Leximet e ditës
JAVA E XI GJATË VITIT
E ENJTE
Antifona e hyrjes Krh. Ps 26, 7.9
Dëgjoje, o Zot, zërin e klithmës sime. Ji Ti ndihmëtari im, mos më braktis, mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim.
Kolekta
O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty, vështroji lutjet tona dhe, pasi pa ndihmën tënde ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë, na përtërij vazhdimisht me hirin tënd, që, në zbatim të urdhërimeve të tua, të të pëlqejmë me vullnet të mirë e me veprim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Sir 48, 1-15) (fq. 967)
Elia u ngrit porsi zjarr ndërsa Elizeu u mbush me shpirtin e tij.
Lexim prej librit të Siracidit
1 Atëherë porsi zjarr u ngrit Elia profet, flaka e tij digjte si vravashka. 2 Ai mbi ta solli urinë dhe me zellin e vet ua zvogëloi numrin. 3 Me urdhër të Zotit e mbylli qiellin e tri herë prej qiellit e zbriti zjarrin. 4 Oh, sa i lavdishëm u bëre, Eli, me mrekullitë e tua! Kush mund të matet me ty në lavdi? 5 Ti e ngjalle prej së vdekuri të vdekurin, nga Nëntoka me fjalën e Zotit! 6 Ti i prire mbretërit kah rrënimi, nga shtrati i tyre flake njerëz të përmendur, lehtë ua theve pushtetin e tyre. 7 Ti dëgjon në Sinai qortimet e në Horeb vendimet ndëshkuese! 8 Ti shugurove mbretër për hakmarrje dhe profetë për pasardhës të tu! 9 Ti qe mbartur në vorbullën e zjarrtë, në karrocë me kuaj zjarri.10 Ti qe shkruar të jesh përgatitje për kohët, ta zbutësh felgrimin para se të pëlcasë, ta kthesh zemrën e babës kah i biri e t'i rimëkëmbësh fiset e Jakobit. 11 Lum ata që ty të panë e që pushuan në dashurinë tënde! 12 Edhe ne patjetër do të jetojmë, por pas vdekjes i tillë s'do të jetë emri ynë. 13 Posa Elia qe mbështjellë në vorbull, Elizeu u mbush me shpirtin e tij. Gjatë jetës së tij mbret s'qe që e trembi, kush me forcë s'mundi të ngadhënjejë mbi të. 14 Asnjë send s'mundi ta tejkalojë, edhe, i vdekur, trupi i tij parafoli. 15 Gjatë jetës së vet bëri mrekulli edhe pas vdekjes të mrekullueshme qenë veprat e tija.
Fjala e Zotit
Psalmi 97 (96), 1-2,3-4.5-6.7 (fq. 769)
Ref. Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin.
1 Zoti mbretëron! Le të galdojë Toka,
le të gëzohen ishujt e shumtë!
2 Re e errësirë janë përreth tij,
e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.
Ref. Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin.
3 Zjarri shkon përpara tij
dhe i djeg armiqtë e tij përreth.
4 Vetëtimat e tij e shndritin botën,
sheh Toka e dridhet!
Ref. Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin.
5 Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet,
para fytyrës së Zotit të mbarë botës!
6 Qiejt e shpallin drejtësinë e tij,
të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.
Ref. Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin.
7 I mbuloftë turpi të gjithë idhujtarët,
të gjithë që mburren në trupore idhujsh!
ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.
Ref. Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin.
Aleluja!
Kemi marrë Shpirtin që na bën bij të adoptimit, në saje të cilit ne thërrasim: «Abba! O Atë!». (Rom 8,15)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 6, 7-15) (fq. 1390)
Lutuni kështu.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 7 »Kur të thoni uratë, mos teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t'u plotësohet urata nëse thonë shumë fjalë. 8 Mos bëni si ata, sepse Ati juaj e di mirë se për çka keni nevojë para se t'i luteni.
9 Prandaj lutuni kështu: Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë Emri yt! 10 Ardhtë Mbretëria jote! U bëftë vullnesa jote si në qiell ashtu në tokë! 11 Bukën tonë të përditshmen na e jep sot! 12 Na i fal fajet tona, sikurse ua falim ne fajtorëve tanë! 13 E mos lejo të biem në tundim, por na shpëto nga i Ligu!
14 Vërtet, në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t'jua falë juve; 15 por, nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t'jua falë juve gabimet tuaja.«
Fjala e Zotit
Antifona e hyrjes Krh. Ps 26, 7.9
Dëgjoje, o Zot, zërin e klithmës sime.
Ji Ti ndihmëtari im, mos më braktis,
mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim.
Lutja mbi dhurata
O Hyj, Ti me bukën e verën na jep shujtën që na ushqen, dhe sakramentin që na përtërin: mos na lër kurrë, po të lutemi, pa këtë ndihmë për trupin dhe për shpirtin. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 26, 4
Për një gjë të vetme i lutem Zotit, vetëm atë kërkoj: të jetoj në shtëpinë e Zotit të gjitha ditët e jetës sime.
Ose: Gjn 17, 11
Atë i shenjtë, ruaji në emër tënd ata që m’i fale që të jenë një sikurse ne, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
O Hyj, bëj që ky kungim që morëm, shenjë e bashkimit të besimtarëve në ty, të sjellë edhe njësinë në Kishën tënde. Nëpër Krishtin Zotin tonë.