Leximet e ditës

JAVA E X GJATË VITIT

 

E HËNË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 26, 1-2

 

Zoti është drita ime dhe shpëtimi im: kë do të druaj? Zoti është mbrojtësi i jetës sime: para kujt do të dridhem? Kundërshtarët e mi dhe armiqtë, ata ranë poshtë.

 

Kolekta

 

O Hyj, burimi i çdo të mire, pranoji lutjet e shërbëtorëve të tu, që, nën frymëzimin tënd, të mendojmë çka është e drejtë dhe nën sundimin tënd, ta zbatojmë me vepra. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (1 Mbr 17, 1-6) (fq. 425)

 

Elia rri në praninë e Zotit Hyjit të Izraelit.

 

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve

 

Në ato ditë, 1 Eli Tesbiu, nga Tisba, në tokën e Galaadit, i tha Akabit: "Pasha jetën e Zotit, Hyjit të Izraelit, në shërbimin e të cilit jam unë në këto vite s'do të bjerë as vesë as shi, përveç në thënça unë".

2 Atëherë fjala e Zotit i qe drejtuar Elisë. I tha: 3 "Largohu prej këndej e shko në lindje dhe fshihu në përroin Kerit, që është kundruall Jordanit. 4 Kështu do të mund të pish ujë nga përroi, kurse korbave u kam urdhëruar që ta sjellin ushqimin atje. "

5 Elia shkoi dhe bëri si i kishte urdhëruar Zoti. Shkoi e banoi në përroin Kerit që është kundruall Jordanit. 6 Korbat i sillnin në mëngjes bukë e mish e në mbrëmje po ashtu bukë e mish, kurse ujë pinte nga përroi.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 121 (120), 1bc-2.3-4.5-6.78 (fq. 806)

 

Ref. Ndihma jonë është në emër të Zotit, i cili krijoj qiellin e tokën.

 

1 Sytë e mi i ngre drejt maleve:

prej nga do të më vijë mua ndihma?

2 Ndihma ime vjen prej Zotit,

i cili krijoi qiellin e tokën.

 

Ref. Ndihma jonë është në emër të Zotit, i cili krijoj qiellin e tokën.

 

3 S'do te lejojë të të merren këmbët,

nuk do të kotet ai që të ruan.

4 Ja, s'do të kotet as s'do të flejë,

ai që e ruan Izraelin.

 

Ref. Ndihma jonë është në emër të Zotit, i cili krijoj qiellin e tokën.

 

5 Zoti është rojtari yt,

Zoti është hija jote,

Zoti është në të djathtën tënde!

6 Dielli nuk do të të bëjë keq ditën,

as hëna natën.

 

Ref. Ndihma jonë është në emër të Zotit, i cili krijoj qiellin e tokën.

 

7 Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe,

Zoti do ta ruajë jetën tënde.

8 Zoti do të ruajë vajtjet e ardhjet e tua

që tani e përgjithmonë e jetës.

 

Ref. Ndihma jonë është në emër të Zotit, i cili krijoj qiellin e tokën.

 

Aleluja!

Gëzohuni e galdoni, ju që sot vuani, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell. (Mt 5, 12)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 5, 1-12) (fq. 1387/8)

 

Lum skamnorët në shpirt.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

1 Jezusi, pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. 2 Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:

3 »Lum skamnorët në shpirt sepse e tyre është Mbretëria e qiejve! 4 Lumë ata që qajnë sepse do të ngushëllohen! 5 Lum ata që janë të butë sepse do ta trashëgojnë tokën! 6 Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi sepse do të ngihen! 7 Lum të mëshirshmit sepse do të gjejnë mëshirë! 8 Lum ata që janë të pastër në zemër sepse do ta shohin Hyjin. 9 Lum pajtuesit sepse do të quhen bijtë e Hyjit. 10 Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon sepse e tyre është Mbretëria e qiejve. 11 Të lumët ju kur t'ju shajnë e t'ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t'i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! 12 Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Priri, o Zot, sytë e tu mbi shërbesën tonë të përvuajtur, që dhurata jonë të të pëlqejë ty dhe ne të na e shtojë dashurinë ndaj teje. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 17, 3

 

Zoti është fuqia ime dhe strehimi im: Ai është çliruesi im, Hyji im, ndihmëtari im.

 

Ose: 1 Gjn 4, 16

 

Hyji është dashuri, dhe kush mbetet në dashuri, mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të.

 

Lutja pas kungimit

 

Në saje të veprimit tënd shërues, o Zot, bëj të lirohemi nga prapësitë tona, dhe të drejtohemi udhës së të vërtetës. Nëpër Krishtin Zotin tonë.