Leximet e ditës

26 prill

 

SHËN MARIA VIRGJËR, NËNA E KËSHILLIT TË MIRË

 

PAJTORJA E SHQIPËRISË

 

E kremte

 

Antifona e Hyrjes Krh. Jud 13, 18-19

 

Të ka bekuar Hyji i Tejetlartë, o Virgjëra Mari, më tepër se të gjitha gratë e mbarë botës, sepse aq shumë e ka madhëruar emrin tënd, saqë kurrë nuk do të shlyhet prej zemrave të njerëzve lavdia jote.

 

Thuhet Lavdi

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Leximi i parë (Vap 1, 12-14) (fq. 1545)

 

Të gjithë këta ishin të përqendruar prore së bashku në lutje me disa gra, me Marinë, Nënën e Jezusit.

 

Lexim prej Veprave të apostujve

 

Pas ngjitjes së Jezusit në qiell apostujt, 12 nga mali i Ullinjve u kthyen në Jerusalem. Ky mal është afër Jerusalemit aq sa guxohet të ecet të shtunën. 13 Dhe, pasi hynë në qytet, u ngjitën në dhomën e sipërme, ku zakonisht banonin. Ishin Pjetri, Gjoni, Jakobi, Andreu, Filipi, Toma, Bartolomeu, Mateu, Jakobi i Alfeut, Simoni Zelltar dhe Juda i Jakobit.

14 Të gjithë këta ishin të përqendruar prore së bashku në lutje me disa gra, me Marinë, Nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e tij.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 45 (44), 11-12.14-15.16-17 (fq. 708/9)

 

Ref. Galdoj me gëzim në praninë e Zotit, aleluja.

 

11 Më vështro, o bijë, shih e dëgjo:

harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babës tënd,

12 atëherë mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote.

nderoje atë, Ai është zotëria yt!

 

Ref. Galdoj me gëzim në praninë e Zotit, aleluja.

 

14 E bukur është bija e mbretit,

e mbështjellë me petk të qëndisur me ar.

15 Në petka lara-lara ia sjellin mbretit,

përcjellja e saj, shoqet e saja, vajza.

 

Ref. Galdoj me gëzim në praninë e Zotit, aleluja.

 

16 Me hare u prijnë e me brohori,

ja, po hyjnë në pallatet e mbretit!

17 Në vend të etërve të tu do t’i kesh fëmijët,

do t’i vësh princa mbi mbarë dheun.

 

Ref. Galdoj me gëzim në praninë e Zotit, aleluja.

 

Leximi i dytë (Ef 1, 3-6. 11-12) (fq. 1646/7)

 

Në Krishtin, Ati na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

 

3 Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin.

4 Në Të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri. 5 Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit me pëlqimin e vullnetit të vet 6 për nder të lavdisë së hirit të tij me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit. 11 Në të edhe ne u bëmë trashëgimtarë ‑ të paracaktuar me vendim të Atij që vepron gjithçka sipas pëlqimit të vullnetit të vet ‑ 12 të jemi në nder të lavdisë së tij ‑ ne që më parë e vumë shpresën në Krishtin.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

E lumja ti që besove, se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit. (Lk 2, 45 )

Aleluja!

 

Ungjilli (Gjn 2, 1-12) (fq. 1507)

 

Bëni gjithçka t’ju thotë!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

Në atë kohë, 1 po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë. Aty ishte edhe nëna e Jezusit. 2 Në dasmë ftuan edhe Jezusin e nxënësit e tij. 3 Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!” 4 Jezusi i tha: “Grua, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!”

5 Nëna e tij u tha shërbyesve: “Bëni gjithçka t’ju thotë!” 6 Ishin aty të vëna gjashtë enë guri që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve. Secila zinte dy apo tri masë. 7 Jezusi u tha shërbyesve: “Mbushni enët me ujë!” Ata i mbushën deri në grykë. 8 “Merrini tani ‑ u tha atëherë ‑ e çojani kryetarit të tryezës.”

Ata ia çuan. 9 Kur kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë ‑ e nuk e dinte nga vinte ‑ shërbyesit, që e kishin mbushur ujin, e dinin ‑ kryetari i tryezës e thirri dhëndrin 10 dhe i tha: “Çdo njeri më parë vë në tryezë verën e mirë e, kur t’i nxehë pija, sjell verë më të keqe. Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani!”

11 Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të. 12 Pastaj zbriti në Kafarnaum me nënën e vet, me vëllezërit [e vet], e me nxënësit e vet. Aty nuk qëndruan shumë ditë.

 

Fjala e Zotit

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti na dhe për nënë Nënën e Birit tënd fort të dashur dhe figurën e saj e vure në pah me dukuri të mrekullueshme: bëj, po të lutemi, që edhe ne, të drejtuar prej këshillave të saja, të jetojmë sipas dëshirës së Zemrës sate dhe ta kemi fatin të arrijmë në mbretërinë qiellore. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

  Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

Shenjtëroji, po të lutemi, o Zot, dhuratat që po t’i kushtojmë dhe bëj që, me ndërmjetësinë e shën Marisë Virgjër, Nënës së këshillit të mirë, të na dalin për dobinë e shëlbimit. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

PREFACIONI I SHËN MARISË VIRGJËR – I

Amësia e Shën Marisë Virgjër

 

62. Ky prefacion thuhet në Meshët e Shën Marisë Virgjër, duke përmendur, në vendin e caktuar, shenjën e festës, si shënohet në çdo Meshë.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Dhe po të lavdërojmë, po të bekojmë dhe po të shpallim

në …. e shën Marisë përherë Virgjër.

Ajo, për virtyt të Shpirtit Shenjt,

ngjizi në kraharorin e vet të njëlindurin Birin tënd,

dhe, pa e prishur nderin e virgjërisë,

ia fali botës dritën e amshuar,

Jezu Krishtin, Zotin tonë.

Nëpër të engjëjt e lavdërojnë madhërinë tënde,

zotëruesit të adhurojnë dhe dridhen pushtetet.

Qiejt e fuqitë qiellore dhe serafinët e lumtur

bashkohen për të brohoritur me galdim.

Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë,

ndërsa përvujtërisht po themi:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt.

 

Antifona e kungimit Lk 1, 48

 

Të gjitha breznitë do të të quajnë të lumtur, sepse Hyji shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur.

 

Lutja pas kungimit

 

Bëj, po të lutemi, o Zot, ta kemi në ndihmë përherë ndërmjetësinë e nderueshme të Virgjërës Mari, Nënës së Këshillit të Mirë, kështu që, pasi na mbuloi me të mira të vazhdueshme, të na mësojë çka na duhet të bëjmë e të na ndihmojë ta kryejmë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Mund të përdoret trajtëza e bekimit kremtor, fq. 518