Leximet e ditës
TRINIA E SHENJTË
A
e kremte
1. TRINIA E SHENJTË
Në këtë Meshë përdoret ngjyra e bardhë.
Antifona e Hyrjes
Qoftë bekuar Hyji Atë dhe i Njëlinduri, Biri i Hyjit, edhe Shpirti Shenjt, për mëshirën që tregoi ndaj nesh.
Thuhet Lavdi
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj Atë, Ti ke dërguar në botë Birin tënd, Fjalën e së Vërtetës dhe Shpirtin shenjtërues, për t’u zbuluar njerëzve misterin e jetës sate; bëj që me dëshmimin e besimit të vërtetë, ta njohim lavdinë e Trinisë së amshuar dhe të adhurojmë Një Hyj të vetëm dhe të gjithëpushtetshëm. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Dal 34, 4b-6.8-9) (fq. 121/2)
Zoti, Hyji i mëshirshëm e i butë.
Lexim prej Librit të Daljes
Në ato ditë, 4 Moisiu u çua me natë e u ngjit në malin Sinai me dy rrasat në dorë siç i kishte urdhëruar Zoti. 5 Atëherë Zoti zbriti në re, u ndal aty, afër tij dhe e shpalli emrin e Zotit. 6 Zoti kaloi përpara tij e shpalli: “Zoti, Zoti, Hyji i mëshirshëm e i butë, i durueshëm e shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë, 7 që qëndron besnik me mijëra brezni, që e duron fajin, kundërshtimin dhe mëkatin, por nuk lë pa ndëshkuar asgjë; që e ndëshkon paudhësinë e etërve në fëmijë, madje në nipa ‑ në të tretën e në të katërtën brezni”. 8 Moisiu ra vrik me fytyrë përdhe, adhuroi 9 e tha: “O Zot, nëse kam gjetur hir para syve të tu, po të lutem, shtegto me ne. Njëmend, është një popull zverkngurtë, por ti na i fal fajet tona e mëkatet e na prano për pronën tënde”.
Fjala e Zotit
Psalmi Dan 3, 52a.53.54.55.56 (fq. 1211)
Ref. Ty të qoftë lavdi e nderë, o Zot, në shekuj.
52 “I bekuar je, o Zot, Hyji i etërve tanë.
Ref. Ty të qoftë lavdi e nderë, o Zot, në shekuj.
I bekuar emri shenjt i lavdisë sate.
Ref. Ty të qoftë lavdi e nderë, o Zot, në shekuj.
53 I bekuar je në Tempullin e lavdisë sate të shenjtë.
Ref. Ty të qoftë lavdi e nderë, o Zot, në shekuj.
54 I bekuar je në fronin e mbretërisë sate.
Ref. Ty të qoftë lavdi e nderë, o Zot, në shekuj.
55 I bekuar je, ti që shqyrton humnerat e që rri mbi kerubinë.
Ref. Ty të qoftë lavdi e nderë, o Zot, në shekuj.
56 I bekuar je në kupën qiellore!
Ref. Ty të qoftë lavdi e nderë, o Zot, në shekuj.
Leximi i dytë (2 Kor 13, 11-13) (fq. 1638)
Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit dhe bashkësia me Shpirtin Shenjt.
Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
Vëllezër, 11 gëzohuni! Mos pushoni së përmirësuari! Ngushëllohuni dhe jini në përkim me njëri-tjetrin! Jetoni në paqe e Hyji, prej të cilit buron dashuria e paqja, do të jetë me ju.
12 Përshëndeteni njëri‑tjetrin me puthje të shenjtë! Ju bëjnë të fala të gjithë shenjtërit. 13 Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit dhe bashkësia me Shpirtin Shenjt, qoftë me ju të gjithë.
Fjala e Zoti
Aleluja!
Lavdi Atit, e Birit, e Shpirtit Shenjt: Hyjit që është, që ishte e që po vjen! (Krh. Zb 1, 8)
Aleluja!
Ungjilli ( Gjn 3, 16-18) (fq. 1509)
Hyji e dërgoi Birin e vet që bota të shpëtojë nëpër të.
Lexim i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë Jezusi i tha Nikodemit: 16 Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që e dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur.
17 Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të.
18 Kush beson në të, nuk dënohet, ndërsa, kush nuk beson, ai është dënuar që tani, pse nuk besoi në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit.
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
O Zot, Hyji ynë, po e thërrasim emrin tënd që t’i shenjtërosh këto kushte të shërbesës sonë dhe që, në saje të tyre, të na shndërrosh edhe ne në dhuratën tënde të amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë
Prefacioni: Misteri i Trinisë së Shenjtë
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti, bashkë me të Njëlindurin Birin tënd e me Shpirtin Shenjt,
je një Hyj i vetëm, e një Zot i vetëm,
tre Persona, por në një natyrë.
E vërtet, atë që ne, të zbuluar prej teje,
e besojmë mbi lavdinë tënde,
e besojmë edhe për Birin tënd e për Shpirtin Shenjt.
Kështu, kur shpallim Hyjin e vërtetë e të amshuar,
ne njëkohësisht adhurojmë Trininë e personave,
njëninë e natyrës e barazinë e madhërisë.
Prandaj edhe engjëjt e kryeengjëjt,
kerubinët e serafinët,
nuk pushojnë kurrë së brohorituri njëzëri:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Gal 4, 6
Pasi jeni bij, e dërgoi Hyji në zemrat tuaja Shpirtin e Birit të vet, i cili thërret: Abba, o Atë.
Lutja pas kungimit
Na vleftë për shpëtimin e trupit dhe të shpirtit, o Zot, Hyji ynë, kungimi i shenjtë që morëm dhe dëshmimi që bëmë në nder të një Hyji të vetëm në tre Persona hyjnore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.