Leximet e ditës

Zemra e Papërlyer e Shën Marisë Virgjër

 

Përkujtim

 

Antifona e hyrjes Ps 12, 6

 

Le të galdojë shpirti im në shpëtimin tënd: do t’i këndoj Zotit, bamirësit tim.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti përgatite në Zemrën e shën Marisë Virgjër një banesë të denjë për Shpirtin Shenjt: bëj, po të lutemi, që edhe ne me ndërmjetësinë e saj, të meritojmë të bëhemi tempulli i lavdisë sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Is 61, 9-11)

 

Me gëzim të madh gëzohem në Zotin.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

 

Fara e tyre e njohur do të jetë ndër popuj, e ndër kombe pasardhësit e tyre. Kush t’i shohë, do t’i çmojë, sepse janë fara që e ka bekuar Zoti.

10 Me gëzim të madh gëzohem në Zotin, shpirti im galdon në Hyjin tim, sepse më veshi me petkat e gëzimit, ai më mbuloi me leshnik të drejtësisë, porsi dhëndër të stolisur me kezë, porsi nuse me argjendari e stolisur.

11 Po, porsi toka që bën të mbijë gjelbërimi, porsi kopshti që bën të mbijë fara e tij, kështu Zoti Hyj do të bëjë të mbijë drejtësia edhe lavdi në sy të të gjithë popujve.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi (1 Sam 2, 1.4-5.6-7.8abcd)

 

Ref. Zemra ime kërcen nga gëzimi në saje të Zotit.

 

1 “Zemra ime kërcen nga gëzimi në saje të Zotit,

m’u trash krahu në saje të Hyjit tim;

hapur e kam gojën kundër armiqve të mi,

sepse më gëzove me bamirësinë tënde.

 

Ref. Zemra ime kërcen nga gëzimi në saje të Zotit.

 

4 Harku i të fortëve u thye,

kurse të ligshtit u ngjeshën me fuqi!

5 Të ngopurit rrogëtarë u lidhën për bukë goje,

kurse të uriturit më s’sprovojnë skamje.

Beronja lindi fëmijë me shumicë,

kurse ajo që pati shumë u shua.

 

Ref. Zemra ime kërcen nga gëzimi në saje të Zotit.

 

6 Zoti bën që të vdiset e të jetohet,

plandos në Nëntokë dhe andej nxjerr.

7 Zoti bën skamnor e të pasur,

përul edhe lartëson.

 

Ref. Zemra ime kërcen nga gëzimi në saje të Zotit.

 

8 Prej pluhurit e ngre varfanjakun,

prej llomit e lartëson skamnorin,

që të rrijë me princa,

që ta zërë vendin e nderit.

 

Ref. Zemra ime kërcen nga gëzimi në saje të Zotit.

 

Aleluja!

Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet. (Lk 2, 19)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 1, 41-51)

 

Maria i ruante me kujdes në zemër të gjitha këto ngjarje.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

41 Prindërit e Jezusit për çdo vit shkonin në Jerusalem për të kremten e Pashkëve. 42 Kur Jezusi i mbushi të dymbëdhjetat, u ngjitën sipas zakonit të festës. 43 Si kaluan ato ditë, ata u kthyen, kurse Jezusi ende fëmijë, u ndal në Jerusalem pa dijen e prindërve të tij. 44 Duke qenë të bindur se është me turmën, ecën ashtu një ditë rrugë e atëherë zunë ta kërkojnë ndër kushërinj e të njohur. 45 Pasi nuk e gjetën, u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar.

46 Pas tri ditësh e gjetën në Tempull mes dijetarësh duke i dëgjuar ata dhe duke u bërë pyetje. 47 Të gjithë ata që e dëgjonin, i mrekullonte dija dhe përgjigjet e tij.

 48 Kur e panë, u çuditën dhe e ëma i tha: “Ç’na bëre kështu, o bir? Ja, yt atë dhe unë të kërkuam plot pikëllim!”  49 Ai iu përgjigj: “Po, pse më kërkuat? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?”  50 Por ata nuk morën vesh çka deshi t’u thotë.

51 Atëherë Jezusi u kthye me ta, erdhi në Nazaret dhe i dëgjonte. E ëma i ruante me kujdes në zemër të gjitha këto ngjarje.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, lutjet e kushtet që populli yt po t’i paraqet në përkujtimin e shën Marisë, Hyjlindëse, që të të pëlqejnë ty dhe me to, të fitojnë ndihmën tënde. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

PREFACIONI I SHËN MARISË VIRGJËR – I

Amësia e Shën Marisë Virgjër

 

62. Ky prefacion thuhet në Meshët e Shën Marisë Virgjër, duke përmendur, në vendin e caktuar, shenjën e festës, si shënohet në çdo Meshë.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Dhe po të lavdërojmë, po të bekojmë dhe po të shpallim

në …. e shën Marisë përherë Virgjër.

Ajo, për virtyt të Shpirtit Shenjt,

ngjizi në kraharorin e vet të njëlindurin Birin tënd,

dhe, pa e prishur nderin e virgjërisë,

ia fali botës dritën e amshuar,

Jezu Krishtin, Zotin tonë.

Nëpër të engjëjt e lavdërojnë madhërinë tënde,

zotëruesit të adhurojnë dhe dridhen pushtetet.

Qiejt e fuqitë qiellore dhe serafinët e lumtur

bashkohen për të brohoritur me galdim.

Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë,

ndërsa përvuajtërisht po themi:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt.

 

Antifona e kungimit Lk 2, 19

 

Maria i mbante mend të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet.

 

Lutja pas kungimit

 

O Zot, pasi na ke bërë pjesëmarrës të shëlbimit të amshuar, bëj që ne, që po përkujtojmë Nënën e Birit tënd, ta gëzojmë plotësinë e hirit tënd e rritjen e vazhdueshme të shpëtimit. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.