Leximet e ditës

TË KREMTET E ZOTIT GJATË VITIT

E premtja e dytë pas Rrëshajëve

 

ZEMRA E KRISHTIT

 

E KREMTE

 

A

 

Në këtë Meshë përdoret ngjyra e kuqe.

 

Antifona e hyrjes Ps 32, 11.19

 

Mendimet e Zemrës së tij prej breznie në brezni, për t’i shpëtuar nga vdekja e për t’i ushqyer në kohën e urisë.

 

Thuhet: Lavdi

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

Bëj, po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, që duke nderuar me gëzim Zemrën e Birit tënd të dashur dhe duke përkujtuar mirësitë e mëdha të dashurisë së tij për ne, të meritojmë të fitojmë me begati hirin shpëtimtar prej atij burimi qiellor. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Ose:

 

O Hyj, në Zemrën e Birit tënd, të shporuar për mëkatet tona, në mëshirën tënde na dhuron thesare të pakufishme dashurie; bëj, po të lutemi, që duke e nderuar me devotshmëri, të paraqesim edhe dëmshpërblimin tonë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Lp 7, 6-11) (fq. 225)

 

Hyji yt, ty të ka zgjedhur të jesh populli i tij.

 

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë

 

Moisiu i tha popullit: 6 Ti je popull i kushtuar Zotit, Hyjit tënd; e njëmend, prej të gjithë popujve që janë përmbi tokë, Zoti, Hyji yt, ty të ka zgjedhur të jesh për të popull që veçanërisht i përket.« 7 »Arsyeja që Zoti ju ka për zemër dhe ju ka zgjedhur, nuk është pse ju ua kaloni të gjithë popujve të tjerë për nga numri; jo, pasi ju jeni më të pakët se të gjithë popujt e tjerë: 8 Por pse Zoti ju do dhe pse e mban përbetimin që u bëri etërve tuaj. Kjo qe arsyeja që ju nxori me dorë të fuqishme dhe të shpëtoi prej shtëpisë së skllavërisë, prej dorës së faraonit, mbretit të Egjiptit. 9 Prandaj, dije së Zoti, Hyji yt, është Hyj i vërtetë. Ai është Hyj besnik që e mban Besëlidhjen e vet dhe që i mëshiron ata që e duan dhe që i zbatojnë urdhërimet e tija në mijëra brezni. 10 E atyre që e urrejnë, ua kthen drejtpërsëdrejti mu atyre e s’do te vonojë më t’ua kthejë mu atyre atë që meritojnë: i bën të zhduken. 11 Ti, pra, ruaji urdhërimet e tija, ligjet dhe rregulloret, që unë po të urdhëroj sot t’i zbatosh.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 103 (102), 1-2.3-4.6-7.8.10 (fq. 775)

 

Ref. Dashuria e Zotit është përgjithmonë.

 

1 Bekoje, shpirti im Zotin,

dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

2 Bekoje, shpirti im Zotin,

e mos i harro bamirësitë e tija.

 

Ref. Dashuria e Zotit është përgjithmonë.

 

3 Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,

Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;

4 Ai ta shpëton jetën prej varrit,

ai të kurorëzon me mirësi e dashuri.

 

Ref. Dashuria e Zotit është përgjithmonë.

 

6 Zoti bën veç vepra të mira,

u jep të drejtën atyre që pësojnë padrejtësi.

7 Synimet e veta ia zbuloi Moisiut,

bijve të Izraelit veprat e veta.

 

Ref. Dashuria e Zotit është përgjithmonë.

 

8 Zoti është i mirë e i mëshirshëm,

i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.

10 Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona

as nuk na shpaguan sipas të këqijave tona.

 

Ref. Dashuria e Zotit është përgjithmonë.

 

Leximi i dytë (1 Gjn 4, 7-16) (fq. 1505)

 

Hyji është dashuri.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Gjonit apostull

 

Të dashur, 7, ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria vjen nga Hyji, dhe, secili që ka dashuri, ka lindur prej Hyjit dhe Hyjin e njeh. 8 Kush nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Hyjin, sepse Hyji është dashuri. 9 Ja si u dëftua dashuria e Hyjit në ne: Hyji dërgoi në botë një të Vetmin Birin e vet që ne të jetojmë në saje të tij. 10 Dashuria përmbahet në këtë: Jo se ne e kemi dashur Hyjin, por – Ai na ka dashur ne dhe e ka dërguar Birin e vet si fli pajtuese për mëkatet tona.

11 Të dashur, në qoftë se Hyji na ka dashur ashtu, edhe neve na duhet ta duam njëri-tjetrin. 12 Hyjin askurrë askush nuk e pa. Nëse e duam njëri-tjetrin, Hyji mbetet në ne dhe dashuria e tij në ne është e përkryer. 13 Me këtë gjë e dimë se mbetemi në Të edhe Ai në ne: na e ka dhuruar Shpirtin e vet.

14 Ne pamë dhe dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin për Shëlbues të botës. 15 Kush dëshmon se Jezusi është Biri i Hyjit, Hyji mbetet në të edhe ai në Hyjin. 16 Ne e njohëm dashurinë që Hyji ka kundrejt nesh dhe i besuam asaj. Hyji është Dashuri, dhe, kush mbetet në dashuri, mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë. (Mt 11, 29)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 11, 25-30) (fq. 1398/9)

 

Unë që jam zemër butë e i përvujtë.

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

 

25 Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha: »Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit, e ua zbulove të vegjëlve. 26 Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu! 27 Ati më dorëzoi mua gjithçka dhe askush s'mund ta njohë Birin përveç Atit dhe askush s'mund ta njoh Atin, përveç Birit e përveç atij kujt do Biri t'ia zbulojë.

28 Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t'ju çlodh. 29 Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t'ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, 30 sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.«

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet: Besoj

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

   Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

Shikoje me mirësi, po të lutemi, o Zot, dashurinë e patregueshme të Zemrës së Birit tënd të dashur e bëj që kushti ynë të të pëlqejë ty, e ne të na fitojë faljen e mëkateve. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Prefacioni: Dashuria e pakufishme e Krishtit

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Ai, i lartësuar mbi kryq, me dashuri të pakufi,

e flijoi vetveten për ne

dhe prej kraharorit të shporuar derdhi gjak dhe ujë,

gurrë të sakramenteve të Kishës,

që të gjithë njerëzit,

të tërhequr nga Zemra e hapur e Shëlbuesit,

të nxjerrin vazhdimisht me gëzim hire nga burimi i shpëtimit.

Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,

të lavdërojmë duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt...

 

Antifona e kungimit Gjn 19, 34

 

Një ushtar ia shporoi me heshtë kraharorin e tij, dhe menjëherë rrodhi gjak dhe ujë.

 

Lutja pas kungimit

 

Sakramenti i dashurisë sate, o Zot, na ndeztë në dashuri të shenjtë, që, të tërhequr përherë ndaj Birit tënd, të mësojmë ta njohim në vëllezërit tanë. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.