Leximet e ditës
JAVA E IX GJATË VITIT
E HËNË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 24, 16.18
Më shiko, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, sepse jam i vetmuar dhe i mjerë. Shihe përvujtërimin tim e mundimin dhe m’i fal të gjitha mëkatet e mia, o Hyji im.
Kolekta
O Hyj, provania jote pagabueshmërisht sundon mbi gjithçka, me përvujtëri po të lutemi, largo prej nesh çdo gjë që na dëmton dhe na dhuro çka na vlen për të mirë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (2 Pjt 1, 2-7) (fq. 1715)
Na u dhuruan premtimet më të çmueshmet që me anë të tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore.
Lexim prej Letrës së dytë të Shën Pjetrit apostull
Të dashurit e mi: 2 Paçi hir dhe paqe të plotë me anë të njohjes së Hyjit dhe të Jezusit, Zotit tonë.
3 Vërtet, fuqia hyjnore na dhuroi gjithçka na nevojitet për jetë dhe për përshpirtëri me anë të njohjes së Atij që na grishi në saje të lavdisë dhe të forcës së vet. 4 Bashkë me to na u dhuruan premtimet më të çmueshmet dhe më të mëdhatë që me anë të tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmimit.
5 Për këtë arsye përqendroni të gjitha forcat tuaja t'ia shtoni fesë virtytin, virtytit dijen, 6 dijes përkormërinë, përkormërisë qëndresën, qëndresës përshpirtërinë, 7 përshpirtërisë dashurinë vëllazërore, dashurisë vëllazërore dashurinë që përfshinë gjithkënd.
Fjala e Zotit
Psalmi 91 (90), 1-2.14-15b.15c-16 (fq. 764)
Ref. Hyji im, në ty shpresoj.
1 Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit,
do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.
2 Do t'i thotë Zotit: "Strehimi im,
kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të."
Ref. Hyji im, në ty shpresoj.
14 "Do ta shpëtoj sepse më do,
do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.
15 Ai do të më thërrasë e unë do t'i ndihmoj,
në vështirësi do të jem me të.
Ref. Hyji im, në ty shpresoj.
Do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.
16 Do t'i dhuroj jetë të gjatë,
do t'ia tregoj shëlbimin tim."
Ref. Hyji im, në ty shpresoj.
Aleluja!
5 Jezu Krishti është i Parëlindurit ndër të vdekur: Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj (të shekujve). (Zb 1, 5a.6b)
Aleluja!
Ungjilli (Mk 12, 1-12) (fq. 1447)
E kapën trashëgimtarin, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Në atë kohë, 1 Jezusi filloi t'u flasë në shëmbëlltyra kryepriftërinjve, skribëve dhe pleqve:
»Një njeri mbolli një vresht, e thuri me gardh, e punoi shtrydhësin, ndërtoi kullën, ua dha për gjysmë vreshtarëve dhe shkoi në dhe të huaj.
2 Në kohë të duhur dërgoi shërbëtorin e vet te vreshtarët për të marrë prej tyre pjesën e vet të fryteve të vreshtit. 3 Ata e kapën, e rrahën dhe e nisën duarthatë. 4 Ai prapë dërgoi tek ata një tjetër shërbëtor, por edhe këtij t'i hoqën dru kresë dhe e poshtëruan. 5 Pastaj dërgoi edhe të tretin: këtë e vranë. Çoi edhe shumë tjerë. Edhe këta disa i rrahën e disa i vranë.
6 Kishte vetëm edhe një: djalin e vet të dishirit. Të mbramin ua dërgoi atë. Mendonte. 'Do të ma nderojnë djalin.' 7 Por ata, vreshtarët, i thanë njëri-tjetrit: 'Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim e neve do të na mbesë trashëgimi!' 8 E kapën, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit.
9 Ç'do t'u bëjë (tani) zotëria i vreshtit? Do të vijë e do t'i vrasë ata vreshtarë e vreshtin do t'ua japë të tjerëve. 10 Po a nuk i keni lexuar këto fjalë në Shkrimin e shenjtë: 'Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit u bë guri i këndit; 11 kjo është vepër e Zotit, se ç'mrekulli në sytë tanë!'
12 Mendonin ta kapnin, por druanin popullin. Mirë e morën vesh se Jezusi e kishte drejtuar këtë shëmbëlltyrë kundër tyre. E lanë e shkuan.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
O Zot, iu afruam altarit me këto dhurata, me shpresë të gjallë në mirësinë tënde që të na pastrojë hiri i mistereve të shenjta nëpërmjet të cilave po të shërbejmë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 16, 6
Unë të thirra, sepse Ti më vështrove, o Hyj: ma prire veshin tënd dhe dëgjo fjalët e mia.
Ose: Mk 11, 23.24
Përnjëmend po ju them, çkado kërkoni me uratë, besoni se e morët, e do ta fitoni, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti na ushqen me Trupin dhe Gjakun e Birit tënd, po të lutemi, na drejto me Shpirtin tënd, që të shpallim jo vetëm me fjalë e gjuhë, por me vepra e me të vërtetë e të meritojmë të hyjmë në mbretërinë qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.