Leximet e ditës

29 prill

 

SHËN KATERINA E SIENËS, VIRGJËR E MËSUESE E KISHËS

 

PAJTORE E EVROPËS

 

Festë

 

Antifona e hyrjes

 

Kjo është virgjër e urtë, njëra nga numri i të mençurave, që i doli para Krishtit me dritëz të ndezur.

 

Thuhet Lavdi

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti e ndeze shën Katerinën me dashuri hyjnore në meditim të thellë të mundimeve të Krishtit e në shërbim të Kishës sate: bëj, me ndërmjetësinë e saj, që populli yt, i bashkuar në misterin e Krishtit, t’i gëzohet gjithherë zbulesës së lavdisë së tij, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (1 Gjn 1, 5 - 2, 2) (fq. 1720)

 

Gjaku i Jezusit, na pastron nga çdo mëkat.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Gjonit apostull

 

Fort të dashur, 5 kjo është shpallja që e dëgjuam prej tij dhe po jua kumtojmë juve: Hyji është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësire! 6 Nëse themi: »Kemi bashkësi me Të«, por jetojmë në errësirë, ne gënjejmë dhe nuk e ushtrojmë të vërtetën. 7 Por, nëse ne ecim në dritë, sikurse Ai është në dritë, kemi bashkësi me njëri-tjetrin dhe gjaku i Jezusit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.

8 Por nëse themi: »Ne nuk kemi mëkat«, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne. 9 Por, nëse i pranojmë mëkatet tona, Ai është besnik dhe i drejtë: do të na i falë mëkatet dhe do të na pastrojë nga çdo padrejtësi. 10 Por, nëse themi: »Ne nuk kemi mëkatuar«, e bëjmë Atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.

2 1 Fëmijëzit e mi, po jua shkruaj këto që të mos mëkatoni. Por, edhe nëse ndokush mëkaton, e kemi Mbrojtësin te Ati – Jezu Krishtin, Të Drejtin. 2 Ai është flia pajtuese për mëkatet tona, dhe jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për të mbarë botës.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 103 (102), 1-2.3-4.8-9.13-14.17-18 (fq. 775)

 

Ref. Bekoje shpirti im Zotin.

 

1 Bekoje, shpirti im Zotin,

dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

2 Bekoje, shpirti im Zotin,

e mos i harro bamirësitë e tija.

 

Ref. Bekoje shpirti im Zotin.

 

3 Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,

Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;

4 Ai ta shpëton jetën prej varrit,

ai të kurorëzon me mirësi e dashuri

 

Ref. Bekoje shpirti im Zotin.

 

Zoti është i mirë e i mëshirshëm,

i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.

Nuk zemërohet gjithherë

as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.

 

Ref. Bekoje shpirti im Zotin.

 

13 Sikurse baba ka dhembje për fëmijët e vet,

ashtu Zoti ka dhembje për ata që e druajnë.

14 Sepse mirë e di si jemi të përbërë,

s’e harron se ne jemi pluhur.

 

Ref. Bekoje shpirti im Zotin.

 

17 Vetëm dashuria e Zotit është prej amshimit

e në amshim mbi ata që e druajnë

18 dhe drejtësia e tij mbi bijtë e njerëzve,

mbi ata që e mbajnë besëlidhjen e tij.

 

Ref. Bekoje shpirti im Zotin.

 

Aleluja!

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që ua zbulove të vegjëlve misteret e Mbretërisë qiellore. (krh. Mt 11, 25)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 11, 25-30) (fq.1398)

 

Unë jam zemër butë e i përvujtë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë Jezusi mori fjalën dhe tha: 25 »Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit, e ua zbulove të vegjëlve. 26 Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu! 27 Ati më dorëzoi mua gjithçka dhe askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit, dhe askush s’mund ta njoh Atin, përveç Birit e përveç atij kujt do Biri t’ia zbulojë.

28 Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. 29 Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, 30 sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.«

 

Fjala e Zotit

 

Ose:

 

Leximi i parë (1 Gjn 1, 5 - 2, 2)

 

Gjaku i Jezusit, na pastron nga çdo mëkat.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Gjonit apostull

 

Fort të dashur, 5 kjo është shpallja që e dëgjuam prej tij dhe po jua kumtojmë juve: Hyji është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësire!

6 Nëse themi: »Kemi bashkësi me Të«, por jetojmë në errësirë, ne gënjejmë dhe nuk e ushtrojmë të vërtetën. 7 Por, nëse ne ecim në dritë, sikurse Ai është në dritë, kemi bashkësi me njëri-tjetrin dhe gjaku i Jezusit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat. 8 Por nëse themi: »Ne nuk kemi mëkat«, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne. 9 Por, nëse i pranojmë mëkatet tona, Ai është besnik dhe i drejtë: do të na i falë mëkatet dhe do të na pastrojë nga çdo padrejtësi. 10 Por, nëse themi: »Ne nuk kemi mëkatuar«, e bëjmë Atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.

2 1 Fëmijëzit e mi, po jua shkruaj këto që të mos mëkatoni. Por, edhe nëse ndokush mëkaton, e kemi Mbrojtësin te Ati – Jezu Krishtin, Të Drejtin. 2 Ai është flia pajtuese për mëkatet tona, dhe jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për të mbarë botës.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 45 (44), 11-12.14-15a.15b-16 (fq. 708)

 

Ref. Në ty, o Zot, e vura gëzimin tim.

 

11 Më vështro, o bijë, shih e dëgjo:

harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babait tënd,

12 nëse Mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote.

Nderoje atë, Ai është zotëria yt!

 

Ref. Në ty, o Zot, e vura gëzimin tim.

 

14 E bukur është bija e Mbretit,

e mbështjellë me petk të qëndisur me ar.

15 Në petka laralara ia sjellin Mbretit.

 

Ref. Në ty, o Zot, e vura gëzimin tim.

 

Përcjellja e saj, shoqet e saja, vajza.

16 Me hare u prijnë e me brohori,

ja, po hyjnë në pallatet e Mbretit!

 

Ref. Në ty, o Zot, e vura gëzimin tim.

 

 

Aleluja!

Kjo është virgjëra e mençur që Zoti e gjeti zgjuar: erdhi dhëndri e ajo hyri bashkë me të në dasmë (krh. Mt 25, 10)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 25, 1-13) (fq. 1419)

 

Ja, dhëndëri! Dilni përpara!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë Jezusi u tregoj nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: 1”Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta e i dolën para dhëndrit. 2 Pesë prej tyre ishin të marra e pesë të mençura. 3 Tashti, këto të marrat, morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. 4 Ndërsa ato të mençurat, morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë.

5 Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. 6 Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilni përpara!’ 7 Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta. 8 Atëherë të marrat u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’ 9 Të mençurat u përgjigjën: ‘Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’

10 Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera. 11 Më vonë ia behën edhe virgjërat e tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ 12 Por ai iu përgjigj: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’ 13 Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoje, o Zot, flinë shpëtimtare që po ta kushtojmë në festën e shën Katerinës: që, të mësuar nga këshillat e saj, të të falënderojmë më ngrohtësisht ty, Hyjin e gjallë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh 1 Gjn 1, 7

 

Nëse ne ecim në dritë, sikurse Hyji është në dritë, kemi bashkësi njëri me tjetrin dhe gjaku i Jezusit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat, aleluja.

 

Lutja pas kungimit

 

Na dhashtë, o Zot, jetën e pasosur gostia qiellore, me të cilën jemi ushqyer dhe që mbajti edhe jetën e përkohshme të shën Katerinës. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.