Leximet e ditës
JAVA E TRETË E PASHKËVE
E ENJTE MË POSHTË Shën Gjergji, martir
Antifona e hyrjes Krh. Dal 15, 1-2
T’i këndojmë Zotit, sepse mrekullisht ngadhënjeu. Zoti është fuqia ime dhe lavdia ime, ai është bërë shpëtimtari im, aleluja.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, në këto ditë e kemi njohur më mirë bujarinë tënde: bëj ta pranojmë plotësisht dhuratën e dashurisë sate, që pasi na çlirove nga errësira e gabimit, t’i mbahemi më ngultas së vërtetës. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Vap 8, 26-40) (fq. 1556/7)
Filipi ia shpalli oborrtarit lajmin e gëzueshëm të Jezusit.
Lexim prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë, 26 engjëlli i Zotit iu drejtua Filipit dhe i tha: “Ngritu e shko në jug udhës që shpie nga Jerusalemi për në Gazë; ajo është e shkretë.” 27 Ai u ngrit dhe shkoi. Kur qe, një etiopas, oborrtar dhe funksionar i lartë i Kandacës, mbretëreshës së Etiopisë dhe mbarështues kryesor i të gjitha visareve të saja! Kishte qenë për shtegtim në Jerusalem 28 e po kthente. Ndenjur në karrocën e vet, po lexonte Isainë profet.
29 Atëherë Shpirti Shenjt i tha Filipit: “Shpejto e zëre atë karrocë!” 30 Filipi vrapoi dhe e dëgjoi se po lexonte Isainë profet. I tha: “Vallë a vërtet e merr vesh atë që po lexon?” 31 “E si mundem ‑ i përgjigj ai ‑ kur nuk e kam atë që të më udhëzojë?” dhe e grishi Filipin të hipte e të ulej afër tij.
32 Pjesa që po lexonte prej Shkrimit të shenjtë ishte kjo: ‘E çuan porsi delen që çohet në thertore, ishte porsi qengji i pa zë në duart e qethësit. Nuk e çeli gojën e vet. 33 Në përvujtërimin e tij iu mohua e drejta. Kush do ta përshkruajë fatin e tij? Sepse jeta e tij hiqet nga toka.’
34 Atëherë oborrtari iu drejtua Filipit: “Të lutem për kë e thotë këtë profeti? Për vetveten apo për ndokënd tjetër?” 35 Atëherë Filipi mori fjalën e, duke u nisur prej këtij teksti të Shkrimit të shenjtë, ia kumtoi Ungjillin e Jezusit.
36 Duke udhëtuar kështu, arritën te një ujë dhe oborrtari tha: “Qe ujët! Çka më pengon të pagëzohem?” [37] 38 Urdhëroi të ndalet karroca dhe të dy, Filipi e oborrtari, zbritën në ujë e Filipi e pagëzoi.
39 Kur dolën nga ujët, Shpirti i Hyjit e rrëmbeu Filipin dhe oborrtari nuk e pa më. Ai e vazhdoi rrugën e vet me gëzim, 40 kurse Filipi u gjend në Azot. Vazhdoi prej andej udhën duke predikuar Ungjillin nëpër të gjitha qytetet derisa arriti në Cezare.
Fjala e Zotit
Psalmi 66 (65), 8-9.16-17.20. (fq. 729)
Ref. Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë.
8 Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë
dhe shpalleni lavdinë e tij!
9 Ai i dha shpirtit tonë jetën,
këmbët na i ruan nga hapat e gabuar.
Ref. Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë.
16 Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që e druani Hyjin,
do t’ju tregoj çka i bëri shpirtit tim.
17 Me gojën time e thirra në ndihmë,
dhe me gjuhën time e madhërova.
Ref. Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë.
20 Qoftë bekuar Hyji
që s’ma hodhi poshtë lutjen time
e nuk ma mohoi mëshirën e vet!
Ref. Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë.
Aleluja!
Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. (Gjn 6, 51)
Aleluja!
Ungjilli (Gjn 6, 44-51) (fq. 1515)
Unë jam buka e jetës që zbret nga qielli.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: 44 Askush s’mund të vijë tek unë, po qe se Ati, që më dërgoi, nuk e tërheq. Atë unë do ta ringjall në ditën e fundit.
45 Profetët shkruan: ‘Të gjithë do të jenë nxënës të Hyjit.’ Kushdo, pra e dëgjon Atin dhe e përvetëson mësimin e tij, vjen tek unë. 46 Kjo s’do të thotë se ndokush e pa Atin, përveç Atij që është te Hyji; vetëm Ai e pa Atin! 47 Përnjëmend, përnjëmend po ju them: ai që beson, ka jetën e pasosur.
48 Unë jam buka e jetës. 49 Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe vdiqën. 50 Kjo është buka që zbret nga qielli: që, kush ta hajë atë, të mos vdesë askurrë.
