Leximet e ditës

JAVA E X GJATË VITIT

 

E MARTË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 26, 1-2

 

Zoti është drita ime dhe shpëtimi im: kë do të druaj? Zoti është mbrojtësi i jetës sime: para kujt do të dridhem? Kundërshtarët e mi dhe armiqtë, ata ranë poshtë.

 

Kolekta

 

O Hyj, burimi i çdo të mire, pranoji lutjet e shërbëtorëve të tu, që, nën frymëzimin tënd, të mendojmë çka është e drejtë dhe nën sundimin tënd, ta zbatojmë me vepra. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (1 Mbr 17, 7-16) (fq. 425)

 

Në tinar mielli s’do të mbaroj, në qyp vaj s’do të mbaroj sipas fjalës së Zotit.

 

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve

 

Në ato ditë, 7 përroi, shterri, sepse nuk binte shi. 8 Atëherë Elisë i qe drejtuar fjala e Zotit e i tha: 9 »Ngritu e shko në Sareptën e sidonasve dhe qëndro atje. I kam urdhëruar një vejushe të të ushqejë.« 10 Elia u çua e shkoi në Sareptë.

Kur arriti te dyert e qytetit, gjeti një grua të ve duke mbledhur dru. Elia e thirri e i tha: »Ma sill pak ujë në katrovë që të pi.« 11 Kur u nis ajo për t'i sjellë ujë, ky e thirri prapë dhe i tha: »Të lutem, më sill edhe një kafshatë bukë në dorë!« 12 Ajo iu përgjigj: »Pasha Zotin, Hyjin tënd, unë nuk kam bukë, por vetëm një grusht miell në tinar dhe pakëz vaj në qyp. Ja, po i mbledh dy-tri dru e do të shkoj në shtëpi për ta gatuar për mua e për djalin tim, do ta hamë e do të vdesim.« 13 Por Elia i tha: »Mos ki frikë aspak, por shko e bëj siç the; porse më parë ma piq mua një kulaç të vogël me atë miell që ke e ma sill, dhe pastaj gatuaj për vete e për djalin tënd. 14 Sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: 'Në tinar mielli s'do të mbarojë në qyp vaji s'do të mbarojë derisa të vij dita që Zoti të fal shi mbi tokë.«

15 Ajo shkoi e bëri si i tha Elia. Dhe u ushqye ajo, Elia dhe familja e saj për shumë ditë. 16 Tinari i miellit nuk u mbarua as qypi i vajit nuk u pakësua sipas fjalës së Zotit që e tha me anë të Elisë.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 4, 2-3.4-5.7b-8 (fq. 661/2)

 

Ref. Zoti bën mrekulli për atë që shpreson në të.

 

2 Kur të të thërras në ndihmë, më dëgjo,

o Hyj, drejtësia ime!

Ti që më shpëtove në vështirësi:

ki mëshirë për mua e ma dëgjo uratën!

3 Deri kur, o njerëz, do të jeni zemërgurë?

Përse e doni kotësinë e ndiqni rrenën?

 

Ref. Zoti bën mrekulli për atë që shpreson në të.

 

4 Dijeni: Zoti bën mrekulli për shenjtin e vet,

Zoti më dëgjon kur unë e thërras në ndihmë.

5 Zemërohuni e mos mëkatoni, përsiatni në zemrat tuaja,

në shtrojat tuaja e qetësohuni.

 

Ref. Zoti bën mrekulli për atë që shpreson në të.

 

Shumë thonë: »Kush do të na bëjë ta shohim fatbardhësinë?«

Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate!*

Ti ndikove në zemrën time më shumë gëzim

sesa kur të tjerëve u bëhet grurë e verë me shumicë!

 

Ref. Zoti bën mrekulli për atë që shpreson në të.

 

Aleluja!

Të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t'i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell. (Mt 5, 16)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 5, 13-16) (fq. 1388)

 

Ju jeni drita e botës.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 13 »Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S'vlen më për asgjë, përveç të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit.

14 Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. 15 As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t'u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. 16 Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t'i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Priri, o Zot, sytë e tu mbi shërbesën tonë të përvuajtur, që dhurata jonë të të pëlqejë ty dhe ne të na e shtojë dashurinë ndaj teje. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 17, 3

 

Zoti është fuqia ime dhe strehimi im: Ai është çliruesi im, Hyji im, ndihmëtari im.

 

Ose: 1 Gjn 4, 16

 

Hyji është dashuri, dhe kush mbetet në dashuri, mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të.

 

Lutja pas kungimit

 

Në saje të veprimit tënd shërues, o Zot, bëj të lirohemi nga prapësitë tona, dhe të drejtohemi udhës së të vërtetës. Nëpër Krishtin Zotin tonë.