Leximet e ditës
E SHTUNË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 17, 19-20
Zoti u bë mburoja ime; Ai më qiti në vend të shpëtimit, më shpëtoi, sepse më deshi.
Kolekta
Bëj, po të lutemi, o Zot, që jeta jonë tokësore të na kalojë në paqe nën drejtimin tënd dhe Kishës sate fali gëzimin e përkushtisë me qetësi. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Jud 17.20-25) (fq. 1731)
Zoti mund t'ju ruajë të mos bini në mëkat dhe t'ju paraqesë të patëmetë para Lavdisë së vet.
Lexim prej Letrës së Shën Judës apostull
17 Ju, o të dashur, kujtoni fjalët që ju paralajmëruan apostujt e Jezu Krishtit, Zotit tonë. 20 Por, ju o të dashur, ndërtoni veten mbi themelin e fesë suaj tejet të shenjtë duke u lutur në Shpirtin Shenjt. 21 Qëndroni në dashurinë e Hyjit duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krishtit për jetën e pasosur.
22 Disa - të luhatshëm - qortoni; 23 disa tjerë shpëtoni duke ia rrëmbyer zjarrit; për do tjerë, prapë, kini mëshirë duke u trembur dhe urreni deri edhe petkun e përdhosur prej trupit të tyre.
24 Atij që mund t'ju ruajë të mos bini në mëkat dhe t'ju paraqesë të patëmetë me hare para Lavdisë së vet - 25 Një të vetmit Hyj, Shëlbuesit tonë, nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë: lavdi, madhëri, fuqi dhe pushtet para çdo kohe, tani dhe në të gjithë shekujt. Amen.
Fjala e Zotit
Psalmi 63 (62), 2.3-4.5-6 (fq. 726)
Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.
2 O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj.
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron trupi im,
tokë e shkretë, e thatë, e paujë.
Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.
3 Kështu erdha në Shenjtëroren tënde
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
4 Sepse më e mire është dashuria jote se jeta:
buzët e mia do të të lavdërojnë.
Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.
5 Kështu do të të bekoj në jetën time
e në Emrin tënd do t'i ngre lart duart e mia,
6 do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme,
me buzë të hareshme do të lavdërojë goja ime.
Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.
Aleluja!
Fjala e Krishtit banoftë në ju me tërë begatinë e vet. Çkado që të thoni dhe të bëni le të jetë në falënderim Hyjit Atë me anë të Krishtit. (Kol 3, 16.17)
Aleluja!
Ungjilli (Mk 11, 27-33) (fq. 1446/7)
Me ç'pushtet i bënë këto vepra?
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Në atë kohë, 27 ndërsa Jezusi po ecte nëpër Tempull, ju afruan kryepriftërinjtë, skribët e pleqtë 28 e i thanë: »Me ç'pushtet i bënë këto? Kush ta dha ty pushtetin të veprosh kështu?«
29 Jezusi u përgjigj: »Edhe unë po ju bëj një pyetje të vetme. Me përgjigjni ju e atëherë do t'ju përgjigjem me ç'pushtet i bëj këto. 30 Me përgjigjni: Pagëzimi i Gjonit a ishte prej 'Qiellit' apo prej 'njerëzve'?«
31 Ata filluan të pleqërojnë në vetvete: 'Po thamë 'Prej Qiellit", ai do të na thotë: 'Pse atëherë nuk i besuat? 32 e po përgjigjëm: 'Prej njerëzve...' druanin popullin sepse të gjithë e mbanin Gjonin profet të vërtetë. 33 Këndej i përgjigjën Jezusit: »Nuk dimë.«
Edhe Jezusi u përgjigji: »As unë, pra, s'po ju tregoj se me ç’pushtet i bëj këto!«
Lutja mbi dhurata
O Hyj, Ti vetë na i jep dhuratat për t’i kushtuar dhe Ti i pranon si fryt të përkushtisë sonë; po i lutemi mirësisë sate: bëj që çka na ke dhuruar për meritën tonë të na vlejë edhe për shpërblim. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 12, 6
Do t’i këndoj Zotit, bamirësit tim, do t’i këndoj emrit të të lartit Zot.
Ose: Mt 28, 20
Unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Të ushqyer me dhuratën shpëtimtare, po i lutemi, o Zot, mëshirës sate: ky sakrament me të cilin na ushqen në këtë jetë të na bëjë pjesëtarë të jetës së amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.