Leximet e ditës
TË KREMTET E ZOTIT GJATË VITIT
E enjtja ose e Diela pas Trinisë së Shenjtë
KORPI DHE GJAKU TEJET I SHENJTË I KRISHTIT
A
e kremte
Në këtë Meshë përdoret ngjyra e kuqe.
Antifona e hyrjes Krh. Ps 80, 17
Popullin e vet e ushqeu me më të mirin grurë dhe e ngiu me mjaltë të nxjerrë nga shkëmbi.
Thuhet Lavdi
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj, Ti nën sakramentin e mrekullueshëm të Eukaristisë na e le kujtimin e vdekjes sate, bëj, po të lutemi, ashtu të nderojmë misterin e shenjtë të Korpit e të Gjakut tënd, që përherë ta sprovojmë frytin e shëlbimit tënd. Ti që jeton e mbretëron me Hyjin Atë, në bashkim me Shpirtin Shenjt, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Lp 8, 2-3.14b-16a) (fq. 226/7)
Të ushqeu me manë, që s’e njihje ti as etërit e tu.
Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë
Moisiu i tha popullit: 2 “Të të bjerë në mend udhëtimi që Zoti, Hyji yt, ka bërë ta kalosh për këta dyzet vjet nëpër shkretëtirë, me qëllim që të përulte, të sprovonte e të mësonte çka ndryhet në zemrën tënde: a do t’i mbash urdhërimet e tija apo jo. 3 Të mundoi me uri, por pastaj të ushqeu me manë, që s’e njihje ti as etërit e tu. Kishte për qëllim ta vërtetonte se për të jetuar njeriut nuk i del mjaft buka, por i lypet edhe secila fjalë që del prej gojës së Zotit.
14 Mos e harro Zotin, Hyjin tënd, që të ka nxjerrë nga toka e Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë; 15 që të ka prirë nëpër atë shkretëtirë të madhe e të tmerrshme, tokë gjarpinjsh të helmuar e gallomash, vend të thatë e pa ujë; por qe Ai që për ty nxori përrenj uji të gjallë prej qetës graniti 16 e të ushqeu në shkretëtirë me manë, që s’e kishin njohur etërit e tu.
Fjala e Zotit
Psalmi 147, 12-13.14-15.19-20 (fq. 827)
Ref. Lavdëroje, Jerusalem Zotin.
12 Lavdëroje, Jerusalem, Zotin,
madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!
13 Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua,
i bekoi bijtë e tu në ty!
Ref. Lavdëroje, Jerusalem Zotin.
14 Ai ua siguron kufijve të tu paqen,
ai të ushqen me palcën e grurit.
15 Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë,
lajmi i tij vrapon me shpejtësi.
Ref. Lavdëroje, Jerusalem Zotin.
19 Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit,
drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.
20 Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër:
asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.
Ref. Lavdëroje, Jerusalem Zotin.
Leximi i dytë (1 Kor 10, 16-17) (fq. 1617/8)
Edhe pse shumë, ne jemi një trup i vetëm.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
Vëllezër, 16 gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë, a nuk është bashkim me Gjakun e Krishtit?
Po edhe buka të cilën ne e ndajmë, a nuk është bashkim me Trupin e Krishtit? 17 Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: pse të gjithë jemi pjesëtarë të një buke.
Fjala e Zotit
Aleluja!
Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit, nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. (Krh. Gjn 6, 51)
Aleluja!
Ungjilli (Gjn 6, 51-58) (fq. 1515/6)
Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë Jezusi i tha turmës: 51 Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është trupi im për jetën e botës.”
52 Atëherë judenjtë filluan të grinden me njëri-tjetrin e thoshin: “Si mundet ky të na japë trupin (e vet) për ushqim?” 53 Prandaj Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani trupin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete!
54 Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit. 55 Sepse trupi im është ushqim i vërtetë e gjaku im është pije e vërtetë. 56 Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të.
57 Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë për mua. 58 Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo porsi ajo që hëngrën etërit e vdiqën: kush ushqehet me këtë bukë do të jetojë në amshim.”
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Jepi Kishës sate, o Zot, dhuratën e bashkimit dhe të paqes, që në mënyrë mistike shënohen në këto kushte. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I EUKARISTISË SË SHENJTË – I
Flia dhe sakramenti i Krishtit
60. Ky prefacion thuhet në Meshën “Në Darkën e Zotit”; mund të thuhet edhe në të Kremten e Korpit e të Gjakut të Krishtit dhe në Meshët kushtimore të Eukaristisë së Shenjtë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ai, Prifti i vërtetë dhe i amshuar,
duke themeluar trajtën e përhershme të flisë,
i pari t’u kushtua ty, si fli për shpëtimin tonë
dhe neve na urdhëroi ta kushtojmë në përkujtimin e tij.
Trupi i tij i flijuar për ne, kur e marrim në kungim,
na përtërin në fuqi
dhe gjaku i tij, i derdhur për ne, kur e pimë,
na pastron prej të gjitha mëkateve.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues
dhe me të gjithë aradhen e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate,
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Ose
PREFACIONI I EUKARISTISË SË SHENJTË – II
Frytet e Eukaristisë së shenjtë
61. Ky prefacion thuhet në të kremten e Korpit e të Gjakut të Krishtit dhe në Meshët kushtimore të Eukaristisë së Shenjtë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ai, kur ishte duke ngrënë Darkën e fundit me apostujt e vet,
ta kushtoi vetveten ty,
si Qengj të panjollë dhe fli të përsosur lavdie,
që të vazhdojë në shekuj kujtimin shpëtimprurës të kryqit.
Ti i ushqen dhe i shenjtëron besimtarët e tu
me këtë Sakrament të nderuar,
që e njëjta fe t’i ndriçojë dhe e njëjta dashuri t’i bashkojë
të gjithë njerëzit në botën mbarë.
Prandaj po i afrohemi tryezës së këtij Sakramenti kaq të madh,
që, të përshkuar nga hiri yt,
të shndërrohemi në njerëz qiellorë.
Dhe prandaj qielli dhe toka, duke të adhuruar,
po të këndojnë një këngë të re
dhe ne, me mbarë fuqitë e engjëjve,
brohorasim duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt...
Antifona e kungimit Gjn 6, 57
Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ai qëndron në mua dhe unë në të, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Bëj, po të lutemi, o Zot, ta shijojmë gostinë e amshuar të hyjnisë sate, të cilën e shënon kungimi i përkohshëm me Korpin e me Gjakun tënd. Ti që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.
Është e përshtatshme që pas Meshës të bëhet një procesion me një Hoste të shuguruar në të njëjtën Meshë. Megjithatë procesioni mund të bëhet edhe pas një adhurimi publik dhe të përzgjatur pas Meshës. Nëse procesioni bëhet pas Meshës, atëherë pas kungimit të besimtarëve, hostensori me Hosten e shuguruar vendoset mbi altarin. Pas lutjes pas kungimit, duke lënë jashtë ritet e mbarimit, fillon procesioni.