Leximet e ditës

11 qershor

 

Shën Barnaba, apostull

 

Përkujtim

 

Antifona e hyrjes Krh. Vap 11, 24

 

Lum shën Barnaba që meritoi të numërohet ndër apostuj: ishte vërtet njeri i mirë, plot me Shpirtin Shenjt e me fe (K.P. aleluja).

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti deshe që shën Barnaba, njeri me fe të gjallë e plot me Shpirt Shenjt, të caktohej me mision për kthimin e paganëve: bëj që Ungjilli i Krishtit, të cilin e predikoi me guxim, të shpallet gjithnjë besnikërisht me fjalë e me vepra. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Vap 11, 21b-26; 13, 1-3)

 

Barnaba ishte njeri i mirë, plot me Shpirtin Shenjt dhe me fe.

 

Lexim prej Veprave të apostujve

 

Në ato ditë, në Antioki 21 shumë njerëz besuan dhe u kthyen kah Zoti. 22 Lajmi i këtyre ngjarjeve arriti në Kishën e Jerusalemit e kjo dërgoi Barnabën në Antioki. 23 Kur ai arriti dhe pa hirin e Hyjit, u gëzua dhe i nxiti të qëndrojnë me gjithë shpirt në Zotin. 24 Ky ishte njëmend njeri i mirë, plot me Shpirt Shenjt dhe me fe. Një numër i madh njerëzish iu shtua Zotit.

25 Atëherë Barnaba u drejtua për në Tars për të gjetur Saulin. 26 Kur e gjeti e çoi në Antioki. Plot një vit qëndruan në atë bashkësi duke mësuar një shumicë shumë të madhe nxënësish. Në Antioki nxënësit për të parën herë u quajtën “të krishterë.” 29 Prandaj vendosën që, sa të mundet secili prej nxënësve të mbledhë për t’u çuar ndihmë vëllezërve në Jude. 30 Ashtu edhe bënë. Ndihmën ua dërguan udhëheqësve me anë të Barnabës e të Saulit. 13, 1 Në kishën vendase të Antiokisë kishte disa profetë e mësues. Ishin Barnaba, Simoni, i quajtur Niger, Luci prej Cirenës, Manaeni, që kishte qenë edukuar bashkë me Herodin tetrark dhe Sauli. 2 Një ditë, ndërsa po kryenin shërbesën hyjnore e po agjëronin, Shpirti Shenjt tha: “M’i ndani Barnabën e Saulin të kryejnë veprimtarinë për të cilën i kam thirrur.” 3 Atëherë, pasi agjëruan dhe u lutën, vunë duart mbi ta dhe i lejuan të shkojnë.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 98 (97), 1.2-3ab.3cd-4.5-6 (fq. 770)

 

Ref. Do t’ua shpall vëllezërve shëlbimin e Zotit.

 

1 Këndoni Zotit një këngë të re,

sepse bëri vepra të mrekullueshme!

Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,

me fuqi të krahut të vet të shenjtë.

 

Ref. Do t’ua shpall vëllezërve shëlbimin e Zotit.

 

2 Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,

përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.

3 I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet

kundrejt shtëpisë së Izraelit.

 

Ref. Do t’ua shpall vëllezërve shëlbimin e Zotit.

 

Të gjitha skajet e botës e panë

shëlbimin e Hyjit tonë.

4 Mbarë toka le t’i brohorisë Zotit,

le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.

 

Ref. Do t’ua shpall vëllezërve shëlbimin e Zotit.

 

5 Këndoni Zotit me harpë,

me tinguj veglash muzikore,

6 me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt,

brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!

 

Ref. Do t’ua shpall vëllezërve shëlbimin e Zotit.

 

Aleluja!

Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt thotë Zoti. Dhe ja unë jam me ju gjithmonë – deri në të sosur të botës. (Mt 28, 19.20)

Aleluja!

 

Ose:

 

Aleluja!

Zoti më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin. (Lk 4, 18)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 10, 7-13) (fq. 1396)

 

Falas morët falas edhe jepni!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 7 «Gjatë udhëtimit predikoni: ‘Mbretëria e qiellit është afër!’ 8 Shëroni të sëmurit, ngjallni të vdekurit, pastroni të gërbulurit, dëboni djajtë!

Falas morët, falas edhe jepni! 9 Mos grumbulloni në brezat tuaj as ar, as argjend, as të holla bakri; 10 as strajcë udhëtimi, as dy palë petka, as sandale, as shkop, sepse punëtori ka të drejtë për ushqimin e vet.

11 Në çdo qytet apo fshat që të hyni, pyetni a është aty ndonjë njeri i ndershëm e banoni tek ai derisa të shkoni më tej. 12 Kur të hyni në shtëpi, uroni paqe. 13 Nëse shtëpia është e ndershme, le të zbresë mbi të paqja juaj; po nuk qe e denjë, paqja juaj le të kthehet tek ju».

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Shenjtëroji me bekimin tënd, o Zot, dhuratat e kushtuara: bëj ta ndezin në ne flakën e dashurisë sate, me të cilën shën Barnaba ua çoi paganëve dritën e Ungjillit. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

PREFACIONI I APOSTUJVE – I

Apostujt barinjtë e popullit të Hyjit

 

64. Ky prefacion thuhet në Meshët e apostujve, veçanërisht të shën Pjetrit dhe shën Palit.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti bari i amshuar, nuk e le grigjën tënde,

por me anën e apostujve të shenjtë

e ruan dhe e mbron vazhdimisht,

që të udhëhiqet nga ata

të cilët Biri yt i caktoi t’i prijnë

porsi barinj në emrin e tij.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,

me frone dhe zotërues

dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,

po këndojmë himnin e lavdisë sate,

duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt.

 

Antifona e kungimit Krh. Gjn 15, 15

 

Nuk ju thërras më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk di çka bën zotëria i tij. Unë ju quajta miq, sepse ju zbulova gjithçka kam dëgjuar prej Atit (K.P. aleluja).

 

Lutja pas kungimit

 

Pasi e morëm pengun e jetës së pasosur, me përvujtëri po të lutemi, o Zot, bëj që sakramentin që kemi kremtuar me shenja të jashtme në përkujtimin e shën Barnabës apostull ta gëzojmë plotësisht në qiell. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.