Leximet e ditës

JAVA E KATËRT E PASHKËVE

 

E MARTË

 

Antifona e hyrjes Zb 19, 7.6

 

Le të galdojmë e të brohorasim dhe t’i japim lavdi Hyjit, sepse mbretëroi Zoti, Hyji ynë, i Gjithëpushtetshmi, aleluja.

 

Kolekta

 

Bëj, po të lutemi, o Hyji i gjithëpushtetshëm, të meritojmë të hyjmë në gëzimin e shëlbimit tonë ne që po kremtojmë ngjalljen e Birit tënd. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Vap 11, 19-26) (fq. 1561)

 

Filluan t’u flasin edhe grekëve duke predikuar Lajmin e gëzueshëm të Jezusit.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

 

Në ato ditë, 19 apostujt që u shpërndanë për shkak të salvimit që u bë lidhur me Shtjefnin, arritën deri në Fenici, në Qipro e në Antioki. Këta nuk ua predikuan fjalën tjerëve përveç hebrenjve. 20 Por disa prej tyre, që ishin prej Qipros e prej Cirenës, kur erdhën në Antioki, filluan t’u predikojnë edhe grekëve e t’ju kumtojnë si Lajm të mirë: Jezusi është Zot. 21 Dora e Zotit u ndihmonte e shumë njerëz besuan dhe u kthyen kah Zoti. 22 Lajmi i këtyre ngjarjeve arriti në Kishën e Jerusalemit e kjo dërgoi Barnabën në Antioki.23 Kur ai arriti dhe pa hirin e Hyjit, u gëzua dhe i nxiti të qëndrojnë me gjithë shpirt në Zotin. 24 Ky ishte njëmend njeri i mirë, plot me Shpirt Shenjt dhe me fe. Një numër i madh njerëzish iu shtua Zotit. 25 Atëherë Barnaba u drejtua për në Tars për të gjetur Saulin. 26 Kur e gjeti e çoi në Antioki. Plot një vit qëndruan në atë bashkësi duke mësuar një shumicë bukur të madhe nxënësish. Në Antioki nxënësit për të parën herë u quajtën “të krishterë.”

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 87 (86), 1b-3.4-5.6-7 (fq. 757)

 

Ref. Popuj të gjithë, lavdërojeni Zotin.

 

1 Themelet e tij janë mbi malet e shenjta,

2 Zoti i do më shumë dyert e Sionit

se të gjitha banesat e Jakobit.

3 Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, o Qyteti i Hyjit!

 

Ref. Popuj të gjithë, lavdërojeni Zotin.

 

4 “Po përmend Rahabin e Babiloninë

ndër ato që më njohin;

ja, Filisteja, Tiri dhe Etiopia

‑ edhe ato lindën atje.”

5 Për Sionin do të thuhet: “Të gjithë në të lindën,

sepse e forcoi vetë i Tejetlarti!”

 

Ref. Popuj të gjithë, lavdërojeni Zotin.

 

6 Zoti do të shkruajë në librin e popujve:

“Këta lindën atje!”

7 Dhe duke hequr valle do të këndojnë:

“Të gjitha burimet e mia janë në ty!”

 

Ref. Popuj të gjithë, lavdërojeni Zotin.

 

Aleluja!

Delet e mia e dëgjojnë zërin tim; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje. (Gjn 10, 27)

Aleluja!

 

Ungjilli (Gjn 10, 22-30) (fq. 1524)

 

Unë dhe Ati jemi një.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

22 Në Jerusalem po festohej e kremtja e Kushtimit të Tempullit. Ishte dimër. 23 Jezusi ecte në Treme të Salomonit në Tempull. 24 Judenjtë e rrethuan dhe i thanë: “Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Mesia, na e thuaj haptas!”

25 Jezusi u përgjigji: “Ju thashë e ju nuk më besoni. Veprat që unë bëj në Emër të Atit tim, ato bëjnë dëshmi për mua. 26 Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni prej dhenve të mia. 27 Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje. 28 Unë u jap jetën e pasosur, kurrë nuk do të sharrojnë: askush nuk do t’i rrëmbejë prej dorës sime. 29 Ati im që m’i dha, është më i madh se të gjithë dhe askush s’mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit. 30 Unë dhe Ati jemi një.”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Bëj, po të lutemi, o Zot, të gëzohemi gjithmonë për këto mistere të Pashkëve, që veprimi i vazhdueshëm shpëtimprurës të bëhet për ne burim i pashtershëm hareje. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I PASHKËVE – III

 

Krishti i ngjallur gjithmonë ndërmjetëson për ne

 

47. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,

por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,

kur u flijua Krishti, Pashka jonë.

Ai nuk pushon së flijuari për ne

dhe na mbron duke ndërmjetësuar përjetësisht para teje.

Një herë i flijuar, më nuk vdes,

një herë i vrarë, jeton për amshim.

Prandaj njerëzimi në mbarë botën

galdon me harenë e plotë të Pashkëve.

Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore

e këndojnë himnin e lavdisë sate

duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

PREFACIONI I PASHKËVE – IV

Ripërtritja e gjithësisë me anë të misterit të Pashkëve

 

48. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,

por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,

kur u flijua Krishti, Pashka jonë.

Me fitoren mbi mëkatin,

rimëkëmbet mbarë rruzullimi

e në Krishtin, na ripërtërihet jeta.

Prandaj njerëzimi në mbarë botën

galdon me harenë e plotë të Pashkëve.

Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore

e këndojnë himnin e lavdisë sate

duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit Krh. Lk 24, 46.26

 

U desh që Krishti t’i pësojë mundimet dhe të ngjallej nga të vdekurit për të hyrë në lavdinë e vet, aleluja.

 

Lutja pas kungimit

 

Dëgjoji, o Zot, lutjet tona, që me pjesëmarrje në të mirat e shëlbimit të fitojmë ndihmë për jetën e tanishme e gëzimet e jetës së përhershme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.