përtërite rininë e shpirtit, dhe pasi Ti ia ktheve dinjitetin e birësimit, bëj të presë me shpresë të sigurt ditën e ngjalljes. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Vap 2, 14.22-33) (fq. 1547)

 

Këtë Jezu, Hyji e ngjalli, e ne të gjithë jemi dëshmitarë.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

 

14 Ditën e Rrëshajëve, Pjetri bashkë me të Njëmbëdhjetët u çua në këmbë, e ngriti zërin dhe tha: “Burra judeas dhe ju të gjithë që banoni në Jerusalem, mirë ta dini këtë gjë e me kujdes dëgjojini fjalët e mia! 22 Burra të Izraelit, dëgjojini këto fjalë: Jezusin Nazarenas ‑ njeri që Hyji e përforcoi para jush me vepra të madhërueshme, me mrekulli dhe me shenja, që siç e dini ‑ me anë të tij i bëri ndër ju; 23 këtë, të tradhtuar sipas vullnetit të caktuar dhe parapamjes së Hyjit ‑ ju e kryqëzuat dhe e vratë me duar të të pafeve.

24 Por Hyji e ngjalli duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes, sepse s’ishte e mundur që vdekja ta mbante nën sundimin e vet. 25 E njëmend, për të Davidi thotë: ‘Zotërinë e kam gjithmonë para sysh, sepse Ai më rri në anë të djathtë që të mos rrëzohem. 26 Prandaj galdon zemra ime dhe brohorit gjuha ime, po dhe trupi im do të pushojë me shpresë, 27 sepse Ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Nëntokë as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet. 28 Ti ma tregove udhën që shpie në jetë: në praninë tënde do të më mbushësh me gëzime.’

29 Vëllezër, më lejoni t’jua them haptas: Davidi patriark vdiq, u varros dhe varri i tij është edhe sot e kësaj dite ndër ne. 30 Por ai, pasi ishte profet dhe pasi e dinte se Hyji, iu përbetua me betimin se një nga pasardhësit e tij do të hipte në fronin e tij, 31 që më parë e parapa dhe paralajmëroi ngjalljen e Krishtit, kur tha: ‘Nuk qe lënë në Nëntokë as trupi i tij nuk e provoi kalbëzimin.’ 32 Po këtë Jezus Hyji e ngjalli! Të gjithë ne e dëshmojmë këtë gjë!

33 I ngritur në të djathtën e Hyjit, pasi që mori prej Atit Premtimin - Shpirtin Shenjt dhe e ndikoi, ashtu siç po shihni e po dëgjoni [edhe] ju vetë.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 16 (15), 1-2.5.7-8.9-10.11 (fq. 671)

 

Ref. Na e trego, o Zot, udhën e jetës.

 

1 Më ruaj, o Hyj, sepse të kam rënë ndore!

2 I thashë Zotit: “Ti je Zoti im,

tjetër të mirë nuk kam veç teje.

5 Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota,

në dorën tënde është fati im!

 

Ref. Na e trego, o Zot, udhën e jetës.

 

7 E bekoj Zotin që më dha kuptim,

edhe natën veshkat e mia më mësojnë.

8 Zotin e kam gjithmonë para sysh,

më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!

 

Ref. Na e trego, o Zot, udhën e jetës.

 

9 Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im.

Mbarë trupi im pushon në qetësi.

10 Sepse s’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë,

as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhe.

 

Ref. Na e trego, o Zot, udhën e jetës.

 

11 Ti do të ma tregosh udhën e jetës,

gëzimin e plotë para fytyrës sate,

kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.

 

Ref. Na e trego, o Zot, udhën e jetës.

 

Leximi i dytë (1 Pjt 1, 17-21) (fq. 1710)

 

Keni qenë shpërblyer me gjak të paçmueshëm të Krishtit, Qengjit të patëmetë e të panjollë.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Pjetrit apostull

 

Fort të dashur, 17 në qoftë, pra, se ju e quani Atë atë që pa krahmbajtje gjykon gjithkënd sipas veprave të tij, kaloni kohën e shtegtimit mbi tokë me frikën e Zotit!

