Leximet e ditës
JAVA E IX GJATË VITIT
E MARTË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 24, 16.18
Më shiko, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, sepse jam i vetmuar dhe i mjerë. Shihe përvujtërimin tim e mundimin dhe m’i fal të gjitha mëkatet e mia, o Hyji im.
Kolekta
O Hyj, provania jote pagabueshmërisht sundon mbi gjithçka, me përvujtëri po të lutemi, largo prej nesh çdo gjë që na dëmton dhe na dhuro çka na vlen për të mirë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (2 Pjt 3, 11b-15a.17-18) (fq. 1718)
Presim qiellin e ri dhe tokën e re.
Lexim prej Letrës së dytë të Shën Pjetrit apostull
Vëllezër, 11 sa njerëz të mirë duhet të jeni ju të gjithë me jetë të shenjtë, me përshpirtëri, 12 ju që e prisni dhe e shpejtoni Ditën e Ardhjes së Hyjit, në të cilën qiejt do të shkatërrohen me zjarr dhe elementet e botës do të shkrihen prej nxehtësisë. 13 Ne veç, sipas premtimit të tij, presim "qiellin e ri dhe tokën e re," ku banon drejtësia.
14 Këndej, o të dashur, ju, ndërsa i prisni këto, mundohuni të jeni para tij të panjollë, të patëmetë, në paqe! 15 Po edhe duresën e Zotit tonë çmone si rast shëlbimi.
17 Ju, pra, o të dashur, pasi jeni të porositur që më parë për këto, ruajuni që, të mashtruar nga marrëzia e të mbrapshtëve, të mos e humbni sigurinë që jep feja! 18 Por rrituni në hir dhe në njohje të Zotit tonë Jezu Krishtit Shëlbues! Atij i qoftë lavdi qysh tash dhe deri në ditë të amshimit. Amen.
Fjala e Zotit
Psalmi 90 (89), 2.3-4.10, 14.16 (fq. 762)
Ref. Ti, o Zot je mbrojtja jonë, nga breznia në brezni.
2 Para se të lindnin malet,
para se të bëhej Toka dhe rruzulli,
prej amshimit të amshimit ti je Hyj!
Ref. Ti, o Zot je mbrojtja jonë, nga breznia në brezni.
3 Ti e kthen njeriun në pluhur
duke thënë: "Kthehuni, bijtë e Adamit!"
4 Sepse mijëra vjet për sy të tu
janë si dita e djeshme që kaloi,
porsi ndërrimi i rojës së natës!
Ref. Ti, o Zot je mbrojtja jonë, nga breznia në brezni.
10 Jeta jonë zgjat shtatëdhjetë vjet,
po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë,
por shumica me mundim e dhembje,
kalojnë shpejt e ne prej këndej zhdukemi.
Ref. Ti, o Zot je mbrojtja jonë, nga breznia në brezni.
14 Na e diko në mëngjes mëshirën tënde
e do të gëzohemi e do të galdojmë
të gjitha ditët e jetës sonë.
16 Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu,
shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!
Ref. Ti, o Zot je mbrojtja jonë, nga breznia në brezni.
Aleluja!
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, na dhashtë shpirtin e dijes, që të mund ta kuptojmë shpresën e madhe të thirrjes sonë. (Ef 1,17-18)
Ungjilli (Mk 12, 13-17) (fq. 1447)
Çka i përket Cezarit, jepjani Cezarit e çka i përket Hyjit, jepjani Hyjit!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Në atë kohë, 13 kryepriftërinjtë dhe skribët i dërguan disa prej farisenjsh e herodianësh me qëllim që ta zënë në fjalë Jezusin.
14 Këta erdhën e i thanë: »Mësues, e dimë se je njeri që flet të vërtetën. Nuk je në kujdes për askënd, se ti nuk e merr parasysh pozitën që kanë njerëzit kur është puna të mësosh të vërtetën ashtu si kërkon Hyji të jetojmë. A është e lejueshme t'ia paguajmë Cezarit tatimin apo jo? A t'ia japim apo mos japim.«
15 Ai e hetoi dredhinë e tyre dhe u tha: »Pse po më sprovoni? Ma bini ta shoh një denar!« 16 Ata ia sollën.
Ai i pyeti: »E kujt është kjo fytyrë e ky mbishkrim?« »Të Cezarit.« - i përgjigjën ata. 17 Jezusi u përgjigj: »Çka i përket Cezarit, jepjani Cezarit e çka i përket Hyjit, jepjani Hyjit!«
I la me gojë hapët.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
O Zot, iu afruam altarit me këto dhurata, me shpresë të gjallë në mirësinë tënde që të na pastrojë hiri i mistereve të shenjta nëpërmjet të cilave po të shërbejmë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 16, 6
Unë të thirra, sepse Ti më vështrove, o Hyj: ma prire veshin tënd dhe dëgjo fjalët e mia.
Ose: Mk 11, 23.24
Përnjëmend po ju them, çkado kërkoni me uratë, besoni se e morët, e do ta fitoni, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti na ushqen me Trupin dhe Gjakun e Birit tënd, po të lutemi, na drejto me Shpirtin tënd, që të shpallim jo vetëm me fjalë e gjuhë, por me vepra e me të vërtetë e të meritojmë të hyjmë në mbretërinë qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.