Leximet e ditës
JAVA E X GJATË VITIT
E MËRKURË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 26, 1-2
Zoti është drita ime dhe shpëtimi im: kë do të druaj? Zoti është mbrojtësi i jetës sime: para kujt do të dridhem? Kundërshtarët e mi dhe armiqtë, ata ranë poshtë.
Kolekta
O Hyj, burimi i çdo të mire, pranoji lutjet e shërbëtorëve të tu, që, nën frymëzimin tënd, të mendojmë çka është e drejtë dhe nën sundimin tënd, ta zbatojmë me vepra. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (1 Mbr 18, 20-39) (fq. 427)
Ky popull ta kuptojë se ti o Zot je Hyj dhe se ti je ai që e kthen kah vetja zemrën e tyre!"
Lexim prej Librit të parë të Mbretërve
Në ato ditë, 20 Akabi mbret çoi e i thirri të gjithë bijtë e Izraelit e i bashkoi profetët në malin Karmel. 21 Atëherë Elia doli para mbarë popullit e tha: “Deri kur do të çaloni në të dyja anët? Nëse Zoti është Hyj, ndiqeni atë, po në qoftë se është Baali, ndiqeni atëherë atë”! Por populli nuk iu përgjigj asnjë fjalë.
22 Atëherë Elia vazhdoi: “I vetmi kam mbetur unë si profet i Zotit, kurse profetë të Baalit janë katërqind e pesëdhjetë vetë! 23 Le të na jepen dy mëzetër. Ata le ta zgjedhin njërin mëzat, le ta ndajnë pjesë‑pjesë e le ta vënë mbi dru, por të mos i shtien zjarr. Edhe unë do ta përgatis mëzatin tjetër dhe do ta vë mbi dru; zjarr s’do t’i shtie. 24 Thirreni në ndihmë emrin e hyjit tuaj dhe unë do ta thërras në ndihmë Emrin e Zotit. Hyji që do të përgjigjet me anë të zjarrit, është Hyji i vërtetë”. Mbarë populli u përgjigj: “Mirë e ke”!
25 Elia u tha profetëve të Baalit: “Zgjidheni ju njërin mëzat, e filloni ju, sepse jeni më shumë. Thirreni në ndihmë emrin e zotit tuaj, por mos shtini zjarr”. 26 Ata e morën mëzatin që u takoi, dhe e përgatitën. E thirrnin emrin e Baalit prej mëngjesit e deri në mesditë e thoshin: “Dëgjona ne, o Baal”! Por s’dëgjohej zë as s’kishte kush të përgjigjej. E vazhdonin duke kërcyer rreth lterit që kishin ndërtuar.
27 Kur u bë mesditë, Elia zuri t’i vërë në lojë e u thoshte: “Bërtitni më të madhe, sepse ai është hyj: do të jetë i zënë me punë, do të jetë ndokund për rrugë ose sigurisht e ka zënë gjumi e zgjojeni”. 28 Ata zunë të bërtisnin me zë më të madh dhe, sipas ritit të tyre, thereshin me thika e me shigjeta derisa i mbuloi gjaku. 29 Por, pasi kaloi mesdita e, ndërsa ata ende po profetizonin, erdhi koha kur është doke të kushtohet flija, e nuk dëgjohej zë as s’ishte askush që t’u përgjigjej e t’i dëgjonte këta që po luteshin.
30 Elia i tha popullit mbarë: “Afrohuni tek unë”! Mbarë populli iu afrua; Elia, si e ndreqi lterin e Zotit që kishte qenë rrënuar, 31 mori dymbëdhjetë gurë, sipas numrit të dymbëdhjetë fiseve të Jakobit, të cilit i kishte qenë drejtuar fjala e Zotit: “Ti do të quhesh Izrael”! 32 Me gurë ndreqi lterin në Emër të Zotit, hapi përreth lterit një kanal të gjerë aq sa të mund të nxërë dy masë grurë, 33 i vendosi drutë, e ndau gjymtyrë ‑ gjymtyrë mëzatin dhe e vuri mbi dru 34 e tha: “Mbushni me ujë katër shtamba dhe derdhni mbi flinë e shkrumbimit e mbi dru”. Përsëri foli: “Bëni kështu edhe një herë”! Këta, pasi bënë ashtu edhe herën e dytë, ai u tha: “Bëni po ashtu edhe herën e tretë”! Bënë ashtu edhe të tretën herë 35 e ujët rridhte rreth e rreth lterit, saqë u mbush kanali me ujë.
36 Pasi erdhi koha që të kushtohej flija, si u afrua Elia profet, tha: “O Zot, Hyji i Abrahamit, i Izakut dhe i Izraelit, dëftoje sot se ti je Hyji në Izrael, se unë jam shërbëtori yt dhe se të gjitha këto i kam bërë me urdhrin tënd. 37 Më dëgjo, o Zot, më dëgjo, që ky popull ta kuptojë se ti, o Zot, je Hyj dhe se ti je ai që e kthen nga vetja zemrën e tyre përsëri”!
38 Dhe ra zjarri i Zotit dhe e përpiu flinë e shkrumbimit, drutë, gurët, pluhurin, e thithi deri edhe ujin në kanal. 39 Populli, posa e pa këtë gjë, ra përmbys me fytyrë përdhe e tha: “Zoti është Hyj, Zoti është Hyj”!
Fjala e Zotit
Psalmi 16 (15)1b-2ab.4.5ab.8.11 (fq. 671)
Ref. Më ruaj, O Hyj, sepse të kam rënë ndore!
1 Më ruaj, O Hyj, sepse të kam rënë ndore!
2 I thashë Zotit: "Ti je Zoti im,
tjetër të mirë nuk kam veç teje”!
Ref. Më ruaj, O Hyj, sepse të kam rënë ndore!
4 I shumojnë të zezat e veta
ata që shkojnë pas zotave të huaj.
Unë nuk do t’u flijoj fli njomjeje gjakrash,
buzët e mia nuk do t’ua përmendin emrat.
Ref. Më ruaj, O Hyj, sepse të kam rënë ndore!
5 Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota,
në dorën tënde është fati im!
8 Zotin e kam gjithmonë para sysh,
më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!
Ref. Më ruaj, O Hyj, sepse të kam rënë ndore!
11 Ti do të ma tregosh udhën e jetës,
gëzimin e plotë para fytyrës sate,
kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.
Ref. Më ruaj, O Hyj, sepse të kam rënë ndore!
Aleluja!
M’i mëso, Hyji im, shtigjet e tua. Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso. (Ps 24, 4b.5a)
Ungjilli (Mt 5, 17-19) (fq. 1388)
S'erdha të shlyej, por të përkryej Ligjin.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 17 »Mos t'ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s'erdha të shlyej, por të përkryej.
18 Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t'i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha. 19 Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t'i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t'i mbajë dhe do t'i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Priri, o Zot, sytë e tu mbi shërbesën tonë të përvuajtur, që dhurata jonë të të pëlqejë ty dhe ne të na e shtojë dashurinë ndaj teje. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 17, 3
Zoti është fuqia ime dhe strehimi im: Ai është çliruesi im, Hyji im, ndihmëtari im.
Ose: 1 Gjn 4, 16
Hyji është dashuri, dhe kush mbetet në dashuri, mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të.
Lutja pas kungimit
Në saje të veprimit tënd shërues, o Zot, bëj të lirohemi nga prapësitë tona, dhe të drejtohemi udhës së të vërtetës. Nëpër Krishtin Zotin tonë.