51 Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është trupi im ‑ për jetën e botës.”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
O Hyj, me shkëmbimin e mrekullueshëm të kësaj flie Ti na bën pjesëtarë të natyrës sate hyjnore, bëj, po të lutemi, që sikurse e kemi njohur të vërtetën tënde, po ashtu edhe ta dëshmojmë me jetë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I PASHKËVE – II
Jeta e re në Krishtin
46. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Nëpër të lindin bijtë e dritës për jetën e pasosur
dhe besimtarëve u hapen dyert e parajsës.
Me vdekjen e tij u shëlbua vdekja jonë,
e në ngjalljen e tij u ngjall edhe jeta e të gjithëve.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
PREFACIONI I PASHKËVE – IV
Ripërtritja e gjithësisë me anë të misterit të Pashkëve
48. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Me fitoren mbi mëkatin,
rimëkëmbet mbarë rruzullimi
e në Krishtin, na ripërtërihet jeta.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit 2 Kor 5, 15
Krishti vdiq për të gjithë, në mënyrë që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ngjall për ta, aleluja.
Lutja pas kungimit
O Zot, ji gjithmonë me popullin tënd dhe, pasi e ushqeve me misteret qiellore, bëj të kalojë nga ligështia e tanishme në jetën e re. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
23 prill
Shën Gjergji, martir
Përkujtim
Antifona e hyrjes Krh. 4 Ezd 2, 35
Një dritë që kurrë nuk shuhet do të ndriçojë martirët e tu, o Zot, ata do të jetojnë në amshim të amshimeve, aleluja.
Antifona
O Zot, ne po e madhërojmë fuqinë tënde dhe po të lutemi me përvujtëri: bëj që shën Gjergji martir i cili i përngjau Krishtit në mundimet e tij, të jetë edhe ndihmës i gatshëm i ligështisë sonë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Zb 21, 5-7) (fq. 1753/4)
S’do të ketë më vdekje.
Leximi i parë (Zb 21, 5-7) (fq. 1753/4)
Atij që ka etje unë do t’i jap falas nga burimi i jetës.
Lexim prej Librit të Zbulesës së Shën Gjonit apostull
5 Atëherë Ai që rri mbi fron tha: »Ja, unë i bëj të reja të gjitha sendet!«. Dhe shtoi: »Shkruaj! Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta!«
6 Mandej më tha: »U bënë! Unë jam Alfa dhe Omega! Fillimi dhe Mbarimi! Atij që ka etje unë do t’i jap falas nga burimi i jetës.
7 Ngadhënjyesi do t’i trashëgojë këto edhe unë do të jem Hyji i tij e ai biri im.
Fjala e Zotit
Psalmi 126 (125), 1-2ab.2cd-3.4-5.6 (fq. 809)
Ref. Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.
Ose:
Ref. Aleluja, aleluja, aleluja.
1 Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,
na dukej si të ishim në ëndërr.
2 Atëherë goja na u mbush me gaz
e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
Ref. Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.
Ose:
Ref. Aleluja, aleluja, aleluja.
Asohere thuhej ndër paganë:
“Zoti bëri për ta punë të mëdha”!
3 Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli
e zemrat na u mbushën me gëzim!
Ref. Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.
Ose:
Ref. Aleluja, aleluja, aleluja.
4 Ktheji, o Zot, robërit tanë
porsi përrenjtë e Negebit!
5 Ata që mbjellin me lot,
deh, le të korrin me gëzim!
Ref. Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.
Ose:
Ref. Aleluja, aleluja, aleluja.
6 Në të shkuar ecnin e qanin
duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim
duke mbartur dorëzat e veta.
Ref. Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.
Ose:
Ref. Aleluja, aleluja, aleluja.
Aleluja!
3 Qoftë bekuar Hyji, Ati i mëshirshëm dhe Hyji që jep çdo ngushëllim. Ai na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona (2 Kor, 1, 3b-4a)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 9, 23-26) (fq.1475)
I dërgoi për ta shpallur Mbretërinë e Hyjit dhe të shërojnë të sëmurët.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi 23 iu drejtua të gjithëve: »Nëse ndokush do të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet çdo dit dhe të më ndjekë.
24 Sepse, kush do të shpëtojë jetën e vet, do ta humbë, ndërsa kush ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë.
25 E njëmend, ç’dobi do të kishte njeriu, nëse e fiton mbarë botën, por e humb vetveten ose e rrënon?
26 Për të vërtetë, kujt t’i vijë turp për mua e për fjalët e mia, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut kur të hyjë në lavdinë e vet, të Atit dhe të engjëjve të shenjtë.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pëlqeje, o Zot, flinë e pajtimit e të lavdit që po ta kushtojmë në përkujtimin e shën Gjergjit martir: ajo na fitoftë faljen e mëkateve e na bëftë mirënjohës të tu të përhershëm. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 115, 15
E çmueshme është para Zotit vdekja e shenjtërve të tij, aleluja.
Lutja pas kungimit
I morëm, o Zot, dhuratat qiellore në kremtimin e gëzueshëm të sotëm; bëj që, pasi në këtë gosti hyjnore shpallim vdekjen e Birit tënd, të kemi pjesë në ngjalljen dhe lavdinë e tij bashkë me shën Gjergjin martirin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.