Leximet e ditës
JAVA E KATËRT E PASHKËVE
E DIEL
A
Antifona e hyrjes Ps 32, 5-6
Plot është toka me mirësinë e Zotit; prej fjalës së tij u krijuan qiejt, aleluja.
Thuhet Lavdi.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, na prij drejt lumturisë së parajsës, që grigja jote e përvuajtur të arrijë atje ku Bariu i saj hyri fitimtar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Vap 2, 14a.36-41) (fq. 1547/8)
Hyji e bëri Zotëri dhe Mesi.
Lexim prej Veprave të Apostujve
Ditën e Rrëshajëve, 14 Pjetri bashkë me të Njëmbëdhjetët u çua në këmbë, e ngriti zërin dhe tha: 36 Le ta dijë, pra, pa farë dyshimi mbarë populli i Izraelit se mu këtë Jezus, që ju e kryqëzuat, Hyji e bëri Zotëri e Mesi.”
37 Kur i dëgjuan këto fjalë, u tronditën në zemër dhe i thanë Pjetrit e apostujve të tjerë: “Çka duhet të bëjmë ne, o vëllezër?” 38 Pjetri u dha përgjigje: “Kthehuni dhe secili prej jush le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit që t’ju falen mëkatet e atëherë do ta merrni dhuratë ‑ Shpirtin Shenjt. 39 Sepse ky Premtim u bë për ju, për fëmijët tuaj e për të gjithë ata prej së largu, të gjithë ata që Zotëria, Hyji ynë, do t’i thërrasë.”
40 Por edhe me shumë fjalë të tjera prore i përbente dhe i nxiste duke thënë: “Shpëtohuni nga kjo brezni e mbrapshtë!” 41 Ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan e kështu, atë ditë, u kthyen rreth tri mijë vetë.
Fjala e Zotit
Psalmi 23 (22), (fq. 681)
Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
1 Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
2 Nëpër fusha të gjelbra ai më jep pushim,
më prin në ujëra të qeta,
3 shpirtin ma përtërin.
Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
4 Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba për mua janë ngushëllim.
Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
5 Ti ma shtron tryezën përpara
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
6 Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
Leximi i dytë (1 Pjt 2, 20b-25) (fq. 1712)
U kthyet të Bariu e Rojtari i shpirtrave tuaj.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Pjetrit apostull
Fort të dashur, 20 nëse, duke bërë mirë pësoni dhe me duresë i mbartni të vështirat: kjo është hir para Hyjit.
21 Përnjëmend për këtë edhe qetë thirrur; sepse edhe Krishti pësoi për ju duke ju lënë shembullin që edhe ju t’i ndiqni gjurmët e tija: 22 Ai që mëkat nuk bëri dhe në buzët e tij nuk u gjet gënjim, 23 Ai që i fyer, nuk hakmerrej me fyerje dhe, i salvuar, nuk kërcënohej, por ia lëshonte çështjen e vet Atij që gjykon me drejtësi. 24 Ai në trupin e vet i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona, që, të vdekur për mëkate, të jetojmë për drejtësi: me plagët e të cilit jeni shëruar. 25 Ishit po, si delet e tretura, por tani u kthyet te Bariu e Rojtari i shpirtrave tuaj.
Fjala e Zotit
Aleluja!
Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti, i njoh delet e mia dhe ato me njohin mua. (Gjn 10, 14)
Aleluja!
Ungjilli (Gjn 10, 1-10) (fq. 1523)
Unë jam dera e deleve!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi tha: “1 Për të vërtetë, për të vërtetë, po ju them: ai që në vathë të deleve nuk hyn nëpër derë, por tjetërkah kërcen brenda, ai është vjedhës dhe cub. 2 Ai që hyn nëpër derë, ai është bariu i deleve. 3 Atij derëtari i çel derën e delet e dëgjojnë zërin e tij. Ai i thërret delet e veta me emër dhe u prin përjashta. 4 E kur i qet përjashta të gjitha delet e veta, u prin dhe delet i shkojnë pas, sepse e njohin zërin e tij. 5 Pas të huajit nuk do të shkojnë me siguri, por do të ikin, sepse nuk e njohin zërin e të huajit.” 6 Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e morën vesh ç’deshi t’u thotë me të.
7 Prandaj Jezusi u tha përsëri: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: unë jam dera e dhenve. 8 Të gjithë ata që erdhën (para meje) janë vjedhës dhe cuba; porse delet nuk i dëgjuan. 9 Unë jam dera: kush hyn nëpër mua, do të shëlbohet: do të hyjë e do të dalë dhe do të gjejë kullosë. 10 Vjedhësi s’vjen për tjetër, por për të vjedhur, për të prerë e për të bërë dëm. Unë erdha që delet ta kenë jetën e ta kenë me plotësi.
Fjala e Zot
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Bëj, po të lutemi, o Zot, të gëzohemi gjithmonë për këto mistere të Pashkëve, që veprimi i vazhdueshëm shpëtimprurës të bëhet për ne burim i pashtershëm hareje. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I PASHKËVE – I
Misteri i Pashkëve
45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare
në këtë (natë) (ditë) (kohë),
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë
që i shleu mëkatet e botës:
duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë
dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
PREFACIONI I PASHKËVE – III
Krishti i ngjallur gjithmonë ndërmjetëson për ne
47. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Ai nuk pushon së flijuari për ne
dhe na mbron duke ndërmjetësuar përjetësisht para teje.
Një herë i flijuar, më nuk vdes,
një herë i vrarë, jeton për amshim.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit
U ngjall Jezusi, Bariu i mirë, që e dha jetën e vet për delet e veta dhe pranoi të vdesë për grigjën e vet, aleluja.
Lutja pas kungimit
Në mirësinë tënde, ruaje grigjën tënde, o Bari i mirë dhe çoji drejt kullotave të amshuara delet që ke shëlbuar me gjakun e Birit tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Mund të përdoret trajta e bekimit kremtor të Meshës në fq. 514.