Leximet e ditës

JAVA E VIII GJATË VITIT

 

E PREMTE

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 17, 19-20

 

Zoti u bë mburoja ime; Ai më qiti në vend të shpëtimit, më shpëtoi, sepse më deshi.

 

Kolekta

 

Bëj, po të lutemi, o Zot, që jeta jonë tokësore të na kalojë në paqe nën drejtimin tënd dhe Kishës sate fali gëzimin e përkushtisë me qetësi. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (1 Pjt 4, 7-13) (fq. 1713/4)

 

Jini mbarështues të mirë të hirit të shumëllojshëm të Hyjit.

 

Lexim prej Letrës së parë Shën Pjetrit apostull

 

Fort të dashur; 7 për çdo gjë u afrua mbarimi! Zgjohuni, pra, dhe jini të përkormë që t'i kushtoheni uratës! 8 Para të gjithash kini dashuri të vazhdueshme për njëri-tjetrin, sepse: "Dashuria mbulon një shumicë mëkatesh." 9 Jini mikpritës pa murmurime kundrejt shoqi-shoqit.

10 Shërbeni njëri-tjetrit, secili sipas dhuratës që keni marrë: si mbarështues të mirë të hirit të shumëllojshëm të Hyjit. 11 Kush flet, le të flasë për të shpallur fjalën e Hyjit. Nëse ndokush ka dhuratën e shërimit, le ta bëjë me fuqi që i jep Hyji, që në gjithçka t'i jepet lavdi Hyjit nëpër Jezu Krishtin, të cilit i qoftë lavdi e pushtet në shekuj të shekujve. Amen.

12 Fort të dashur! Mos iu çuditni zjarrit të salvimit që është ndezur në mesin tuaj për t'ju vënë në provë, thua se po ju ndodhë diçka e jashtëzakonshme, 13 por, përkundrazi, gëzohuni si pjesëtarë të mundimeve të Krishtit që edhe në Ditën e Zbulesës së lavdisë së tij të mund të galdoni me hare.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 96 (95), 10.11-12.13 (fq. 768/9)

 

Ref. Zoti po vjen për të gjykuar tokën!

 

10 Shpallni ndër paganë: "Mbret është Zoti!"

Ai e mban botën që të mos shkatërrohet;

i gjykon popujt me drejtësi.

 

Ref.  Zoti po vjen për të gjykuar tokën!

 

11 Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë!

Le të buçasë deti me ç'ka në të,

12 le të gëzojë fusha me ç'gjendet në të,

le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve.

 

Ref.  Zoti po vjen për të gjykuar tokën!

 

13 Para fytyrës së Zotit, sepse Ai po vjen,

sepse po vjen për të gjykuar tokën!

Do ta gjykojë botën me drejtësi,

do t'i gjykojë popujt me të vërtetën e tij.

 

Ref.  Zoti po vjen për të gjykuar tokën!

 

Aleluja!

Unë ju zgjodha në mes të botës, thotë Zoti, që të shkoni e të jepni fryt, e fryti juaj të qëndrojë. (Gjn 15, 16)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mk 11, 11-26) (fq. 1446)

 

Shtëpia ime duhet të jetë shtëpi urate për të gjithë popujt... Kini besim në Hyjin.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

 

Në atë kohë, 11 Jezusi hyri në Jerusalem, në Tempull, shikoi çdo gjë dhe, pasi dita ishte në të sosur, shkoi me të Dymbëdhjetët në Betani.

12 Të nesërmen, kur dolën prej Betanisë, Jezusi kishte uri. 13 Prej së largu pa një fik me gjethe, shkoj për të gjetur ndonjë kokërr në të. Por, kur iu afrua, nuk gjeti në të asgjë përveç gjethesh, sepse nuk ishte koha e fiqve. 14 Atëherë i tha: »Askush mos ngrënët kurrë e për këtë jetë më fryt prej teje!« Nxënësit e tij i dëgjuan këto fjalë.

15 Dhe arritën në Jerusalem. Kur hyri në Tempull, filloi t'i dëbojë ata që shitnin e blenin në Tempull. Ndërruesve të të hollave ua përmbysi tavolinat e shitësve të pëllumbave ua rrëzoi bankat. 16 Askënd s'la të mbartë ndonjë send nëpër Tempull. 17 I mësonte dhe u thoshte: »Po, a nuk thotë Shkrimi i shenjtë: 'Shtëpia ime duhet të jetë shtëpi urate për të gjithë popujt?' e ju e bëtë shpellë cubash!«

18 Kur dëgjuan kryepriftërinjtë e skribët, kërkonin mënyrën si ta vrasin; por e dronin, sepse populli mbarë ishte i ngazëlluar me mësimin e tij. 19 Kur u bë natë, Jezusi e nxënësit po dilnin jashtë qytetit.

20 Kur, në mëngjes, kaluan andej, panë se fiku ishte tharë me gjithë rrënjë. 21 Atëherë Pjetrit i ra ndër mend e i tha: »Rabbi, shiko! Qenka tharë fiku që ti nëme!« 22 Jezusi mori fjalën e u tha: »Kini besim në Hyjin! 23 Përnjëmend po ju them: nëse ndokush i thotë këtij mali: 'Çohu dhe hidhu në det!' - e nuk dyshon në zemrën e vet, por beson se do të ndodhë siç thotë, po se ashtu do t'i ngjajë! 24 Prandaj po ju them: çkado që të kërkoni me uratë, besoni se e morët, e do ta fitoni me siguri. 25 E, kurdo të ngriteni për t'u lutur, falni nëse keni ndonjë send kundër ndokujt, që Ati juaj që është në qiell, t'jua falë edhe juve fajet.«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Hyj, Ti vetë na i jep dhuratat për t’i kushtuar dhe Ti i pranon si fryt të përkushtisë sonë; po i lutemi mirësisë sate: bëj që çka na ke dhuruar për meritën tonë të na vlejë edhe për shpërblim. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 12, 6

 

Do t’i këndoj Zotit, bamirësit tim, do t’i këndoj emrit të të lartit Zot.

 

Ose: Mt 28, 20

 

Unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

Të ushqyer me dhuratën shpëtimtare, po i lutemi, o Zot, mëshirës sate: ky sakrament me të cilin na ushqen në këtë jetë të na bëjë pjesëtarë të jetës së amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.