Leximet e ditës
JAVA E XI GJATË VITIT
E DIEL
A
Antifona e hyrjes Krh. Ps 26, 7.9
Dëgjoje, o Zot, zërin e klithmës sime. Ji Ti ndihmëtari im, mos më braktis, mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim.
Thuhet Lavdi.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty, vështroji lutjet tona dhe, pasi pa ndihmën tënde ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë, na përtërij vazhdimisht me hirin tënd, që, në zbatim të urdhërimeve të tua, të të pëlqejmë me vullnet të mirë e me veprim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Dal 19, 2-6a) (fq. 103)
Do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh, e një popull i shenjtë.
Lexim prej librit të Daljes
Në ato ditë, 2 izraelitët, si u nisën prej Rafidimit, arritën në shkretëtirë të Sinait, aty ngulën tëbanishtën kundruall malit.
3 Moisiu u ngjit te Hyji. Zoti e thirri prej malit e i tha: "Thuaj kështu shtëpisë së Jakobit e kumtoj izraelitët: 4 Ju vetë patë se çka u bëra egjiptianëve, se si juve ju kam bartur mbi krahët e shqiponjave e ju kam sjellë deri tek unë. 5 Prandaj, nëse do të ma dëgjoni fjalën e do ta mbani Besëlidhjen time, ju do të jeni ndër të gjithë popujt prona ime, - e imja është mbarë toka -. 6 Ju do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh, e një popull i shenjtë. "
Psalmi 100 (99), 1-2.3.5 (fq. 772)
Ref. Ne jemi populli i Zotit dhe delet e kullosës së tij.
2 Toka mbarë le t'i brohoritë Zotit,
shërbeni Zotit me hare,
dilni para tij me brohoritje!
Ref. Ne jemi populli i Zotit dhe delet e kullosës së tij.
3 Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj:
Ai na krijoi e atij i përkasim:
jemi populli i tij dhe delet e kullotës së tij.
Ref. Ne jemi populli i Zotit dhe delet e kullosës së tij.
5 Sepse i mirë është Zoti,
e amshuar dashuria e tij,
nga breznia në brezni besnikëria e tij.
Ref. Ne jemi populli i Zotit dhe delet e kullosës së tij.
Leximi i dytë (Rom 5, 6-11) (fq. 1594)
Në qoftë se u pajtuam me Hyjin në saje të vdekjes së Birit të tij, me më shumë arsye, do të shëlbohemi me anë të jetës së tij!
Lexim prej letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, 6 ndërkohë, kur ne ishim të pafuqi, Krishti, në kohën e duhur, vdiq për bakëqijtë.
7 E pra, vështirë do të pranonte kush të vdes për njeri të drejtë - ndoshta për ndonjë njeri të mirë ndokush edhe do të merrte guxim të vdes. 8 Por Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt neve kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.
9 E mbasi tani ne jemi të shfajësuar me anë të gjakut të tij, është më se e sigurt se ai do të na shpëtojë nga dënimi. 10 Pra, në qoftë se u pajtuam me Hyjin në saje të vdekjes së Birit të tij - kur ende ishim armiqtë e tij, sa me më shumë arsye, njëherë të pajtuar, do të shëlbohemi me anë të jetës së tij! 11 Dhe, jo vetëm kaq! Ne e vëmë mburrjen tonë në Hyjin në saje të Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të cilit tani fituam pajtimin.
Fjala e Zotit
Aleluja!
Është afër Mbretëria e qiellit: kthehuni dhe besoni Ungjillit. (Mk 1, 15)
Ungjilli (Mt 9, 36 - 10, 8) (fq. 1395/6)
Jezusi i mblodhi rreth vetes dymbëdhjetë nxënësit e vet e i dërgoi.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, 36 kur Jezusi e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari. 37 Atëherë u tha nxënësve të vet: »Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. 38 Lutuni, pra Zotërisë të të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta.« 10,1 Pastaj Jezusi i mblodhi rreth vetes dymbëdhjetë nxënësit e vet e u dha pushtetin të mund t'i dëbojnë shpirtrat e ndytë dhe të mund të shërojnë çdo sëmundje e lëngatë.
2 Emrat e Dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, që quhet Pjetër e vëllai i tij Andreu; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, i vëllai; 3 Filipi dhe Bartolomeu; Toma e Mateu - tagrambledhësi; Jakobi i Alfeut dhe Tadeu; 4 Simon Kananeu dhe Judë Iskarioti - ai që e tradhtoi.
5 Shi këta të Dymbëdhjetët Jezusi i dërgoi dhe u urdhëroi: »Mos shkoni ndër paganë as mos hyni në asnjë qytet të samaritanëve! 6 Por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. 7 Gjatë udhëtimit predikoni: 'Mbretëria e qiellit është ngjat!' 8 Shëroni të sëmurit, ngjallni të vdekurit, pastroni të gërbulurit, dëboni djajtë! Falas morët, falas edhe jepni!
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
O Hyj, Ti me bukën e verën na jep shujtën që na ushqen, dhe sakramentin që na përtërin: mos na lër kurrë, po të lutemi, pa këtë ndihmë për trupin dhe për shpirtin. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 26, 4
Për një gjë të vetme i lutem Zotit, vetëm atë kërkoj: të jetoj në shtëpinë e Zotit të gjitha ditët e jetës sime.
Ose: Gjn 17, 11
Atë i shenjtë, ruaji në emër tënd ata që m’i fale që të jenë një sikurse ne, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
O Hyj, bëj që ky kungim që morëm, shenjë e bashkimit të besimtarëve në ty, të sjellë edhe njësinë në Kishën tënde. Nëpër Krishtin Zotin tonë.