Leximet e ditës
JAVA E XI GJATË VITIT
E PREMTE
Antifona e hyrjes Krh. Ps 26, 7.9
Dëgjoje, o Zot, zërin e klithmës sime. Ji Ti ndihmëtari im, mos më braktis, mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim.
Kolekta
O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty, vështroji lutjet tona dhe, pasi pa ndihmën tënde ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë, na përtërij vazhdimisht me hirin tënd, që, në zbatim të urdhërimeve të tua, të të pëlqejmë me vullnet të mirë e me veprim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (2 Mbr 11, 1-4.9-18.20) (fq. 450/1)
Prifti e shuguroj birin e mbretit e të gjithë bërtitnin: Rroftë mbreti!
Lexim prej librit të dytë të Mbretërve
Në ato ditë, 1 Atalja, nëna e Okozisë, kur pa se i kishte vdekur i biri, u çua dhe i vrau të gjithë pasardhësit mbretërorë. 2 Porse Josaba, bija e mbretit Joram e motra e Okozisë, e mori Joasin, djalin e Okozisë, e vodhi prej djemve të mbretit që po i vrisnin, si edhe nanshoren e tij dhe i fshehu në dhomën e fjetjes prej syve të Ataljes, që të mos e vritnin. 3 Qëndroi i fshehur bashkë me nanshoren në Shtëpinë e Zotit për gjashtë vjet, gjatë kohës sa sundoi Atalja në vend.
4 Të shtatin vit Jojada i bashkoi urdhërqindësit e harëve dhe të rojës trupore të mbretit, i futi te vetja në Shtëpinë e Zotit, lidhi me ta besëlidhje dhe i bëri të përbetoheshin në Shtëpinë e Zotit. Atëherë ua dëftoi birin e mbretit. 9 Centurionët bënë ashtu si u kishte urdhëruar Jojada prift. Secili prej tyre mori njerëzit e vet, ata që të shtunën hynin në shërbim me ata që të shtunën dilnin nga shërbimi, dhe erdhën te Jojada prift. 10 Jojada ua dha centurionëve heshtat e shqytat e Davidit mbret që ishin në Shtëpinë e Zotit. 11 Rojet, me armë në dorë, qëndruan prej këndit të djathtë të Tempullit e në këndin e majtë të Tempullit, prej lterit tek Tempulli, në mënyrë që të rrethonin mbretin. 12 E solli birin e mbretit, ia vuri kurorën e i dha Dëshminë. E bënë mbret dhe e shuguruan e, duke rrahur shuplakë, bërtitnin: "Rroftë mbreti!"
13 Atalja, kur e dëgjoi zhurmën e popullit, erdhi te populli në Tempullin e Zotit, 14 e pa mbretin: qëndronte në vendin e rëndomtë mbi palk e, përreth tij, prijësit e borizanët, kurse mbarë populli i vendit brohoriste e u binte trumbetave. Atalja i shqeu petkat e veta e bërtiti: "Tradhti, tradhti!" 15 Jojada prift u urdhëroi prijësve të ushtrisë e u tha: "Qiteni jashtë rrethit të Tempullit, e kushdo që të shkojë pas saj, le te pritet shpatë. "Sepse prifti kishte pasë dhënë urdhër: "Mos e vritni në Shtëpinë e Zotit." 16 E kapën e, kur ajo arriti te pallati mbretëror rrugës së Hyrjes së Kuajve, e vranë.
17 Atëherë Jojada lidhi besëlidhjen ndërmjet Zotit, mbretit e popullit që populli të jetë popull i Zotit. Edhe një besëlidhje ndërmjet mbretit e popullit. 18 Mandej mbarë populli i vendit hyri në tempullin e Baalit dhe e rrënuan. I shpartalluan lterët e truporet e tij plotësisht. Po edhe Matanin, priftin e Baalit, e vranë përbri lterëve.
Jojada prift vuri përsëri rojet përreth Shtëpisë së Zotit.
20 Mbarë populli i vendit u gëzua dhe mbarë qyteti ra në fashë kur qe vrarë me shpatë Atalja.
Fjala e Zotit
Psalmi 132 (131),11.12.13-14.17-18 (fq. 812)
Ref. Zoti është besnik ndaj besëlidhjes së vet.
11 Zoti iu përbetua Davidit për të vërtetën,
assesi s'do ta shkelë fjalën e dhënë:
"Bamin e kraharorit tënd
do ta vë mbi fronin tënd!
Ref. Zoti është besnik ndaj besëlidhjes së vet.
12 Nëse bijtë e tu do ta ruajnë Besëlidhjen time
dhe dëshmitë e mia që do t'ua mësoj,
po edhe bijtë e tyre përgjithmonë
do të rrinë përmbi fronin tënd."
Ref. Zoti është besnik ndaj besëlidhjes së vet.
13 Sepse Zoti e zgjodhi Sionin,
e pëlqeu për banesë të veten:
14 "Ky do të jetë vendi i pushimit tim përjetë,
këtu do të banoj sepse vetë e dëshirove.
Ref. Zoti është besnik ndaj besëlidhjes së vet.
17 Atje do të bëj t'i ngallitë Pinjolli Davidit,
do ta përgatis dritëzën për të Shuguruarin tim.
18 Armiqtë e tij do t'i vesh me turp,
kurse mbi kokën e tij do të shkëlqejë kurora e tij!"
Ref. Zoti është besnik ndaj besëlidhjes së vet.
Aleluja!
Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve. (Mt 5, 3)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 6, 19-23) (fq. 1390/1)
Ku është visari yt, aty do të jetë edhe zemra jote.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 19 »Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit birojnë muret e vjedhin! 20 Mblidhni për vete visare në qiell, ku s'i brejnë as tenja as ndryshku e ku vjedhësit nuk birojnë mure as nuk vjedhin. 21 Sepse, ku është visari yt, aty do të jetë edhe zemra jote.«
22 »Syri është dritëza e trupit. Në qoftë, pra, se syri yt është i shëndoshë, i tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar. 23 Por në qoftë syri yt i sëmurë, i tërë trupi yt do të jetë i errët. Në qoftë, pra, se drita që është në ty është errësirë, se ç'terr i madh do të jetë!«
Lutja mbi dhurata
O Hyj, Ti me bukën e verën na jep shujtën që na ushqen, dhe sakramentin që na përtërin: mos na lër kurrë, po të lutemi, pa këtë ndihmë për trupin dhe për shpirtin. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 26, 4
Për një gjë të vetme i lutem Zotit, vetëm atë kërkoj: të jetoj në shtëpinë e Zotit të gjitha ditët e jetës sime.
Ose: Gjn 17, 11
Atë i shenjtë, ruaji në emër tënd ata që m’i fale që të jenë një sikurse ne, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
O Hyj, bëj që ky kungim që morëm, shenjë e bashkimit të besimtarëve në ty, të sjellë edhe njësinë në Kishën tënde. Nëpër Krishtin Zotin tonë.