Leximet e ditës
JAVA E TRETË E PASHKËVE
E MARTË
Antifona e hyrjes Zb 19, 5; 12, 10
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij, të gjithë ju që droni, të vegjël e të mëdhenj, sepse, ja, tani koha e shëlbimit, e pushtetit dhe e sundimit të Krishtit të tij, aleluja.
Kolekta
O Hyj, Ti ua hap derën e Mbretërisë sate atyre që i rilind me ujë e me Shpirt Shenjt: shtoje në shërbëtorët e tu hirin e pagëzimit, që, të pastruar nga mëkatet e tyre, të mos e humbasin asnjë nga premtimet e tua. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Vap 7, 51- 8, 1a) (fq. 1555/6)
O Jezus Zot, merre shpirtin tim.
Lexim prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë, Shtjefni i thoshte popullit, kryepriftërinjve dhe skribëve: 51 O njerëz kokëfortë, me zemër e me veshë paganë! Gjithmonë i kundërshtoni Shpirtit Shenjt! Siç ishin etërit tuaj, të tillë jeni edhe ju! 52 Cilin prej profetëve nuk e salvuan etërit tuaj? Etërit vranë ata që paralajmëruan ardhjen e të Drejtit e të Drejtin ju tani e tradhtuat dhe e vratë; 53 shi ju, që prej duarve të engjëjve e morët Ligjin, por nuk e zbatuat!”
54 Kur i dëgjuan këto fjalë, griheshin në zemrat e veta dhe kërcëllonin me dhëmbë kundër tij.
55 Por Shtjefni, plot me Shpirt Shenjt, i drejtoi sytë kah qielli, pa lavdinë e Hyjit e Jezusin duke qëndruar në të djathtën e Hyjit 56 dhe tha: “Qe, po e shoh qiellin e hapur dhe Birin e njeriut në të djathtën e Hyjit.”
57 Atëherë ata lëshuan një britmë të madhe, i mbyllën veshët dhe u vërsulën të gjithë së bashku kundër tij. 58 E qitën jashtë qytetit dhe e vranë me gurë. Dëshmitarët i ulën petkat te këmbët e një djaloshi që quhej Saul.
59 Dhe ndërsa po e mbytnin me gurë, Shtjefni lutej e thoshte: “O Jezus Zot, merre shpirtin tim!” 60 Atëherë ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të madh: “O Zot, mos ua merr këtë për mëkat!” Posa i tha këto fjalë, ndërroi jetë.
8, 1 Edhe Sauli e dha pëlqimin e vet për vrasjen e Shtjefnit.
Fjala e Zotit
Psalmi 31 (30), 3cd-4.6.7b.8a.17.22ab (fq. 689)
Ref. Në duar të tua, o Zot, po e porosis shpirtin tim.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
3 Ji për mua qetë shpëtimi,
kështjellë mbrojtjeje!
4 Sepse forca ime e strehimi im ti je:
pashë Emrin tënd më pri e më sundo.
Ref. Në duar të tua, o Zot, po e porosis shpirtin tim.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
6 Në duar të tua po e porosis shpirtin tim,
më shpërble, o Zot, Hyji besnik.
7 ndërsa unë shpresën e kam në Zotin.
8 Me gëzim do t’i brohoris mirësisë sate.
Ref. Në duar të tua, o Zot, po e porosis shpirtin tim.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
17 Kthjelloje fytyrën tënde ndaj shërbëtorit tënd:
më shpëto me mëshirën tënde.
22 Qoftë bekuar Zoti që më pajisi
me mirësi të mrekullueshme.
Ref. Në duar të tua, o Zot, po e porosis shpirtin tim.
Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.
Aleluja!
Unë jam buka e jetës, thotë Zoti, kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri. (Gjn 6, 35ab)
Aleluja!
Ungjilli (Gjn 6, 30-35) (fq. 1515)
Jo Moisiu, por Ati im jua jep bukën prej qiellit.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë turma i tha Jezusit: 30 “Çfarë shenje bën ti, që ta shohim e të besojmë? Cila është vepra jote? 31 Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë si shkruan edhe në Shkrim e shenjtë: ‘U dha të hanin bukë prej qiellit. ’“
32 Jezusi iu përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: Nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im jua jep bukën prej qiellit, atë të vërtetën: 33 sepse buka e Hyjit është Ajo, që zbret prej qiellit dhe që i jep botës jetën.”
34 Atëherë i thanë: “Zotëri, na e jep vazhdimisht atë bukë!
35 Jezusi u përgjigji: “Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate në festë dhe pasi je Ti shkaku i gjithë këtij gëzimi, jepi edhe frytin e haresë së përhershme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I PASHKËVE – III
Krishti i ngjallur gjithmonë ndërmjetëson për ne
47. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Ai nuk pushon së flijuari për ne
dhe na mbron duke ndërmjetësuar përjetësisht para teje.
Një herë i flijuar, më nuk vdes,
një herë i vrarë, jeton për amshim.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
PREFACIONI I PASHKËVE – IV
Ripërtritja e gjithësisë me anë të misterit të Pashkëve
48. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Me fitoren mbi mëkatin,
rimëkëmbet mbarë rruzullimi
e në Krishtin, na ripërtërihet jeta.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Rom 6, 8
Në qoftë se vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë bashkë me të, aleluja.
Lutja pas kungimit
Shikoje me mirësi, o Zot, popullin tënd që e përtërite me sakramentet e përjetshme, bëj të arrijë ngjalljen e trupit në lavdi. Nëpër Krishtin Zotin tonë.