Leximet e ditës

JAVA E TRETË E PASHKËVE

 

E MËRKURË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 70, 8.23

 

Goja ime të lavdëron pa pushim, që të mund të të këndoj; do të galdojnë buzët e mia duke të të kënduar ty, aleluja.

 

Kolekta

 

Ji pranë familjes sate, o Zot, dhe ndihmoje me bujari, Ti, që ia dhe hirin e fesë, bëje edhe pjesëtare në ngjalljen e të Njëlindurit Birit tënd. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Vap 8, 1b-8) (fq. 1556)

 

Shkonin prej një vendi në vend tjetër dhe predikonin Fjalën e Hyjit.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

 

1 Po atë ditë kur e vranë Shtjefnin, u bë salvim i madh kundër Kishës në Jerusalem. Të gjithë, me përjashtim të apostujve, u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë e të Samarisë.

2 Disa njerëz të përshpirtshëm e varrosën Shtjefnin dhe bënë gjëmë të madhe për të. 3 Ndërkaq, Sauli bënte çmosin për ta asgjësuar Kishën: hynte nëpër shtëpi, merrte burra e gra dhe i dorëzonte në burg.

4 Ata, pra, të cilët qenë shpërndarë, shkonin prej një vendi në një vend tjetër dhe predikonin Fjalën.

5 Kështu Filipi zbriti në qytet të Samarisë dhe filloi të predikojë Mesinë. 6 Turmat ua vinin veshin me kujdes mësimeve të Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat e mrekullueshme që bënte. 7 E njëmend, prej shumë të djallosurish dilnin shpirtrat e ndytë duke bërtitur me zë të lartë, shëroheshin shumë të paralizuar e të çalë. 8 Dhe u bë gëzim i madh në atë qytet.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 66 (65), 1-3a.4-5.6-7a(fq. 729)

 

Ref. Mbarë toka le t’i brohoritë Hyjit.

 

1 Mbarë toka le t’i brohoritë Hyjit,

2 këndoni lavdisë së Emrit të tij,

lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!

3 Thuani Hyjit: “Sa të mrekullueshme janë veprat e tua!

 

Ref. Mbarë toka le t’i brohoritë Hyjit.

 

4 Le të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë,

le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd”!

5 Ejani e shikoni veprat e Hyjit:

bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!

 

Ref. Mbarë toka le t’i brohoritë Hyjit.

 

6 Ai e shndërroi detin në terik,

këmbë e kaluan lumin

për këtë galdojmë me gëzim.

7 Ai sundon për amshim me pushtetin e vet.

 

Ref. Mbarë toka le t’i brohoritë Hyjit.

 

Aleluja!

Kushdo beson në mua, do ta ketë jetën e pasosur, thotë Zoti, e unë do ta ringjall në ditën e fundit (Krh Gjn 6, 40)

Aleluja!

 

Ungjilli (Gjn 6, 35-40) (fq. 1515)

 

Ky është vullneti i Atit tim, që, kushdo sheh Birin dhe beson në Të, ta ketë jetën e pasosur.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: 35 “Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje. 36 Por ju thashë: më patë e prapë s’më besoni.

37 Të gjithë ata që m’i jep Ati do të vijnë tek unë dhe atë që vjen tek unë, s’do ta qes jashtë, 38 sepse zbrita prej qiellit, jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.

39 E vullneti i Atij që më dërgoi është të mos humbë asnjë prej atyre që më dha, por t’i ringjall në ditën e fundit. 40 Po, ky është vullneti i Atit tim, që, kushdo sheh Birin dhe beson në Të, ta ketë jetën e pasosur e unë do ta ringjall në ditën e fundit.”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Bëj, po të lutemi, o Zot, të gëzohemi gjithmonë për këto mistere të Pashkëve, që veprimi i vazhdueshëm shpëtimprurës të bëhet për ne burim i pashtershëm hareje. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I PASHKËVE – I

Misteri i Pashkëve

 

45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,

por sidomos të madhërojmë më me hare

në këtë (natë) (ditë) (kohë),

kur u flijua Krishti, Pashka jonë.

Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë

që i shleu mëkatet e botës:

duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë

dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.

Prandaj njerëzimi në mbarë botën

galdon me harenë e plotë të Pashkëve.

Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore

e këndojnë himnin e lavdisë sate

duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I PASHKËVE – V

Krishti prift dhe fli

 

49. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,

por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,

kur u flijua Krishti, Pashka jonë.

Ai, duke e kushtuar trupin e vet,

flitë e vjetra i përmbushi

në flinë e vërtetë të kryqit

dhe duke u dorëzuar në duart e tua për shpëtimin tonë,

u dëftua prift, altar dhe qengj i vërtetë.

Prandaj njerëzimi në mbarë botën

galdon me harenë e plotë të Pashkëve.

Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore

e këndojnë himnin e lavdisë sate

duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit

 

Krishti u ngjall dhe na ndriçoi, pasi na shëlboi me gjakun e vet, aleluja.

 

Lutja pas kungimit

 

Dëgjoji, o Zot, lutjet tona, që me pjesëmarrje në të mirat e shëlbimit të fitojmë ndihmë për jetën e tanishme e gëzimet e jetës së përhershme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.