Leximet e ditës

JAVA E IX GJATË VITIT

 

E MËRKURË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 24, 16.18

 

Më shiko, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, sepse jam i vetmuar dhe i mjerë. Shihe përvujtërimin tim e mundimin dhe m’i fal të gjitha mëkatet e mia, o Hyji im.

 

Kolekta

 

O Hyj, provania jote pagabueshmërisht sundon mbi gjithçka, me përvujtëri po të lutemi, largo prej nesh çdo gjë që na dëmton dhe na dhuro çka na vlen për të mirë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (2 Tim 1, 1-3.6-12) (fq. 1679)

 

Hyji nuk na ka dhënë shpirtin e frikës, por të virtytit, të dashurisë dhe të urtisë.

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut

 

1 Pali, apostulli i Krishtit Jezus për vullnet të Hyjit i dërguar për të shpallur jetën e premtuar që është në Krishtin Jezus: 2 Timoteut, birit të dashur: Hir, mëshirë, paqe prej Hyjit Atë dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë. 3 E falënderoj Hyjin, të cilit i shërbej, sikurse edhe të parët e mi, me ndërgjegje të pastër, ndërsa pa pushim të kujtoj në urata të mia natë e ditë.

6 Këndej të përkujtoj ta ringjallësh dhuratën e hirit të Hyjit që është në ty në saje të vënies së duarve të mia. 7 Sepse Hyji nuk na e ka dhënë shpirtin e frikës, por përkundrazi shpirtin e virtytit, të dashurisë dhe të urtisë.

8 Prandaj mos të vijë turp ta dëshmosh Zotin tonë as mua të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit, 9 i cili na shëlboi dhe na grishi me thirrje të shenjtë - jo në saje të veprave tona, por në saje të vullnetit të vet dhe të hirit, që na u dha qysh prej amshimit në Jezu Krishtin 10 dhe u dëftua tani me Ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit. Ky e asgjësoi vdekjen dhe bëri të shndrisë jeta dhe pavdekësia me anë të Ungjillit, 11 për të cilin Hyji më caktoi të jem predikatar, apostull dhe mësues.

12 Ja, pra, përse unë edhe i duroj këto vuajtje! Por nuk më vjen turp sepse e di se kujt i kam besuar dhe jam i sigurt se Ai është i zoti ta ruajë visarin që m'u besua deri në atë Ditë.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 123 (122), 1b-2ab.2cdef (fq. 807)

 

Ref. Te ti, o Zot, po e lartësoj lutjen time.

 

1 Drejt teje po i lartësoj sytë, e mi,

drejt teje që banon në qiell.

Qe, porsi sytë e shërbëtorëve

drejt dorës së zotërinjve të vet.

 

Ref. Te ti, o Zot, po e lartësoj lutjen time.

 

Porsi sytë e shërbëtores

drejt duarve të zonjës së vet,

ashtu priren sytë tanë drejt Zotit, Hyjit tonë,

derisa të ketë mëshirë për ne.

 

Ref. Te ti, o Zot, po e lartësoj lutjen time.

 

Aleluja!

Unë jam Ringjallja dhe Jeta: kush beson në mua do të jetojë në amshim. (krh. Gjn 11, 25a.26)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mk 12, 18-27) (fq. 1447/8)

 

Hyji nuk është Hyji i të vdekurve, por i të gjallëve.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

 

Në atë kohë 18 Saducenjtë që mësojnë se nuk ka ringjallje, erdhën dhe e pyetën Jezusin: 19 »Mësues, Moisiu urdhëroi për ne: 'Po vdiq vëllai i ndokujt dhe e lë gruan pa fëmijë, vëllai i tij të martohet me gruan e tij e t'i lindë fëmijë vëllait të vet.' 20 Tashti, ishin shtatë vëllezër. I pari u martua dhe vdiq, por nuk la pasardhës. 21 I dyti e mori atë e vdiq, por nuk la trashëgimtar. Po ashtu edhe i treti. 22 Asnjëri prej të shtatëve nuk la trashëgimtar. Pas të gjithëve vdiq edhe gruaja. 23 Pas ringjalljes (kur të ngjallen) gruaja e cilit do të jetë? Sepse, të shtatë e patën grua.«

24 Jezusi u përgjigj: »Po a nuk jeni në gabim shi pse nuk e kuptoni Shkrimin e shenjtë e pushtetin e Hyjit? 25 Sepse, kur njerëzit të ngjallen prej së vdekuri, as burrat s'do të marrin gra, as gratë burra, por do të jenë porsi engjëjt në qiell. 26 Përsa mandej i përket çështjes së ringjalljes së të vdekurve, a nuk keni lexuar në librin e Moisiut, në fragmentin mbi dukurinë e 'Kaçubës', se si i tha Hyji: 'Unë jam Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit?' 27 Hyji nuk është Hyji i të vdekurve, por i të gjallëve. E keni shumë gabim!«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, iu afruam altarit me këto dhurata, me shpresë të gjallë në mirësinë tënde që të na pastrojë hiri i mistereve të shenjta nëpërmjet të cilave po të shërbejmë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 16, 6

 

Unë të thirra, sepse Ti më vështrove, o Hyj: ma prire veshin tënd dhe dëgjo fjalët e mia.

 

Ose: Mk 11, 23.24

 

Përnjëmend po ju them, çkado kërkoni me uratë, besoni se e morët, e do ta fitoni, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

O Zot, Ti na ushqen me Trupin dhe Gjakun e Birit tënd, po të lutemi, na drejto me Shpirtin tënd, që të shpallim jo vetëm me fjalë e gjuhë, por me vepra e me të vërtetë e të meritojmë të hyjmë në mbretërinë qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.