Leximet e ditës

JAVA E TRETË E PASHKËVE

 

E PREMTE

 

Antifona e hyrjes Zb 5, 12

 

I denjë është Qengji i prerë të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë, aleluja.

 

Kolekta

 

Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, pasi e kemi njohur hirin e ngjalljes së Zotit, bëj që në saje të dashurisë së Shpirtit Shenjt, të ngjallemi për një jetë të re. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Vap 9, 1-20) (fq. 1557/8)

 

Unë e kam zgjedhur për të përgjigjur për Emrin tim para popujve paganë.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

 

Ndërkaq, 1 Sauli, që s’merrte frymë për tjetër por për t’u kërcënuar e për vrasje kundër nxënësve të Zotërisë, erdhi te kryeprifti 2 e kërkoi prej tij letrat për sinagogat e Damaskut, në mënyrë që, nëse do të gjejë ndokënd të kësaj Udhe, burra e gra, të mund t’i sjellë të lidhur në Jerusalem.

3 Kur, duke udhëtuar, iu afrua Damaskut, papritmas e shndriti një dritë prej qiellit. 4 U rrëzua për tokë dhe dëgjoi një zë që i tha: “Saul, Saul, pse po më salvon?” 5 Ai pyeti: “Kush je ti, Zotëri?” E Ai: “Unë jam Jezusi që ti e salvon! 6 Më mirë ngrihu e hyr në qytet dhe atje do të tregohet se çka duhet të bësh!”

7 Bashkudhëtarët e tij, të habitur, zunë vend pa folur asnjë fjalë, sepse vërtet e dëgjuan zërin, por nuk panë askënd. 8 Sauli u ngrit nga toka, por edhe pse i kishte hapur sytë, nuk shihte asgjë. E shtinë në Damask duke e marrë për dore, 9 dhe për tri ditë as nuk pa as nuk hëngri as nuk piu.

10 Në Damask ishte një nxënës që quhej Anani. Këtij Zoti i tha në vegim: “O Anani!” “Urdhëro, o Zot” ‑ u përgjigj ai. 11 “Çohu ‑ i tha Zoti ‑ dhe shko në rrugën që quhet: ‘E drejtë’ e në shtëpinë e Judës lype njeriun prej Tarsit që quhet Saul. Ai tani po thotë uratë, 12 dhe e pa [në vegim] një njeri që quhet Anani duke hyrë tek ai dhe duke i vënë duart për t’ia rikthyer dritën e syve.” 13 “O Zot ‑ përgjigji Anania ‑ prej shumëkujt kam dëgjuar për atë njeri sa shumë të këqija u ka bërë shenjtërve të tu në Jerusalem. 14 Ai ka edhe fuqizimin prej kryepriftërinjve për të lidhur në hekura të gjithë ata që e thërrasin Emrin tënd.” 15 “Shko ‑ i përgjigji Zoti ‑ sepse ai është vegla ime, që unë e kam zgjedhur për të përgjigjur për Emrin tim para popujve paganë, para mbretërve dhe para bijve të Izraelit. 16 Jo po, unë vetë do t’i tregoj se sa shumë do t’i duhet të pësojë për shkak të Emrit tim!”

17 Anania shkoi, hyri në shtëpi e, duke ia vënë duart, i tha: “Vëlla Saul, Zotëria Jezus, që t’u dëftua në udhë kur ishe duke ardhur këtu, më dërgoi që ta rifitosh dritën e syve e të mbushesh me Shpirtin Shenjt.” 18 Dhe aty për aty i ra diçka prej syve si pare peshku dhe menjëherë iu kthye drita e syve, u ngrit dhe qe pagëzuar, 19 hëngri dhe u përtëri në fuqi. I kaloi disa ditë bashkë me nxënës në Damask 20 dhe menjëherë filloi të predikojë në sinagoga se Jezusi është Biri i Hyjit.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 117 (116), 1bc.2 (fq. 795)

 

Ref. Shkoni në mbarë botën e predikoni Ungjillin.

 

1 Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha,

madhërojeni së bashku, o popuj të gjithë!

 

Ref. Shkoni në mbarë botën e predikoni Ungjillin.

 

2 Sepse e madhe është dashuria e tij ndaj nesh,

besnikëria e Zotit qëndron për amshim!

 

Ref. Shkoni në mbarë botën e predikoni Ungjillin.

 

Aleluja!

Kush ushqehet me Korpin tim dhe pi Gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të. (Gjn 6, 56)

Aleluja!

 

Ungjilli (Gjn 6, 52-59) (fq. 1515/6)

 

Korpi im është ushqimi i vërtetë e gjaku im është pije e vërtetë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

Në at kohë, 52 judenjtë filluan të grinden me shoqi‑shoqin e thoshin: “Si mundet ky të na japë korpin (e vet) për ushqim?”

53 Prandaj Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani korpin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete! 54 Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit. 55 Sepse korpi im është ushqim i vërtetë e gjaku im është pije e vërtetë.

56 Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të. 57 Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që ha mua do të jetojë për mua.

58 Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo porsi ajo që hëngrën etërit e vdiqën: kush ushqehet me këtë bukë do të jetojë në amshim.”

59 Këtë mësim Jezusi e dha në sinagogën e Kafarnaumit.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Në mirësinë tënde shenjtëroji, o Zot, këto dhurata, pranoje kushtin e kësaj flie shpirtërore, dhe na shndërro në dhuratë të përhershme për lavdinë tënde. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I PASHKËVE – I

Misteri i Pashkëve

 

45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,

por sidomos të madhërojmë më me hare

në këtë (natë) (ditë) (kohë),

kur u flijua Krishti, Pashka jonë.

Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë

që i shleu mëkatet e botës:

duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë

dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.

Prandaj njerëzimi në mbarë botën

galdon me harenë e plotë të Pashkëve.

Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore

e këndojnë himnin e lavdisë sate

duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I PASHKËVE – IV

Ripërtritja e gjithësisë me anë të misterit të Pashkëve

 

48. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,

por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,

kur u flijua Krishti, Pashka jonë.

Me fitoren mbi mëkatin,

rimëkëmbet mbarë rruzullimi

e në Krishtin, na ripërtërihet jeta.

Prandaj njerëzimi në mbarë botën

galdon me harenë e plotë të Pashkëve.

Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore

e këndojnë himnin e lavdisë sate

duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit

 

Krishti i kryqëzuar u ngjall nga të vdekurit dhe na shëlboi, aleluja.

 

Lutja pas kungimit

 

E morëm, o Zot, dhuratën e misterit të shenjtë, e po të lutemi me përvujtëri, që kremtimi i Birit tënd, të cilin na urdhëroi ta bëjmë në përkujtimin e tij, ta shtojë në ne dashurinë e shenjtë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.