Leximet e ditës

JAVA E IX GJATË VITIT

 

E PREMTE

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 24, 16.18

 

Më shiko, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, sepse jam i vetmuar dhe i mjerë. Shihe përvujtërimin tim e mundimin dhe m’i fal të gjitha mëkatet e mia, o Hyji im.

 

Kolekta

 

O Hyj, provania jote pagabueshmërisht sundon mbi gjithçka, me përvujtëri po të lutemi, largo prej nesh çdo gjë që na dëmton dhe na dhuro çka na vlen për të mirë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (2 Tim 3, 10-16) (fq. 1681)

 

Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë plotësisht në Krishtin do të salvohen.

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut

 

Fort i dashur! 10 Ti veç më ke përcjellë për së afërmi në mësimin tim, në sjellje, në synime, në fe, në duresë, në dashuri, në qëndresë, 11 në salvime, në mundime, që më ndodhën në Antioki, në Ikon, në Listër. Se ç'salvime kam sprovuar! Por prej të gjithave Zoti vetë më shpëtoi. 12 Veçse edhe të gjithë ata që duan të jetojnë me përshpirtëri në Krishtin Jezus, do të salvohen. 13 Përkundrazi, njerëzit e këqij dhe gënjyes do të përparojnë prej së keqes në më zi - duke gënjyer tjerët dhe duke u gënjyer edhe ata vetë.

14 Ti veç, qëndro në mësim që ke marrë dhe në atë që t'u besua duke e ditur se prej kujt i mësove 15 dhe se qysh prej fëmijërisë e njeh Shkrimin e shenjtë, i cili është i aftë të japë dijen që çon në shëlbim me anë të fesë në Jezu Krishtin. 16 I tërë Shkrimi i shenjtë, hyjnisht i frymëzuar, është i dobishëm për të mësuar, për të bindur, për të ndrequr, për të edukuar në drejtësi.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 119 (118), 157.160.161.165.166.168 (fq. 797/805)

 

Ref. Ligji yt, o Zot, është burim i paqes.

 

157 Shumë janë ata që më salvojnë e më poshtërojnë,

por unë nuk iu shmanga dëshmive të tua.

160 Për parim fjalët e tua kanë të vërtetën,

të gjitha gjyqet e drejtësisë sate janë për amshim.

 

Ref. Ligji yt, o Zot, është burim i paqes.

 

161 Të mëdhenjtë më salvojnë pa arsye,

zemra ime trembet vetëm prej fjalëve të tua.

165 Dashamirësit e Ligjit tënd gëzojnë paqe të madhe,

ata askurrë nuk marrin në thua.

 

Ref. Ligji yt, o Zot, është burim i paqes.

 

166 Ndihmën tënde, o Zot, e pres

dhe i mbaj urdhërimet e tua.

168 I mbaj ligjet e tua e dëshminë tënde,

sepse të gjitha udhët e mia janë para syve të tu.

 

Ref. Ligji yt, o Zot, është burim i paqes.

 

Aleluja!

Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë. (Gjn 14, 23)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mk 12, 35-37) (fq. 1448)

 

Si mund të thonë se Mesia është biri i Davidit?

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

 

Në atë kohë, 35 Jezusi, duke mësuar në Tempull, bëri këtë pyetje: »Si mund të thonë skribët se Mesia është biri i Davidit, 36 kur vetë Davidi, i shndritur prej Shpirtit Shenjt, tha: 'I tha Zoti Zotit tim: rri në të djathtën time, deri t'i vë armiqtë e tu shtrojë të këmbëve të tua?'

37 Vetë Davidi e quan atë Zot! Si është atëherë i biri? »Masat e popullit e dëgjonin me kënaqësi.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, iu afruam altarit me këto dhurata, me shpresë të gjallë në mirësinë tënde që të na pastrojë hiri i mistereve të shenjta nëpërmjet të cilave po të shërbejmë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 16, 6

 

Unë të thirra, sepse Ti më vështrove, o Hyj: ma prire veshin tënd dhe dëgjo fjalët e mia.

 

Ose: Mk 11, 23.24

 

Përnjëmend po ju them, çkado kërkoni me uratë, besoni se e morët, e do ta fitoni, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

O Zot, Ti na ushqen me Trupin dhe Gjakun e Birit tënd, po të lutemi, na drejto me Shpirtin tënd, që të shpallim jo vetëm me fjalë e gjuhë, por me vepra e me të vërtetë e të meritojmë të hyjmë në mbretërinë qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.