Leximet e ditës

JAVA E VIII GJATË VITIT

 

E ENJTE

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 17, 19-20

 

Zoti u bë mburoja ime; Ai më qiti në vend të shpëtimit, më shpëtoi, sepse më deshi.

 

Kolekta

 

Bëj, po të lutemi, o Zot, që jeta jonë tokësore të na kalojë në paqe nën drejtimin tënd dhe Kishës sate fali gëzimin e përkushtisë me qetësi. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (1 Pjt 2, 2-5.9-12) (fq. 1711)

 

Ju jeni meshtari mbretërore, popull që Hyji e fitoi për vete, për t'i shpallur veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Pjetrit apostull

 

Fort të dashur, 2 porsi foshnjat e posa të lindura dëshironi qumështin shpirtëror të pastër, të fjalës që me anë të tij të rriteni në shëlbim 3 në qoftë se vërtet "e keni sprovuar se Zoti është i mirë." 4 Afrohuni Atij - Gurit të gjallë, njëmend të përbuzur prej njerëzve, por të zgjedhur dhe të çmueshëm para Hyjit, 5 që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni Shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin.

9 Porse ju jeni: "Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull që Hyji e fitoi për vete, për t'i shpallur veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme. 10 Ju që dikur nuk ishit Popull e tani jeni Populli i Hyjit, ju që dikur ishit të përjashtuar nga mëshira, e që tani e keni fituar mëshirën.

11 Fort të dashur, ju lutem që, si të huaj dhe si shtegtarë t'u ruheni lakmimeve të mishit dhe të gjakut, të cilat bëjnë luftë kundër shpirtit. 12 Sjellja juaj midis paganëve të jetë shembullore që, shi për ato sende në të cilat ju shpifen si të ishit bakqijë, kur t'i shohin veprat tuaja të mira, t'i japin lavdi Hyjit në Ditën e Ardhjes së tij.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 100 (99), 2.3.4.5. (fq. 772)

 

Ref. T’i shërbejmë Zotit me gëzim.

 

2 Toka mbarë le t’i brohoritë Zotit,

shërbejini Zotit me hare,

dilni para tij me brohoritje!

 

Ref. T’i shërbejmë Zotit me gëzim.

 

3 Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj:

Ai na krijoi e atij i përkasim:

jemi populli i tij dhe delet e kullosës së tij.

 

Ref. T’i shërbejmë Zotit me gëzim.

 

4 Hyni nëpër dyert e tija duke i dhënë lavd,

hyni në treme të tija e këndoni himne,

lavdërojeni e madhërojeni Emrin e tij!

 

Ref. T’i shërbejmë Zotit me gëzim.

 

5 Sepse i mirë është Zoti

e amshuar dashuria e tij,

nga breznia në brezni besnikëria e tij.

 

Ref. T’i shërbejmë Zotit me gëzim.

 

Aleluja!

Unë jam drita e botës, thotë Zoti; kush vjen pas meje do të ketë dritën e jetës. (krh. Gjn 8, 12)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mk 10, 46-52) (fq. 1445)

 

Rabbuni! Që të shoh!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

 

Në atë kohë, 46 kur Jezusi po dilte prej Jerihonit bashkë me nxënës e me një turmë të madhe populli, biri i Timeut, Bartimeu i verbët, rrinte në anë të rrugës e lypte. 47 Posa mori vesh se ishte Jezusi Nazarenas, filloi të bërtasë: »Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!«

48 Shumëkush e qortonte të heshtte, porse ai bërtiste edhe më fort: »Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!« 49 Jezusi zuri vend e tha: »thirreni!« Ata i bënë zë të verbëtit dhe i thanë: »Mos u tremb! Çohu se po të thërret!« 50 I verbëri hodhi mantelin e vet, menjëherë u ngrit dhe shkoi te Jezusi. 51 Jezusi e pyeti: »Çka dëshiron të bëj për ty?« »Rabbuni! Që të shoh!« - përgjigji i verbëri.

52 Jezusi i tha: »Shko lirisht! Feja jote të shpëtoi! Dhe aty për aty pa e u vu të udhëtojë pas Jezusit.«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Hyj, Ti vetë na i jep dhuratat për t’i kushtuar dhe Ti i pranon si fryt të përkushtisë sonë; po i lutemi mirësisë sate: bëj që çka na ke dhuruar për meritën tonë të na vlejë edhe për shpërblim. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 12, 6

 

Do t’i këndoj Zotit, bamirësit tim, do t’i këndoj emrit të të lartit Zot.

 

Ose: Mt 28, 20

 

Unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

Të ushqyer me dhuratën shpëtimtare, po i lutemi, o Zot, mëshirës sate: ky sakrament me të cilin na ushqen në këtë jetë të na bëjë pjesëtarë të jetës së amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.