Leximet e ditës

JAVA E XI GJATË VITIT

 

E MËRKURË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 26, 7.9

 

Dëgjoje, o Zot, zërin e klithmës sime. Ji Ti ndihmëtari im, mos më braktis, mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim.

 

Kolekta

 

O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty, vështroji lutjet tona dhe, pasi pa ndihmën tënde ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë, na përtërij vazhdimisht me hirin tënd, që, në zbatim të urdhërimeve të tua, të të pëlqejmë me vullnet të mirë e me veprim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (2 Mbr 2, 1.6-14) (fq. 637)

 

Kur qe, një karrocë e zjarrtë dhe Elia me anë të vorbullës u ngrit në qiell.

 

Lexim prej librit të dytë të Mbretërve

 

Në ato ditë, 1 kur Zoti e ngriti Elinë në qiell në vorbull Elia e Elizeu e lëshuan Galgalën. 6 Elia i tha Elizeut: "Rri këtu se mua Zoti po më dërgon deri në Jordan." Ky iu përgjigj: "Pasha jetën e Zotit e pasha jetën tënde, unë nuk do të të lë vetëm. "Kështu shkuan së bashku.

7 Pesëdhjetë veta nga bijtë e profetëve shkuan pas tyre. Këta zunë vend përballë tyre, pakëz më larg, kurse ata të dy shkuan te Jordani. 8 Elia e hoqi leshnikun, e mbështolli dhe me të i ra ujit. Uji u nda në dy pjesë dhe ata kaluan terikut. 9 Kur kaluan bregun tjetër, Elia i tha Elizeut: "Kërko çfarë do që të bëj për ty para se të më marrin prej teje." Elizeu iu përgjigj: "Të lutem të vijnë mbi mua dy të tretat të shpirtit tënd." 10 Ai u përgjigj: "Ti po kërkon një gjë të vështirë. Megjithatë, nëse do të më shohësh kur do të më marrin prej teje, do ta fitosh atë që kërkove, e në qoftë se nuk do të më shohësh, nuk do ta fitosh."

11 Ndërsa ata po vazhdonin rrugën duke biseduar, kur qe, një karrocë e zjarrtë dhe kuaj të zjarrtë i ndanë dhe Elia me anë të vorbullës u ngjit në qiell. 12 Elizeu e shikonte e bërtiste: "Im atë, o im atë! Karroca e Izraelit e kalorësi i tij!" Dhe më nuk e pa; i kapi petkat e veta dhe i shqeu në dy pjesë. 13 E mori leshnikun e Elisë, që i kishte rënë, u kthye dhe zuri vend në bregun e Jordanit. 14 Me leshnikun e Elisë, që i kishte rënë, i ra ujit e tha:" Ku është tani Hyji i Elisë?" I ra ujit, uji u nda këndej e andej dhe Elizeu kaloi.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 31 (30),20.21.24 (fq. 689)

 

Ref. E fortë është zemra e të drejtit që shpreson në Zotin.

 

20 Oh, sa e madhe është mirësia jote, o Zot,

të cilën e ruan për ata që të druajnë,

e ke përgatitur për ata që shpresojnë në ty

në sy të bijve të Adamit.

 

Ref. E fortë është zemra e të drejtit që shpreson në Zotin.

 

21 Ti i fsheh në strehën e fytyrës sate

larg nga ngatërresat e njerëzve,

i strehon në Tendën tënde

larg nga gjuhët ngatërrestare.

 

Ref. E fortë është zemra e të drejtit që shpreson në Zotin.

 

24 Duani Zotin, të gjithë shenjtërit e tij:

ai i ruan besimtarët e vet,

por edhe atë që vepron me madhështi

Zoti e shpaguan sipas meritave.

 

Ref. E fortë është zemra e të drejtit që shpreson në Zotin.

 

Aleluja!

Nëse ndokush më do, ai do ta mbajë fjalën, thotë Zoti, Ati im do ta duajë dhe tek ai do të vijmë. (Gjn 14, 23)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 6, 1-6.16-18) (fq. 1390)

 

Ati yt që sheh në fshehtësi, do ta shpërblejë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 1 »Ruajuni se i bëni veprat e mira tuajat në sy të njerëzve për t'u parë prej tyre! Përndryshe nuk do të keni farë shpërblimi te Ati juaj që është në qiell.

2 Prandaj, kur të ndash lëmoshë, mos i bjer burisë para vetes, sikurse bëjnë shtiracakët në sinagoga dhe në rrugë të madhe për të qenë nderuar prej njerëzve. Për të vërtetë po ju them: u ndanë me atë shpërblim! 3 Ndërsa ti, kur të bësh lëmoshë, mos të dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë, 4 e Ati yt që sheh në fshehtësi, do ta shpërblejë.«

5 »Kur të thoni uratë, mos bëni si shtiracakët, të cilëve u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshe të rrugëve, që t'i shohin njerëzit. Përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! 6 Ndërsa ti, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi; e Ati yt që sheh në fshehtësi, do të shpërblejë.

16 »Edhe kur të agjëroni, mos u mërrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t'u treguar njerëzve se agjërojnë: përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! 17 Ti, përkundrazi, kur të agjërosh, përuroje kryet tënd dhe laje fytyrën tënde, 18 që të mos e vënë re njerëzit se po agjëron, por Ati yt, që është në fshehtësi. Ati yt që sheh në fshehtësi, do të shpërblejë.«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Hyj, Ti me bukën e verën na jep shujtën që na ushqen, dhe sakramentin që na përtërin: mos na lër kurrë, po të lutemi, pa këtë ndihmë për trupin dhe për shpirtin. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 26, 4

 

Për një gjë të vetme i lutem Zotit, vetëm atë kërkoj: të jetoj në shtëpinë e Zotit të gjitha ditët e jetës sime.

 

Ose: Gjn 17, 11

 

Atë i shenjtë, ruaji në emër tënd ata që m’i fale që të jenë një sikurse ne, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

O Hyj, bëj që ky kungim që morëm, shenjë e bashkimit të besimtarëve në ty, të sjellë edhe njësinë në Kishën tënde. Nëpër Krishtin Zotin tonë.