18 Dijeni mirë: nuk keni qenë shpërblyer nga mënyra e zbrazët e jetës suaj të trashëguar nga etërit me ndonjë gjë të shkatërrueshëm - argjend apo ar, 19 por me gjak të paçmueshëm të Krishtit Qengjit të patëmetë e të panjollë. 20 Ai njëmend ishte i caktuar që para krijimit të rruzullit, por u dëftua në këto kohët e fundit për arsye tuaj. 21 Në saje të tij ju besoni në Hyjin që e ngjalli nga të vdekurit dhe i dha lavdi, kështu që feja juaj dhe shpresa të jenë në Hyjin.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

O Zot Jezus na shtjello Shkrimin e shenjtë, dhe ndeze zemrën tonë derisa e dëgjojmë fjalën tënde. (krh. Lk 24, 32)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 24, 13-35) (fq. 1502/3)

 

Rri me ne o Zot se u bë natë e dita po shkon në të sosur!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

13 Po atë ditë, dy prej nxënësve, po shkonin në një fshat që quhet Emaus që është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje. 14 Ata bisedonin me njëri-tjetrin për të gjitha këto ngjarje.

15 Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. 16 Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin. 17 Ai i pyeti: “Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni mes jush udhës?” Ata u ndalën të trishtuar 18 e njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, i përgjigji: “A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çka ndodhi në të po në këto ditë?” 19 Ai i pyeti: “Po çka?” Ata iu përgjigjën: “Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, që ishte profet i madh me vepra e me fjalë në sy të Hyjit e të mbarë popullit; 20 si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan. 21 Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. E, përmbi të gjitha këto ‑ sot është e treta ditë që ndodhën këto ngjarje. 22 Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato qenë në agim te varri 23 e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë. 24 Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën shi ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë.” 25 Ai u tha: “O të pamend e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! 26 Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?” 27 E, që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin e shenjtë për të.

28 Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri kinse po vazhdonte udhën. 29 Po ata iu vunë: “Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!” Dhe hyri që të rrijë me ta. 30 Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha. 31 Atyre iu hapën sytë dhe e njohën... Por ai u zhduk para syve të tyre. 32 Atëherë i thanë njëri‑tjetrit: “Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin e shenjtë?”

33 U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta. 34 Të njëmbëdhjetët u thanë: “Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!”

 35 Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën.

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate në festë, dhe pasi je Ti shkaku i gjithë këtij gëzimi, jepi edhe frytin e haresë së përhershme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I PASHKËVE – I

Misteri i Pashkëve

 

45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,

por sidomos të madhërojmë më me hare

në këtë (natë) (ditë) (kohë),

kur u flijua Krishti, Pashka jonë.

Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë

që i shleu mëkatet e botës:

duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë

dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.

Prandaj njerëzimi në mbarë botën

galdon me harenë e plotë të Pashkëve.

Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore

e këndojnë himnin e lavdisë sate

duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I PASHKËVE – II

Jeta e re në Krishtin

 

46. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,

por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,

kur u flijua Krishti, Pashka jonë.

Nëpër të lindin bijtë e dritës për jetën e pasosur

dhe besimtarëve u hapen dyert e parajsës.

Me vdekjen e tij u shëlbua vdekja jonë,

e në ngjalljen e tij u ngjall edhe jeta e të gjithëve.

Prandaj njerëzimi në mbarë botën

galdon me harenë e plotë të Pashkëve.

Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore

e këndojnë himnin e lavdisë sate

duke thënë pa pushim:

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit

 

Viti A Lk 24, 35

 

Nxënësit e njohën Zotin në ndarjen e bukës, aleluja.

 

Viti B Lk 24, 46-47

 

Mesisë iu desh të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë, në emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt kthimi dhe falja e mëkateve, aleluja.

 

Viti C Krh. Gjn 21, 12-13

 

Jezusi u tha nxënësve: Ejani e hani. Dhe e mori bukën e ua dha, aleluja.

 

Lutja pas kungimit

 

Shikoje me mirësi, o Zot, popullin tënd që e përtërite me sakramentet e përjetshme, bëj të arrijë ngjalljen e trupit në lavdi. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Mund të përdoret trajta e bekimit kremtor të Meshës në fq. 514.