Leximet e ditës
JAVA E IX GJATË VITIT
E ENJTE
Antifona e hyrjes Krh. Ps 24, 16.18
Më shiko, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, sepse jam i vetmuar dhe i mjerë. Shihe përvujtërimin tim e mundimin dhe m’i fal të gjitha mëkatet e mia, o Hyji im.
Kolekta
O Hyj, provania jote pagabueshmërisht sundon mbi gjithçka, me përvujtëri po të lutemi, largo prej nesh çdo gjë që na dëmton dhe na dhuro çka na vlen për të mirë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (2 Tim 2, 8-15) (fq. 1680)
E vërtetë është kjo fjalë: nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë.
Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut
Fort i dashur! 8 Kujtoje Jezu Krishtin të ngjallur nga të vdekurit nga trungu i Davidit sipas Ungjillit që unë predikoj, 9 për shkak të cilit vuaj deri edhe në pranga sikur të isha keqbërës.
Por fjala e Hyjit nuk është në pranga! 10 Këndej edhe duroj çdo vështirësi për të mirën e të zgjedhurve që edhe ata ta fitojnë shëlbimin, që është në Krishtin Jezus bashkë me lumturinë e amshueshme. 11 E vërtetë është kjo fjalë: "Nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë. 12 Nëse qëndrojmë besnikë, bashkë me Të do të mbretërojmë. Nëse i biem mohit, edhe Ai do të na bjerë mohit. 13 Nëse ne nuk i jemi besnikë - Ai mbetet besnik! Sepse Ai kurrsesi nuk mund ta mohojë vetveten!
14 Përkujto për këto gjëra duke u përbetuar para Hyjit se nuk duhen bërë rragatje fjalësh: ato askujt s'i vlejnë gjë. Janë vetëm për rrënim të atyre që dëgjojnë. 15 Mundohu t'i dalësh para Hyjit si punëtor i sprovuar që nuk ka për çka të turpërohet, që flet e pret, pra, drejt fjalën e së vërtetës.
Fjala e Zotit
Psalmi 25 (24), 4-5ab,8-9.10.14 (fq. 683)
Ref. Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua.
4 Bëj t'i njoh, o Zot, udhët e tua
e m'i mëso shtigjet e tua.
5 Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,
sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im.
Ref. Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua.
8 I ëmbël e i drejtë është Zoti,
mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,
9 të përvujtëve u prin në drejtësi,
të butëve ua mëson udhën e vet.
Ref. Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua.
10 Të gjitha udhët e Zotit janë mëshirë dhe e vërtetë
për ata që mbajnë Besëlidhjen e tij e urdhërimet.
14 Miqësisht sillet Zoti me ata që e druajnë,
për t’ua njoftuar Besëlidhjen e vet.
Ref. Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua.
Aleluja!
Shëlbuesi ynë Jezu Krishti e asgjësoi vdekjen dhe bëri të shndris jeta me anë të Ungjillit (krh. 2 Tim 1, 10)
Ungjilli (Mk 12, 28-34) (fq. 1448)
Ky është urdhri i parë, i dyti është i ngjashëm me të parin.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Në atë kohë, 28 një nga skribët që kishte dëgjuar rragatjen e tyre, duke parë se Jezusi u përgjigji mirë, iu afrua dhe e pyeti: »Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?«
29 Jezusi i përgjigji: »I pari është: 'Dëgjo, Izrael! Zoti Hyji ynë, është një Zot i vetëm. 30 Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde e me gjithë fuqinë tënde! 31 Urdhri i dytë është: 'Duaje të afërmin tënd porsi vetveten! 'Tjetër urdhër më të madh se këta nuk ka.«
32 Skribi përgjigji: »Mirë fort, Mësues! Përgjigje ashtu siç është e vërteta! Ai është i Vetmi, e pos tij s'ka tjetër. 33 Të duash Atë me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë fuqi e të duash të afërmin tënd porsi vetveten,' vlen më shumë se të gjitha flitë e shkrumbimit e theroret.«
34 Jezusi, duke parë se përgjigji me urti, i tha: »Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit.« Dhe askush s'pati më guxim të hyjë me të në rragatje.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
O Zot, iu afruam altarit me këto dhurata, me shpresë të gjallë në mirësinë tënde që të na pastrojë hiri i mistereve të shenjta nëpërmjet të cilave po të shërbejmë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 16, 6
Unë të thirra, sepse Ti më vështrove, o Hyj: ma prire veshin tënd dhe dëgjo fjalët e mia.
Ose: Mk 11, 23.24
Përnjëmend po ju them, çkado kërkoni me uratë, besoni se e morët, e do ta fitoni, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti na ushqen me Trupin dhe Gjakun e Birit tënd, po të lutemi, na drejto me Shpirtin tënd, që të shpallim jo vetëm me fjalë e gjuhë, por me vepra e me të vërtetë e të meritojmë të hyjmë në mbretërinë qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.