Leximet e ditës

25 prill

 

SHËN MARKU, UNGJILLTAR

 

Festë

 

Antifona e hyrjes Mk 16, 15 (fq. 1714)

 

Shkoni në mbarë botën e shpallni Ungjillin të gjitha krijesave, aleluja.

 

Thuhet Lavdi

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti e lartësove shën Markun ungjilltar me hirin e predikimit të ungjillit, bëj që ne të përfitojmë sa më mirë nga mësimi i tij për të ecur besnikërisht gjurmëve të Krishtit, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (1 Pjt 5, 5b-14)

 

Ju përshëndet biri im Marku.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Pjetrit apostull

 

Të dashur, 5të gjithë së bashku, në marrëdhënie me njëri-tjetrin, vishuni me përvujtëri, sepse: »Hyji u kundërshton madhështorëve, kurse të përvuajturve u jep hirin«.

6 Përkuluni, pra, nën të pushtetshmen dorën e Hyjit, që në kohën e duhur t’iu lartësojë. 7 Lërini në dorën e tij të gjitha kujdeset tuaja, sepse Ai kujdeset për ju! 8 Jini të përkormë dhe rrini zgjuar! Armiku juaj, djalli, porsi luan ulëritës, endet këndej dhe andej duke kërkuar (kë) të përpijë. 9 Të fortë në fe kundërshtoni duke e ditur se po të njëjtat vuajtje i pësojnë vëllezërit tuaj në fe të shpërndarë nëpër botë.

10 Hyji, burimi i çdo hiri, i cili ju grishi në lumturinë e vet të amshuar në Jezu Krishtin. Ai, pasi të vuani për pak kohë, do t’iu përsosë, do t’iu përforcojë, do t’iu japë fuqi dhe do t’iu bëjë të patrandshëm. 11 Ai sundoftë në shekuj të shekujve. Amen!

12 Po ju shkruaj shkurtimisht me ndihmën e Silvanit, të cilin e çmoj vëlla besnik, që t’iu përkujtoj dhe t’iu dëshmoj se ky është hiri i vërtetë i Hyjit. Qëndroni në të! 13 Ju bën të fala Kisha e të zgjedhurve që është në Babiloni, si edhe im bir, Marku. 14 Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje vëllazërore!

Paqja me të gjithë ju që jeni në Krishtin!

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 89 (88), 2-3.6-7.16-17 (fq. 759)

 

Ref. Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj.

 

2 Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj,

brez pas brezi goja ime

do të shpallë besnikërinë tënde.

3 Sepse the: “Hiri im qëndron për amshim”,

në qiell është e themeluar besnikëria jote!

 

Ref. Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj.

 

6 Qiejt i këndojnë veprat e tua, o Zot,

kuvendi i shenjtërve besnikërinë tënde!

7 E kush ndër re është i barabartë me Zotin?

Kush është i ngjashëm ndër zota me Zotin?

 

Ref. Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj.

 

16 Lum ai popull që di të brohoritë,

që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot!

17 Përherë do të gëzojë në Emrin tënd,

e do të mburret në drejtësinë tënde.

 

Ref. Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj.

 

Aleluja!

Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, fuqinë dhe urtinë e Hyjit. (Krh. 1 Kor 1, 23-24)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mk 16, 15-20) (fq. 1455/6)

 

Predikoni Ungjillin të gjithë njerëzve.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

 

Në atë kohë, (Jezusi iu dëftua të Njëmbëdhjetëve), 15 e u tha: “Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin të gjithë njerëzve. 16 Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet, ndërsa kush s’do të besojë, do të dënohet. 17 Shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë, janë këto: në emër tim do t’i dëbojnë djajtë, do të flasin gjuhë të reja; 18 [në duar] do t’i marrin gjarpërinjtë e, nëse do të pinë ndonjë gjë që sjell vdekjen, nuk do t’u bëjë keq. Do t’i vënë duart mbi të sëmurë, e këta do të shërohen.”

19 Zotëria [Jezusi], pasi u tha kështu, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Hyjit. 20 Kurse ata dolën e predikuan gjithkund. Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte Fjalën me mrekulli që e përcillnin.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Po ta kushtojmë, o Zot, flinë e lavdit në përkujtimin e lavdishëm të shën Markut, e bëj që shpallja e Ungjillit të ngulmojë gjithmonë në Kishën tënde. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

PREFACIONI I APOSTUJVE – I

Apostujt barinjtë e popullit të Hyjit

 

64. Ky prefacion thuhet në Meshët e apostujve, veçanërisht të shën Pjetrit dhe shën Palit.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti bari i amshuar, nuk e le grigjën tënde,

por me anën e apostujve të shenjtë

e ruan dhe e mbron vazhdimisht,

që të udhëhiqet nga ata

të cilët Biri yt i caktoi t’i prijnë

porsi barinj në emrin e tij.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,

me frone dhe zotërues

dhe me të gjithë aradhen e ushtrisë qiellore,

po këndojmë himnin e lavdisë sate,

duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt.

 

PREFACIONI I APOSTUJVE – II

Apostujt themeli dhe dëshmia e Kishës

 

65. Ky prefacion thuhet në Meshët e apostujve dhe të ungjilltarëve.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Ti e ndërtove Kishën tënde mbi themelin e apostujve,

që ajo të jetë shenjë e përhershme e shenjtërisë sate në botë

dhe të gjithë njerëzve t’u japë dëshmitë qiellore.

Dhe prandaj, tani dhe në amshim

bashkë me ushtrinë engjëllore

po të këndojmë me përkushtim

duke thënë me zë të lartë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt.

 

Antifona e kungimit Mt 28, 20

 

Ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës, thotë Zoti, aleluja.

 

Lutja pas kungimit

 

Na shenjtëroftë, o Zot, dhurata që morëm prej altarit tënd dhe na përforcoftë në fenë e Ungjillit që shën Marku e predikoi. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.